Categories
Kulture

Dikur ëndërroja plazhin e Durrësit, sot më duket sikur më çojnë për dënim

Nga Admir Malaj, #ZëriIntegrimit

Para 25 vjetësh ishte eveniment të shkoje në Durrës, tek Shkëmbi Kavajës.
Zakonisht shkonim familjarisht dhe “familjarisht” para 25 vitesh donte të thoshte të shkoje si fis, deri në shkallën e dytë.
Kështu dhe ne, pra familja ime, dajallarët e mi, fëmijët e tyre, bashkoheshim dhe ashtu, 15 – 20 syresh shkonim në plazh.

Një ditë përpara përgatiteshin tavat me speca të mbushur, imam bajalldi, pastiçe, qumështor, tenxheret me pilaf, bërxolla kur kishte, zgjidhej rakia, bliheshin birra, por dhe shalqi, bostan, kumbulla, fiq.
Madje para nisjesh disa nipër dhe mbesa mblidheshin nën të njëjtën shtëpi, e kërkonim vetë dhe flinim të gjithë në të njëjtin krevat, ose dhe poshtë, përdhe. Flinim, në fakt nuk flinim, por rrinim gjithë natën zgjuar dhe thurnim ëndrra me zë të ulët dhe me sy hapur për ditën e nesërme.

Dhe e nesërmja vinte, të gjithë me çarçafë, ndonjë peshqir, tenxhere, tava, shishe limanatash me ujë të ngrirë, poçe me raki, birra, nëpër çanta me bezeje dhe fruta, sidomos shalqiri, që normalisht e mbanin burrat mbi shpatullat e tyre të forta post – socialiste. Ashtu të gjithë të gëzuar dhe krenarë futeshim dhjetëshe – dhjetëshe nëpër makinat e para demokratike që u futën në treg, pak të lodhura por italiane, franceze dhe gjermane. Nuk e di sesi na mbanin gjithato persona brenda, sepse sot edhe dy veta me bagazhe duken ngushtë brenda një makine.

Fisi jonë zakonisht preferonte sinjorinat italiane dhe fraulajnat gjermane, Fiat, Opel dhe shumë vonë fraut Mercedes. Kështu në njërin nga udhëtimet që mbaj mend në detaje, unë bashkë me një kushuririn tim, ishim ulur mbrapa, në bagazhin e një Opel Rekord dhe në ato 2 orë rrugë nga Elbasani, gati tre me ndalesa, se atëherë gratë i zinte ende makina, që na duhej për të shkuar tek Shkëmbi Kavajës, ne të dy i nxorrëm fundin specave të mbushur, bashkë me të bërtiturat e më të rriturve, që më shumë kishin hallin e xhelozisë së fëmijve të tjerë, sesa të faktit që u hëngrëm specat. Në fakt bërtitnin dhe na shkelnin syrin.

Gjithsesi, më në fund shfaqej Shkëmbi Kavajës. Edhe pse ashtu dhjetë vetë të sardelosur brenda një makine, ne mbërrinim triumfues, pasi shikonim sesi me qindra zbritnin nga stacioni i improvizuar i trenit, të ngarkuar, djersitur dhe të hutuar, por këto ishin të rriturit, ndërsa më të vegjlit gjëmonin për të arritur detin, përtej pishave.

Atëherë Shkëmbi Kavajës ishte plot me pisha, shumë pak ndërtime, më së shumti bunkerë.
Gjithsesi, sapo arrinim fillonte puna e vërtete, montoheshin tendat, dmth katër shkopinj ku varej një çërçaf, shtroheshin batanijet, ose copa bezeje përdhe, vihej shalqiri dhe pijet në det, si dhe hapeshin tepsitë. Kishte edhe nga ato kurajozë që ndiznin hellin.

Ne fëmijët hudheshim në det me komardare, që në fakt vjen nga italishtja “camera d’aria”, e që nuk ishin gjë tjetër veçse kapertona makine, apo motorri, kush ishte me fat kishte komardare kamioni apo traktori, të madhe, gjigande, sa një gomone.
Ashtu ca me frikë e ca me trimëri kalonim bregun e parë dhe shkonim drejt breg të dytë, madje ka pasur fjalë që disa nga ne arrinin dhe bregun e tretë. Unë në fakt nuk dija not dhe mbetesha brenda në rrjetën e komardares.

Eh sa herë kemi pirë ujë, sa herë jemi djegur dhe në fakt këto gjëra ndodhin edhe tani, veçse atëherë kur notoje në breg, të shfaqeshin “nëndetëse” ka*e dhe të lyenin me kos kur digjeshe.
Dita fluturonte, e në fund ishim të velur nga e ngrëna, të përcëlluar, me rërë në çdo cep të trupit, e të mufatur, por të lumtur. Ngjisheshim sërish në makinë dhe fillonte kthimi pas, me ndalesa kuptohet.
Duket kollaj tani, po ishte tmerr, pasi rruga deri në Rrogozhinë ishte e ngushtë dhe e ngarkuar, pastaj në Rrogozhinë duhej të futeshe brenda në qytet, plot gropa, ashtu si dhe në Peqin, Bradashesh, e deri sa mbërrije në Elbasan, nga darka copa – copa.
Të nesërmen do tregonim sërish njëri tjetrit dhe atyre që nuk ishin historinë e ditës, sigurisht të zbukuruar.

Pse mu kujtua gjithë kjo histori?
Sot jam sërish tek Shkëmbi Kavajës, që fatmirësisht nuk është shumë i populluar sivjet, gjysma të keqes, se ndryshe nuk rrihet.

Në fakt nuk më rrihet, më duket sikur më kanë dënuar që rri këtu, ndërsa shoh kushurinjtë e mi, që nga Instagrami më “përshëndesin” nga Drimadhas, Livadhë, Himara e Saranda.
Kam të njëjtën ndjenjë që kisha para 25 vjetësh, kur në disa raste, kushurinjtë e mi vinin tek Shkëmbi Kavajës dhe unë duhet të rrija në Elbasan dhe lahesha në Shkumbin. Tr ishtim!
Se pse, se qysh, se tek, nuk di ta shpjegoj …
Edhe pse, me thënë të drejtën nuk është thjesht çështja e jugut, sepse në jug kam shkuar që 5 vjeç, pra para 30 vitesh, tek kampi punëtorëve, edhe më përpara të dielave tek Shkëmbi Kavajës, po ato ishin pushime socialiste. Histori tjetër./Faktor.al\

Categories
Art Kulture Personalitete

Parashqevi Simaku, ikona e papërsëritshme e muzikës shqiptare

“Në moshën e rinisë“, “E duam lumturinë“, “Më the të dua”, janë vetëm disa nga këngët me të cilat Parashqevi Simaku është ngulitur në kujtesën tonë.

“Një nga zërat më të rrallë të muzikës shqiptare. Ajo këndonte muzikën e lehtë, por këndonte shumë mirë edhe këngën popullore. Kur këndonte këngën e Qamiles, të rrënqethte mishin. Parashqevia është zëri femëror më i mirë i skenës shqiptare.”

Kështu është shprehur në një intervistë në vitin 2015 kompozitori Agim Krajku ndërsa shtoi se ajo është ‘një zë si ai nuk i vjen më Shqipërisë’.

Parashqevi Simaku ishte miti i viteve 80-90.

Ajo u lind në Kavajë më 1 shtator 1966. Dhe më pas u shpërngul në Durrës. Që e vogël filloi të këndojë, duke bashkëpunuar me kompozitorë të talentuar.

“Unë jam vajzë e dy prindërve që si shumë të tjerë në Shqipëri nuk kanë pasur mundësi të përfitojnë nga puna e tyre. Kësisoj më është dashur të luftoj si për ëndrrat dhe për mundësitë ekonomike.Jam munduar sidomos të ndihmoj mesa mundem familjen time. Babai dhe nëna ime janë dashuria dhe mbështetja shpirtërore më e madhe që kam pasur ngaherë. Atyre iu dedikoj jetën dhe ëndrrat e mia. Ata ishin artistë të lindur dhe kultivuan e lejuan tek unë ndjenjën artistike, me gjithë thashethemet dhe ngacmimet e zakonshme që më rrethonin, e që asnjë prind s’dëshiron t’i dëgjojë për bijën e vet.

Unë nuk kam bërë asnjëherë me ta artisten, por fëmijën e përulur, vajzën që lan, pastron shtëpinë, që s’del, kur ata nuk duan, që para se të futet në shtëpi nga shfaqja, fshin trukun që ata s’e durojnë dot, që ju kërkon kohë, pak kohë për martesë, duke ju premtuar se padyshim një ditë do t’i gëzojë si cilado vajzë, prindërit e vet, me martesën e aq pritur”, kështu ka thë ajo në një intervistë në 14 shkurt 1997 për Rudina Xhungën.

Parashqevia këndoi në shumë festivale edhe Koncerte të Pranverës. Më 1985 (Festivali i 24-të i Këngës në RTSH) zuri vendin e parë me këngën “Në moshën e rinisë“, gjithashtu më 1988 fiton çmimin e parë të Festivali i 27-të i Këngës në RTSH me këngën “E duam lumturinë”, kompozuar nga Pirro Çako.

Repertori i saj përfshin një numër të madh interpretimesh.

Pas vitit 1991 ajo largohet edhe jeton në SHBA, duke u marrë edhe atje me muzikën, dhe duke nxjerrë një album të ri. Hera e fundit që u shfaq në skenë ka qenë viti 1996 në Festivali i 35-të i Këngës në RTSH si e ftuar.

Ndërsa hera e fundit që Parashqevi Simaku ka ardhur në Shqipëri ishte në vitin ‘97-të. Në një intervistë dhënë asokohe për Rudina Xhungën në gazetën ‘Koha’, Parashqevia foli për romancën e saj me bashkëshortin amerikan, Robertin.

“Në 14 shkurt ’96, Robert, im shoq më propozoi martesë. Atë mbrëmje shkurti, ai më ftoi në restorantin Xhons të Beverly Hills, ku më dhuroi unazën e familjes së tij. Më pas mësova se po në atë restorant ishte martuar dhe Marilyn Monroe.”

Ajo tregonte se Roberti i dhuronte shumë dashuri, dhe sipas një liste që kish shkruar më parë, ku rendiste 10 vetitë që duhet të kishte bashkëshorti i ardhshëm, Roberti plotësonte 13.

Parashqevia u martua, lindi dhe një djalë nga martesa e saj me Robertin, Luke, por gjithçka mori fund në 2012-tën.

Më vonë u tha se këngëtarja pësoi një paralizë faciale, por gjithçka mbetej në kuadrin e thashethemeve. Asgjë nuk është dëgjuar nga Parashqevia vetë.

Ende sot, ‘e zhdukur’ për rreth 20 vite, Parashqevi Simaku mbetet një nga zërat më të mire që kemi pasur.

Më poshtë iu risjellim në kujtesë këngët e saj.

Këngët

Gëzimi i shtepisë së re (1983)

Në moshën e rinisë (1985)

Një mëngjes (1986)

Kur lulëzon bliri (1986)

Me sytë e tu (1987)

Çdo mëngjes

Çdo gjë bashkë ne e ndajmë

Buzë detit jemi rritur

Bashkëmoshatarët (1987)

Koha nuk na pret (1987)

E duam lumturinë (1988)

Gusht e prush (1988)

Jetoj (1989)

Nuk jam vetëm (1989)

Sonetë për vete (1990)

Lejla (1990)

Dëgjoma këngën (1991)

Se dashuria

Kur të prisja ty

Tik Tik Tak

Mes nesh është dashuria

Më the të dua

Në sytë e tu

Qyteti im

Shoqet

Bashkë ne të dy

Sytë e një vogëlushi

Dashuria e vërtetë

Pyes veten

Jehonë nga Iliria

Haxhireja

Ura e Shijakut

Pranvera do të vijë

Anës lumenjve

Dashuria

Se-sa

Jug-Veri

Kur jam me ty

Pak më shumë

Dielli

Përgatiti: Merita Hoxha

Categories
Kulture

Parashqevi Simaku – Më the të dua

Më the të dua por nuk mu besua
Mos folen zogjtë apo pemët
Mos ishte zhurma e erës

Unë ty tu luta
Qe mua të më thuash
Të dua pranë, ty te dua

Mos folen ujrat e pranverës
Mos folen udhët plot
Mos folen udhet plot njerëz

Prapë unë ty tu luta
Qe mua të më thuash
Të dua pranë, ty te dua

Prapë unë ty tu luta
Qe mua të më thuash
Të dua pranë, ty te dua

Mos foli kush
N’atë, n’atë prush,

N’atë gusht e n’atë prush
N’ata mos foli
Apo tjetër kush

N’atë gusht e n’atë prush
N’ata mos foli
Apo foli kush

Mos foli hëna përmes degesh
A gonxhet qe do çelin
Gonxhet qe do të çelin nesër

Prapë unë ty tu luta
Qe mua të më thuash
Të dua pranë, ty te dua

Prapë unë ty tu luta
Qe mua të më thuash
Të dua pranë, ty te dua

N’atë gusht e n’atë prush
N’ata mos foli
Apo foli kush

N’atë gusht e n’atë prush
N’ata mos foli
Apo tjetër kush

N’atë gusht e n’atë prush
N’ata mos foli
Apo tjetër kush

N’atë gusht e n’atë prush
N’ata mos foli
Apo tjetër kush

Kokën lehtë e vure
E vure ti tek mua
Të dua pranë, ty te dua

Më unë ty s’tu lutë
Që mua të më thuash
Të dua pranë, ty te dua

Kokën lehtë e vure
E vure ti tek mua
Të dua pranë, ty te dua

Më unë ty s’tu lutë
Që mua të më thuash
Të dua pranë, ty te dua

Categories
Art Kulture Personalitete

1 Shtator 1966, lindi Parashqevi Simaku, ne i urojmë nga zemra edhe 100 vite të lumtura

Parashqevi Simaku është këngëtare shumë e njohur. Parashqevi Simaku është një këngëtare shqiptare nga Shqipëria. Ajo lindi në Kavaje dhe më pas u shpërngul në Durrës. Ajo që e vogël filloi të këndojë, duke bashkëpunuar me kompozitor të talentuar. Këndoi shumë në festivale edhe koncerte e pranverës. Në 1988 fiton çmimin e parë të Festivali i 27-të i Këngës në RTSH me këngën e duam lumturinë, kompozuar nga Pirro Çako. Pas vitit 1991 ajo largohet edhe jeton në SHBA, duke u marr edhe atje me muzikën, dhe duke nxjerr një album të ri. Hera e fundit që u shfaq në Shqipëri ka qen viti 1996 në Festivali i 35-të i Këngës në RTSH si e ftuar.

Në Dhjetor 1981, Parashqevi Simaku merr pjesë në Festivali i 20-të në RTSH me këngën “C’lumturi Na Dha Kjo Jete”.

Në Dhjetor 1982, Parashqevi Simaku & Lindita Theodhori marrin pjesë në Festivali i 21-të në RTSH me këngën “Gezuar Shoke”.

Në Dhjetor 1982, Parashqevi Simaku merr pjesë në Festivali i 21-të në RTSH me këngën “Kur Te Prisja Ty”.

Në Dhjetor 1983, Parashqevi Simaku merr pjesë në Festivali i 22-të në RTSH me këngën “Gëzuar Vitin E Ri”.

Në Dhjetor 1984, Parashqevi Simaku & Tonin Tërshana marrin pjesë në Festivali i 23-të në RTSH me këngën “Ngrohtësi”.

Në Dhjetor 1984, Parashqevi Simaku & Tonin Tërshana marrin pjesë në Festivali i 23-të në RTSH me këngën “Ngrohtësi”.

Në Dhjetor 1985, Parashqevi Simaku merr pjesë në Festivali i 24-të në RTSH me këngën “Ne Moshen E Rinise”.

Në Mars 1986, Parashqevi Simaku merr pjesë në Kur Vjen Pranvera 1986 me këngët “Kur Lulëzon Bliri” dhe “Flamujt E Aksioneve”.

Në Dhjetor 1986, Parashqevi Simaku merr pjesë në Festivali i 25-të në RTSH me këngën “Një Mëngjes”.

Në Mars 1987, Parashqevi Simaku merr pjesë në Kur Vjen Pranvera 1987 me këngët “Bashkmoshatareve” dhe “Me Syte E Tu”.

Në Dhjetor 1987, Parashqevi Simaku merr pjesë në Festivali i 26-të në RTSH me këngën “Koha Nuk Na Pret”.

Në Mars 1988, Parashqevi Simaku merr pjesë në Kur Vjen Pranvera 1988 me këngën “Me The Te Dua”.

Në Dhjetor 1988, Parashqevi Simaku merr pjesë në Festivali i 27-të në RTSH me këngën “E Duam Lumturinë”.

Në Prill 1989, Parashqevi Simaku merr pjesë në Kur Vjen Pranvera 1989 me këngën “Nuk Jam Vetëm”.

Në Dhjetor 1989, Parashqevi Simaku merr pjesë në Festivali i 28-të në RTSH me këngën “Jetoj”.

Në Prill 1990, Parashqevi Simaku merr pjesë në Kur Vjen Pranvera 1990 me këngën “Degjoma Kengen”.

Në vitin 1990, Parashqevi Simaku publikon albumin “Koleksion Kengesh Popullore”.

Categories
Histori

Kulla e Sahatit, monumenti simbol i Tiranës

Nga FATJON CUKA

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, edhe pse është metropol modern që transformohet çdo ditë, bashkëjeton edhe me historinë, trashëgiminë e pasur kulturore, monumentet historike dhe ndërtesat karakteristike tiranase të periudhave të ndryshme historike.

Sot qyteti ka disa monumente të karakterit historik, përfshirë edhe ato të ndërtuara sidomos gjatë periudhës osmane, si Xhamia Et’hem Beu, Kulla e Sahatit, një pjesë e Kalasë së Tiranës, Tyrbeja e Kapllan Pashës, Ura e Tabakëve dhe disa nga shtëpitë e vjetra karakteristike që janë monumente kulture, duke krijuar një mozaik monumentesh që mbrohen nga shteti.

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, edhe pse është metropol modern që transformohet çdo ditë, bashkëjeton edhe me historinë, trashëgiminë e pasur kulturore, monumentet historike dhe ndërtesat karakteristike tiranase të periudhave të ndryshme historike. Sot qyteti ka disa monumente të karakterit historik, përfshirë edhe ato të ndërtuara sidomos gjatë periudhës osmane, si Xhamia Et’hem Beu, Kulla e Sahatit, Kalaja e Tiranës, Tyrbeja e Kapllan Pashës, Ura e Tabakëve dhe disa nga shtëpitë e vjetra karakteristike që janë monumente kulture, duke krijuar një mozaik monumentesh që mbrohen nga shteti. ( Olsi Shehu – Anadolu Agency )

Në mesin e këtyre monumenteve, Kulla e Sahatit mbetet një nga më të njohurat dhe simbol i trashëgimisë së vjetër të Tiranës, e cila ndodhet shumë pranë Xhamisë Et’hem Beu, në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë, e ndërtuar gjatë periudhës osmane.

Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia e Tiranës, Kulla e Sahatit, e cila ka statusin e monumentit të kulturës së kategorisë së parë, filloi të ndërtohej nga Haxhi Et’hem Beu në vitin 1822. Punimet vazhduan deri në vitin 1830, duke përfunduar me kontributin e familjeve të pasura të Tiranës, me një lartësi fillimisht 30 metra.

Arkitektura e saj është e përzier, pasi pjesa e gdhendur dhe punuar në gurë e kullës është e stilit osman, ndërkohë që me ndërhyrjet restauruese në vitin 1928, kullës iu shtuan pesë metra lartësi, një ballkon dhe iu vendos një çati e tipit venecian.

Ajo aktualisht është e gjatë 35 metra, ndërsa shkallët e saj prej druri pas disa restaurimeve në kohë të ndryshme janë zëvendësuar me shkallë metalike dhe në ambientet brenda kulla është e veshur me gurë.

Kulla në lartësi të ndryshme është e pajisur me frëngji të vogla, që kishin funksion mbrojtës dhe të ajrosjes, ndriçues, dhe në majën e saj e pajisur me orë në 4 pozicione. Çdo vizitor mund të sodisë pamjet e Tiranës nga maja e kullës, duke përshkruar 90 shkallët e saj në formë spiraleje.

Si një monomet simbol, kulla përveç vlerave historike mbart edhe rëndësinë për turizëm, pasi tërheq kureshtjen për shtetas të huaj nga vende të ndryshme që vizitojnë Tiranën për qëllime turistike, ku vizitojnë edhe ambientet brenda saj.

Të shumtë janë turistët që përveçse vizitojnë ambientet e kullës, shijojnë në lartësinë e saj edhe pamjet e qendrës së Tiranës dhe Sheshit “Skënderbeu”, ku “dëshmojnë” disa periudha të historisë me ndërtesat karakteristike të tyre, siç është Xhamia Et’hem Beu e periudhës osmane, ndërtesat e ministrive që i përkasin periudhës së Mbretit Zog, si dhe Muzeu Historik Kombëtar dhe Pallati i Kulturës të periudhës së komunizmit.

Kulla e Sahatit është edhe simbol i emblemës së Bashkisë së Tiranës dhe së bashku me Xhaminë Et’hem Beu, e cila kjo e fundit po restaurohet me kontributin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), formojnë një “mozaik unik” arkitekturor, që për shumë vizitorë nuk ndahen nga njëra-tjetra, edhe për shkak të afërsisë ku ndodhen.

Si rezultat i vlerave historike dhe arkitekturore që ka Kulla e Sahatit në Tiranë, me vendim të posaçëm të Bashkisë së Tiranës është shpallur qendër e vizitueshme, ndërkohë që çdo turist që viziton kryeqytetin shikon monumentin simbol rreth 200-vjeçar.

Monumentet, përfshirë edhe Kullën e Sahatit, iu kanë rezistuar periudhave historike, por edhe luftërave, dhe sot janë dëshmi e Tiranës së dikurshme, e historisë dhe kulturës së saj, që i sjellin kryeqytetit të Shqipërisë përveçse turistë të shumtë, edhe një identitet historik./Voal.ch

Categories
Histori Personalitete

Letër për Sevastinë që meriton një monument – Nga NATASHA LAKO

E dashur Elide,

Sapo u kujtua 30 gushti i vitit 1949 , kur Sevasti Qiriazi, mori me vete gjithe jeten e saj. Por na la perveç vepres jetesore edhe nje liber ku permbledh kujtimet, qe kohet e fundit u botua nen kujdesin e shoqates biblike dhe Dana Stucky, e cila mbylli jeten me kete botim. Te dyjave qofte ne nje takim te vetem, na lidhi jeta e Sevasti Qiriazit, njehere e pergjithmone. Dhe sot autobiografia e saj ‘’Jeta ime’’, disa elemente te se ciles i ka edhe filmi ‘’Mesonjetorja’ me regji te Muharrem Fejzos.

Kur perfundova skenarin e filmit ‘Mesonjetorja ‘’kushtuar shkolles se pare te vajzave, te ngritur prej Sevasi Qiriazit, me ka dale ne enderr, vizioni trondites i saj, qe sikur dilte prej varrit. Sepse une kisha jetuar me jeten dhe emocionet e saj dhe, nese kisha pergjegjesi krijuese, ajo ishte vetem para saj. Nuk dija me hollesi te gjithe vuajtjen deri sa dha frymen e fundit, atehere kur duhet t’i kishin dhene kuroren e lavdise. Do te ishte mjaft sikur te flitej vetem per martirizimin e djalit te saj mjek qe u vetev ra i bur gosur dhe i akuzuar deri ne ekstrem dhe tjetri po i bu rgosur, si ndodhte rendom me te gjithe ata qe kishin lidhur jeten dhe fatet e tyre pertej Atlantikut qe ne shkeputjen perfundimtare nga bota perendimore te vitit 1945. Pasi vete regjimi e dinte se aktiviteti i saj per dije dhe perparim kishte permasa te te gjithe botes.

Ishte hera e pare qe une isha zhytyr ne arkivin e shtetit, ku gjeta kujtimet dhe nje ditar te vogel te Parashqevi Qiriazit, qe meriton nje film me vete, me pjesemarrjne e saj ne Konferencen e Paqes ne Parisin e viteve 1918-1920, si anetare e delegacionit te shoqerise “Vatra”. Por nga ai ditar ,ndryshe nga metodologjia totalitare nga e cila kemi vuajtur, mesova se sa rendesi ka jeta personale , ku shpirti ndertohet jashte sloganeve, ne marredhenie shume komplekse. Dhe ajo zbulonte edhe Sevastine, kete kryeneçe dhe kembengulese te pafrikesuar.

Kjo ishte shume impresionuese.

Ne Korçe, kisha filluar qe ne mature te shkruaj nje drame per shkollen e vajzave, qe do te vihej ne skene per nje konkurs mes shkollave te mesme. Madje erdhi te punonte me grupin e nxenesve edhe aktori Jani Riza. Kur shkruaja ate variant, kisha takuar nje prej nxeneseve te saj te para qe vete u be mesuese e shkolle shqipe te vajzave ne Pogradec. Dhe me ka mbetur i paharuar ashtu me shume se 90 vjeçare e ulur ne kendin e shtepise, si u thoshin ne Korçe nimeve duke kenduar kengen e shkolles se vajzave, si para mesueseve te saj te para dikur. “Shqiperi atdhe i dashur nuk te leme ty te vuash.” Dhe kjo tingellonte si perjetesia vete.

Por kur nje i afert i familjes, Valentini, qe te gjithe i therrisnin Vali, qe punonte ne repartin make up, ne Kinostudio, e tani duhet te jete ne emigracion, me çoi te familjaret e heshtur te Sevastise, zemra na ngriu bashkarisht. Nga heshtja e tyre e ngrire, kuptova se realizimi i filmit edhe mund te rrezikohej.

Por e shpetoi atmosfera e 100 vjetorit te Lidhjes se Prizrenit, qe mua me beri ta propozoj si teme.

Asnje gazetare nuk eshte kujtuar te pyese per shtysat qe mund te çojne nje krijuese per te misheruar artistikisht nje figure, te cilen nepermjet fatit te femijeve e kishin egzekutuar qe ne gjallje. Por ‘intrigat’ krijuese jane ndonjehere me te çuditeshme, deri ne sedren si shqiptare.

Duke ditur shume mire historite e shkollave shipe te Rilindjes, kisha mbetur e çuditur se si ne nje film te atehershem maqedonas, nuk permendej fare nje shqiptar, qe ne jeten reale ishte bashkeshort i nje prej heroinave te filmit, e lidhur me aktivitetet e shoqatave biblike.

Madje e lidhur aq ngushte me jeten shqipare, sa pas vd ekjes se te shoqit, u be nje donatore e gjithe pasurise se saj, veçanerisht per spitalin e pare te Tiranes. Por emri shqiptar ishte i ndaluar te permendej. Kjo ishte nje nxitje tjeter qe une te vendosja te flisja per shkollen e pare shqipe, ku Sevastia u lante vajzave edhe koken, si nguteshin te me tregonin ato ish nxenese te saj qe po shuheshin njera pas tjetres.

Kur Dana Stucky gjeti dhe botoi kujtimet e Sevastise qe ajo i kishte lene ne shoqet e saj amerikane, me pyeti disa here se ku i kisha gjetur une faktet e pergjithesuara sigurisht, si tregon edhe vete Sevastia. Dhe çuditerisht ato kujtime ruheshin ne Korçe, po aq sa ne kujtimet e Sevastise, per Kajo Babienin, ose familjet qe kisha i ekskomunikonte meqe mbronin shkronjat shqip.

E them kete e dashur Elide, se vete korçaret e kishin ngritur ne zemer monumentin e Sevasti Qiriazit.

Kur shkruaja skenarin, nuk i kisha shume te qarta kerkesat e cenzures, pasi me mbronte akti i saj i madh. Por ne nje shtjellim te lire te dramaturgjise filmike, si ndodh edhe per romane shume te njohur kur skenaristi i meshon idese qe ka zgjedhur te trasmetoje, une duhet t’i gjeja nje emer heroines sime. Nje nga mundimet me te medha ishte deri sa lindi emri Dafina…

Por ngjarja me e madhe ishte gjate xhirimeve te filmit, kur gjithe Korça mezi priste te shihte Sevastine. E paharueshme ishte dita kur une e çova Roza Anagnostin, te shtepia ku sot eshte muzeu Gjon Mili, ku banonte Aleksandra Ilos, nje prej nxeneseve te Sevastise, prej te ciles Roza Anagnosti studioi gjithe formimin, qendrimin, finesen dhe kulturen e trasheguar prej mesueses se madhe. Nje burim tjeter per mua ishin edhe mbresat e Skender Luarasit.

Filmi u prit shume mire, madje ne ate mase sa u permiresuan edhe çeshtjet e mia biografike, te ndodhura sapo kisha lindur me babain tim, ne po te njejta vite kur u godit edhe Sevastia, e cila u nda nga jeta ne vitin 1949… Madje per here te pare, une dhe Roza, edhe ajo me dyshime te renda biografike, pas suksesit te filmit, morem nje ftese per te qene ne tribunen e 1 Majit, sa per dekor anesor. Por une edhe pse e ’’rivendikova me ne fund ne saje te Sevastise,‘’ nuk arrita te shkoj, pasi ne pasaporte kisha mbiemrin e bashkeshortit, ndryshe nga emri ne krijimtari.

Megjithate emri i i Sevastise, qe une dhe Muharrem Fejzo e kishim vene si perkushtim ne sekuencat e para, te shkruar me shkrim dore per t’i qendruar besnike atmosfere se pare te shkronjave shqipe, u hoq njehere e pergjithmone prej filmit nga komisioni i dyte, qe vinte direkt nga Komiteti Qendror, pas atij nga Ministria. E them kete si deshmi konkrete, nen mesimet e Sevastise dhe kujtimeve te saj.

Per mua si autore, kjo vetem tregonte dhembet e regjimit. Por perseri si autore per mua kishte rendesi te madhe mesazhi qe kisha marre persiper, qe nuk mund te ishte thjesht dokumentaresk. Sepse synimi im ishin raportet e individit me makinen e opresionit, qe kishte ndjere nje vajze si Sevastia, te e cila mund te them pa frike se e identifikoja edhe veten time njefaresoj. Pasi nuk ka veper qe krijuesi te mos shprehe veten, qendrimet personale dhe takimet mendore e emocionale qe e çojne drejt nje personazhi te caktuar. Dhe kjo gjithmone, qe ne zgjedhjen e temes.

I them gjithe keto se filmi pergjitheson. Dhe kush eshte i afte per rilexime, e kupton fare mire domethenien e finales se filmit… Skena mbyllese eshte e Kajos (Babieni) qe, para se te largohet nga detyra e kafazit, mbrojtesit te shkolles, pershendetet me nxeneset. Keto i kerkojne qe, kur te kthehet, t’u sjelle lirine. Dhe fjala liri tingellon ne nje kor te pafajshem vajzash te vogla, nen nje nentekst te fuqishem.

Kete mesazh, per te cilen kritika as ka kohe te ndalet ndonjehere, as e mendon, as e kupton te pakten mes rrethanave te shfaqjes se filmit, e kishin lexuar nxenesit inteligjente te gjimnazit ‘’Perto Nini Luarasi’’, pasi plot emocion, po kete sekuence filmike e kishin zgjedhur per ilustrim ne nje takim te rrethit letrar. Dhe ata qe nuk dine te lexojne mesazhe, as mund te dine perse vete jeta e Sevasi Qiriazit eshte nje monument.

Shume miqve u kam thene se ne skenar ka qene dhe skena e takimit te Sevastise me Koto Hoxhin, takim qe ajo e pershkruan me hollesi ne librin e saj autobiografik ‘’Jeta ime’’. Disa, qe duket se nuk kane qene koshiente me pare per madheshtine e ketij akti, sa e mesojne, por dembele per te lexuar librin ’Jeta ime’, fillojne te pyesin perse nuk eshte ne film, ne vend qe te pyesin vetem perse nuk dine pothuajse asgje nga aktet me domethenese te jetes se Sevastise. Dhe pa kuptuar asnjehere se dramaturgjia filmike ka ligje te tjera kompozicionale ne vartesi te asaj qe ka zgjedhur per te thene.

Ata qe kane mundesi te lexojne kujtimet e Sevastise, e kane edhe me te gjalle kete skene. Dhe kur! Ne fund te shekullit XIX ne hapsanen ku ka marre guxim te hyje, me ndihmen e nje shqiptari. Dhe ku nje mesues i martirizuar qe nuk njihet, i jep bekimin e tij.

Naim Frasheri i jep bekimin e tij jo vetem asaj por gjithe vajzave dhe grave shqiptare. Dhe faji i pare i kesaj gruaje, prej te ciles veçohet disi Parashqevi Qiriazi, ishte se reziston, punon dhe kurorezon edhe 25 vjetorin e festimeve te pavaresise! Faji tjeter ndoshta ishte se dinte anglisht ose se ishte motra e Gjerasim Qiriazit, te shoqerise biblike, qe ka punuar aq shume per perhapjen e librit shqip. Sipas regjimit totalitar duhet te kete qene gabim edhe martesa e saj me Kristo Dakon, te cilin ajo e njeh ne Bukuresht, ku i lutet t’i perpiloje tekstet e lendeve shkencore. Nuk po zgjatem te pershkrimet e saj per Institutin e ngritur ne Kamez, as edhe per momentin qe mbreti Zog vendos te ndaloje shkollat private, fakte qe japin shume te dhena per historine e arsimit shqiptar. Nga kujtimet e Sevastise kupton gjithashtu lidhjet dhe organizimin e mendjeve shqiptare, ne nje solidaritet te forte mbrojtjeje dhe mbeshtetjeje.

Ato qe tregon Sevastia e tejkalojne çdo perfytyrim, si ndalesat neper hane, kur shkonte per Elbasan, ku bashkepunonte per ngritjen e Normales dhe ku duhej te ballafaqohej me mjerimin dhe vjedhesit e ndryshem. Sikur vetem te perfytyrohet udhetimi i saj me karroce ne çdo stine nga Manastiri ku kishte familjen aterorore deri ne Korçe, ku kishte shkollen e hapur qe ne vitin 1891, mund te gjendet nje galeri e pafund ngjarjesh dhe ankthesh, sidomos per rrezikun e mbylljes se shkolles. Duke pasur nje arsimim perendimor, pasi ka studiuar ne Robertt Kolegj te Stambollit, pershkrimet e Sevastise jane plot konkretesi dhe realizem te madh, sa te duket sikur historia çlirohet nga çdo llol patetizmi. Mes te tjerash, ne kujtimet e saj Sevastia permend nje fakt te hidhur, kur i bije te flere ne Oher ne nje familje, te ciles shoqeria biblike e Londres i kishte dhene gjithe shumen marramendese per lirimin e Gjerasim Qiriazit, te cilen duhet t’ia jepte Shahin Matrakut, qe ne te vertete nuk merr gjithe shumen e kerkuar, por prape se prape e liron Gjerasimin. Por restoja e konsiderueshme e pareve, kishte mbetur ne duart e hanxhiut, qe nuk kishte treguar sigurimin e shumes te plote, me qe ishte kujdesur me teper te konribuonte per bisnesin e tij se sa jeten e vellait te Sevastise.

E mbaj gjithenje ne duar kete liber autobiografik, e bindur se nje personalitet te tille si Sevastia ne fund te shekullit te XIX nuk e kishte as Europa. Ndoshta nje çudi e tille guximi eshte shfaqur ne filmat Western. Por nje vuajte te tille nene dhe bashkeshorteje ne perfundim te lu ftes se dyte boterore as bota nuk e ka pasur, po se po. Dhe nje perkushtim te tille per atdheun e vet rralle mund ta kete gjithe historia.

E dashur Elide,

Perse nuk mund te imagjinoje ende kombi yne, qe po mesohet te shijoje kukulla dhe kukulla te sotme, nje monument per Sevasti Qiriazin? Perse nuk eshte i pregatitur ende, qe edhe nje vajze e kanosur per prostitucion, te kete te pakten ne nje permendore perendeshen e vet mbrojtese, dhe te dije nga i buron liria.

E di qe do te ngrihen dhjetra te tjere dhe do te na rendisin dhjetra emra te tjere para saj, pa i vene rendesi se ç’do te thote te jesh nje Sevasti Qiriazi, e bekuar prej Naimit, deshmitare e betejave per pavaresi, lu ftes se pare boterore, lu ftes se dyte boterore dhe persekutimit me absurd. Pa ditur madje se çfare shekulli do te kishim gatuar ne se bashku deri sot, po te mos e kishim nje prej hyjneshave me realiste dhe reale te ketij vendi.

Falenderoj Zhulieta Cina Grabocken, qe me kujtesen e saj homazh per jeten e Sevasti Qiriazit, dhe librin qe ajo na ka lene si dokument, me ben te te drejtohem edhe ty, si gjithe krijueseve shqiptare, per t’u bere nismetare per vendosjen e nje monumenti. Sepse nuk mund te ndodhe te ngrihet nje shkolle e nje gjuhe te ndalur ne mes te opresionin te dyfishte a te trefishte per vajza dhe te mos ngrihet nje monument per nismetaren e lirive tona./Voal.ch

Categories
Kulture

Horoskopi, e martë, 1 Shtator 2020

Dashi

Diskutoni hapur me partnerin tuaj sot për te gjitha problemet qe keni pasur ne çift. Me qetësi dhe maturi do zgjidhni gjithçka dhe do jeni me optimiste për te ardhmen. Beqaret do kenë disa takime, por fale tyre mund te linin vetëm dashuria kalimtare. Planetët do jene ne anën tuaj ne planin financiar dhe do iu ndihmojnë ta stabilizoni situatën. Shfrytëzojeni këtë mundësi!

Demi

Te shumte do jene yjet qe do krijojnë turbullira ne jetën ne çift gjate kësaj dite. Lidhjes suaj do i mungoje qëndrueshmëria dhe do keni probleme te mëdha. Beqaret do kenë pak mundësi te takojnë personat e duhur, megjithatë nuk duhet ta humbin shpresën deri ne minutën e fundit. Ne planin financiar ka ardhur koha te ndiqni një strategji strikte.

Binjaket

Nëse kohet e fundit jeni përballur me një situate te vështirë ne çift, sot do i shikoni gjerat më me qartësi. Situata do filloje te stabilizohet pak nga pak. Beqaret do flirtojnë pa pushim, por do kenë mundësi vetëm për aventura kalimtare. Shfrytëzojini nëse iu pëlqejnë ose prisni ende për një lidhje serioze. Ne planin financiar do e dini mire çfarë hapash te hidhni qe situata te mos përkeqësohet.

Gaforrja

Qetësia do mbizotërojë gjate gjithë ditës sot ne planin sentimental te çifteve. Nga ana tjetër do jeni me te disponueshem te bëni përpjekjet e duhura qe te krijoni një klime harmonike. Për beqaret do favorizohen lidhjet afatgjata. Shfrytëzojeni çdo mundësi qe do iu jepet. Ne planin financiar tregohuni sa me te matur dhe te kujdesshëm. Po gabuat do keni probleme serioze,

Luani

Dita juaj do jete me e animuar dhe me emocionuese sot. Nuk do bëni asgjë pa marre mendimin e partnerit dhe kjo do iu afroje me shume. Beqaret do i kushtojnë shume rëndësi punës dhe nuk do kenë kohe për jetën sentimentale. Mos harroni qe ditët ikin shpejt. Nëse tregoheni te arsyeshëm me shpenzimet situata financiare do jete e qëndrueshme.
Virgjeresha

Dite përgjithësisht e qete kjo e sotmja për te dashuruarit. Duhet thënë se do i jepni me shume rëndësi komunikimit dhe do i zgjidhni disa zënka te vogla qe keni pasur. Beqaret nuk do kenë fat dhe do iu rendoje shume vetmia. Financat duhet menaxhuar me shume kujdes dhe maturi. Merkuri do iu gjendet pranë ne çdo moment dhe nuk do iu lere te shpenzoni pa u menduar.
Peshorja

Për çiftet dita do jete paksa delikate. Do ndiheni te plogësht dhe nuk do keni aspak dëshirë te merreni me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Beqaret do hipnotizohen nga ideja se nuk mund te jetojnë dot me vetëm. Mos bëni gabime te cilat as vete nuk do ia falni vetes. Marsi do sjelle turbullira ne planin financiar. Kujdes me çdo hap qe do hidhni dhe shpenzoni me maturi.

Akrepi

Marrëdhënia juaj me partnerin do jete shume e mire gjate kësaj dite. Do merrni kënaqësitë e pritura dhe nuk do debatoni për asgjë. Komunikimi është një nga pikat tuaja me te forta. Beqaret duhet te kenë me tepër besim tek vetja dhe te tentojnë. Ne planin financiar do keni fat. Gjerat do shkojnë ashtu si i kishit programuar dhe do kryeni disa transaksione te rëndësishme.

Shigjetari

Dialogu do mbizotërojë gjithë kohen ne jetën ne çift. Do ia kaloni mire me partnerin. Dite emocionuese dhe drithëruese kjo e sotmja për beqaret. Një person interesant do beje gjithçka për t’iu pasur pranë edhe pse ju do tregoheni kokëfortë. Ne fakt ai do iu pëlqejë jashtë mase. Ekuilibri financiar do ketë goxha tronditje sot. Kujdes me çdo shpenzim.

Bricjapi

Atmosfera ne jetën ne çift do jete e ngrohte dhe harmonike sot. Bashkëpunimi de komunikimi do mbizotërojë gjete gjithë kohës. Ata qe mendojnë për një te ardhme se bashku duhet te përgatisin projektet. Beqaret do fillojnë një histori dashurie e cila do shndërrohet shpejt ne një lidhje serioze. Me financat nuk do i keni mire punët sepse do shpenzoni jashtë mase.

Ujori

Dite e zakonshme kjo e sotmja për te dashuruarit. Here do debatoni me atë qe keni ne krah dhe here do dashuroheni ne mënyrë pasionante. Për beqaret do jete dite e favorshme për takime. Bëjini sytë katër qe ta gjeni shpejt personin e duhur. Ne planin financiar do jeni me fat. Pa u munduar shume gjerat do rrjedhin me se miri dhe mund te hiqni disa para mënjanë.

Peshqit

Jeta ne çift nuk do jete ashtu si ju e keni pritur sot. Nuk do mungojnë debatet dhe mosmarrëveshjet çka do e tensionojnë mjaft ambientin. Beqaret do jene sharmante dhe do tërheqin vëmendjen e te gjithëve. Mos ngurroni te paktën te njiheni me disa persona. Gabimi me i vogël mund t’iu kushtoje shtrenjte ne planin financiar. Kujdes me hapat qe do hidhni./Portalb MK

Categories
Kulture

Bretkosa që do te trashet sa një ka – La Fonten

Bretkosa që do te trashet sa një ka – Poezi nga Jean de la Fontaine – Përktheu Andon Zako Çajupi

Bretkosa sa një ve,
pa nje ka sa një deve
dhe nakari nuk’ e la,
desh të trashet sa një ka.

Kur vu këtë gjë ndër mënd,
vate u shtri ndë një vënd
duke ngrën e duke pirë,
që të fryhet sa më mirë.

— Shihni, shihni, sa u rrita, —
thërrit e thoshte përdita.
— Mos u mburr’ e mos u mbaj, –
i thoshnë shoqet e saj.

— Shihni, nukë jam sa demi?
— Jo! — Shikoni. — Jo, të themi.
— Pa shikoni këtë bark
si të kaut. — Jo, je lark! —

Bretkosa, nga marasi,
u fry, u fry gjersa plasi.
Shumë njerëz ndë këtë botë
thone se janë te zote;
si bretkosa mendohen
mburren e lëvdohen./Voal.ch

Categories
Histori

1991, “Tentuam pluralizmin tonë të shoqatave, por nuk mundëm”

Nga Kastriot Dervishi

Në takimin e datës 27 shkurt 1991 me ushtarakët, për herë të parë Ramiz Alia thotë se ishte përpjekur të realizuar “pluralizmi i shoqatave”, por nuk kishte mundur. Ndër të rrallat herë, bëhet i njohur ky bashkëbisedim i fshehtë me ushtarakët në të cilat është folur se projekti i parë i pluralizmit dështoi. Alia nuk flet më tej se në çfarë kushtet të tjerash dhe nga kush pranoi pluralizmin. Sigurisht këtu është përcaktues faktori i huaj dhe gjendja e keqe ekonomike.

***

Takimi i datës 27 shkurt 1991

Ramiz Alia: Ka mendime që Komiteti Qendror i Partisë edhe shoku R.Alia një herë kanë thënë se lejojnë pastaj e lejojnë, d.m.th. lëvizin nga llafi që thanë që kanë lëviz nga llafi. Kjo është e vërtetë, por a kanë lëvizur nga mendimi, kështu duhet diskutuar. Është e vërtetë që kanë thënë që ne jemi për pluralizëm të mendimit dhe jo pluralizëm partiak, bile unë në një plenum të KQ kam thënë pluralizëm partiak do të ishte gjë shumë e keqe për vendin tonë, dhe jeta po e vërteton atë që kam thënë. Tentuam të gjejmë një rrugë tonën, d.m.th. u përpoqëm që të mos realizohej pluralizëm partiak duke krijuar pluralizëm nëpërmjet aktivizimit të organizatave të masave dhe shpalljes së tyre si subjekte të pavarura, duke patur parasysh këtu edhe eksperiencën tonë që të gjithë masat, populli, i kishim të organizuara dhe i kemi të organizuara në organizata të ndryshme shoqërore, por siç duket kjo rrugë që neve deshëm nuk pati sukses, ky është realiteti, d.m.th. forcat e ndryshme politike që ekzistonin në vend. Këto nuk u lindën dje dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm të tërë sepse nganjëherë bëjnë çudi si qe e mundur që ndodhi, d.m.th. neve në radhët tona kemi pasur edhe njerëz dhe sot, edhe sekretari KQ të rinis hodhi teseren e partisë, hapur dole, e. Këto njerëz i kemi pasur brenda radhëve dhe ne nuk e donim dhe siç është, këta, flas këtu të tjerët me Gramoz Pashkon e me Sali Berishën, etj, etj, e. Tashti ne kujtuam se do t’i fusim në këto kanale organizative që kishim. Në fakt këto ishin për tjetër punë, po jo vetëm këta, edhe reaksioni i jashtëm ka bërë punën e vet, por edhe pastaj ato si i thonë kur bisedova këtu, kur isha në mbledhje te ju në ministri, dëgjova një fjalë që se kisha dëgjuar më parë: burgaxhijtë. Pra d.m.th., kishte edhe një kategori njerëzish të tjerë të tillë si ato horrat që tha Agimi, e kuptoni? Pra ishin edhe këto një kategori njerëzish që nuk pajtohen me atë që ne menduam. Ajo që ndodhi ishte gjëja më e shëmtuar që mund të ndodhte. Në fakt ajo që ndodhi tregoi dobësi nga ana e organeve të Sigurimit, të cilët nuk ishin dhe qenë në gjendjen as për parashikonin një gjë të tillë. E treta, edhe forcat e rendit, megjithëse përpjekjet që bënë, prapë sidomos që në grumbullimet e para, u thye ligji mbi grumbullimet që nga zbritja e tyre poshtë, u thyen ligjet, vetëm Garda, vetëm Garda e Republikës qëndroi. Kur u afrua masa, ajo qëlloi, qëlloi jo drejt, por në ajër dhe në fakt e shpërndau dhe nuk e lejoi masën të avanconte, sepse atje njerëzit që vinin te monumenti nuk mund të ishin një masë e madhe, atje mund të ishin një numër i vogël njerëzish. Se mbi atë numër të paktën në këmbët e tyre duhet të qëllohej.

Kiço Mustaqi: Ata janë huliganë.

Ramiz Alia: Tashti, këtu nuk ka dyshim, duhen lavdëruar shokët e Shkollës së Bashkuar, Shkollës “Skënderbej”, Akademisë Ushtarake që morën atë iniciativë të mirë, kupton, me atë komision që në fakt u bë një shkëndijë për të. N.q.s. do të bëjmë tani depolitizimin e ushtrisë, unë nuk mund të jem komandant i ushtrisë, por nuk është vetëm kjo, imagjinoni se këtu ka edhe disa gjëra të këqija.

Salla: S’jemi për këtë jo.

Ramiz Alia: Ore, edhe sikur të jesh, s’të them të jesh, përkundrazi, ai që s’do me qenë anëtar i partisë, le të shkojë në Esfel, kupton si Lisien Bashkurti. A do të ketë apo jo komisarë? Për mendimin tim nuk e di si do vendosim, unë them që të jenë komisarë…Situata që është krijuar, nxjerr disa probleme organizative në ushtri. Neve ishin përgatitur duke menduar që ar miku do të na vinte nga toka, nga deti ose desant, por nuk kishim menduar ndonjëherë se do ta kishim kështu nëpër këmbë. Kjo situatë kërkon jo vetëm forcat e rendit, por edhe forcat e ushtrisë. Mirëpo ky problem i ushtrisë aktive, si do ta bëjmë qysh do ta bëjmë duhet menduar. Organizimi që kemi ne, populli-ushtar, është i mirë. Duke ruajtur këtë formë, ndoshta duke e përqendruar, duhet të shthurim edhe në këtë çështjen tjetër, por kjo s’bëhet për gjysmë dite, sidomos kur është fjala për qendra të mëdha se kryeqyteti nuk mbrohet vetëm me forcat vullnetare, do edhe…

Kiço Mustaqi: Në këtë kohë do të ngrihen në demonstrata…

Ramiz Alia: Jo, s’është vetëm demonstrata. Edhe nga pikëpamja ushtarake, kryeqyteti është ndryshe. Ai duhet të ketë një divizion të plotë të kompletuar, forca aktive komplet të mekanizuar dhe kështu që kur të jetë nevoja të mbrojmë kryeqytetin. Shikoni si është kjo ide./55news.al

Categories
Kulture

Liria dhe Varfëria

Liria dhe Varfëria – Andon Zako Çajupi

Jam i varfër, po i lirë,
ndaj më pëlqen varfëria;
kush do të rrojë më mirë,
s’urdhëron dot veten e tia.

Mbreti, sikur të më thotë:
«Hajde në pallat me mua,
të gëzosh dhe ti në botë,
do t’i them: Zot, nukë dua;

për të ngrën’ e për të pirë
nukë mund të shes lirinë;
i varfëri rron më mirë
s’ai që do madhërinë.

S’më duhet ergjëndi mua,
dua lirinë dhe nderë,
dua të bëj si të dua,
jo si të duan të tjerë

Kush mund e bën si do vetë,
bën si thotë Perëndia,
nukë ka në këtë jetë
gjë m’e vyer se liria.

error: Content is protected !!