Categories
Art Kulture Personalitete

1 Maj 1914, lindi aktori dhe regjizori Pandi Stillu (1914 – 1970) “Artist i Popullit”, nderim e respekt

Pandi Stillu u lind në Korçë, më 1 maj të vitit 1914 dhe vdiq më 1 qershor të vitit 1970, ishte aktor dhe regjisor i njohur shqiptar.

Aktivitetin e tij artistik e filloi në vitin 1934. Në vitin 1937 niset për studime në Rumani në Akademinë e Arteve Dramatike në Bukuresht. Në vitin 1942 diplomohet për aktor dhe fillon punë pranë Teatrit Nacional të Bukureshtit, ku për një vit interpreton disa role në shfaqjet e asaj kohe. Gjatë këtij viti kryen edhe një kurs për regjisurë.

Më 1946 vjen nga Korça si regjisor në Teatrin Popullor. “Qypi me flori” është premiera e parë e tij. Ka vënë në skenë 33 premiera dhe disa të tjera në qytete të ndryshme të vendit, si për shembull, “Për ata që janë në det”, “Zëri i Amerikës”, “Toka jonë”, “Shtatë shaljanët”, “Një letër e humbur”, “Borgjezi fisnik”, “Mbreti Lir”, “Karnavalet e Korçës”, “Syleshi”, “Morali i zj. Dulska”, etj. Pandi Stillu ishte krijues i cili dinte e kërkonte tek loja e aktorit, të zbërthente, të shprehte individualitetin, stilin e tij. Ka vënë në skenë edhe operën e parë shqiptare, “Mrika”, 1959.

Pas vdekjes iu dha titulli “Artist i Popullit”, 1979.

Categories
Histori Kulture

Si sot 57 vite më parë u shfaq filmi “Toka jonë”

Filmi “Toka Jonë” u shfaq për herë të parë më 1 maj 1964.

Regjisor: Hysen Hakani
Skenari:Peçi Dado
Producent: Kinostudioja “Shqipëria e Re”
Muzika: Çesk Zadeja

Përmbajtja e filmit

Në një fshat në veri të Shqipërisë, reforma agrare i kthen tokën Lokes dhe familjes së saj, të cilën ia kishte përvetësuar me intriga Tuç Maku, një pronar i madh tokash në atë zonë. Fillon konflikti midis dy familjeve. Tuç Maku hakmerret duke vr arë Murrashin, djalin e Lokes, i cili ishte një nga aplikuesit e reformës agrare. Mbas kësaj tragjedie Lokja kthehet te fëmijët e saj, Leka dhe Filja.

“Trajtat muzikore luhaten mes vjetërsisë së rendit feudal dhe ankthit të tambureve të luftës dhe risisë, shoqëruar me tonalitete optimizmi lirik. Shoqëria e re i ka thyer kufijtë, muret dhe normat e individualizmit fisnor tradicional; i ka çelur tokën e re për t’u punuar, por malësori mbetet më i vetmuar se më parë, me një shtrëngesë të re tragjike, me farsën e të qenit i lumtur. Kuptimi i trishtimit, të cilit i referohemi në këtë analizë, i përket rendit artistik, poetik, lebetitjes së ndryshimit të shpejtë normativ, por aspak atij politik.

Vjen përherë një kohë kur e vjetra dhe rikthimi kah saj është e papranueshme në të gjitha dimensionet, por kjo nuk e pengon njeriun të vajtojë apo të ligështohet për atë që nuk është më e që ndoshta nuk do të rikthehet. Veçse, përtej trishtimit emocional të malësorit, ndodhet një trishtim tjetër, madje një dialektikë trishtimesh.”

Aktorët në role
Mario Ashiku…………Leka
Marie Logoreci ………Lokja
Loro Kovaçi …………Tuçi
Vangjel Heba ………..Murashi
Roza Anagnosti ………Filja

Luigjina Leka ……….Mara
Gaqo Spiro ………….Meti
Qemal Mehmeti ……….Vata
Ndoc Sheldija ……….Gjon Bardhi

Enver Dauti …………Bardhoku
Tef Pali ……………Pali
Mihal Stefa …………mullisi
Besim Levonja ……….roja

Lazër Vlashi ………..prifti
Luan Qerimi …………cubi
në episode
R. Nenshati ……..

Çesk Vuksani ……..
Qenan Toro ……..
Zef Makashi ……..
Ilia Shyti ……..
Neki Shkaba ……..

Xhevat Serezi ……..
V. Peci ……..
Seit Boshnjaku ……..
R. Fisniku ……..
I. Shomo ……..
Gjon Karma ……..

https://www.youtube.com/watch?v=oXpyfGoBMDI

Categories
Art Kulture Personalitete

Filip Gjergji, themeluesi i koreografisë shkodrane, feston 94-vjetorin e lindjes

Filip Gjergji i lindur 1 maj 1927 njihet si themeluesi i koreografisë shqiptare në Shkodër. Pinjoll i familjes së njohur Gjergji të ardhur nga Mirditë në lagjen Rus të qytetit të Shkodrës para qindra vitesh është i afërm dhe i përfaqësuesit kualitet të jareve shkodrane Ndrek Gjergji, shkruan KultPlus.

Bashkohës dhe koleg i personaliteteve të artit si Fadil Kraja dhe Prenk Jakova, Filipi është dhe autor i disa botimeve si “Barcoleta shkodrane”, “Për Shkodrën dhe njerëzit e saj” si dhe pritet të botojë Historikun e Serenatës së parë të mbërritur nga Spanja në qytetin e humorit, argëtimit dhe kulturës.

Gjergji u radhit në grupin më të madh të valleve me artistë të mbledhur nga gjithë Shqipëria. Në këtë grup kërceu si solist në disa valle.Ky grup iu bashkëngjit Ansamblit Kombëtar Popullor që mori pjesë pjesë në Festivalin Botëror të Rinisë në Budapest. Kanaçi, nga kujtimet e tij, më ka treguar se”në këtë evenimet Filip Gjergji ishte korifeu i disa valleve popullore, me të cilat la mbresa të thella,një baletmaestër hungarez foli mbi finesën e tij.”Për fat të keq grupi u shpërnda, sapo erdhi nga Hungaria…” Në vitin 1949 Filipi u emërua koreograf në Shtëpinë e Kulturës ,Shkodër,të cilin e drejtonin tre personalitete:Prenk Jakova,kompozitor, AndreaS, regjisor dhe Filipi.

Vlerësimet për Filip Gjergjin mbeten gjithnjë në kontekstin,jo vetëm të mirënjohjes për një mësues,po shtrihen më gjërë në parimet e kujtesës , kur na duhet të kthejmë sytë dhe të shohim se si jeta e një artisti sillet në hapësirën e kohës, por i tejkalon ato në përmasat e dhënies së ndihmesës për artin,sidomos për artistë të tillë që vunë bazat e koreografisë kombëtare dhe, me modelin e tyre, bëhen shembull frymëzues për artistët e rinj.Arti i fuqishëm mbetet gjithnjë një përcjellje vlerash që ushqjejnë njëra tjetrën si rrjedhat e një lumi të pashtershëm.Në këtë hulli Filip Gjergji është një shembull frymëzues dhe ,nga krijimtaria e tij e niveleve të larta artistike, jo vetëm mund të mësosh, por edhe frymëzohesh…

Categories
Lifestyle

Këto 10 zakone të përditshme mund të dëmtojnë lidhjen tuaj, ja si mund ta zgjidhni problemin

Shumë njerëz ende besojnë se një marrëdhënie është diçka që thjesht na ndodh. Një sondazh tregoi se shumica e njerëzve mendojnë se shpirti binjak ekziston. Sidoqoftë, dashuria afatgjatë nuk është zakonisht e lehtë, edhe kur takojmë personin e duhur.

“Bright Side” zbulon disa sjellje të zakonshme që mund të shkatërrojnë marrëdhënien tuaj në mënyrë që të jeni të vetëdijshëm për to.

Gjithmonë krahasoni partnerin tuaj me të tjerët.
Ka disa arsye pse krahasimi i partnerit tuaj me ish-in mund të dëmtojë marrëdhënien. Para së gjithash, ajo përcakton pritshmëri joreale për partnerin tuaj. Për më tepër, do ta bëjë partnerin të ndihet i pavlefshëm.

Mundohuni të përqendroheni në cilësitë tërheqëse të partnerit në vend të të metave, të cilat, i kemi të gjithë. Dhe gjithmonë mbani në mend se ka një arsye serioze pse ju dhe ish-i juaj nuk jeni më bashkë.

Ju bëni gjithçka së bashku.
Edhe pse bërja e aktiviteteve të ndryshme së bashku e afron një çift, gjithçka ka të bëjë me ekuilibrin. Në fakt, ekspertët këshillojnë që çiftet të kenë kohë për veten. Kalimi i një kohe vetëm mund të ndihmojë në mbajtjen e një marrëdhënieje të freskët dhe më pak stresuese.

Ju shfaqni xhelozi.
Xhelozia gjithmonë ka një efekt helmues në një marrëdhënie. Të mendosh se vjen nga dashuria për partnerin tënd, duke e justifikuar disi, nuk është e saktë. Xhelozia jo vetëm që do ta bëjë partnerin tuaj të mendojë se nuk i besoni dhe dëshironi t’i kontrolloni, por gjithashtu do t’ju ​​bëjë të vuani. Ju ndoshta do të ndiheni të pasigurt dhe të izoluar gjatë gjithë kohës. Specialistët këshillojnë që të përpiqeni t’i pranoni ndjenjat e xhelozisë.

Mundohesh të jesh perfekt.
Ju nuk keni nevojë të jeni perfekt për të qenë në një marrëdhënie të lumtur dhe të sigurt. Të përqendrohesh shumë në përpjekjen për të qenë gjithmonë në formë dhe të dukesh perfekt nuk do t’i bëjë mirë askujt. Në vend të kësaj, përqendrohuni te vetja dhe komoditeti juaj, në mënyrë që të bëheni një version më i sigurt i vetvetes.

Ju nuk ndiheni të sigurt.
Kur nuk jemi të sigurt në vetvete, ne gjithmonë presim miratimin e partnerit tonë. Por kjo me të vërtetë nuk është gjë e mirë për marrëdhënien tuaj. Në fakt, të ndihesh mirë me atë që je dhe si dukesh është shumë mirë për marrëdhënien. Psikologët thonë se vetëbesimi është një cilësi tërheqëse që do ta bëjë partnerin të dëshirojë të jetë më afër jush.

Ju bëni kompromis të tepërt.
Është e shëndetshme që çiftet të mos largohen nga mosmarrëveshjet. Në vend që të bëni kompromis për të shmangur një konflikt, ju duhet t’i shprehni gjërat që ju shqetësojnë pa frikë nga hakmarrja. Në marrëdhënie të forta, çiftet duhet të mësojnë të zgjidhin konfliktet pa insistuar se kanë të drejtë dhe me respekt të ndërsjellë.

Ju e kaloni tërë kohën para gjumit duke parë TV.
Siç tregon hulumtimi, edhe një orë shtesë para TV mund të dëmtojë shumë intimitetin midis çifteve. Lë më pak kohë për të fjetur dhe relaksuar dhe shkurton kohën gjatë së cilës çiftet mund të kishin kaluar në gjëra më private.

Përpiqeni të zgjidhni problemet e partnerit.
Edhe nëse dini si të zgjidhni një problem për partnerin, mund të mos jetë gjëja që ata kanë nevojë për momentin. Siç thonë psikologët, edhe mbështetja emocionale edhe ndihma praktike janë shumë të rëndësishme. Kështu që partneri juaj thjesht mund të ketë nevojë që ju t’i dëgjoni nëse janë të mërzitur me diçka, e jo të gjeni një zgjidhje.

Nuk konsumoni asnjë vakt së bashku.
Siç tregon hulumtimi, çiftet që hanë së bashku janë shumë më të lumtur në marrëdhëniet e tyre. Pra, nëse doni të jeni të lumtur si me partnerin ashtu edhe me darkën tuaj, thjesht hani së bashku sa më shumë që të jetë e mundur!

Prisni që partneri t’ju dhurojë dashuri.
Nëse doni një marrëdhënie të lumtur dhe të shëndetshme, duhet të jeni në gjendje të shprehni dashurinë tuaj. Ekspertët thonë se duhet të qëndrojmë në kontakt me pjesën e vetvetes që dëshiron kontakt fizik dhe është e gatshme të japë dhe të marrë dashuri./Panorama

Categories
Histori

“Qesha kur vdiq Stalini”/ Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit politik: Si vuajta 10 vite burg dhe çfarë mësova nga i burgosuri grek

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e Ndoc Tushës me origjinë nga Fush-Arrëzi i cili në shtatorin e vitit 1953, së bashku me katër shokë të tjerë, u arrestuan nga Sigurimi i Shtetit me akuzën se “kishin qeshur në mitingun e mbajtur në qytetin e tyre me rastin e vdekjes së Stalinit” dhe u dënuan me burgime të rënda, duke filluar nga 18 vjet për “kryetarin e grupit”.

Dëshmia e rrallë e Ndoc Tushës, që nga origjina e familjes që e kishte në gen mjeshtërinë e gdhendies në dru, arrestimin dhe vitet e burgut në Kampin e Bulqizës e Burgun e Artizanatit në Tiranë, si dhe periudhën pas burgut, kur ai u stabilizua në qytetin e Shkodrës, ku me ndihmën e ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe, Mëhill Doçit, ai u punësua në Ndërmarrjen e Shërbimeve të Popullit dhe vitrina e dyqanit të tij afër ‘Kafes së Madhe’, pas Kalasë së Rozafatit, ishte vendi më i vizituar nga turistët vendas dhe të huaj dhe në atë kohë, me porosi të udhëheqjes së lartë nga Tirana, ai përgatiti të gjitha portretet e udhëheqësve kryesorë, si: Enver Hoxhës, Mao Ce Dunit, Çu En Lait, Kim Ir Senit, Leninit, Stalinit, etj., të cilat i duheshin udhëheqjes së lartë në Tiranë, për t’u bërë dhurata personaliteteve të larta komuniste të vendeve të ndryshme të botës.

Aty nga viti 1961 pasi unë u lirova nga burgu politik, me ndihmën e shefit të seksionit të Industrisë, Nikolla Papamitit me origjinë nga Gjirokastra, dhe kryetarit të Komitetit të Ekzekutiv të Rrethit të Shkodrës, Mëhill Doçit, m’u hap menjëherë vendi i punës në mjeshtërinë e aplikimit të pikturës në kashtë. Deri në vitin 1965 unë punova në Ndërmarrjen e Shërbimeve të Popullit dhe në atë kohë, pas Kalasë së Rozafatit, vitrine e dyqanit tim aty afër Kafes së Madhe ku kisha ekspozuar afro 180 lloj punimesh, ishte vendi më i vizituar nga të gjithë turistët vendas dhe të huaj që vinin në qytetin e Shkodrës. Gjatë atyre viteve unë kam përgatitur të gjitha portretet e udhëheqësve kryesorë, si: Enver Hoxhës, Mao Ce Dunit, Çu En Lait, Kim Ir Senit, Leninit, Stalinit, etj., të cilat i duheshin udhëheqjes së lartë në Tiranë për t’u bërë dhurata personaliteteve të larta komuniste të vendeve të ndryshme të botës. Vetëm për Enver Hoxhën unë kam përgatitur mbi 60 punime, sipas porosive që kisha nga Komiteti i Partisë, duke e bërë atë në pozicione të ndryshme, vetëm apo me Mao Ce Dunin, Çu En Lain etj. Në atë kohë që vitrina e dyqanit tim u bë vend “peligrinazhi”, Sigurimi i Shtetit caktoi një nga kuadrot e tij civilë, i cili më survejonte rregullisht gjatë gjithë kohës që aty vinin turistë, duke parë se mos unë hyja në lidhje të ndryshme me ta. Edhe pse gjatë atyre 30 e sa viteve që punova në atë zanat në qytetin e Shkodrës krijova një simpati të thellë në popull dhe tek disa kuadro të lartë, disa herë u rrezikova të dënohesha përsëri për “agjitacion e propaganda” nga Sigurimi apo kolegë dashakeq e cmirëzinj. Njëri prej tyre ka qenë piktor I dekorit, F. A., i cili erdhi në dyqanin tim dhe pasi e mori fshehurazi portretin e pambaruar të Enver Hoxhës, e dërgoi atë tek Sekretari i Parë, Sulejman Baholli, duke i thënë se sa keq e kisha bërë”.

Kështu kujtonte për Memorie.al, Ndoc Tusha, njëri nga mjeshtrit më të famshëm në Shqipëri të aplikimit të pikturës me kashtë, i cili tregonte për herë të parë të gjithë peripecitë e jetës së tij, që nga dënimi me dhjetë vite burg në qytezën e Fush – Arrëzit, i akuzuar se kishte qeshur kur kishte vdekur Stalini dhe më pas në qytetin e Shkodrës, ku disa herë i’u bënë gati prangat nga Sigurimi i Shtetit. Kush është Ndoc Tusha dhe cila është origjina e familjes së tij? Ku e vuajti ai dënimin prej 10 vitesh dhe si e mësoi ai mjeshtërinë e aplikimit të pikturës në kashtë? Cilët ishin njerëzit që e ndihmuan atë në qytetin e Shkodrës dhe ata që kërkonin ta rifusnin përsëri në burg? Në sa vende të botës ka hapur ekspozitat e tij Ndoc Tusha dhe cilat janë punimet që ish-kryeministri Pandeli Majko, ia mori për t’ja dhuruar Papës së Romës, Gjon Pali i Dytë? Lidhur me këto e plot fakte e ngjarje nga jeta e mjeshtrit të famshëm, na njeh intervista e tij në këtë shkrim.

Zoti Ndoc, cila është origjina e familjes suaj dhe ku keni lindur?

Familja jonë është me origjinë nga rrethi i Pukës dhe në atë vend kam lindur edhe unë në vitin 1935.

Kur keni filluar ta ushtroni për herë të parë zanatin tuaj?

Për herë të parë unë kam filluar të ushtrohem në këtë zanat që në moshën të vogël kur ne banonim në qytetin e Pukës dhe shkas për këtë gjë u bë rrethi im familjar, i cili e kishte atë gjë të trashëguar nga të parët tanë. Sa për kuriozitet po ju them se mjeshtrinë artistike të gdhendjes në dru, qëndistarisë në veshjet e kostumet kombëtare, punë dore etj., shtëpia jonë e ka pasur si traditë prej më shumë se 300 vitesh, gjë të cilën e vazhdova dhe unë ashtu sit ë gjithë pjestarët e tjerë të familjes sime.

Po babai juaj, e ka pas ushtruar këtë mjeshtëri?

Përveç babait tim Prend Tusha ishte specialist si marangoz e karpentier, të gjithë pjestarët e tjerë të familjes, si dy axhat e mi, e nuset e bijat e shtëpisë sonë, janë marrë rregullisht me mjeshtërinë e gdhendjes në dru dhe qëndistarinë në veshjet kombëtare, etj. Ato bënin çdo lloj punimi artistik, nga veshjet e deri tek punimet në dru, si tavane, furka, djepe, arka (sënduqe) nusesh etj. Në shtëpinë tonë që prej kur s’mbahet mend, janë bërë rregullisht të gjitha kostumet kombëtare të krahinës sonë. Në këtë traditë familjare, siç thashë më lart, u rrita dhe edukova edhe unë, duke e filluar që në moshën shtatë vjeçare të bëja punime në dru, si lodra fëmijësh etj.

Ku jeni shkolluar dhe kur keni filluar punë për herë të parë?

Unë mësimet e para i kam marrë në vendlindjen time dhe më pas shkollën e mesme e kam përfunduar në qytezën e Fushë – Arrëzit, pa shkëputje nga puna. Në vitin 1948, kam filluar për herë të parë punë në ndërmarrjet shtetërore në Fush – Arrëz, duke shërbyer si shitës buke, banakier dhe përgjegjës sektori, në Tregti. Me ato punë jam marrë deri në qershorin e vitit 1953, kur më arrestuan dhe më dënuan me dhjetë vjet heqje lirie, me akuzën e agjitacionit dhe të propagandës.

Si ndodhi arrestimi juaj dhe më konkretisht, përse ju akuzuan?

Më 24 qershor të vitit 1953 mua dhe katër të rinj të tjerë nga Fush – Arrëzi, na arrestuan duke na akuzuar se kishim qeshur në mitingun që ishte bërë në qytetin tonë në marsin e atij viti me rastin e vdekjes së Josif Visarianoviç Stalinit. Përveç kësaj, mua më akuzuan se gjoja kisha pasur dijeni edhe për aratisjen nga Shqipëria të dy të afërmeve të mi, Dedë dhe Pashk Tusha, të cilët ikën jashtë shtetit. Akuzën më të rëndë nga të gjithë pjestarët e grupit e kisha unë, ndonëse gjatë gjithë periudhës dy-tre mujore të hetuesisë, nuk e pranova atë gjë në mënyrë kategorike.

Ishte e vërtetë akuza që ju bëhej juve të katërve që kishit qeshur në mitingun me rastin e vdekjes së Stalinit?

Në mënyrë absolute ajo akuzë që më bëhej mua dhe pjestarëve të tjerë të grupit nuk kishte asgjë të vërtetë, por ajo ishte sebepi i arrestimit dhe dënimit tim, në shenjë hakmarrje për arratisjen e dy të afërmeve. Por nuk ishte vetëm kjo gjë që më rëndonte mua në atë kohë, pasi biografia ime kishte filluar të nxihej kohë më parë, me pushkatimin e kushëririt tonë, Prek Shtjefën Tushës.

Kur dolët në gjyq dhe sa ju dënuan?

Gjyqi ndaj meje dhe katër pjestarëve të tjerë të atij të ashtuquajtur grup, u zhvillua në qytezën e Fush – Arrëzit aty nga fundi i shtatorit të vitit 1953 dhe ai u bë një gjyq publik, apo shembullor siç thuhej asokohe. Seancat gjyqësore zgjatën për tre ditë me rradhë dhe në përfundim, prokurori në pretencën e tij kërkoi 15 vite burg politik për mua, ndërsa gjykata ma la dënimin me 10 vite burg. Po kështu dënime të rënda morën dhe katër pjestarët e tjerë të “grupit”, ndonëse ata patën dhe akuza të tjera jo të karakterit politik, ashtu siç i kisha unë. Me 18 vite u dënua ai që u quajt kryetar, ndërsa tre të tjerët, me 15, me 8, e me 3 vite.

Ku e vuajtët dënimin?

Si fillim mua më dërguan në një nga burgjet e qytetit të Shkodrës dhe prej aty më çuan në spitalin e burgut, ku çuditërisht atje më trajtuan shumë mirë, ndonëse unë nuk e mësova kurrë se nga më vinte ajo gjë. Në atë kuadër, pra në trajtimin e mirë që më bëhej, mua më pyetën se ku kisha dëshirë që ta kryeja dënimin dhe unë u thashë se doja që të shkoja në Kampin e Bulqizës, pasi kisha dëgjuar se atje ishte trajtimi diçka më i mirë.

A u’a plotësuan kërkesën?

Mua më dërguan menjëherë në Kampin e Bulqizës, ku punohej për nxjerrjen e mineralit të kromit nga thellësitë e nëntokës dhe temperaturat në stinën e dimrit aty arrin në minus dhjetë gradë nën zero. Unë nuk i dija ato kushte të vështira, ndaj kisha kërkuar që të shkoja atje, ku që në fillim më caktuan si Komandant të Brigadës së parë, pasi atje ishte organizimi njësoj si në repartet ushtarake. Aty në atë kamp ku punonin së bashku të dënuarit për faje politike me ato ordinere, (siç cilësoheshin ata që nuk ishin për politikë), unë mësova për herë të parë mjeshtërinë punimit të pikturës në kashtë.

Kusha u’a dha zanatin?

Aty në atë kohë ishte si i burgosur një shtetas grek, i cili u pushkatua në vitin 1959. Ai ishte mjeshtër i punimeve të pikturës me kashtë dhe kur e pashë një kornizë që kishte bërë ai, për një javë rresht nuk kam fjetur fare, duke menduar se si ta realizoja edhe unë atë gjë. Dhe i’a arrita shumë shpejt qëllimit, duke realizuar atë teknikë të aplikimit me kashtë, pothuaj njëlloj si ai, për të mos thënë më mirë. Them kështu, pasi që në realizimin e kornizave të para, unë pata shumë kërkesa nga efektivi i komandës së kampit dhe policëve të thjeshtë, të cilëve u’a realizova të gjitha, sigurisht duke u’a dhuruar pa asnjë shpërblim.

Sa kohë qëndruat në kampin e Bulqizës?

Në Bulqizë unë qëndrova deri në vitin 1957 dhe në atë kohë pasi u bë ndarja e të dënuarve, politikë dhe ordinerë, mua më sollën në Tiranë në Burgun e Artizanatit. Në atë kohë në atë kamp u hap reparti i punimeve me kashtë, ku ndër katër të dënuarit që u caktuan aty, unë isha më kryesori, pasi përveç kornizave, kisha filluar të bëja edhe piktura.

Sa kohë punuat në atë burg?

Me atë punë me të cilën isha bërë vërtet një mjeshtër, unë vazhdova të merrem deri më datën 11 janar të vitit 1961, kur më liruan nga burgu.

Pasi u liruat nga burgu, ku u vendosët?

Pasi u lirova nga burgu unë shkova në qytetin e Shkodrës dhe aty shpejt e shpejt përgatita 50 kampionë kornizash në kashtë, të cilat shkova dhe i dorëzova në zyrën e seksionit të Industrisë pranë Komitetit Ekzekutiv të qytetit të Shkodrës, e cila në atë kohë drejtohej nga Nikolla Papamiti me origjinë nga Gjirokastra.

Si u pritën atje, çfarë ju thanë?

Edhe pse unë isha liruar nga burgu politik, shefi i Industrisë së rrethit dhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Mëhill Doçi, i pëlqyen pa masë punimet e mija dhe brenda dy orëve, ata i dhanë urdhër Ndërmarrjes së Artizanatit që të më hapej vendi i punës. Kështu me porosi të tyre, për një vit mua më paguan me rrogë bazë, duke më lënë të punoja dhe krijoja repartin e aplikimit të punimeve me kashtë, në mënyrë që të mësoja të tjerët dhe të hapja shumë vende pune, pasi kërkesat për punësim në atë kohë ishin të mëdha. Për këtë gjë në atë kohë unë pata edhe ndihmën e pakursyer të nënkryetarit të Artizanatit e Metaleve, Fadil Hoxhës dhe Ali Haverit. /Memorie.al

Categories
Lifestyle Thenie

“Mos dashuro aq shumë, sepse do të thyhesh kur do të të dojë më pak”

Nga Can Yücel

Mos u lidh pas një gjëje kaq marrëzisht
Mos thuaj kurrë “S’rroj dot pa të”!
Mos thuaj dhe pikë!
Sepse edhe mund të rrosh.

S’ka nevojë për fjalë kaq të fisme
Vetëm mos dashuro aq shumë,
Sepse do të thyhesh kur do të të dojë më pak.
E ajo gjithsesi do të të dojë më pak…

Po s’dashurove shumë, s’ do kesh as dhembshuri.
Po nuk zotërove shumë, as nuk do t’i përkasësh kujt.
As dorën e këmbën dot mos ia përvetëso
Sillu sikur s’të përkasin ty

Se kur të mos kesh gjë prej gjëje, s’do t’i kesh frikë as humbjet.
Sillu sikur mundesh edhe pa to.
Kur s’ke, për shembull, shumë gjëra në shtëpi,
Lirshëm do të mund të ecësh në të.
Po deshe patjetër të kesh dicka tënden

Vijën e horizontit zotëroje,
Qiellin e tërë,
Diellin, hënën, yjet…
Bie fjala, le të jetë yti Ylli Polar
“Imi është” thuaj!
Nëse patjetër do të duash të zotërosh dicka…

Bëje ylberin tëndin përgjithmonë
Nëse patjetër dëshiron t’i përkasësh dikujt, jepiju ngjyrave.
Portokallisë apo të trëndafiltës, për shembull.
Jeto pa zotëruar shumë dhe pa qenë i zotëruar.

Trajtoje jetën sikur çdo çast mund të të shkasë nga duart,
Po edhe sikur e jotja do të jetë gjithmonë.
Duke iu ngjitur pandashëm e duke e mbajtur për kindesh. / KultPlus.com

Categories
Histori Kulture Personalitete

Busti i fshehur në studion time – rrëfimi i rrallë i skulptorit

Thanas Papa, me origjinë nga fshati Paftal i Beratit, pasi përfundoi liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1952, fitoi një bursë shtetërore dhe ndoqi studimet e larta në Institutin “Rjepin” të Akademisë së Arteve të Bukura të Leningradit, ku asokohe studionin edhe disa bashkatdhetarë të tij, si: Jakup Keraj, Shaban Hadëri, Kristaq Rama, Sali Shijaku etj., disa prej të cilëve, ai i merrte si ndihmës të tij, gjatë punëve që bënte në Institutin e Restaurimeve dhe Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës të Bashkimit Sovjetik. Dëshmitë e rralla të Thanas Papës, nga diplomimi me ‘Medalje Ari’ me “Skënderbeun mbi kalë” gjë e cila në atë akademi nuk kishte ndodhur që prej dhjetë vitesh dhe vlersimi nga ana e kryetarit të komisionit të vlersimit të diplomave të studentëve në Institutin “Rjepin”, skulptorit të famshëm rus, Tomskij, që ajo punë të derdhej në bronz dhe të shtypej edhe si kartolinë. Kthimi i Thanasit në Shqipëri ku me porosi nga “lart”, ai realizoi disa nga bustet e udhëheqësve kryesorë, si Nikita Hurshovit, Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, etj., si dhe jeta e tij plot peripeci pasi ndiqej nga Sigurimi i Shtetit për t’u arrestuar pas divorcit me bashkëshorte ruse, Valentina, (e cila në vitin 1961 u detyrua të kthehej në Bashkimin Sovjetik me vajzën e vogël dy vjeçe) dhe shpëtimi prej burgut nga mbrojtja që i bëri atij ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, që dëgjonte këngë labe në shtëpinë e tij, me magnetofonin që Thanasi kishte sjellë nga Leningradi!

“Biseda ime me Mehmet Shehun zgjati rreth dy orë dhe ndërsa unë punoja për t’i dhënë shkëlqimin e mëparshëm bustit prej bronxi që kisha punuar që në vitin 1960, ai më mbante me muhabet. Në përfundim, pasi e kisha pastruar bustin, ai më tha: “Ore, po ky qenka ndryshe” dhe më falenderoj duke u shprehur: “Nga thellësitë e zëmrës ju falenderoj për këtë dhuratë të bukur që më bëre”. Kur unë i thashë: ‘Uzina’, ai m’u përgjigj: “Lëre, lëre, e di”. Në fund kur po ndaheshim, Mehmeti më tha: “Na dil ndonjëherë nga shtëpia, mos na harro”. Kështu e kujton skulptori i njohur Thanas Papa (“Artist i Merituar”), atë takim me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, në vilën e tij në “Bllok”, ku kishte shkuar me kërkesën e tij, për të parë bustin që i kishte realizuar disa vite më parë.

Po kush është Thanas Papa dhe cila është e kaluara e tij? Ku është diplomuar ai dhe përse u caktua pikërisht Thanasi për të realizuar bustin e kryeministrit Mehmet Shehu në atë kohë? Cilat ishin peripecitë që e ndoqën Thanas Papën deri në fundin e viteve ’80-të dhe kush ishte njeriu që e mbrojti atë për të mos përfunduar prapa hekurave të burgut, si disa prej kolegëve dhe miqve të tij që ishin diplomuar në vendet e ish-Lindjes Komuniste në vitet ’50-të?! Lidhur me këtë dhe plot fakte e ngjarje të tjera nga jeta e tij, na njeh vetë 90 vjeçari Thanas Papa, nëpërmjet kësaj interviste të dhënë ekskluzivisht për Memorie.al.

Zoti Thanas, shkurtimisht, cila është origjina e familjes suaj dhe ku jeni shkolluar fillimisht?

Unë kam lindur në vitin 1931 në fshatin Paftal të Beratit prej nga është dhe origjina e familjes sime. Pas mbarimit të shkollës Unike në qytetin e Beratit në vitin 1947, unë fitova një bursë shtetërore për të ndjekur Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, të cilin e mbarova me rezultate të shkëlqyera. Në një klasë me mua në atë kohë ishin edhe: Dhimitër Buda, Jorgji Gjinari, Kristaq Rama, Jakup Keraj, Shaban Hadëri, Gjinovefa Heba, Kujtim Spahivogli, etj.

Po pas mbarimit të Liceut, ku studiuat?

Pas mbarimit të Liceut, mësuesi im i vizatimit, Dhimitër Çani, nguli këmbë që unë të vazhdoja studimet e larta, pasi sipas tij kisha shumë talent. Kështu pas mbarimit të maturës, mua dhe Jakup Kerajt nga qyteti i Shkodrës, na u akordua një bursë shtetërore për të vazhduar studimet e larta universitare në Institutin “Rjepin” të Arteve të Bukura të Leningradit, të cilin e mbarova gjithashtu me rezultate të larta, duke marrë “Medalje Ari”.

Sa kohë vazhduan studimet në atë institut?

Në atë institut unë studjova për gjashtë vite me rradhë dhe kur erdhi puna e diplomës, unë zgjodha për të bërë Skënderbeun mbi kalë. Pasi e paraqita projekt-diplomën, skulptori i famshëm rus që ishte dhe zv/presidenti i Akademisë dhe gjithashtu edhe Kryetar i Komisionit të Vlersimit të diplomave, tha: “Ajo që kërkon të bëjë Thanasi, është jashtë të gjitha mundësive të një studenti”. Por unë ngula këmbë se do ta realizoja atë gjë dhe për gati një vit e përfundova punën e diplomës, duke punuar nga 12 deri në 14 orë në ditë.

Si u vlerësua puna juaj, kur u bë mbrojtja e diplomave?

Kur u bë mbrojtja e diplomave në institutit tonë, kryetari i komisionit të vlersimit të diplomave, skulptori i famshë rus, Tomskij, (i cili kishte bërë monumentin e Skënderbeut në Tiranë) dha vlersimin maksimal për mua. Gjithashtu edhe komisjoni e vlersoi punën time si diplomë e shkëlqyer, duke më akorduar “Medalje Ari”, së bashku me studentin rus, Jevgeni Nikollajeviç, gjë e cila nuk kishte ndodhur në atë Akademi që prej dhjetë vitesh. Pas këtyre vlersimeve maksimale që m’u dhanë, komisjoni vendosi që puna ime e diplomës, pra “Skënderbeu mbi kalë” të derdhej në bronx dhe ajo u ekspozua në ekspozitën e përgjithshme të Bashkimit Sovjetik për vendet e Europës Lindore, duke e bërë edhe kartolinë.

Gjatë asaj kohe që studiove në atë institut, a pate mundësi që të punoje edhe jashtë mureve të shkollës në atë profesion?

Gjatë atyre viteve, Instituti i Restaurimit dhe Mbrojtjes së Monumenteve të Bashkimit Sovjetik, i cili bashkëpunonte me shkollën ku studjoja unë, më aktivizoi në disa punë për restaurime skulpturash që ishin të vendosur në vende publike të cilat ndodheshin diku në periferi të Leningradit. Për realizimin e atyre punëve, unë morra si ndihmësa, bashkëatdhetarët e mi, Shaban Hadërin, Kristaq Ramën dhe Sali Shijakun, të cilët i paguaja rregullisht në bazë të punës që bënin, pasi për restaurimin e tyre unë merrja një pagë që ishte shumë e kënaqshme për një student. Gjatë atyre viteve, unë morra dhe një diplomë tjetër për “Restaurimin e Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës”.

Cila ishte puna e parë që bëre në Shqipëri, pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik?

Puna e parë që bëra pas kthimit nga Bashkim i Sovjetik ishte busti i “Heroit të Popullit”, Musa Fratari dhe pas saj, ishte busti i Nikita Hurshovit, i cili u bë me porosi për t’u vendosur në një nga sallat e Hidrocentralit “Karl Marks” mbi lumin Mat. Bashkë me bustin e Hrushovit, u porosit edhe ai i Enver Hoxhës dhe për realizimin e tyre u ngarkuam unë dhe Shaban Hadëri. Mua më takoi që të bëja Hrushovin, pasi Shabani kërkoi vetë që të bënte Enver Hoxhën. Pasi i realizuam, të dyja punët tona u pritën shumë mirë dhe pasi i derdhëm në bronx, ato u vendosën në vendin e caktuar pranë Hidrocentralit “Karl Marks” mbi lumin Mat.

Po pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, çfarë u bë me bustin e Hurshovit, që kishit realizuar ju?

Kopjen e bustit të Hurshovit që unë kisha ruajtur në studion time e theva, pas insistimit të mikut dhe kolegut tim, piktorit të njohur Guri Madhi, i cili kur e pa, më tha: “Thanas, thyeje shpejt se do të na marrësh më qafë”. Ndërsa për origjinalin që ishte vendosur në hidrocentralin “Karl Marks”, nuk e mësova kurrë të vërtetën se ç’u bë me të, pasi nuk guxoja të pyesja njeri!

Gjatë gjithë krijimtarisë suaj si skulptor, a keni pasur raste të tjera që keni bërë figura politikanësh e udhëheqësish që më pas, janë shpallur “armiq” dhe u është dashur që t’i thyeni?

Po, më ka qëlluar me bustin e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por ndryshe nga ai i Hurshovit, kopjen e bustit të Mehmet Shehut që e mbaja në studio, nuk e theva, por e fsheha dhe e ruajta të padëmtuar, deri pas viteve ’90-të. Siç e shikon (na e tregon në studio), ai është ende në gjendje të mirë.

Si ju lindi ideja për të realizuar bustin e Mehmet Shehut?

Bustin e Mehmet Shehut ma kërkoi Hajredin Çeliku, ish-Drejtori i Uzinës “Enver”, i cili donte t’ia bënte dhuratë kryeministrit në vitin 1960, me rastin e ditëlindjes së tij.

Po pse ua kërkoj pikërisht juve Hajredin Çeliku atë porosi?

Në atë kohë, pasi kishte dëgjuar për bustin e Hurshovit që kisha bërë unë nga shkrimi i Andon Kuqalit në gazetën “Drita”, Hajredini më erdhi në studio së bashku me sekretarin e organziatës bazë të partisë së uzinës “Enver” dhe më bënë kërkesën.

Si vepruat pas asaj kërkese?

Pas kësaj, unë i telefonova menjëherë Fiqret Shehut, bashkëshortes së kryeministrit dhe pasi i tregova për porosinë që më kishin bërë, i thashë se brenda mundësive, të më siguronte disa foto të shokut Mehmet, gjatë periudhës që ai kishte qenë në Luftën e Spanjës.

Si u përgjigj ajo, u tregua e gatshme?

Fiqreti me të cilën njihesha shumë mirë, më tha se do të më njoftonte në telefon, pasi të bisedonte me Mehmetin.

Në ç’rrethana ishit njohur me bashkëshorten e kryeministrit Mehmet Shehu?

Me Fiqretin unë njihesha që nga viti 1958-’59, kur unë bëra një skulpturë me porosi të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, e cila do vendosej në Parkun “Rinia” në qendër të kryeqytetit, përballë Hotel “Dajtit”. Pasi e mbarova skulpturën (për të cilën pozuan dy vajza gjimnaziste të cilat sot janë muzikante shumë të njohura), ajo nuk m’u aprovua nga komisjoni artistik, i cili e quajti atë si “vepër formaliste”. Pas kësaj, unë shkova tek Fiqreti që asokohe ishte në funksionin e sekretares së Komitetit të Partisë për Tiranën dhe i shpjegova të gjithë problemin. Ajo pasi më dëgjoi me vëmendje, më tha se do të krijonte një komisjon tjetër me në krye Baki Kongolin dhe e mbajti fjalën.

A e aprovoi ai komision me në krye Baki Kongolin, punën tuaj?

Komisjoni që u krijua e aprovoi punën time në skulpturë e cila u vendos në Parkun “Rinia” dhe përveç kësaj ndërhyrje të shoqes Fiqret, e cila vuri në vend një padrejtësi që po më bëhej mua, ajo më pati bërë dhe një të mirë tjetër në vitin 1958, kur ajo shkoi vetë në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës dhe kërkoi dy shtëpi, një për mua dhe një për Vasil Naçon.

Të kthehemi te biseda juaj në telefon me Fiqretin, për fotografitë që u duheshin për bustin e Mehmetit?

Fiqretja më morri në telefon, pasi kishte biseduar me Mehmetin dhe kur ajo i kishte treguar për kërkesën time, ai i ishte përgjigjur: “E di pse i duan, por nuk i jap fotot se m’i prishin. Unë i kam kujtim. Po të duan, të marrin Ladin, (djalin e madh), se ai më ngjan për atë periudhë që kërkojnë ata”.

A erdhi Ladi, për të pozuar?

Po erdhi menjëherë dhe për dy javë me rradhë që punova unë për portretin e Mehmetit, Ladi që në atë kohë ishte gjimnazist qëndronte 1 deri në 2 orë pa lëvizur në studion time. Pasi e mbarova bustin në baltë, telefonova Fiqireten dhe i thashë që të vinte për ta parë dhe ajo më tha: “Atë gjë ta kam besuar ty, Ladin e ke dhe nuk ma merr mëndja se ka nevojë që të vij unë atje”. Pas kësaj thirra në studio Petro Markon, i cili erdhi bashkë me të shoqen dhe më tha: “Të ka pozuar Mehmeti”? Atij i pëlqeu shumë puna që kisha bërë dhe foli shumë mirë për të. Më pas thirra dhe Hajredin Çelikun i cili sa e pa më tha që ta derdhja shpejt në bronz duke më vënë në dispozicion Uzinën “Enver” për të gjitha ato që më duheshin.

A ia dërguan bustin Mehmet Shehut dhe si e priti ai atë dhuratë?

Hajredin Çeliku i’a dërgoi dhuratën me rastin e ditëlindjes dhe siç më tregonte Foto Stamo, Mehmeti e kishte pëlqyer shumë dhe kush i shkonte në shtëpi, ai e çonte te korridori ku kishte vendosur bustin dhe i thoshte: “Ja si kam qenë në Spanjë”.

Po nga familja Shehu, a ju morën në telefon për t’ju falënderuar?

Më mori Fiqiretja dhe më tha: “Thanas, na ke befasuar të gjithëve, dhe në veçanti Mehmeti e ka pëlqyer shumë”. Po kështu, kur e takova njiherë rastësisht Fiqireten ajo më tha se Mehmeti ishte bërë pishman që nuk m’i kishte dhënë fotografitë.

A ju paguan për bustin e Mehmetit?

Sipas rregullit, pagesa bëhej nga porositësi, pra nga Uzina “Enver”. Më dhanë 20.000 lekë të vjetra.

Pasi bëtë bustin, a patët rast që të takoheshit personalisht me Mehmet Shehun?

Aty nga viti 1968, në uzinën “Dinamo”, takova djalin e dytë të tij, Skënderin dhe e pyeta nëse busti që i kisha bërë e ruante ende shkëlqimin. Ai më tha që nuk merrte vesh nga këto gjëra dhe më ftoi në shtëpi që ta shikoja vetë. Pas kësaj unë mora në telefon Fiqireten dhe ajo më tha: “hajde në shtëpi”.

A shkuat në shtëpinë e tij?

Unë shkova menjëherë dhe si për çudi, deri tek vila e tyre nuk më ndaloi njeri. Por më pas mësova se këtë gjë e kishte urdhëruar Fiqretja, e cila doli vetë deri tek porta e jashtme dhe më shoqëroi deri lart ku ndodhej busti i Mehmetit në koridor. Pas pak aty erdhi vetë Mehmeti, i cili, pasi më përqafoi përzemërsisht më pyeti për familjen, për punën, dhe nëse do të kisha ndonjë hall, t’i thosha atij për gjithçka. Fiqretja pasi na qerasi u largua, dhe unë mbeta vetëm me Mehmetin. Biseda zgjati rreth dy orë dhe ndërsa unë punoja për t’i dhënë shkëlqimin bustit të tij prej bronzi, Mehmeti më mbante me muhabet. Në përfundim kur e pastrova bustin nga oksidimi. Mehmeti tha: “Ore… po ky qenka ndryshe” dhe më falenderoi duke u shprehur: “Të falenderoj nga thellësia e zemrës për këtë dhuratë të bukur që më bëre”. Kur unë i thashë: ‘uzina’, ai më tha: “Lëre, lëre, e di”. Pasi dola, më tha:, “Na dil ndonjëherë nga shtëpia, mos na harro”.

A pate peripeci më pas dhe a e kërkove ndihmën e Mehmetit, siç të porositi ai?

Problemet dhe peripecitë mua, nuk mu ndanë deri në fund të viteve ‘80 dhe të gjitha këto më vinin si pasojë e martesës sime me shtetasen ruse, Valentina Cvetkova, me të cilën u ndamë në fundin e vitit 1961. Pas asaj ndarjeje, unë shihesha me sy tjetër nga regjimi komunist dhe isha nën survejim të plotë. Më kujtohet mirë, marsi i vitit 1962, pak kohë pasi ish-bashkëshortja ime, Valentina, bashkë me vajzën e vogël 2 vjeçe ishte larguar për në Bashkimin Sovjetik, kur në studion time erdhi Guri Madhi. Ai kishte sjellë dhe një shishe verë dhe pasi e hapi me këmishën time të vjetër, më detyronte mua të pija, kurse vetë nuk pinte fare. Kur unë e pyeta se përse nuk pinte ai, mu përgjigj: “Edhe unë do të pi, por ta dhashë ty në fillim që të të çliroj. Këto që po t’i them, mbaji vath në vesh. Që nga ky moment, ti nuk dëgjon, nuk sheh, dhe nuk flet. Pra je shurdh, i verbër, dhe memec. Ti ke ikur nga kjo botë, më dëgjove”? Guri, më tha që t’i kapja buzët e mia me dorë dhe ti shtrëngoja fort. Kur unë i thashë se po më dhëmbin, ai mu përgjigj: “Më mirë të të dhëmbin buzët, sesa koka”. Pastaj mori shishen e verës që ishte përgjysmuar prej meje dhe më tha: “Unë e lashë verën për në fund dhe doja të isha esëll kur të t’i thoja ato fjalë. Mos më pyet më për këtë” dhe e ktheu verën me fund. Nuk ishte e vështirë t’i kuptoje ato fjalë që më tha Guri, që ishte një nga miqtë e mi më të mirë. Ai erdhi tek unë për të më thënë që të mbyllja gojën, pasi isha vënë në shënjestër për t’u arrestuar nga Sigurimi I Shtetit dhe për t’u burgosur. Guri e dinte mirë atë gjë, pasi një nga vëllezërit e tij Stavri, ishte Drejtor i Sigurimit të Shtetit në Drejtorinë e Tiranës, ndërsa vëllai tjetër Raqi, ishte në Institutin e Studimeve Marksiste Leniniste.

Në atë situatë që ndodheshit, a tentuat të shkonit ndonjëherë te Mehmet Shehu, ashtu siç u kishte thënë vetë ai?

Edhe pse unë që ndodhesha në atë situatë, nuk shkova asnjëherë që të kërkoja ndihmën e Mehmet Shehut, pasi, rastësia e solli që të kisha ndihmën e Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu.

Përse sulmoheshit ju dhe në ç’rrethana e kishit siguruar mbrojtjen e Kadri Hazbiut?

Siç e thashë më lart, sulmet ndaj meje vinin për faktin se unë kisha qenë i martuar me një shtetase ruse dhe se kisha një fëmijë dy vjeçe me të. Pra që nga viti 1961, ata që më sulmonin, më përmendnin faktin që unë nuk po martohesha të krijoja familje të re, pasi e kisha mendjen tek ish gruaja që ndodhej bashkë me vajzën në Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1967, kur doli Letra e Hapur e Komitetit Qendror të PPSH-së, mua më thirrën në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, dhe më thanë që do të më dëbonin nga Tirana.

Ç’ndodhi pas kësaj?

Fatmirësisht munda të shpëtoj pa më larguar nga Tirana, pas ndërhyrjes së ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiut, sepse të vëllain e tij Hasanin, e kisha fqinjë dhe shkonim shumë mirë bashkë. Edhe dasmën e djalit të tij, Hasani e bëri tek shtëpia ime, ku Kadriu vinte për të dëgjuar këngë labe në gramafonin që kisha sjellë nga Bashkimi Sovjetik. Gjatë një bisede në shtëpinë e Hasanit, ai më tha: “Thanas, mos u mërzit, se çfarëdo që të thonë për ty, tek mua do të vijnë letrat për firmë” dhe bëri me duar sikur po griste letrat.

Po pas kësaj që u tha Kadri Hazbiu, a vazhduan sulmet ndaj jush?

Edhe pse kisha mbrojtjen e Kadri Hazbiut, sulmet ndaj meje nuk pushuan deri në mesin e viteve ’80-të kur unë u martova me arkitekten Shpresa Leka, tek e cila gjeta mbështetjen e pakursyer për punën time krijuese. Në atë kohë, për t’ju përkushtuar familjes, unë kërkova një leje-krijuese trevjeçare, për të punuar monumentin e Enver Hoxhës mbi kalë në Kongresin e Përmetit. Kur e mbarova atë, erdhi dhe e pa e bija e tij Pranvera, që punonte si arkitekte me bashkëshorten time Shpresën. Ajo, e pëlqeu shumë atë dhe tha se ai monument ishte tepër i veçantë, pasi nuk ngjante me asnjë tjetër. Edhe pse ai monument me ndërhyrjen e Ramiz Alisë doli në ekspozitë, mua nuk m’u dha leja krijuese asnjëherë, deri sa në vitin 1990 dola në pension.

Çfarë bëtë me bustin e Mehmet Shehut, pas eliminimit të tij në vitin 1981?

Disa muaj pas asaj ngjarjeje, në studion time erdhi Guri Madhi i cili më tha: “Thanas, hiqe atë se do na marrësh në qafë”. Kur unë e kundërshtova, ai insistoi duke më thënë: “Ore, po i ke mendt në kokë ti apo jo, hiqe po të them”?! Por duke ndeshur në kundërshtimin tim, ai më tha që të mos e thyeja, por ta fshihja diku dhe ta nxirrja kur t’i vinte koha. Pas insistimit të Gurit, bustin e mbështolla me disa rroba të vjetra dhe e futa në një arkë druri fonderie, për ta çuar në fund të depos, pa i thënë njeriu, ku dhe unë mezi mund ta gjeja. Kështu e ruajta bustin e Mehmet Shehut deri në fillimin e viteve ’90-të, për ta rinxjerrë në dritë pas profecisë së Guri Madhit. Atij busti i bëra disa fotografi dhe ia çova Bashkim Shehut me shpresën se do të mund të gjeja kopjen origjinale të tij. Por, nuk e di se çfarë është bërë me të. /Memorie.al

Categories
Kulture

Këngëtarja turke “frymëzohet” nga kënga arbëreshe

Këngëtarja e famshme turke, Nukhet Duru, ka kopjuar këngën e vjetër arbëreshe “Lule, lule”.

Në turqisht, kënga titullohet “Kapildin gitti”, ndërsa artistja numëron më shumë se gjysmë milion klikime në You Tube , krahas shitjeve të shumta në i Tunes, duke siguruar shuma të mëdha nën siglën e shtëpisë diskografike muzikore Sony Music.

Nga të ardhurat e këngës origjinale, shqiptarët nuk përfitojnë asgjë, pasi në produksion emri i autorit konsiderohet anonim./Konica

Categories
Histori Kulture Personalitete

“Një ëndërr e zhdukur nuk përsëritet”, JU RRËFEJ VËLLEZËRIT E MI…

Njeriu që e shkon jetën me ëndrra të pëlqyera ka frikë të zgjohet. Dëshira që vendi lë lulëzojë të bën pak nga pak të ëndërrosh se lulëzon, dhe largimi i gjatë të këllet ca më thelle në gjumë dhe ta shpie shpirtin dhe mendjen në një botë të bukur, e cila s’ka trup dhe s’ndodhet gjëkundi, veçse në tru të ëndërronjësit. Po le të marrë fund gjumi dhe menjëherë e sheh veten të rrethuar me gjëra të shëmtuara. Të do zemëra të futesh përsëri në gjumë e të kthehesh në botën e lulëzuar nga e cila sapo dole: po më kot! një ëndërr e zhdukur nuk përsëritet.

Kjo pikërisht më ngjau nja gjashtëmbëdhjetë vjet më parë. I kisha bërë Shqipërisë ca shërbime, dhe dija se këto shërbime ishin të njohura, në mos të çmuara. U ngrita, pra dhe shkova në Shqipëri, i bindur se do të gjeja një botë aq të pëlqyer e të hijshme, sa ajo që u kisha përshkruar të huajve. Zgjimi qe i tmerrshëm – dhe qesharak. Pas disa muajsh shëtitjeje në mes turinjsh të thartuar e të parruar, një mëngjes të Vjeshtës së Tretë 1913 mora në Durrës një biletë “resmi” të çuditshme, dhe kjo biletë, e shkruar turqisht e një stil xhandari, më urdhëronte, “Të thyesh qafën e të shkosh me vaporin që niset sot për në Brindisi, se s’kemi nevojë këtu për njerëz si ty.” (Xhandarët do të ishin habitur shumë, sikur t’u kisha thënë që isha fare në një mendje me ta dhe që i jipja plotësisht të drejtë kur thoshin se s’kishin nevojë për mua. Duke qenë se ata dhe unë rrojmë në dy botë shpirtërore të ndara me miliunë male dhe dete, njëra nga tjetra, – ç’nevojë mund të kishin ata nga unë ose unë nga ata?)…

Të tilla plagë s’shërohen plotësisht kurrë dhe, në qoftë se mbyllen, lënë përjetë një shenjë në shpirt të njeriut. Po kanë dhe një të mirë: bëhen një mësim për të pastajmen, – dhe ky mësim e bën njerinë më të fortë e më të zotin të durojë të tallurat e fatit. Kur vjeshtën e kaluar, pesëmbëdhjet vjet pas ngjarjes qesharake dhe të mallëngjyer me xhandarët e Durrësit, u bë e duhur që të vete për një vizitë në Shqipëri, nuk isha i dehur me asnjë ëndërr; isha esëll, – esëll së gjithash. Në qytet të bukur të Barit, kisha në listën e ngjarjeve të mundura që prisja dhe këto: të më dalë përpara, ose ca më pas me një kobure në dorë ndonjë idealist me dhëmbë të palarë, ose nonjë student i hedhur nga Kindergarten-i në Universitet duke harruar të shkojë nga shkolla fillore dhe nga e mesmja dhe, në këtë “hop” aq të gjerë, duke qëndruar disa vjet në një tryezë kafeneje që të çlodhet e të nxejë më të shumët letra të alfabetit. Trimi i panjohur humbi këtu një rast të rrallë të shpëtojë mëmëdhenë ose të dy dherat bashkë, e me atë mënyrë të mbetet i pavdekur në histori. Hyra në anijen me avull (së cilës i thonë gabelçe “avullani”); dhe pasi u ndava prej kryekonsullit Mark Kodheli, zyrtar i gjallë e i zot dhe burrë me njerëzi të rrallë, i cili pati mirësinë të më përcjellë dhe u lashë shëndet zotit Kosturi, të birit të dëshmorit kombëtar Spiro Kosturi, i cili është sekretar i tretë me Legatën e Parisit dhe bashkë me të shoqen kish ardhur gjer në Bari me ca plaçka për pallatin, hyra në odën e bukur e të gjerë që kisha zënë, u spastrova, dhe zbrita te ha një “spaghetti alla marinara” të çuditshëm.

Në anijen me avull u ndodha me shkronjësin e Konsullatës sonë në Bari. Para se të njihem me të, qëndroja pak i mvrojtur dhe i ftohtë, se më shkoi nër mend mos ish nonjë “student” ose nonjë “idealist”, po pasi vërtetova tërthori se dinte të këndojë e të shkruajë, dhe shumë më tepër se të shkruajë e të këndojë, kuptova se ai nuk ish as “idealist” as “student”. Se shenja e parë që e shquan “studentin” ose “idealistin”, shqipëtar është që ky ose nuk di fare alfabetin, ose ka nxënë vetëm një pjesë të tij, – më të shumët herë ka arritur gjer në letrën Gg dhe këtu ka ngecur. Letra Gg do të jetë vështirë për të “nxënë”, – qenka si jë mur i fortë kundër të cilit duhet përmbledhur artileria më e rëndë e trurit për të çarë udhë më tutje.

Dolla me shkronjësin e konsullatës të shëtitim jashtë; dhe era e pastër e Adriatikut më pruri si një parëshie të erës së Shqipërisë. Po ç’ndryshim i madh me udhëtimin tim pesëmbëdhjet vjet më parë! Më 1913, kur një aije me avull më shpinte në Shqipëri gjithë nëpër këtë det, zemra më qëllonte dhe gjaku më valonte nga gëzimi. I çdehur një herë e mirë, sot shkoj në Shqipëri as me enthuziazmë, as me frikë; i gatitur për çdo ngjarje. Dhe kur vajta rashë në shtrat, më zuri gjumi menjëherë, një gjumë i paturbulluar nga ëndrra, i cili u zgjat gjer në të gdhirët. Me të zgjuar, u lava, u rojta, u vesha, dhe dolla të shijoj për së largu dukjen romatike të Durrësit me kullat e Kohës Mesme që zbukurojnë posi gurë të çmuar në një brez prej ari. Kullat? Ku janë kullat? Anija sa vete po afrohet, hyri në liman, shtiri hekur: po kullat s’duken. Pyeta një oficer të anijes. Cili qytet është ky? – Durrësi, u përgjigj oficeri. – Durrësi? thash unë. Jini i sigurt? mos lajthiteni? – S’ka lajthim, është Durrësi, përsëriti – duke nënqeshur oficeri. Ashtu kuptova se në të vërtetë kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen njëfarë urrejtje kundër bukurisë. Dëgjova më vonë se, nga të tetë kullat e çuditshme që i jipnin Durrësit një madhështi të veçantë, dy u prishnë në kohë të luftës (për këtë s’kanë faj shqiptarët), po tri të tjera i rrëzoi dhe i fshiu një kryeplak i qytetit, dhe të tri të fundi që kanë mbetur, janë fshehur nga dukja prej ca binave të ra që u goditnë rreth e rrotull. Siç transit gloria Dyrrhachii…

I mallëngjyer po jo i habitur, hyra në kabinë dhe përmblodha ca plaçka dhe vogëlira në të vetmen valize që kisha hapur, dhe ndeza një cigare, – kur një të qëlluar në derë, më bëri të ngrihem e ta hap. Një grup zotërinjsh, për të cilët njoha fytyrat e buzëqeshura të dy a tre miqve të vjetër, më përshëndeshnë me fisnikëri.

Faik Konica – “Shqipëria si m’u duk”, 1924/Konica.al

Categories
Histori Personalitete

Faik Konica dhe gjuha letrare shqipe, Ç’DO TË BËHET ME DY DIALEKTET?

Sipas Konicës, gjuha dhe karakteri pasqyrojnë njëri-tjetrin. Prandaj ndryshimi në gjuhë krijon ndryshimin në karakter

Janet Byron

Në gjuhësinë moderne, standardizimi i gjuhës është një fushë me rëndësi. Kësaj fushe i përket përmirësimi i gjuhës për qëllime letrare e shkencore. Gjatë periudhës së Rilindjes në Shqipëri, shumë shkrimtarë dhe mendimtarë janë shprehur mbi çështjen e një gjuhe letrare të njësuar, e Faik Konica ishte një nga këta.

Për shkak të punëve të shumta në letërsi, në botime, etj., Konica nuk i zhvilloi të plota mendimet e tij mbi përmirësimin e gjuhës shqipe. Me gjithë këtë, mendimi i Konicës mbi zhvillimin e gjuhës mbetet me rëndësi, është një fushë që duhet të studiohet.

Konica iu drejtua dy herë çështjes së gjuhës së njësuar, bazës së saj dialektore (do të kufizoj shënimet e mia rreth kësaj pike); një herë në vitin 1898, pastaj në vitin 1905, në të përkohshmen “Albania”.

Sipas Konicës, gjuha dhe karakteri pasqyrojnë njëri-tjetrin. Prandaj ndryshimi në gjuhë krijon ndryshimin në karakter. Toskërishtja, sipas tij, është si diçka e shpejtë dhe e epur: gegërishtja, përkundrazi, është si diçka e ngadalshme dhe e rëndë. Konica propozoi që të dy dialektet të përdoren ndryshe nga njëri-tjetri. Toskërishtja, sipas tij, do të ishte e aftë për prozë, ndërsa gegërishtja do të ishte e aftë për poezi. Por një propozim i tillë nënkupton që shkrimtari tosk duhet të mësojë gegërishten për të shkruar poezi, ndërsa shkrimtari geg duhet të mësojë toskërishten për të shkruar prozë. Duhet shënuar se qëllimi i këtij plani ishte që gjuha shqipe të njësohej me anën e përdorimit të dy dialekteve nga çdo shqiptar ose, se paku nga çdo shkrimtar shqiptar.

Sidoqoftë Konica u bind më në fund që kjo mënyrë veprimi nuk do të ishte e zbatueshme. Për këtë arsye ia drejtoi vërejtjen gjuhës vetë dhe ai vendosi që gjuha mund të njësohej më së miri me anën e bashkimit të fjalorit shqip, të pasurisë së fjalëve. Konica kishte ndër mend që çdo fjalë dialektore të përdoret ose sipas pozitës në fjali, ose sipas kuptimit. Për shembull, forma gege “nji” të shkruhet përpara një emri femëror, ndërsa forma toske “një” të shkruhet përpara një emri mashkullor; kështu “nji” çantë, por “një” hov. Ky shembull tregon përdorim të ndryshëm të fjalëve sipas pozitës se tyre në fjali. Por kuptimi i fjalës “një” ose “nji” nuk do të ndryshonte, sipas Konicës. Nga ana tjetër, përdorimi i fjalëve sipas kuptimit të ndryshëm nënkupton që çdo shkrimtar do të përdorte fjalë toske dhe gege, por jo në të njëjtin kuptim. Për shembull, forma gege “i vorfën” do të kishte kuptimin jetim, ndërsa forma toske “i varfër” do të kishte kuptimin “i vobektë”. Punën e bashkimit të dialekteve në këtë mënyrë do ta ndërrmerrnin gramatikanët dhe albanologët sipas Konicës.

Gjuha moderne letrare që është zhvilluar pas vdekjes së Konicës, bazohet mbi toskërishten. Kjo ndodhi nga arsye politike. Megjithatë gjuha letrare nuk është thjesht toskërishte. Për arsye të takimit të ngushtë midis dy grupeve dialektore të Shqipërisë, dialektet kanë ndikuar njëri-tjetrin. Përveç kësaj, dialektet shqip kanë më shumë përngjasime se ndryshime. Për këtë arsye nuk mund të themi që gjuha letrare shqiptare është thjesht toske. Në fushën e fjalorit ndeshim disa dublete (siç themi në gjuhësi) nga dialektet e ndryshme, p.sh., “duke qenë se” nga toskërishtja dhe “meqenëse” nga gegërishtja. Gjejmë edhe ndikimin e gegërishtes në formimin e disa emrave dhe mbiemrave të gjuhës letrare; p.sh., “mesues” (në vend të “mësonjës”), “i besueshëm” në vend të “i besuar”. Prandaj sistemi normal i gjuhës letrare pasqyron nga ana morfologjike dy dialekte. (Por kjo ndodhi nga arsye gjuhësore historike.) Megjithatë elementi tosk mbizotëron në gjuhën letrare. Konica përkundrazi nuk pranoi mbizotërimin e një dialekti të vetëm në gjuhën letrare. Ai mbrojti kompromisin. Për shembull, ai mbrojti dialektin e Elbasanit si zgjidhje e problemeve të veçanta gjuhësore. Por ai nuk do ta pranonte këtë dialekt si bazë të gjuhës letrare. Përveç kësaj, si botues, Konica pranoi artikuj nga shkrimtarët e një radhe të gjerë mendimesh.

Konica është i rëndësishëm sot si shembull i jashtëzakonshëm i një njeriu që mundi të vështronte gjuhën si nga pikëpamja e folësit, si dhe nga pikëpamja e gjuhës vet. Kjo pasuri mendimi shpesh mungon tani në diskutimet mbi gjuhën, si në Shqipëri dhe në vendet e tjera.

Si shkrimtar i ndritur, Konica solli në fushën e diskutimeve gjuhësore një mendje shumë të pasur e të ndjeshme. Ndonëse Konica nuk mundi të ndikonte për zhvillimin e pastajmë të gjuhës letrare, prapëseprapë ai mbetet i rëndësishëm si ideal gjuhësor, një njeri që mund të bashkonte aftësinë thjesht letrare me aftësinë gjuhësore. Një bashkim i jashtëzakonshëm./Konica.al

error: Content is protected !!