Categories
Histori Kulture

Opereta shqiptare “Brigada e grave” , opereta e dytë shqiptare e vënë në skenë në vitin 1969

Opereta shqiptare “Brigada e grave”
Shtator 1969

Është opereta e dytë shqiptare e vënë në skenën e #TKOB dhe një nga krijimet e kompozitorit Llazar Moçka. Premiera e komedisë muzikore “Brigada e grave” çeli sezonin artisti shtator – dhjetor 1969. Kompozitor: Llazar Moçka; Libreti: Mihallaq Daliu & Dionis Bubani;

Regjisor: Luigj Gurakuqi; Piktor: Niko Progri; Dirigjent: Fiqiri Kraja; Mjeshtër kori: Rozmari Jorganxhi; lnterpretë në role: Kujtimi: Ramiz Kovaçi, Hysen Kurti; Vera: Irena Gjerga, Leonora Pejo; Vjollca: Gjenovefa Heba, Rozmari Jorganxhi, Dhimitra Keta;

Shega: Tefta Çavo, K.Kristo; Suzana: Nina Mula, Luiza Papa; Xhemali: Lefter Besho, Agim Quku; Shemshedini: Burhan Spahiu, Gaqo Zdruli; Mazllëmi: Hysen Koçia, Janaq Mici; Pandeliu: Hysen Pelinku; Faiku: Vangjo Kosta, Guri Kamenica; Andoni:

Zihni Berati, Vangjel Mele; Besniku: Gaqo Çako, Kristaq Paspali; Jonuzi: Avni Mula, Koço Timko; Prifti: Gjoni Athanas; Nazifi: Shaban Kapllani.

Burimi: Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor

Categories
Art Kulture Personalitete

“Dola te Ola”, Luan Zhegu flet për daljen e tij të parë në skenë, ja kush ia zbuloi talentin

Luan Zhegu flet për daljen e tij të parë në skenë në “Dola te Ola”!

Luan Zhegu është një nga artistët me të cilët vendi ynë krenohet. Një talent i jashtëzakonshëm dhe një zë i papërsëritshëm.

Kantautori zbuloi se talentin e tij e kishte zbuluar e motra, e cila e dëgjonte që kur ai ishte i vogël, dhe në moshën 12-vjeçare ëndrra e tij u bë realitet, kur arriti të ngjitej në skenë dhe ia doli ta kalojë provën me një paraqitje shumë të mirë. Në operetën “Bilbili dhe Kanarina” në vitin ‘62, këngëtari mbante rolin kryesor atë të bilbilit. Në studion e Olës, Luan Zhegu kujtoi dhe interpretoi një pjesë të vogël nga ai rol, ku u vu re që zëri i tij ka mbetur i njëjtë dhe nuk ka ndryshuar fare.

Luan Zhegu ka kënduar dhe kompozuar shumë këngë dhe sikurse ai theksoi është e vështirë që t’i ndajë, pasi projektet muzikore për të janë si “gishtat e dorës”. Nga këngët e kompozuara prej tij Luani veçoi këngën e interpretuar nga Sherif Merdani, “Se kënduam let it be”. “Krijon një emocion të veçantë, pasi kënga flet për jetën e Sherif Merdanit”, tha ai.

Vëllezërit korçarë e ftuan të këndojnë së bashku këngën “A do te vish” e njohur si “Alo, alo”, duke krijuar një atmosferë shumë të bukur në studio.

(BalkanWeb)

Categories
Art Kulture Personalitete

Luan Zhegu merr një videomesazh nga Kozma Dushi. Kantautori zbulon se si u përfshi në politikë

Luan Zhegu është një artist i dashur edhe për rrethin e tij shoqëror, ndaj në programin “Dola te Ola” një mik i tij i ngushtë e surprizoi atë me një videomesazh.

“Është kënaqësi për mua të flas për kantautorin e madh Luan Zhegu, për një mik të veçantë dhe një mik të vyer, është një prind, një familjar shumë i mirë, ka shkruar disa këngë për mua, të cilat do të mbeten në arkivën time të këngëve më të bukura që kam kënduar në jetën time artistike”, tha ndër të tjera i madhi Kozma Dushi teksa i uronte më të mirat mikut të tij.

Luani u emocionua nga fjalët që kantautorit, me të cilin kanë ruajtur një miqësi të mirë ndër vite.

Luan Zhegu foli edhe për marrëdhënien që ka me familjen e tij, me gruan dhe dy fëmijët, një djalë dhe një vajzë.

Kantautori për disa kohë ka qenë pjesë e politikës dhe te Ola zbuloi se u bë pjesë e saj pas një kërkese që mori nga një mik i tij. “Mendova o do ta bëj mirë, ose nuk do ta bëj fare. Por kishte shumë probleme dhe shumë pak mundësi”, tha ai.

Luan Zhegu tregoi se para pandemisë plani dhe dëshira e tij ishte të realizonte diçka televizive të ndërthurur me disa këngë, por mbeti pezull për shkak të situatës dhe së shpejti kantautori shpreson ta realizojë.

(BalkanWeb)

Categories
Histori Kulture

Cifla parashkollore – Anisa Markarian

Mbaj mend nofkën e parë që më patën ngjitur fëmijët e lagjes: «gjirafa». Kishin të drejtë – isha rritur shpejt dhe shumë. Ky fakt u bë më se i dukshëm rreth moshës 6 vjeç. Në trupin tim, pjesa më e harlisur ishte qafa. M’u zgjat në një mënyrë të pakontrollueshme, aq sa meritova edhe një nofkë të dytë: «qafëlejleke». Nëse për dikë tjetër mund të thuhej «i tejkalonte shokët me një kokë-lartësi», rastit tim i përshtatej shprehja: «ishte një qafë më e gjatë se moshatarët».

Kur kërkohej ndonjë objekt i humbur nëpër shtëpi, më luteshin: «a e zgjat dot qafën për të parë mbi dollap?»; kur dilnim shëtitje, babi më porosiste: «mbaje qafën drejt!»; kur bënte ftohtë, merakoseshin: «mbështille atë qafë se do të sëmuresh»; kur betohesha për diçka, thoja: «pres qafën time!»; kur ia sillja në majë të hundës teta Itës, më paralajmëronte: «po të kruhet qafa, më duket»…

Ditën që linda, pamja e qafës sime i pati vënë në siklet mamitë e maternitetit.

– Pupupu, si i varet koka! – qe shprehur të nesërmen njëra prej tyre, ndërsa më çonin te dhoma e sime mëje për vaktin e radhës.

– Do ta ketë qafën me cen, – i pati vënë kapakun kolegia, me zë të lartë.

– Qyqja! Ç’i ka qafa gocës?! – qe shqetësuar ime më.

– Hiç, mi, asgjë! – dhe më patën lëshuar nxitimthi në krahët e saj që të më vinte në gji.

Për shkak të atyre fjalëve, gjer sa mbusha një vjeç, çdo vizitë në konsultore mbyllej ritualisht me pyetjen e ankthshme të sime mëje: «a e ka qafën në rregull, doktor?»

– Zonja Markarian, qafa e vajzës suaj po zhvillohet normalisht, – i përgjigjej, durimmadh, doktor Zyma.

Me kalimin e viteve m’u bë shprehi të ecja me qafën të përkulur lehtësisht mënjanë. Sikur të druhesha se, po ta mbaja drejt, do të përplasja ballin në traun e ndonjë postblloku të tejdukshëm që mund të më priste rrugën pa pritur e pa kujtuar. Të qënit fëmi shtatlartë më krijonte koklavitje sa të padëshirueshme aq edhe të paparashikueshme. Burimi i «problemit» ishte mospërputhja e trupit me moshën. Të nisur nga gjatësia, njerëzit më përfytyronin më të moshuar seç isha në të vërtetë e prisnin nga unë bëma prej të rriture.

– Gati për t’u fryrë qirinjve? – pyeti ime më tek vinte ëmbëlsirën në mes të tryezës.

– Njëëë, … dyyyy, … tre! – mora hov dhe i shuajta që të gjashtë, me një frymë.

Si çdo vit, edhe 6-vjetorin po e festoja në plazhin e Durrësit.

Pushimet verore i fillonim më 15 qershor dhe i mbaronim më 29 a 30 gusht. Gjashtë javët e para qëndronim në një nga shtëpitë përtej hekurudhës, në një dhomë të zënë me qera. Unë, im vëlla, ime më e teta Ita. (Im atë që punonte gjer në fund të korrikut, kalonte me ne veç fundjavët.) Çdo mëngjes, së bashku me familje të tjera pushuesish, kapërcenim shinat dhe zbrisnim në breg të detit.

Ca nga qejfi që po shkonim në plazh e ca sepse rruga ishte e tatëpjetë, askush nga fëmijët s’bënte naze për të ecur. As edhe më të vegjëlit. Kështu, karroca e gjerë me 4 rrota ku bënte gjumin e drekës im vëlla shërbente si mjet transporti kolektiv për çadrat, trastat me ushqime, peshqirët, kamardaret, topat dhe lodrat plastike. Në kthim, karroca merrte pamjen e një mikrobusi me çati të hapur. Brenda zinin vend të miturit. Katër a pesë njëherësh, rrasur e ngjeshur si simite në një shportë pikniku.

Fëmijët më të rritur, ndër të cilët edhe unë, të lodhur nga vapa e të shkurajuar nga e përpjeta, vareshin anëve të saj me një këmbë mbi rrotat. E lidhur si rimorkio pas një biçiklete që e shtynte njëri nga baballarët më të fortë të grupit, karroca mund të mbartte-tërhiqte gjer në 9 pasagjerë. Herën e vetme që u tejkalua ky numër, gomat e rrotave u bënë petë dhe karroca frenoi me kuisje si një mushkë e sfilitur që po nxirrte gërjen e fundit.

Pjesa e dytë e pushimeve ishte më e këndshmja. E kalonim tek «Apollonia» ose te «Hekurudha», në njërën nga vilat buzë detit. Lamtumirë vajtje-ardhje të përditshme më këmbë! Apartamenti që na caktonin ishte pothuajse gjithmonë në katin përdhes. Me t’u zgjuar, kapërceja parmakun e ballkonit dhe, hop, gjendesha mbi rërën e nxehtë sa hap e mbyll sytë.

Veprimi i parë i tim eti pasi merrnim në dorëzim çelësat ishte spërkatja e dhomës me një pompë të vogël të mbushur me «Flebol» për të luftuar mizat dhe mushkonjat. Pas trajtimit, dyert dhe dritarja duhej të qëndronin të mbyllura për të paktën një gjysmë ore.

– Më e mira do të ishte një orë, – shpjegonte babi dhe na shkelte syrin duke treguar me kokë mamin që kishte ngut «të ftillonte punët» sa më parë.

Detyra e saj kryesore ishte krijimi i krevatit të madh. Bashkonte dy dyshekë me njëri-tjetrin duke i qepur në mes me spango të dyllosur, të kaluar në një gjilpërë të gjatë si shtizë, pastaj afronte dy susta teke. Kështu, nga katër susta e katër dyshekë që gjenim në ardhje, dhoma pajisej me një krevat çift për prindërit dhe dy shtretër për ne fëmijët.

Pasi shtronte çarçafët dhe u vinte këllëfët jastëkëve, merrej me aneksin e vogël që shërbente si kuzhinë dhe përmbante 2 orendi jetësore: një dollap me tel dhe një furnellë me vajguri. Ndërkohë që mami zbrazte çantat e valixhet dhe apartamenti merrte pak e nga pak pamjen e një banese pushimi të rehatshme, unë e babi shkonim të bënim pazaret.

Ushqimorja, dyqani i bukës dhe Bulmetorja ndodheshin në një godinë të rrumbullakët; pak më tutje furra e pjekjes, dyqani i Fruta-Perimeve të cilit i bënin konkurencë fshatarët e zonës që sillnin prodhime të freskëta dhe Posta. Në anën tjetër të rrugës një kinkaleri e vogël, një shitës akulloresh dhe dyqani «Artikuj Plazhi».

Pas fikjes së qirinjve, urimeve, puthjeve e përqafimeve të rastit, iu futa hapjes së dhuratave. Më të shumtën e herëve ishin lodra plazhi: kovë, lopatë, krehër, vaditëse dhe kallëpe rëre.

– A po të pëlqejnë sandalet? – më pyeti teta Ita e m’i afroi te këmbët që t’i mbathja.

Ishin një palë sandale të kuqe plastike me xixa që i kisha parë në vitrinë sapo kishim mbërritur në Shkozet. Ma kishte gjetur zemrën!

– Ja dhe balena për të notuar, se s’je më e vogël që të përdorësh kamardare, – deklamoi babi. – E fryjmë nesër.

– Provoje përparësen, – më ftoi mami tek më shpaloste përpara syve një përparëse të re kopshti, të bardhë borë.

– Përparëse?! – u çudita, ngaqë prisja ndonjë fustan veror me rripa e me fjongo.

– E vjetshmja të rri e vogël. Kishte edhe ca njolla që s’i hiqja dot, – u shfajësua ajo.

Te supani i kishte qëndisur tri dallëndyshe mbi një pentagram të lulëzuar. Më qëndiste dallëndyshe ku të mundte! Në jakat e bluzave, mbi xhepat e fustanëve, në të përparmet e trikove, në ballinat e kapuçave, në frudhat e sarafaneve dhe në shamijat e dorës. Një dallëndyshe…, dy dallëndyshe…, shumë dallëndyshe! Me punë kryq, me punë shkop, me hoje, me mbushje, me punë rokoko.

– Për bukuri të rrika përparsja! – më përgëzuan.

– Hiqe tani që ta kesh të pastër për në shtator, – u kujdes teta Ita.

Do të kthehesha në kopsht për vitin e fundit. Verën e ardhshme, me siguri, dikush do të më dhuronte përparësen e zezë të shkollës, në jakën e bardhë të së cilës ime më do të qëndiste dallëndyshe të tjera…

Kopshti numër 36, një godinë dykatëshe me një portë të rëndë druri, ndodhej afër Maternitetit dhe konsultores së doktor Zymës – diku mes gjimnazit «Sami Frashëri» dhe stacionit të trenit. Në ndryshim nga kopshti numër 4 që ishte vetëm 200 metra larg Selvisë, rruga gjer në kopshtin e ri më merrte rreth 20 minuta më këmbë.

Dita e parë e kthimit në kopsht pas pushimeve merrrte përmasat e një feste familjare. Ngriheshin të gjithë që pa gdhirë, secili me detyrën e vet. Teta Ita më përgatiste mëngjesin dhe shportën e vogël ngjyrë gurkali. Meqenëse shkoja në një kopsht pa drekë, paguren me ujë dhe frutën i merrja nga shtëpia.

Mami më ndihmonte të vishja përparësen ende të ngrohtë nga hekurosja, rihekurosja dhe ri-rihekurosja. Pastaj më vinte në xhep shaminë e dorës të ngrirë me niseshte, palat e së cilës ishin po aq të mprehta sa dhe tehu i një thike. Babi, i veshur e i mbathur spic, më shoqëronte për dore gjer te pragu i kopshtit. E bënte vetëm ditën e parë. Ditët e tjera shkoja e vija vetë, sëbashku me dy shoqe të lagjes më të vogla se unë.

– Qyqja?! Paska hyrë përparsja në ujë! – briti ime më duke ndukur faqet.

Kyçet e duarve me dilnin nja 5 centimetra jashtë mbërthesës së mëngëve.

– Joo, mi! Është rritur goca! – ia ktheu teta Ita me ngazëllim.

Nuk gabohej. Në ata 2 muaj pas ditëlindjes kisha vazhduar të hidhja shtat e qafa më qe harlisur edhe më keq.

– Më mirë pa uniformë se sa këtë përparëse me mëngët treçerek! – vendosi mami.

– Hë, se nuk i zgjat shumë krahët, – u rrek ta qetësonte teta Ita.

– Jo, jo! Le të shkojë me fustan sot, se po dal t’i blej një më të madhe.

Atë natë ime më ndejti zgjuar gjer në orët e para të mëngjesit për të më qëndisur mbi supanin e përparëses së sapoblerë një familje të tërë dallëndyshesh. Mëngët ishin shumë më të gjata se krahët e mi, por nuk ia shkurtoi. Nuk i bëri as palën. Veç i qepi te beli një llastik që më ndihmonte ta ngrija fundin e përparëses për t’ia përshtatur gjatësisë sime.

Nga mesi i tetorit, shoqeve të mia u ra lija e dhenve e nuk erdhën në kopsht për rreth dy javë. Liria ime ishte e plotë! Rezultati i menjëhershëm qe ndryshimi i itinerarit të kthimit, pa drojtjen se do të më qortonin nënat e tyre që m’i kishin besuar si më e madhe që isha. Në vend që të merrja shkurtoret e rrugicave, kaloja nga bulevardi.

Së pari ndaloja te Teatri i Kukullave për të parë afishet e spektakleve, më pas te këndi i lodrave mbrapa MAPO-s për të hipur në barkat lëkundëse. Q’andej te reklamat e filmave në Rrugën e Barrikadave e pastaj në dyqanin me artikuj sportivë ku admiroja një palë patina me kushineta. Përpara se të kthehesha në shtëpi, ndaloja te Pazari i Ri për të blerë ndonjë kaush me hide dhe së fundi, në mënyrë të pashmangshme, një xhiro nga shkolla «Kongresi i Përmetit» ku, shtatorin e ardhshëm, do të filloja klasën e parë.

E përfytyroja veten të ulur në bangën e fundit (për shkak të shtatlartësisë) duke lexuar abetaren. Sa e gjatë pritja për të mbushur 7 vjeç! Shtyja kangjellat dhe kundroja godinën qendrore. Nga dritaret e katit të tretë duhej të shihej çatia jonë. Shkollën e rrethonte një oborr i madh i mbjellur me pisha të larta, muri i të cilit arrinte gjer në buzë të trotuarit përballë Selvisë. Pra, as 150 metra larg shtëpisë sime. Ç’padurim!

– Goca për shkollë, shkon akoma në kopsht! – dëgjova prapa kurrizit.

Ishte një zë djali.

– Hi, hi, hiiii! – u skërmit një tjetër.

– Goca për shkollë!

– Goca për shkollë!

– Goca për shkollë, shkon akoma në kopsht! – përsëriti i pari duke më treguar me gisht.

Ishin katër djem me përparëse shkolle dhe çantat në dorë. Më kishin vënë në mes e zgërdhiheshin. Më e gjatë se ata të gjithë, isha e vetmja e veshur me përparëse kopshti.

– Iiiiiih, goca për shkollë shkon akoma në kopsht!

– Go-ca-për-shko-llë! Go-ca-për-shko-llë! – nisën të thërrisnin në kor duke ritmuar fjalët me përplasjen e këmbëve.

– Jam 6 vjeç e 2 muaj!! – iu çorra, e skuqur gjer në sqep të dallëndysheve.

– Hahahahaaaaa!

– O ngelse!

– Askush nuk ngel në kopsht, o torollak! – iu përgjigja e fyer.

– Ngelsja, ngelsja, ngelsja!! – oshëtinte rrugica.

E pamundur t’u bëja ballë. Vrapova në shtëpi me lot ndër sy duke iu betuar vetes se s’do të kaloja më kurrë pranë shkollës. Por s’e mbajta premtimin. Të nesërmen, këmbët më shtynë drejt saj në mënyrë të pavetëdishme.

– Goca për shkollë, shkon akoma në kopsht! Iiiiiiih! – dëgjova thirrjen inatçore.

– Go-ca-për-shko-llë! Go-ca-për-shko-llë! – rrokjemonin në grup e më tregonin me gisht.

– Ngelsja e kopshtit!

E përsëri nuk e mbajta premtimin. Të pasnesërmen, të pas-pasnesërmen, të pas-pas-pasnesërmen e kështu me radhë, për dhjetë ditë rresht, këmbët më shtynin vetiu përpara kangjellave të shkollës për të soditur godinën qendrore e përfytyruar ditën kur do të isha nxënëse në njërën nga klasat e saj.

– Gocapërshkollakoman’kopsht!

– Hi, hi, hiii!!

– Më ngjitën edhe një nofkë tjetër, – i tregova një mëngjes sime mëje.

– Ëëëë?!

– Gcprshkllkmn’kpsht…

– S’kuptova gjë. Krih flokët tani.

– Nuk shkoj më në kopsht!

– E pseee?!!

– Më quajnë ngelse, se jam tepër e madhe.

– Qyqja?! … Na, merre shportën, se do të bëhesh vonë.

– Nuk shkoj më në kopsht, – përsërita dhe hoqa përparësen.

– E çoj unë gocën, – propozoi teta Ita.

– Jo!

– Ke frikë nga lija e dhenve?

– Jo!

– Epo mirë, rri atëherë, ç’të them unë? – vendosi mami.

– S’mbahet kjo në shtëpi gjithë ditën! – u hodh teta Ita. – Të han shpirtin me pyetje…

I vetmi që u gëzua ishte im vëlla 2-vjeçar, por vota e tij s’kishte vlerë. Për më tepër, as emrin s’arrinte të ma shqiptonte siç duhej. Më thërriste Dea.

– Hajde, ikim tani, se shkoi ora nëntë, – m’u lut mami dhe më tërhoqi nga dora.

– Jo! S’më çoni dot me zor!

Në drekë, sapo u kthye nga puna, ia treguan ngjarjen edhe babit.

– Qafën drejt, akçigës! – më këshilloi ai qetësisht.

S’e mora vesh nëse ma thoshte për të më dhënë zemër që t’u bëja ballë djemve torollakë, mamit e teta Itës, apo të gjithëve bashkë. Në fund të ditës, pa më bërë pyetje të tjera, këshilli familjar e pranoi vendimin tim. Mund të rrija në shtëpi sa të ma kishte qejfi. Veç, ama, s’duhet të ngurroja të rikthehesha në kopsht sapo të më merrte malli për kujdestaret, lojërat dhe shoqet.

– Urraaaa!!!!

Dy javë më vonë, e veshur me përparësen e zezë me jakë të bardhë të qëndisur me fiston dhe nga një dallëndyshe në çdo cep, kapërceva pragun e shkollës fillore «Misto Mame». Zysh Violeta Nini, një nga mikeshat e sime mëje që jepte mësim në klasë të parë, kishte pranuar të më merrte si dëgjuese.

Ishte fillim nëntori.

© A.M. E enjte, 4 korrik 2019

Categories
Histori Personalitete

Plogështia e shqiptarit, aktualiteti i një shkrimi të afro 80 viteve më parë

Ky artikull është shkruar 80 vite më parë, në 1 maj 1937, nga Selaudin Toto, në revistën e njohur “Përpjekja shqiptare” e ideologut të “neoshqiptarizmës”, Branko Merxhani. Ndonse është pak i gjatë për formatin e Fb-ut, për ata që kanë interes, është një rast i mirë të mësojnë se intelektualet e vërtetë shqiptarë, vazhdimisht i ka shqetësuar apathia (plogështia) e shqiptarit, mentaliteti i tij oriental, oportunizmi e servilizmi ndaj më të pushtetshmit, dhe aty shihnin pengesën kryesore për përparim kombëtar. Një aktualitet që na ndjek si fatalitet !

APATHIA (PLOGËSHTIA) e SHQIPTARIT.

Shkaqet e kësaj apathie të rrezikshme janë sa të ndryshme aq edhe të dukshme. Ne kemi lindur në kohë t’errëta të historisë tonë kombëtare. Në foshnjërinë tonë s’kemi patur edukatën që na duhet. Jemi edukuar në shkolla të ndryshme dhe në vënde të ndryshme. Kemi formuar kultura dhe mentalitete të ndryshme. S’ka ekzistuar ndonjë ideologji e shëndoshë që të unifikonte tendencat divergjente, të sintetozonte diçka për një përpjekje të fortë shqiptare. Nga ana tjetër, s’ kemi marrë ndonjë edukatë fetare që të ndiejmë të paktën fuqin e t’ashtuquajturave idera të shënjta. U ritëm fatkeq, pa entusiasmë dhe pa ideale drejtonjëse. Tani s’qëndrojmë as në tokë e as në qiell. Jemi si fletë të çkëputura që i rrëmbën çdo erë e vjeshtës. Ne, si popull, s’e njohim të jetuarit intesivisht, as që njohim forcën e ideve shoqërore. Mendoni se ç’jetë sublime dhe intesive provuan çetat e nacionalistëve shqiptarë kur këndonin në ekstazë, “ ja vdekje, ja liri”.

A po pregatitet i riu shqiptar me ndjenjat e larta të detyrës dhe të sakrificës për vëndin e tij? A do të ketë rast ai të provojë furtunën e emocioneve, kur një popull përpiqet gjallërisht në mbritjen e një ideali? Është koha të kuptohet se këto janë pyetje troditëse për ekzistencën e kombit tonë.
Pyete çdo djalë shqiptar që të kuptosh se sa i varfër është në idera të ndritura për vëndin e tij. Sa heterogjene janë këto dhe sa i ftohtë është besimi i tij për to. Prandaj gjejmë edhe një mijë e një tipa të ndryshëm. Sidomos në të rinjtë, ku kanalizimi i energjive në çfarëdo mënyre, bëhet një imperativë kategorike. Njëri ka një sistem mendimi krejt të ndryshmë nga tjetri. Dëshira e disa t’ashtuquajturve intelektualë është të kem një rrogë ose bursë të përherëshme dhe të kaloj një jetë qejfi jashtë nëpër qytetet e bukur, që t’evitoj mizerjen që trupëzohet nga Shqipëria. Për këta, djersa e katundarit, “mjerimi i vendit”, janë pallavra që s’duhen përmëndur. Natyrisht rinë në Shqipëri se përjasht ha miza hekur.Të tjerë këndojnë mëfshehurazi “Das Kapital”, dhe të shkatërojnë me t’ashtuquajturën, dialektikë materialiste, duke predikuar jetën e bukur dhe plot tensione idealistike në Shqipëri.

Këtu kemi të bëjmë me elemente që duan të ndiejnë forcën e idesë, e çfarëdo forme qoftë kjo. Shumica, sidomos klasa e nëpunësve, sundohet nga filosofia e oportunismës ose e pikëpamjeve të lashta aristokratike mbi jetën. Të jesh nikoqir, të vështroç rogën, miqësitë etj, janë boshtet drejtonjëse të mëndjes se tyre. “ Ha të ham, pa tym të dalë”, është motua i tyre. Këto fjalë t’urta të shefave të Perandoris s’osmanllinjve, pse të mos përjetësohen buzë këtij Adriatiku të kaltërt?
Është punë e rrezikshme që t’i vihet kapak kazanit dhe të gjendet një farë, modus vivendi, për kaosin që lëvron brenda. Popujt janë rebeluar kur s’u është treguar rruga që kërkonin. Burrat e shtetit, largshikonjës dhe që tupëzojnë idetë e popujve që udhëheqin, konsiderojnë elementet themeltarë që bëjnë strukturën dhe fuqinë e një populli; nxjerin në shesh forcat elementare, i koordinojnë, për të prodhuar fuqira gjiganteske përparimi.

Më në fund është në natyrën e popujve që të besojnë. Në të shkuarën çdo popull ka besuar ose në divinitet, në fis, në racë, ose në religjion. Gjunjëzoheshin përpara simboleve të shenjta, janë therorëzuar për to, që të provonin emocionet përkatëse. Tani është një fakt se fetë u zëvëndësuan me ideologjitë politike. Nga pikëpamja e psikologjisë shoqërore popujt ndruan drejtim në kanalizimin e energjive të tyre. Ide, që fuqizojnë popujt, u bënë fetë e reja, përpara të cilave njerëzimi ka filluar të martirizohet. Dhe ne, që s’kemi edukatë fetare, duhet të krijojmë altarët tanë tokësorë. Është koha të kuptojmë dhe ne, se janë idealet që shënjtërojnë jetën. Përpjekja drejt mbritjes së tyre dhe emocionet tronditëse që lindin, do të na e bëjnë jetën tonë si popull të nderçme dhe të bukur.

Ose të bëjmë një revolucion mendor për të përvetësuar këtë pikëpamje dinamike mbi jetën, ose jemi të humbur. Se është, më në fund, idea që punon lëndën. Forca e një ideollogjije shqiptare do të na japë ‘elan vital-in’ (forcën jetësore) të nevojshme, të paktën brezit të ri, që të thyejmë akujt shqiptarë. Çështja është që të kemi një Shqipëri të bukur dhe të nderçme, sa më pare, në këtë Evropë të dyshimtë. Një Shqipëri të ngrehur nga përpjekja intensivë e bijve të saj dhe as gjë tjetër. Natyrisht idetë nuk bien nga qiejt e Platonit. Idetë e shëndosha lindin dhe riten vetëm nga rrethanat tona politike, ekonomike e morale. Ne të rinjtë, që vështrojmë përditë këtë dinamismë të popujve, gjëjmë rast të entusiasmohemi kur na gjën pa pandehur.

Sqarim: Materiali nga faqja në fb e z. Klodi Stralla./KorcaReport.com/

Categories
Histori Kuriozitete

Frigoriferi OBODIN, kjo pajisje elektro-shtëpiake që hyri në Shqipëri në vitet 70-80

Lindi si kompani Jugosllave dhe do ringrihet si krenari e Malit të Zi ?!

Përgatitur nga Petrika Naska

Frigoriferi OBODIN, kjo pajisje elektro-shtëpiake që hyri në Shqipëri në vitet 70-80 dhe shihej si një aksesor luksi. Legjenda që vazhdon të na shërbejë ende në shtëpitë tona. Janë pak të zhurmshëm, por nuk kanë nevojë për ndërhyrje teknike.

Po kush ishte prodhuesi i këtyre elektro-shtëpiakeve dhe çfarë historie ka?

Kompleksi elektro industrial OBOD i ka fillesat në qytetin Cetinje në vitin 1953 (sot pjesë e Malit të Zi dhe ka 18482 banorë). Fillimisht ka aty prodhohej sapun, bojë këpucësh dhe aksesorë të tjerë. Në 1956 ky stabiliment do përqëndrohej në prodhimin e pajisjeve elektrike, për të kulmuar në 1960 me prodhimin e llampave, frigoriferëve, lavatriçeve etj.

Vlen të përmendet bashkëpunimi me firma të njohura italiane për të prodhuar produktet e tyre të patentuara si: 1968 bashkëpunimi me ASPERA, 1970 me INDESIT, 1978 me IBERNA.

Bashkëpunon në prodhim dhe me firmën gjermane BAUKNECHT.
Ka eksportuar gjërësisht në vendet ballkanike, ato europiane dhe SHBA.

Rrënia e kësaj legjende fillon me zjarrin aksidental në 1988 dhe vazhdon me bllokadën ekonomike që OKB i vendosi rregjimit të Millosheviçit.

Prej vitit 2006 qeveria malazeze po ndërmerr reforma për ta rivënë në funksion./KorcaReport.com/

Categories
Histori Kulture Kuriozitete

“Iliria” që u trumbetua si sukses për elektro-teknikën shqiptare

U trumbetua si sukses për elektro-teknikën shqiptare.

Shkëlqimi dhe rënia e “Ilirisë”

Ishin vitet 80, kur Uzina e Radio Televizorëve Durrës (URT) filloi të prodhonte radion “Iliria”. Kjo pajisje përfaqsonte një arritje të madhe për elektro-teknikën në vendin tonë. Një radio tjetër Made in Albania hyri në shtëpitë tona. Ato ishin të pavarura nga rryma elektrike ( punonin me 4 bateri, kryesisht ato “Dielli” ) dhe kishin 7 transistorë dhe 2 dioda.

Banda që ajo transmetonte ishte në valë të mesme MW dhe valë të shkurtra SW. Kjo e dyta SW nuk ofronte cilësi të mirë transmetimi, për faktin se në atë kohë ishte e ndaluar të dëgjoje radio të huaja.

E vërteta është se kjo radio nuk është 100% shqiptare. Materialet sigurisht vinin nga importi dhe montoheshin brenda kasës plastike e cila ishte prodhim vendas. Edhe skema e saj ishte e kopjuar nga një radio rumune “Miclov”, e cila filloi të prodhohej në 1977.
Sot radio “Iliria” është një gjah i mirë për koleksionistët, por mund ta gjesh edhe tek tregu i sendeve të përdorura, ashtu siç e gjeti dhe portali ynë.

Përgatiti: Petrika Naska/KorcaReport.com/

Categories
Histori Sport

Kur Flamurtari dhuronte spektakël me Barcelonën

Tiki-taka u njoh gjërësisht gjatë kohës ku Barcelona drejtohej nga Pep Guardiola. Një sistem që të habiste nga momenti në moment, ku pasimet e shpeshta “të dehnin”. Fillimisht ky sistem u krijua nga Johan Cruyff, ndërsa u përsos gjatë kohës së trajnerit aktual të Manchester Cityt.

Por, ky sistem nuk e ka zanafillën as në Holandë dhe as në Spanjë, por në Shqipëri. Ishte Flamurtari i viteve 1985-1989 që dha leksionet e para të “tiki-taka”, me vlonjatët që konsiderohen si ekipi më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave.

Atë kohë, kuqezinjtë arritën deri në fazën e 1/16-ave në Kupat e Kupave, ku skualifikoi edhe një skuadër si Partizani i Beogradit, ndërsa u përball edhe me Barcelonën.

Në katër takimet me ta, ky sistem ishte prezent në lojën e Flamurtarit, diçka që ka lënë përshtypje te kampi mik, të cilët e kanë implementuar në shkollat e tyre. Për më tepër ndiqni video./27.al/

Categories
Histori Kuriozitete

Disa nga misteret e ishullit Sazan

Emri i Ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON.Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura.

Me një histori enigmatike, Sazani është i vetmi ishull i mirëfilltë i bregdetit shqiptar. Një bukuri e pashoqe e natyrës sonë ujore, që përsëri mbetet në kuadrin e misteriozes.

Historia ka folur për Sazanin si një nga fortesat më të përshtatshme për të mbrojtur qytetin e Vlorës dhe brigjet përreth.

Sot, kjo histori ka përfunduar sepse Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe Sazani mund të kthehet në një nga perlat turistike më interesante të Mesdheut.

Emri i Ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON.

Gjatë mesjetës, ishulli kaloi në zotërimin Venecian ndërsa gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e push toi ishullin. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, ishulli u push tua nga Italia.

Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që ata të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende nën sundim Sazanin, deri më 1943, kur Shqipëria u push tua nga nazistët gjermanë.

Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe. Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura.

Një pjesë relikesh nënujore si amfora e objekte të tjera janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe atë arkeologjik në Durrës.

Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasiluruese, artilieria bregdetare etj.

Gjatë asaj periudhe, ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Gjatë luftës së Ftohtë, ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti me i vështirë për Ushtrinë  Shqiptare.

Për këtë arsye, njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë nga qeveria e asaj kohe.

Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katrorë dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër.

Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer. Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë.

Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut.

Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit.

Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra. Ngritja e këtij relievi në mënyrë të menjëhershme nga deti, të krijon përshtypjen e një lartësie shumë të madhe. Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës.

Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra.

Duke qenë një zonë e mbrojtur ushtarake, flora dhe fauna e ishullit kanë ngelur të paprekura. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera.

Periferia e ishullit ka shumë plazhe të bukura e të pashfrytëzuara.

Dhe vërtet, po t’i hedhësh një sy brigjeve të këtij ishulli, mrekullohesh nga bukuria e plazheve, shpellave, guvave dhe historisë së tij.

Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore.

Ishulli i Sazanit, sot vizitohet nga eksploratorë amatorë nënujorë, spelologë, admirues të natyrës por së fundmi, ishulli është kthyer në një atraksion për turizmin e lirë.

Sazani mbetet një mundësi e re për turizmin shqiptar./ATA

Categories
Histori Kuriozitete

Ndërtimi i portit modern të Durrësit ka nisur 93 vjet më parë

Rikonstruksioni dhe zgjerimi i portit nisi në vitin 1928 nga firma italiane në sipërfaqen aktuale të portit më të madh të vendit tonë. Krijimi i basenit dhe thellimi i portit vazhduan deri në vitin 1934.

Nga Thanas Mustaqi

Ndërtimi i portit modern të Durrësit ka nisur 93 vjet më parë, në të njejtën kohë kur filloi edhe ndërtimi i institucioneve dhe i infrastrukturës rrugore në pjesën Qendrore të qytetit antik. Për disa qindravjeçarë mjetet lundruese të udhëtarëve e mallrave ankoroheshin në dy ura druri, ose prisnin në radën portuale të Durrësit.

Rikonstruksioni dhe zgjerimi i portit nisi në vitin 1928 nga firma italiane në sipërfaqen aktuale të portit më të madh të vendit tonë. Krijimi i basenit dhe thellimi i portit vazhduan deri në vitin 1934.Në të njejtën periudhë janë ngritur edhe ndërtesat në hyrjen kryesore të portit, ku është vendosur pjesërisht administrata e Autoritetit Portual.

Godinat hyrëse dhe një pjesë e infrastrukturës portuale janë ngritur mbi bazën e një plani rregullues urbanistik menjëherë pas tërmetit të vitit 1926 që goditi qytetin antik./faktor.al/

error: Content is protected !!