Nga Julia Vrapi
Filmi “Tana” prodhim i vitit 1958 me regji nga Kristaq Dhamo është në plan të shfaqet dhe në qytetin e Korçës. Në Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit u shfaq premierë versioni i restauruar i filmit të parë shqiptar me metrazh të gjatë “Tana” disa ditë më parë, porAQSHF po punon që të shfaqet më vonë edhe në Korçë.Aktori Nikolla Llambro një nga emrat e njohur të filmit shqiptar me role të ndryshme në prodhime të Kinostudios para viteve ’90, thotë se “Tana” është filmi parë i bërë me forcat shqiptare. ““Tana” është filmi i parë i prodhuar me krijuesit tanë, me forcat tona.
Është film i prodhuar me guxim dhe i “emancipuar”. Filmi “Tana” i hapi rrugën krijimit të filmave cilësorë e profesional”, tregon aktori Llambro, që ka lozur në disa filma. Filmi “Tana” mban emrin e regjisorit Kristaq Dhamo, por për aktorin Nikolla Llambro solli profesionalizimin në film. “Është një nga regjisorët e parë të filmit, që solli frymën e re dhe profesionalizmin në film.Regjisor i talentuar. Unë nuk kam pasur fatin të punoj me Kristaqin.
Gjykoj nga filmat e realizuar, nga vlerësimi i pozitiv i kritikës dhe nga bisedat me aktorët e regjisorët e tjerë”, shprehet Nikolla Llambro, që ka luajtur më parë në nëntë filma të Kinostudios. Mitaq në filmin “Shpërthimi” luhet prej tij, për të vijuar me Aleksin “Në fillim të verës”, komandanti partizan “Njeriu me top “, shoferi Qemal “Koncert në vitin 1936”, Zeman Mashkullora në filmin “Liri a vdekje”, Gaqo te “Nata e parë e lirisë”, Gogo te “Gurët e shtëpisë sime” dhe Vasili te “Bregu i ëndrrës”.
Porosia e regjisorit
Arkivi i Filmit më parë në përshëndetjen që i dërgoi regjisorit Kristaq Dhamo, bënte me dije se sipas porosisë së regjisorit “Tana”do të shfaqetedhe në Korçë. “Edhe pse donim ta kishim pranë në shfaqjen e sotme në Arkivin e Filmit, i urojmë shëndet e jetë të gjatë e gjithnjë pranë njerëzve që e duan, si në këtë foto të shkrepur në një moment pushimi gjatë xhirimeve të filmit “Tana”, në vitin 1957. Sipas porosisë së Kristaqit, në shtator filmi i restauruar “Tana” do të shfaqet në Korçë, në qytetin ku u xhirua dhe që e mirëpriti trupën realizuese të Kinostudios, duke u krijuar të gjitha lehtësirat për xhirimin e filmit”, shkruan AQSHF.
Versioni i restauruar u bë i mundur falë mbështetjes dhe bashkëpunimit të AQSHF-së me Cinegrell (Zvicër) dhe PostFactory (Gjermani), me supervizimin e kuratores Louise Burkart. Filmi “Tana” me regji nga Kristaq Dhamo u shfaq premierë më 17 gusht të vitit 1958. Skenari i filmit është shkruar nga Kristaq Dhamo, Fatmir Gjata dhe Nasho Jorgaqi. Muzika e filmit “Tana” është shkruar nga kompozitori Çesk Zadeja. Ngjarjet në filmin “Tana” zhvillohen në vitet ‘50. Në qendër të filmit është Tana, një vajzë e zgjuar dhe me mendime të përparuara.
Ajo dashuron Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër malor. Tanës i del përpara mentaliteti i vjetër i gjyshit të saj si dhe xhelozia e Lefterit. Është një lojë dashurie drejt përparimit. Këtu është realizuar puthja e parë në filmat shqiptarë. Aktorë në filma janë Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Kadri Roshi, Andon Pano, Marie Logoreci, Ilia Shyti, për të vijuar dhe me të tjerë në role./Sot.com.al