Categories
Kuriozitete Personalitete

Enriko Kuça, patriarku shqiptar që sundoi 50 vjet Italinë

Historia e bankierit më të madh italian, Enriko Kuça. Si arriti shqiptari nga Piana degli Albanesi, në Palermo, të drejtojë “alta finanzia-n” italiane

“Kjo është historia e një burri, i cili që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore deri në fillim të Mijëvjeçarit të ri ka qenë në majën e fuqisë ekonomike italiane, duke luajtur një rol vendimtar në zhvillimin e vendit. Por ai gjithnjë ka mbajtur një pozicion të natyrshëm; aq sa në fillim të viteve ’80, emri i tij rezultonte praktikisht i panjohur. Shumë pak ishin të aftë që të kuptonin forcën reale të asaj që për shumë kohë ka qenë e vetmja bankë biznesmenësh italiane.

Ata të paktë që e njihnin këtë sekret, për respekt të vullnetit të themeluesit, mbanin të fshehtë çdo gjë. Enriko Kuça, një burrë i imët dhe në dukje delikat, gjithnjë i veshur në të errëta, nga natyra enigmatik dhe nga shikimi depërtues, krijimin e tij më të madh ka pasur Mediobankën. Një kasafortë ku ka ruajtur për dekada çelësat e hyrjes së kontrollit të grupeve të mëdha sipërmarrëse në bazë të principit: fuqia e vërtetë mund të jetë e palidhur me pronën.

Kuça në fakt ka përfaqësuar fjalën vendimtare për asetet aksionere në shoqëritë e fuqishme si Pirelli, Montedison, Generali, Fondiaria dhe Olivetti. Edhe Fiat dhe familja Anjeli i detyrohen shumë “xhuxhit të rrugës Filodrammatici” që ka harxhuar një jetë të tërë për të ndërtuar traun e kapitalizmit italian, duke i qëndruar besnik thellësisht një zgjedhjeje; të garantojë stabilitetin e sistemit. Por gjatë viteve të fundit të jetës, personazhi Kuça ka qenë në vijën e parë të kronikave financiare e ekonomike.

Komentatorët e sulmuan atë dhe ndonjë nga sekretet e tij të pafundme doli në shesh. Por kush mund të thotë që e ka njohur me të vërtetë “gjeniun e të së keqes, i bindur se është engjëlli mbrojtës i kapitalizmit”, siç e kanë përshkruar? Kush mund të dijë se cili ka qenë sekreti i fuqisë së jashtëzakonshme që Kuça kishte mbledhur në duart e tij? Kush mund të gjejë rrugët e shumta përmes të cilave ai ia ka dalë mbanë të bëjë Medibankën qendrën jetike të ekonomisë së Italisë?

Familja e Enrikos i përkiste borgjezisë së kulturuar palermitane. Gjyshi Simone ishte një avokat i njohur, një prej të paktëve që jetonin në pallatin Carini (Palazzo Carini) në mes të qendrës qytetare, pak larg katedrales, dhe më pas në një vilë ndër më të bukurat në Evropë, pranë asaj që sot quhet për nder të tij rruga Simone Kuça (via Simone Cuccia). Origjina e familjes Kuça është shqiptare por nuk ekziston asnjë lidhje me një tjetër personazh shumë të njohur të komunitetit në Piana Degli Albanesi…”

Nga parathënia e librit Një siçilian në Milano të Fabio Tamburinit.

Enriko Kuça ka qenë protagonist kryesor i ekonomisë italiane për 50 vjet, njeriu i pakteve dhe marrëveshjeve të brendshme në sallonin e lartë të familjeve më të mëdha të kapitalizimit të sotëm italian e evropian. Personazh i famshëm për maturinë e tij, për refuzimin e tij, për të folur para mikrofonave apo në publik. Një lloj misteri i gjallë që deri në fund nuk e ka lënë karrigen e tij në Institutin Ekonomik të Via Filodramatici.

Rinia

Me origjinë arbëreshe, Kuça lindi në Romë, më 24 nëntor 1907. Pas studimeve për drejtësi, hyn në zyrat e Sigurimeve Shoqërore e më pas punon për Bankën e Italisë. Njihet dhe martohet në vitin 1939 me Idea Nuova Socialista Beneduce (një nga tri vajzat e krijuesit të sindikatave Italiane, Alberto Beneduce; motrat quheshin Vittoria, Proletaria, Italia Libera, homazh i qartë i ideve socialiste të të atit). Nga martesa kanë lindur tre fëmijë, Aurea, Silvia dhe Pietro, për të cilët dihet shumë pak.

Lind Mediobanca

Kuça punon edhe në zyrën e studimeve të COMIT, drejtuar nga Ugo La Malfa. Me mbarimin e luftës, Comit, i udhëhequr nga Raffaele Mattioli shpall themelimin e Mediobanka, më 10 prill 1946, me Kuçën drejtor. Qysh atëherë në më shumë se 50 vjet histori, kjo bankë është epiqendra e të gjithë operacioneve industriale dhe financiare më të rëndësishme të Italisë, por edhe më tej.

Paktet me sindikatën

Mediobanka aktivitetin e saj kryesor ia dedikon një grupi ngushtësisht të përcaktuar, asaj pjese të shoqërisë ekonomike industriale që kanë pasur në dorë me të vërtetë zhvillimin ekonomik të Italisë që prej fillimit të viteve ’90; makinat “Fiat”, kimikatet “Montacini”, energjia elektrike “Edison”, goma “Pirelli”, metalurgjia “Orlando”. Institucioni bankar bëhet një pikë referimi e pazëvendësueshme, duke mbledhur në kohë shumë të shkurtër paketa të rëndësishme aksionesh, ndër të cilat dallohen Generali, Pirelli, Montedison, Gemina, Fondiaria.

Janë të gjitha grupe të përqendruara në duart e pak familjeve të mëdha, një rrethanë që ka ushqyer një debat të pafund mes kritikuesve dhe mbështetësve të aparatit gjigand ekonomik. Të parët akuzojnë Kuçën për mbrojtën e interesave të disa ndërmarrjeve specifike, ose që ka penguar rritjen e sipërmarrësve të rinj dhe që ka qenë kundër një tregu modern financiar, duke privilegjuar instrumente kontrolli, siç janë për shembull, paktet me sindikatat.

Çështja Montedison

Ndër operacionet më të rëndësishme të Kuçës është ajo e lidhur me emrin ‘Montedison’. Ai që ka orkestruar shkrirjen në vitin 1966 të ‘Montecatini’, ndërmarrje kimike me vështirësi financiare me ‘Edison’, e pasur dhe me mundësi të shumta nga kombëtarizimi i energjisë elektrike. Një ‘martesë e vuajtur’, siç dëshmon historia ekonomike, një kënetë në të cilën Kuça mbeti ngushtë, aq sa dhe e pranoi: ‘Montedisoni është Vietnami im’.

Për krijesën e tij, Kuça është detyruar të kujdeset shumë edhe disa herë në vitet pasardhëse, sidomos me vendimin për të shitur aksionet te ENI, jo shumë kohë pasi i kishte blerë ato. Kjo ngjarje i takon fillimit të viteve ’80. Pak kohë më vonë, ai kryen një veprim të rrallë për karakterin e tij; nuk kundërshton ngjitjen e Raul Gardinit, që në vitet ’86-’87 merr kontrollin e Montedison. Kuça e kishte gjithnjë një plan dhe ishte gjithnjë disa hapa para të tjerëve. Skeptikëve që e kritikuan për këtë tërheqje, plaku i heshtur ua ktheu përgjigjen shumë shpejt. Ishte vetë Gardini që do ti besonte Kuçës rikontrollin e grupit.

Goditjet e Kolosit

Kur Ferfin Montedison goditet nga një mal me borxhe, rreth 30 mijë miliardë në vitin 1993, Medibanka merr në dorë frerët dhe bind të gjithë sistemin bankar që të heqë dorë përveç kreditorëve, edhe nga pjesëmarrja në rritjen e kapitalit, duke e mbajtur kështu në jetë dhe duke evituar shkrirjen e ndërmarrjeve industrialisht të shëndosha. Ferfin ndërron emër dhe quhet Kompart. Që atëherë Mediobanka zotëron shumicën relative të aksioneve.

Libia dhe Fiat

Tjetër goditje e fuqishme e Kuçës ka qenë përfshirja në mënyrë artificiale të grupit Latiko të qeverisë libike të Ghedafit në shoqërinë Fiat në vitet ’70. Ai arrin të drejtojë edhe daljen e tyre në vitin 1986 duke mbajtur aksionet në çmime të pamundura.

Misteret e Sindona

Historia e Kuçës shoqërohet edhe me disa episode të zymta si “çështja Sindona”, e cila ishte një shoqëri drejt falimentimit. Për shkatërrimin e saj financiar akuzohet bankieri Kuça, i cili do të kërcënohet edhe me jetë. Pasi mësoi se jeta e tij ishte më e pasigurt se kurrë, sidomos pas vrasjes nga një killer profesionist të avokatit Giorgio Ambrosoli, të dërguarit të tij special të shoqërisë Sindona, Kuça ndiqet në heshtje pa ua bërë të ditur gjykatësve.

Vitet ‘90

Në gjysmën e dytë të dekadës nis tatëpjeta e vizionit të botës kuçane. Anus horribilis është viti 1997 me ‘jo’-në e zhurmshme të Pietro Marzotto, aksioner i Mediobanca për projektin e shkrirjes mes shoqërisë së vet dhe HDP, ish Gemina. Më pas i vjen radha mungesës së suksesit të Generali me sipërmarrjen Agl. Në fund, prishja e paprecedentë në historinë e Mediobankës, largimi i sekretarit të përgjithshëm Gerard Braggiotti, pas divergjencave të pandreqshme në vizionin strategjik.

Një mister që zgjat edhe pas vdekjes

Kur vdiq, në 23 qershor të vitit 2000, bankieri i famshëm nëntëdhjetë vjeçar i kishte lënë trashgimtarëve vetëm një llogari bankare me afërsisht 303 milion lireta, afërsisht 150 mijë euro të sotmet.

Edhe vila e tij e famshme në Meina, në brigjet e Lago Maggiore, me “20 dhoma dhe 5000 mijë metra lulishte” nuk i përkiste atij, por gruas. Në Meina, Kuça prehet në paqe për shumë pak kohë: në 2001, disa të papunë italianë zhvarrosin dhe vjedhin kufomën e të ndjerit dhe me disa letra anonime i kërkojnë drejtuesve të Mediobankës 7 miliardë lireta të kohës. Amatorë më shumë se kriminelë, ata do të kapeshin pak kohë më pas nga autoritetet lokale.

“Bankieri më i mirë i Evropës”, siç do ta vlerësonte miku i tij Andrè Meyer, dhe shumë personalitete të tjera, nuk la në fakt as testament.

Ndoshta sepse, siç nënvizonte pasardhësi i tij në Mediobanka, Antonio Makaniko, “paraja për të ishte thjesht një mjet, asgjë tjetër”./Konica.al/

Categories
Kuriozitete Personalitete

Ymer Domi, gjakovari që konstruktoi anijen kozmike sovjetike

Shumë pak persona kanë informacion për figurën e Ymer Domit, shqiptarit që u bë konstruktor eminent i anijeve kozmike në ish Bashkimin Sovjetik.

Ymer Domi u lind në Gjakovë në vitin 1900. Ishte anëtar i shoqërisë “Bashkimi” të Avni Rrustemit dhe udhëheqës në çetat e Bajram Currit.

Pas rrëzimit të Qeverisë së Fan S. Nolit, në dhjetor të vitit 1924, Ymeri, së bashku me Ali Kelmendin e Hamdi Zajmin, vendosen në Bashkimin Sovjetik, raporton Koha Ditore.

Në qytetin e Leningradit, ata arrijnë të përfundojnë shkollën e oficerëve “Zherzhinski”.

Pas vitit 1930, kur mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, shpalli amnistinë për migracionin politik, Ymer Domi mbetet në Rusi, ku edhe martohet.

Duke qenë nën qeverisjen diktatoriale të Stalinit, ai u detyrua ta ndërroi mbiemrin, nga Domi në Rezinov.

Ai e zgjodhi këtë mbiemër për shkak të mallit që e kishte për fushat e rezinave, që ndodhen në Gjakovën e tij.

Më vonë e ndërron edhe këtë mbiemër, sepse donte diçka më të ngjashme me emrin e Gjakovës. Jakovlev (që d.m.th. Gjakova), do të jetë mbiemri i tij që do ta mbante gjatë gjithë jetës deri në vitin 1996, kur edhe do t’i mbyllë sytë përgjithmonë.

Ai ka lënë pas vetes dy djem: Aleksejin (fizikan) dhe Vasilin (ekonomist). Pas rënies së diktaturës staliniste, me ç’rast Rusia nisi të frymoi lirshëm, Ymerit i lindi një vajzë, të cilën e pagëzoi me emrin Rilindja.

Sipas disa pohimeve, thuhet se ai ishte konstruktor në projektet hapësinore sovjetike./Voal.ch

Categories
Art Kulture Kuriozitete Personalitete

Fletorja e fshehur me poezi e Gonxhe Bojaxhiut – Shenjtores Tereza

Kujtimet e të vëllait, Lazrit: Fëmijëria dhe largimi nga Shkupi

“Ajo ishte një vajzë normale, mbase pak e tërhequr dhe e rezervuar, por kishte shumë miq. Ajo kalonte një pjesë të madhe të kohës me ta dhe ata shpesh vinin në shtëpinë tonë. Talenti i saj në shkollë u shqua që në vitet e para në klasë, gjithnjë e gatshme për t’i ndihmuar të tjerët.

Më kujtohet që ajo kishte një shoqe të ngushtë, e bija e doktor Milkoviqit. Si vajzë e re kishte prirje për poezi, shkruante vjersha të shkurtra që ua lexonte të gjithëve”, kështu e kujton të motrën Anjeze Gonxhe Bojaxhi, i vëllai Lazri. Në kujtimet dhënë për biografin e saj, Dom Lush Gjergji, teksa flet për fëmijërinë, ai sjell pasazhe nga jeta e shenjtores shqiptare. “Ajo ishte shumë e hapur dhe e përzemërt me shoqet, kurse me meshkujt disi e druajtshme. Mirëpo ajo ishte e shoqërueshme me të gjithë, pa ndonjë përjashtim feje, gjuhe a kombësie. Kurrë nuk më ka rënë ta shoh të mos i dëgjojë prindërit.

Nëna shpesh më thoshte: ‘Bëhu si Gonxhja, anise është më e re se ti!’. Nëna gjithnjë kërkonte nga ne të ishim të rregullt dhe të urtë. Për çdo mbrëmje na duhej që me rend t’i pastronim këpucët, Agia, unë dhe Gonxhja. Shpesh e lusja: ‘Të lutem Gonxhe, pastroji sot për mua …’, sepse për mua si djalë më dukej turp të bëja disa punë, sillesha si Zot. Dhe ajo ma kthente: ‘Ani vëlla, do ta bëj për ty!’. Kur bëja ndonjë sherr dhe ajo e zbulonte këtë, e mbante për vete.

Besoj se nëna e ndiente se Gonxhja ishte me bindje religjioze. Më kujtohet kur i thoshte se me dëshirë do të qëndronte tërë jetën me Gonxhen dhe frigohej se do ta humbte për dy arsye: shëndeti i saj i lig dhe kushtrimi i saj ndaj Zotit. Për këtë arsye ajo e donte më shumë Gonxhen, por kur Zoti e ftoi, ajo ia dha Atij duarhapur …”, kujton Lazri.

Përpos mësimit, Gonxhja merrte pjesë aktive edhe në aktivitete bashkiake të famullisë, ajo këndonte në kor, recitonte në teatrin e qytetit, si dhe në shfaqje të festivaleve të ndryshme të famullisë, ku vallëzonte, shkruante shumë vjersha dhe i binte mandolinës. Për të, si dhe për familjen Bojaxhiu, famullia ishte një shtëpi e dytë. Ndikimi i saj më i madh ishte arkipeshkvi i Shkupit, imzot Lazër Mjeda, që ishte mik i familjes Bojaxhiu, të cilën ai e vizitonte shpesh. Përsos shkollës në famulli, kishte gjithashtu dhe mësim të katekëzës, këndimit, dramës, teatrit të vogël dhe shumë aktiviteteve të tjera. Më 1924-n, atë Cepetiqi u shkroi prapë eprorëve të vet në Zagreb këtë letër: “Falënderoj Zotin, nuk kam probleme me nxënësit e gjimnazit. Ata vijnë të mbushur me shpresë dhe unë bëj çmos për t’i ndihmuar.

Po të mos jem në gjendje t’u gjej libra për katekizëm, do t’u huazoj të miat. Nganjëherë gjatë javës mbaj edhe nga dhjetë orë mësim, pasi kam mbetur prapa në këtë lëndë dhe dua ta plotësoj dhe të bëj ç’është e mundur. Pas shkollës fillore fëmijët vijnë tek unë dy herë në javë për mësime të katekizmit dhe nganjëherë i mbaj edhe të dielave pas meshës …” Gonxhe Bojaxhi e ndihmonte priftin madje edhe në katekizim, pasi ajo vetë përkthente nga serbokroatishtja në shqip, sepse shumicës së fëmijëve, duke mos e kuptuar gjuhën, e kishin të vështirë të ndiqnin mësimet e katekizmit në famulli. Për të vëllain, Lazrin, Gonxhja u rrit në oborrin e kishës. “Kishte diçka që për të ishte më me rëndësi se çdo gjë tjetër: kisha.

Ne jetonim shumë afër kishës katolike të Shkupit dhe kur ishim të vegjël, prifti i famullisë ishte shqiptar. Herë-herë më dukej sikur nëna dhe motrat e mia jetonin në kishë. Ato ishin shumë të përshpirtshme dhe gjithmonë të gatshme të zgjasnin dorën për të ndihmuar. Sa ishte gjallë babai shtëpia jonë i ngjante një vatre politike. Pas vdekjes së tij na mbante gjallë feja”, kujton Lazri. Më tej ai shton: “Kur dola nga shtëpia, Gonxhja nuk kishte mbushur 13 vjet. Ajo që atëherë ishte shumë e interesuar për punën e misionarëve. Sa herë vinin nga vendet e largëta, ajo kishte dëshirë t’i takonte dhe të fliste me ta. Njëri prej tyre një ditë i tha: Çdo njeri ka rrugën e vet, të cilën duhet ta ndjekë. Këto fjalë e prekën thellë në zemër motrën time. Jezuiti që zëvendësonte priftin shqiptar një ditë hapi një hartë në kishë në të cilën ishin shënuar të gjitha misionet.

Më kujtohet se edhe kjo gjë e preku shumë Gonxhen, pasi ajo erdhi menjëherë të më tregonte: “O vëlla, sikur të dije ku punojnë misionaret tona … çfarë jete bëjnë…”, kujton ai. Gonxhja shpesh i thoshte se “isha shumë e re pa mbushur dymbëdhjetë vjeç e rrethuar nga familja kur ndjeva dëshirën për t’iu dhënë krejtësisht Zotit. Gjashtë vjet kam medituar dhe jam lutur. Nganjëherë më dukej se po bëja gabim, se kjo nuk ishte thirrje, por më në fund u binda se isha e ftuar nga Zoti. Zonja jonë e Letnicës, Zoja Cërnagore më ndihmoi shumë për të arritur një vendim të tillë”. Duke u përballur me thirrjen, Gonxhja vendos të shkojë në Letnicë, për të gjetur paqen e brendshme.

Lorenc Antoni e kujton kështu: “Përpara se të arrinte deri te vendimi përfundimtar, se a do të bëhej murgeshë misionare apo jo, ajo tha: “Do të shkoj në Letnicë dhe do të qëndroj atje nja dy muaj”. Ishte viti 1927. Në Letnicë ajo bëri ushtrimet shpirtërore. Këtë përvojë e përsëriti edhe më 1928-n. Para se të merrte vendimin ajo kishte një fletore të tërë të mbushur me poezi. “Kush e di në do të lexoj e shkruaj më poezi”, do të shprehej. Dëshira e saj e hershme kishte qenë të bëhej mësuese. Lazri e kujton me trishtim kohën e largimit të saj nga Shkupi. E gjithë familja ishte e pikëlluar, sipas tij.

Ja si shkruan Lorenc Antoni në ditarin e tij për këtë ngjarje. “Në mbrëmjen e 25 shtatorit 1928, ne të gjithë u tubuam në shtëpinë e Gonxhes për t’i dhënë lamtumirën. Secili i kishte blerë ndonjë dhuratë të vogël, ndonjë laps, libër etj. Unë i dhurova një stilograf të artë, të cilën ajo e ruajti dhe e përdori për një kohë të gjatë më pas. Të nesërmen, më 26 shtator, ishte dita e largimit të saj.

Shumë kishin dalë për ta përcjellë, fëmijë, të rinj, pothuaj mbarë famullia, madje edhe shokët e shkollës. Të gjithë i kishin mbërthyer sytë mbi të, të gjithë të mbushur me pyetje të pathëna: cila do të ishte e ardhmja e kësaj vajze në Indi, një vend i huaj dhe aq i largët?

Unë u zgjova herët. Së pari, vajta në kishë dhe pastaj në stacion. Kisha blerë tri bileta për Zagreb (për Dranen, Agen dhe një për Gonxhen). Në stacionin e trenit të gjithë po qanin, dhe ajo po qante, ndonëse pak kohë më parë kishte thënë që nuk do ta bënte këtë. Edhe unë vetë kisha buzën në vaj, sapo mendoja se do të humbisja një kushërirë, një mike të mirë. Në çastin e nisjes ajo ma shtrëngoi fort dorën. Reagimi im ishte gati i ftohtë që të mos lejoja të pushtohej nga pikëllimi i nisjes. Treni u nis. Ne të gjithë valëvitnim shamitë, derisa treni u tret. Dielli ia kishte hedhur rrezet, duke u ndriçuar të tërën: ajo i ngjante një hëne që dalëngadalë humbet në lindjen e diellit …”./voal.ch

Categories
Art Kulture Kuriozitete

Fustani i njëjtë i nusërisë, që vishet pas 85 vjetësh…

Për 85 vite, katër gra në familje kanë veshur fustanin e njejtë, ditën e dasmës. Gjithçka filloi me Maria Teresa Morenon, e cila e kishte qepur fustanin e nusërisë vetë, para dasmës, në vitin 1932.

A wedding dress made in 1932 has been handed down
through five generations of the same family. (Photo courtesy of Marta O’Hara)

Qysh atëherë, fustani i bardhë i mëndafshtë ka kaluar në disa gjenerata në familje, fillimisht i veshur nga stërmbesa e saj, Marta Prietoo O’Hara që e veshi atë në vitin 1983.

A wedding dress made in 1932 has been handed down
through five generations of the same family. (Photo courtesy of Marta O’Hara)

Më pas, atë e veshi motra e Martës, në vitin 1997 dhe në fund, stërstërmbesa e Maries, Pilar O’Hara Kassouf, e cila e veshi në shtator të vitit 2017.

A wedding dress made in 1932 has been handed down
through five generations of the same family. (Photo courtesy of Marta O’Hara)

Marta ka thënë në një intervistë për HuffPost, se fakti që ajo dhe vajza e saj, Pilar, veshën fustanin e njëjtë, me një histori të tillë familjare është eksperiencë që nuk përshkruhet.

“Ishte një lidhje e jashtëzakonshme me gjyshen time. Ajo jetonte afër meje dhe isha me të tërë kohën. Ajo jetoi deri në moshën 98-vjeçare, kështu që edhe fëmijët e mi u rritën pranë stërgjyshes së tyre” – ka thënë ajo.

“Gjyshja ime, do të ishte shumë e entuziazmuar po ta dinte se njëra nga stërmbesat e saj, dëshironin të vishnin fustanin e saj të nusërisë. Ajo do të emocionohej shumë dhe kjo më lumturon”.

Gjithçka nisi në vitin 1932, kur Maria u dashurua me një fustan që e pa në vitrinën e një dyqani dhe filloi ta qepë vetë.

Çifti pati katër fëmijë. Vajza e saj, Anita u martua me Pablo Prietton, në vitin 1957, por veshi një fustan tjetër, që ia qepi e ëma. Por, ajo e ruajti fustanin e nusërisë së nënës së saj.

Marta, njëra nga shtatë fëmijët e Anitës, po planifikonte të vishte fustanin e dasmës së nënës së saj, por ai ishte dëmtuar, ndaj veshi fustanin e nusërisë së gjyshes së saj.

Në vitin 1997, Elena, motra e Martës, u bë nuse me të njëjtin fustan. Pas dasmës së Elenës, fustani qëndroi në kuti për 20 vjet, derisa vajza e Martës, Pilari, u fejua në prill të vitit 2017.

Ajo ka treguar, se kishte shkuar në shtëpinë e gjyshes, për ta provuar.

“Sapo e pashë veten në pasqyrë, e dija: nuk kishta asnjë mundësi që të shkoja në dyqanet e fustaneve të nusërisë, për të parë fustanet që nuk kishin asnjë kuptim për mua, derisa fustani i nusërisë i trashëguar në familje, ka shumë kuptim”.

Fustani, vazhdon të ruhet ende në kuti!/Konica

Categories
Art Kuriozitete Personalitete

Liza Laska, nëna labe e filmave shqiptarë

Liza Laska u lind më 6 shkurt të vitit 1926 në Vlorë. Shkollimin e parë e mori në qytetin e lindjes.
Ajo filloi jetën artistike si aktore e Teatrit të Vlorës dhe më pas luajti për herë të parë në filmin “Malet me blerim mbuluar” në 1971 dhe që hapi rrugën e saj për shumë interpretime të tjera në ekran.

U nda nga jeta më 31 gusht 2014.

Ndër rolet kryesore të luajtur në Teatër mund të përmendim:

Të rinjtë, 1958
Shtëpia në periferi 1959
Tanja Abruzon, 1957
Prapa frontit, 1951
6 dashnorët, 1953

Opereta,Agimi, 1954
Në Gjenevë, 1957
Kush qesh i fundit 1963
Doktor Aleksi
Lidhur si fishek gjerdani

Fytyra e dytë, 1977
Luani i shtëpisë 1978
Pabesia, 1980
Buzeqeshjet e një mbrëmjeje, 1983

Filmografia:

Një ditë e mrekullueshme (2002)
Vdekja e burrit, (1991)
Kthimi i ushtrisë së vdekur, (1989)
Familja ime, (1987)
Dhe vjen një ditë, (1986)

Gurët e shtëpisë sime (1985)
Vendimi, (1984) si nëna
Dritat e qytezës, (1983)
Në prag të lirisë, (1981)
Plumba perandorit, (1980)

Liri a vd, ekje, (1979)
Gunat mbi tela, (1977)
Lulekuqet mbi mure, (1976)
Dimri i fundit, (1976)
Shtigje lufte, (1974)

Brazdat, (1973)
Malet me blerim mbuluar, (1971)

Për merita në fushën e artit në skenë dhe ekran Liza Laska mban titullin “Artiste e Merituar”. /Naishtedikur

Categories
Art Histori Kulture Kuriozitete

Syri i Kalter legjenda e gjarprit gjigant

Nga thellësia e tunelit, përmes të cilit uji del në sipërfaqe, burimi merr ngjyrën blu, që i ngjan bebes së syrit. Po sa fillon rrjedhën, ngjyra fillon e çelet drejt së kaltrës.
Bimësia që rrethon Syrin në pjesën e lartme të tij i ngjan më shumë qerpikëve, ndaj me të drejtë është quajtur “Syri i Kaltër”. Ai është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të Gjerë. Sot gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 metra. Ai ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 metra nën nivelin e luginës së Drinos. Syri i Kaltër është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.

Peshku që rritet dhe kultivohet këtu është pestrova, një peshk i shijshëm…

Legjenda e hershme

“Një herë e në një kohë, fryu një erë kaq e fortë, sa tundi detin nga fundi dhe deti nxori një gjarpër… Ra një re dhe gjarprin e hodhi në malin e Sopotit… Gjarpri gjigant hante kafshët e njerëzit dhe të mbjellat i prishte… U ngrit një plak, ngarkoi një gomar me thasë me eshkë dhe vajti afër lubisë e i vuri zjarrin eshkës. Kur gjarpri hëngri gomarin, zjarri i eshkës përbrenda e dogj. Bisha briti, ‘Ku je ti det, që më bëre kokën dhe ti lumë, vëllai im…!’. E u shtri për vdekje. U nis deti nga Vivari dhe lumi nga Sopoti, por s’e proftasën dot. Në agoninë e ngordhjes gjarpri përplaste bishtin në faqen e malit, ku mbetën shenjat që duken. Qysh nga ajo kohë deti me malin janë të lidhur me njëri-tjetrin si baba e bir”.

Përsëritja e legjendës

Në tetor të vitit 2002 bukuroshja e “nënës natyrë” ishte në agoninë e vdekjes.

Të gjithëve u erdhi keq, por vetëm kaq.

Për koincidencë, pikërisht kur drejtuesit e Leçes erdhën në Shqipëri për të biseduar për Syrin e Kaltër, ai shteroi dhe u kthye në një sy të verbër, me ngjyrë të bardhë.

Shumë njerëz në Sarandë besuan se ishte gishti i Zotit.

“Ishte dënim për ata që donin ta shisnin”, pëshpëritnin.

“Katër ditë luftoi uji i Syrit të Kaltër me lumin që i lëshonte nga sipër gurë dhe zhavorr”, thoshin të moshuarit.

Kush e pagëzoi…?

Emërtimi “Syri i Kaltër” ka lindur shumë më vonë, në vitet ’50, kur u bën studimet e këtyre burimeve për t’i përdorur në hidrocentralin e Bistricës. Thuhet se emrin, ia vuri një prej inxhinierëve të rinj, të cilit i kujtonte sytë e kaltër të së fejuarës së tij.

Thonë se të gjithë inxhinierët që endeshin në këto burime e quanin kështu, sepse s’mund ta quaje ndryshe një burim aq të kaltër, me një rreth jeshil dhe me një njollë të zezë në mes. Mene Lula, një prej inxhinierëve ndërtues të hidrocentralit së Bistricës thotë se edhe pelegrinazhi që bëjnë sot nuset në ceremoninë e martesës, duke kaluar para se të hyjnë në shtëpinë e re të dhëndrit, ka lidhje me hyjnizimin e mistifikimin e kësaj dhurate të natyrës që simbolizon pastërtinë morale, bukurinë femërore dhe hijeshinë e nuses-nimfë të dalë nga ujërat kristal, sipas legjendës së Panit të Madh.

Syri i Kaltër, destinacion turistik

Vizitorët të rregullt, turistët e huajdhe nuset me fustan të bardhë

Syri i Kaltër megjithëse i takon administrativisht nënprefekturës së Delvinës lidhjet me turizmin dhe vizitorët i mban me Sarandën. Këndej nisen turistët vizitor për të shkuar në “çudinë” natyrore.

Sipas të dhënave zyrtare, për vitin 2007 numri i vizitorëve të huaj në këtë pikë turistike i kaloi të 30 mijë, të ardhur nga Anglia, Danimarka, Holanda, Franca, Italia, vendet nordike, brigjet e Mesdheut, amerikanët, aziatikët, australianë e deri në Brazil.

Ky vërshim ka ardhur edhe për shkak të krocierave të mëdha që zbresin në Sarandë me qindra turistë në një ditë. Të gjithë turistët e huaj që zbarkonin në këto anije gjigante turistike, një drekë patjetër kërkojnë ta kalojnë në mjediset përrallore të Syrit të Kaltër.

Nëse do të llogaritësh shqiptarët mund të marrësh vetëm një informacion të përafërt, pasi ata janë disa kategori, bashkatdhetarë nga trojet shqiptare, kryesisht nga Maqedonia e Kosova, por ka edhe nga SHBA-ja.

Shqiptarët brenda kufijve që u përkasin qyteteve Sarandë e Delvinë e duke shkuar deri në Tropojë, Kukës, Korçë, Tiranë, Durrës e gjithë Shqipëria, por ka edhe nxënës e mësues që vijnë nga Prishtina, Suhareka, Gjakova, Tirana e gjithë shkollat e vendit.

Dasmorë të rretheve Gjirokastër, Delvinë e Sarandë që vazhdojnë të aplikojnë traditën pagane të pagëzimit “të pastërtisë së çiftit”.

EDI MOLLA : Gazeta Metropol

Categories
Art Kulture Kuriozitete

LEGJENDA PËR MUAJIN E PLAKAVA

Legjenda për Muajin e Plakave apo Plaka që u shndërrua në gur është gojëdhëna e cila në popull haset e gjallë me këto fjalë:

“MARS O VLLA

M’JEP TRE DITË UHA

TA MBEJTI PLAKËN ME GJITHË XH’I KA”.

Pra, është legjenda e cila ende dëgjohet nga gojëdhëna e popullit të trevës sonë. Kjo legjendë është e gërshetuar me stinën e pranverës së hershme, apo me muajin mars, që populli e quan: “Muaji i Plakave”, mirëpo e dëgjojmë edhe si: “Muaji kur Plaka doli në bjeshkë e u shndërrua në gur”.

Legjenda në popull rrëfehet me sa vijon: “Gjatë muajit mars plakat duhet që t’i marrim me të mirë, se ata, po të hidhërohen, mundin ta prishin motin. Prandaj, është e zakonshme që plakave, gjatë muajit mars t’u përmbushim dëshirat dhe kërkesat…”, që ndryshe në popull thuhet: “Plakave gjatë marsit t’u gatuani ëmbëlsira, dhe atë për çdo ditë t’u gatuani hallvë me rrush të thatë, se po të hidhërohen plakat, bën puna vaki që të fryjë furtunë e tmerrshme e shoqëruar me shi e borë e të gjithëve na bën shtëng e gur mu si plaka që u bë gur në stanet e bjeshkëve të Sharrit”.

Rrëfimi i Plakës që u shndërrua në gur, në gojëdhënën e popullit rrëfehet nga kjo ngjarje kështu: “Dikur paska qenë një grua e Plakë, e cila paska dalë me gjithë familjen e vet, dhentë, qentë dhe kafshët, tre ditë para ditës së pranverës në stanet e bjeshkëve të Sharrit. Mirëpo, koha e stinës së pranverës së hershme e tradhtoi Plakën. Tre ditë pas ditës së pranverës, në stanet e bjeshkëve të Sharrit, moti me të shpejtë u prish”. Thuhet se ato ditë paska fry erë e madhe me shi e borë, sa që tre ditë e tri net rresht, furtuna s’ka pas të ndalur, bile-bile ul, ërima e furtunës është dëgjuar edhe në fushat e Pollogut. Pas trI ditësh e tre netësh, moti është qetësuar, por Plaka, familja, dhentë, qentë, kuajt, lopët dhe dhitë ishin ngrirë nga të ftohti, mu në hyrjen e staneve. Që prej asaj kohe janë shndërruar në gur, bile në atë vend sot gjendet një gur në formë të Plakës, ku sot e kësaj dite prej aty buron ujë, që besohet se janë lotët e Plakës, që u shndërrua në gur”.

/Material i shkëputur nga libri : ISMET JONUZI-KROSI, STUDIM ETNOLOGJIK NGA TREVA E POLLOGUT “TAKIMI ME SHEKUJT” (MITET DHE BESIMET), Shtypshkronja “LUMA”-Tetovë, 2008…/

Categories
Art Kuriozitete Personalitete

Whitney Houston, historia e një ikone

Whitney Houston ishte këngëtare dhe aktore amerikane, katër albumet e para të së cilës, grumbulluan një shifër totale të kopjeve të shitura deri në 86 milionë.

Kush ishte Whitney Houston?
E lindur më 9 gusht 1963, në Newark, New Jersey, Whitney Houston publikoi albumin e saj debutues në moshën 22 vjeçare dhe arriti vendin e parë në listat muzikore me plot 3 këngë. Në vitin 1987 ajo publikoi dhe 4 këngë të tjera të cilat arritën vendin e parë dhe po këtë vit fitoi Grammy-in e saj të parë. Albumet e mëvonshëm dhe super të suksesshëm ishin: “I am your Baby Tonight” (1990), “My Love is Your Love” (1998). Martesa me këngëtarin Bobby Brown në vitin 1992 dhe më pas përdorimi i dr, ogës, e çuan karrierën e saj në pikiatë. Ajo në 2009 me këngën “I Look To You” dhe gjithashtu luajti në filmin Sparkle. Houston vdiq në një hotel më 11 shkurt 2012.

Albumet e Huston:

Albumi: ‘Saving all My Love for You’
Në vitin 1985, Whitney Houston publikoi albumin e saj të parë. Houston arriti pothuajse menjëherë majat e pop-it. Gjatë vitit 1986, këngët “Saving All My Love for You” dhe “How Do I Know” ndihmuan albumin të qëndronte në krye të listave muzikore për 14 javë. Houston fitoi çmimin Grammy në vitin 1986 për “Saving all My Love for You”.

Albumi: ‘I Wanna Dance with Somebody’
Houston e ndoqi suksesin e madh të albumit të saj të parë me një album të dytë në vitin 1987. Edhe ky album arriti majat e renditjeve botërore dhe Whitney fitoi çmimin Grammy për këngën “I Wanna Dance with Somebody”. Një tur i suksesshëm botëror pasoi suksesin e këtoj albumi.

Deri në vitin 1992, Whitney Houston ishte në krye të botës, por jeta e saj u bë shumë e komplikuar. Atë vit ajo u martua me këngëtarin e muzikës R&B, Bobby Brown, pas një marrëdhënie 3-vjecare. Në fillim, martesa ishte e shkëlqyer, por marrëdhënia u kthye të ishte e padurueshme me Huston që më pas tha se i shoqi e dhunonte.

Albumi: ‘I Will Always Love You’
Përkundër gjithë këtyre problemeve në jetën personale, Houston vazhdoi të përparojë në karrierën e saj, duke kaluar me sukses në botën e kinemasë në vitin 1992 duke interpretuar së bashku me Kevin Costner në filmin The Bodyguard. Për çdo film ajo gjithashtu publikonte hite muzikor. Kënga “I Will Always Love You”, pjesë edhe e filmit rezultoi të ishte kënga e saj më e bukur dhe më e suksesshme. Kënga i dha mundësinë Huston që të merrte 3 çmime Grammy për këngën më të mirë të vitit dhe albumin më të mirë.

Albumi: ‘It’s Not Right But It’s Okay’
Houston fitoi një tjetër Grammy për të këngën “It’s Not Right But It’s Okay”. Megjithatë albumi nuk pati të njëjtin sukses me këngën. Gjithsesi, Huston nuk mund të mjaftohej me pak sukses dhe në bashkëpunimin me Mariah Carey në këngën “When You Believe” për filmin “The Prince of Egypt”, ajo fitoi Oscar për kolonën më të mirë zanore.

Albumet e mëvonshme ishin “Just Whitney” dhe “I look to you” (albumi i fundit në 2009) të cilat nuk patën suksesin e mëparshëm, por publiku i priti mirë. Këto albume ishin punë artistike të cilat u bënë mes problemeve të jetës private të Huston, një martese thuajse të prishur dhe problemeve financiare.

Vdekja e hershme:
Në fillim të vitit 2012, Houston u përfol se po përjetonte probleme financiare, por ajo i mohoi këto thashetheme. Ajo, në fakt, dukej se ishte e gatshme për ringritje në karrierë. Houston punoi në një film të ri muzikor “Sparkle” me Jordin Sparks. Ajo u përfol se do të ishte gjithashtu pjesë e jurisë së X Factor, por për fat të keq, Houston nuk jetoi aq gjatë sa për të shijuar arritjet e fundit në karrierë.

Whitney Houston vdiq në moshën 48 vjeç më 11 shkurt 2012, në Los Angeles në një hotel ku një festë për çmimet Grammy u organizua nga Clive Davis. Raporti i publikuar nga zyra e gjykatës së Los Anxhelos më 22 mars 2012, shkruante se shkaku zyrtar i vdekjes së saj ishte mbytja aksidentale.Sëmundjet e zemrës dhe kokaina mendohet qe kanë qenë shkaqet reale të vdekjes. Me largimin në botën tjetër të Huston, bota e muzikës humbi një prej legjendave të veta. /konica

Categories
Art Kuriozitete Personalitete

Florenca, vajza që iu kushtua kënga “Luleborë”

Eshtë i çuditshëm fakti që aq shumë është shkruar për një këngë, por kur mendon që kënga është më e bukura e shkruar ndonjëherë për dashurinë shqiptare atëherë gjithçka ndryshon dhe mendimi të kthehet në frymëzim.

Të shtyn të kërkosh e të gjurmosh thellë në hojzat e krijimit, atje ku ajo lindi. Besoj e keni kuptuar se për cilën këngë e kam fjalën. Më mirë të them që kënga është një hymn i vërtetë dashurie me të cilin sa e sa të rinj kanë lidhur jetët e tyre. E pra është “LuleBora”.

Me tingujt e saj shqiptarët kanë shoqëruar kurorëzimin e dashurisë në të gjitha martesat e tyre njësoj si me marshin e martesës të Mendelsonit. “LuleBora” është kënduar në të gjitha skajet e globit dhe është kënga më e dëgjuar dhe më e njohur shqiptare në botë.

Melodia e saj ka valëzuar në të gjitha gëzimet familjare dhe kompozitori Simon Gjoni është vlerësuar nga vetë artistët si krijuesi i një perle të vërtetë, i temës më të ëmbël lirike në muzikën shqiptare. Ai lindi në qytetin e Shkodrës ne vitin 1923 dhe u edukua në një familje të thjeshtë qytetare. U arsimua në gjimnazin “Illyrikum” të këtij qyteti.

Shumë shpejt mësoi kitarën, trombën, pianon dhe me entuziazëm e pasion ju kushtua artit të muzikës. Në vitet e rinisë së tij kompozoi mbi 200 këngë origjinale që shumë shpejt u përhapën në të gjithë Shqipërinë, si: “Lule-borë”, “ Pash syt’ tu’ si drita”, “End o vashë” etj. Studimet e larta i kreu në vitet 1952-1958 në Akademinë e Lartë Muzikore në Pragë (Çekosllovaki).

Në vitet 1956-1958 në qytetin e Pragës dirigjoi : Shubert “Rozamunda”, Grig “Peer Gynt”, I.Benda “Pygmalion” K.Ditersdorf “Simfoninë koncertale për violinë e kontrabas”, F.List “Les Preludes”.
Në vitin 1958 kthehet në atdhe dhe punon në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, ku dirigjoi shumë vepra botërore, të cilat gjetën interpretimin e parë nën baketën e tij, si operat: G.Donixetit “Don Paskuale”, L.Kavallo “Paliaçot”, Xh Rosini “Berberi i Seviljes”, T. Daija “Pranvera” dhe baletet “Lola” e Vasiljenkos, “Laurencia” e Krein, etj.
Me kujdesin dhe pasionin e tij regjistroi shumë vepra të kompozitorëve shqiptarë si Zadeja, Gaci, Nova, Daija, Harapi, Dungu, Grimci, Zoraqi, Kono, etj. si dhe muzikën e disa filmave shqiptarë. Në vitin 1967 drejton ne Kinë vepra të kompozitorëve shqiptarë.

S.Gjoni është një nga themeluesit e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, me këmbëngulje dhe disiplinë ai punoi për rritjen, individualitetin dhe zhvillimin e kësaj orkestre. Nga kompozitorët botërorë ekzekutoi për herë të parë në Shqipëri, Bethoven ”Simfoni Nr.7” dhe “Simfoni Nr.8”, Mendelson “Endërr e një nate vere”, K.M.Veber “Gjahtari magjik”, Belini “Norma”, Bethoven “Leonora”, Grig “Peer Gynt” Smetana “Poemën Voltava”, Çajkovski “Françeska da Rimini”, Dvorzhak “Valle Sllave”, F.List “Les Preludes”, etj. Dirigjimi i tij ishte një akt krijimi, në të rrihte pulsi i kohës, rrihte vetë jeta.
Aktivitetin pedagogjik e filloi në vitin 1958 në Liceun Artistik dhe më vonë, në vitin 1961 ishte ndër pedagogët e parë në themelimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës (sot Akademia e Arteve të Bukura), ku përgatiti breza të tërë muzikantësh e artistësh, duke dhënë lëndët e polifonisë, orkestracionit, dirigjimit, intonacionit dhe muzikës së dhomës, deri ditën që pushoi së jetuari.

Si kompozitor krijimtaria e tij ka kaluar në të gjitha gjinitë, që nga kënga, Romanca, Kantata, Suita, Ballada, Pjesë për piano, violinë, dhe vepra të mëdha orkestrale si tetë Valle Simfonike Shqiptare, Poemë Simfonike, Suitë Simfonike e deri tek Simfonia në Mib mazhor. S.Gjoni ishte një kompozitor me frymëzim e pathos fisnik, muzika i buronte lirisht. Kritiku i muzikës dhe muzikologu G.Leotsakos në letrën e tij më 22.12.1991 e karakterizonte kështu:
“Simon Gjoni është një kompozitor i shkëlqyer, krijues i predestinuar, me një kulturë të thellë estetike e muzikale, por mbi të gjitha me një personalitet të mrekullueshëm human, me një zemër të artë në harmoni të plotë me kulturën e tij të rafinuar.”

Gjithashtu kompozitori në fushën e kritkës muzikore ka lënë punime teorike në lidhje me temat e “Arritjeve të artit muzikor shqiptar” si dhe veprën e rëndësishme “Instrumentet dhe arti i Orkestrimit”.
Kompozitori Çesk Zadeja në gazetën Drita 01.12.1991, shkruan : “Emri i Simon Gjonit do të mbetet i skalitur në pentagramin e muzikës shqiptare. Vlerësimi më i madh për çdo krijues është atëherë kur vepra e tij, mesazhi i tij bën jehonën e vet në thellësi të kohës duke rritur vlerat e veta bashkë me kohën. Këto veçori i atribuohen artistit, kompozitorit, dirigjentit, pedagogut dhe muzikologut të talentuar Simon Gjoni”.

Historia e “LuleBorës” fillon një ditë pranvere në një qytet verior të Shqipërisë, në Shkodër që ishte djepi i kulturës. Një gazetare e re shkon në këtë qytet për të realizuar një intervistë me një poet. Ata ulen në një kafe me një kopësht të mbushur me lule dhe bisedojnë gjatë. Teksa flisnin poeti nxjerr nga xhepi një fletore të vogël dhe një copë laps e fillon të shkruajë diçka. Vajza e shikon e hutuar por megjithatë vazhdon të flasë për gjithçka, për poezinë, për librat, për artin, për ëndrrat. Dhe poeti vazhdon të shkruajë. Një çast ai ndalon dhe i thotë vajzëz –“Të lutem pranoje këtë, është për ty”. Ishte një poezi. Ajo titullohej “LuleBorë”. Vajza e çuditur e merr dhe falenderon.

Më pas poeti këput disa lule (për të cilat legjenda “ngulmon” që të jenë luleborë) nga kopështi dhe ja drejton vajzës duke ju lutur që ti bënin një vizitë nënës së tij pasi ajo do të gëzohej shumë dhe do të kënaqej nga prania e një vajze kaq gojë-ëmbël. Si gjithmonë dashuria me shikimin e parë edhe kësaj here goditi në shenjë dhe ky takim rinor nuk kishte si të mbaronte ndryshe veçse me lidhjen e dy të rinjve. Kjo do të ishte dashuria e parë e lidhur nga “Lulebora” dhe askujt nuk do ti shkonte në mendje se ajo nuk do ishte e fundit. Por poezisë së bukur i duhej edhe një melodi po aq e bukur dhe e veçantë që ajo të bëhej e pavdekshme. Këtu fillon edhe pjesa e dytë e legjendës. Poeti, që ishtë Zef Pali pas disa ditësh takoi shokun e tij, kompozitorin Simon Gjoni. I foli për një poezi që kishte shkruar dhe ja dha ta lexonte. Rinia si gjithmonë ka energjinë e përmbledhur në vetvete, ka forcën krijuese që nuk ndalet para asgjëje. Fjalët e poezisë e frymëzuan menjëherë kompozitorin e ri që të ulej e të shkruante një melodi.

Figura e tij do mbetej në kujtimet e bashkëkohësve ulur buzë rrugës duke shkruar me një shkop mbi pluhur pesëvijëshin dhe notat, e pastaj i pakënaqur me ato që shkruante kompozitori i prishte e sërish hidhte të tjera nota, pa vënë re fare rrëmujen e kalimtarëve dhe njerëzve përreth tij. Notat buronin dhe tingujt e këngës fluturionin drejt fletëve të bardha, që të përjetësoheshin në krahët e dashurive që do të ushqenin. Ato nota do të qëndronin mrekullisht bukur pranë njera-tjetrës dhe do të habisnin edhe mjeshtrat kurdoherë që do të tingëllonin. Siç ndodhi në Rusinë e largët ku mësuesit u thoshin studentëve të rinj shqiptarë se habiteshin me sa mjeshtëri ishin kombinuar ato kalime aq të thjeshta nga terca mazhore në minore, aq natyrshëm saqë të jepnin përshtypjen e një gëzimi dhe dashurie të pafund. Ata nuk kishin si ta merrnin me mend të fshehtën që shtrihej tek forca e madhe shprehëse e tyre dhe që qëndrontë pikërisht në burimin e tyre të pastër drejt e nga gjiri i një kombi aq të vjetër e aq krijues.

Atje do mbetej sekreti i vetëm i “LuleBorës”, atë sekret që kompozitori në vitet e mëvonshme do t’ju a përsëriste aq shpesh studentëve të tij. Do ishte i njëjti sekret që do mbanin në gjirin e tyre edhe shumë këngë të tjera që do të pasonin.
Vajza ndodhej në Tiranë dhe me shoqet e saj një ditë dëgjonte Radio Tiranën. Për një çast dëgjohet një melodi e bukur, e ëmbël, me fjalët që ju dukën aq të njohura dhe që e befasuan. I dëgjon me vëmendje dhe nuk u beson veshëve. Janë të njëjta me poezinë që i kish dhuruar asaj i dashuri. E emocionuar ja tregon atë shoqeve dhe fillon e vallëzon edhe ajo bashkë me këngën. Bashkë me tingujt e me vargjet e saj edhe vajza fillon e shëtit me melodinë “në mal’ e n’ kodër”, dhe fillon e i “prek lulet gjith’ me dorë”. Kënga kishte marrë krahë dhe po emociononte në të njëjtën kohë me mijëra njerëz që po e dëgjonin. Në ato vite nuk ekzistonin teknikat e tanishme. Gjithçka bëhej shumë më shpejt.

Gjithçka ishte shumë më e thjeshtë. Sot për një regjistrim kënge duhet të mobilizosh me qindra vetë ndërsa në ato fillime mjaftonte dëshira e mirë e disa muzikantëve dhe gjitçka realizohej. Nuk duhej studio e aparatura supermoderne elektronike, nuk duheshin gjithfarë mikrofonash ultrasonikë, mjaftonin vetëm disa vegla dhe shpirti i mbushur me jetë që ëndrra të bëhej realitet. Dhe në pak minuta gjithçka dëgjohej drejtpërdrejt në të gjitha skajet, sepse luhej për së gjalli, luhej drejtpërdrejt në mikrofon e prej atje në shpirtrat e njerëzve. Eshtë pikërisht kjo që i mungon artit sot dhe na bën të habitemi se si është e mundur që kjo këngë e krijuar prej kaq vitesh, ende ka sharmin e saj të veçantë. Sepse ajo ka jetën e pastër brenda saj. Artistët luanin të entuziasmuar dhe këndonin edhe ata vetë hymnin e ri të dashurisë, merrnin edhe ata grimca nga lumturia dhe kënaqësia që falnin tingujt e kompozitorit. Si në shumë raste edhe atëherë ishte Radio Shkodra që po jepte një leksion muzikor, i takonte asaj të kishte nderin e transmetimit të parë të “LuleBorës”. Pas disa ditësh të gjithë e këndonin dhe vala e pëlqimit nuk linte askënd të veçuar. E dëgjonin këngëtarët dhe menjëherë e mësonin dhe e këndonin. Donin edhe ata të merrnin diçka nga tingulli i artë e plot jetë i saj.

E dëgjonin njerëzit e thjeshtë dhe menjëherë e preknin siç preknin petalet e luleve me imagjinatën e tyre, sepse ajo ishte e thjeshtë dhe e veçantë, kishte gjetjen e artistit dhe ëmbëlsinë e popullit të mbledhur në prehërin e këngës. Suksesi i saj ishte dhe ende mbetet i jashtëzakonshëm dhe e bëri edhe kompozitorin me krahë që të krijonte në pak kohë edhe shumë këngë të tjera. Aq e madhe ishte fama e këngës sa pas shumë vitesh vetë përmendja e emrit të lules do të bëhej sinonim i këngës, sikur lulja në vetvete të mos ekzistonte por tashmë vendin e saj ta kishte zënë kënga. Dhe në të vërtetë askush më pas nuk mundi të thoshte me saktësi se cila ishte lulebora, lulja e vërtetë apo kënga, sepse të gjithëve u vinte e para në mendje kënga, sa herë përmendnin emrin e saj dhe sa herë shikonin një lule të bardhë mbi disa gjethe jeshile menjëherë nxitonin ta quanin luleborë, ndoshta të shtyrë nga kënga, ndoshta nga dëshira që të materializonin atë që ata kishin ëndërruar nën tingujt e muzikës, pak rëndësi kishte nëse lulet mund të ishin edhe gardenia a diç tjetër. E rëndësishme të ishte e bardhë dhe menjëherë pamja kthehej në këngë. Malodia ishte kthyer në muzikë dhe lule, ishte bërë njëkohësisht legjendë dhe art.

Shumë emra do të shoqëronin udhëtimin e saj në vite. Dhe vetë populli sikur e donte për vehte atë, nuk donte që të kishte autor, e prandaj askush nuk e përmendi më autorin për vite me rradhë. Ai kurrë nuk kërkoi dhe nuk mori shpërblim. Asnjëherë nuk mori ndonjë çmim ose vlerësim për muzikën e tij. Të tjerë u bënë “artistë të popullit” por populli asnjërit nuk ja kendoi këngët aq shumë e aq gjatë sa “Luleborën” e Simon Gjonit. Por kjo i takon një periudhe tjetër. Simonin e ri e njihnin të gjithë dhe ai kompozonte gjithnjë e më me frymëzim. Jehona e këngëve të tij bëri që të vlersohej edhe nga pushtetarët, sepse edhe ata për “dreq” influencoheshin nga melodia e këngës. Dhe si në të gjitha rastet e artistëve fatlumë edhe kompozitorin e ri e dërguan me studime në një nga akademitë më të mira të muzikës. Ndërkohë kënga vazhdonte rrugën e saj të gjatë që edhe sot ende nuk e ka mbaruar.

Do të ishte artisti A. Mula që do ta këndonte i pari jashtë kufijve të vendit. Ishte kongresi i rinisë në Berlin dhe atje do të fitonte çmimin e parë. Siç e thoshte gjithmonë edhe ai vetë, “ajo këngë i solli tërë jetën shumë fat” sepse prej saj do të bëhej i njohur në të gjithë Rusinë, atje kënga arriti kulmin e një hiti të vërtetë, e transmetuar nga Radio Moska dhe e luajtur edhe nga orkestrat më të mira ruse ajo do të gjente tek artdashësit një sukses të paarritur dëri më sot nga ndonjë këngë shqiptare. Sa kujtime të studentëve shqiptarë lidhen me të. Ja një prej tyre. “Gjatë një nate pranvere një student shqiptar po qëndronte nën qiellin me yje së bashku me të dashurën e tij. Larg, shumë larg, dukej se dëgjohej një melodi e cila sa vinte e bëhej më e njohur. Ai ngirit kokën sepse ajo melodi ju duk e afërt por largësia ja sillte disi të paqartë. Pak çaste më pas ai e kuptoi dhe gjithë trupi ju rrënqeth.

Zerat melodiozë sa vinin e bëheshin më të dëgjueshëm e më të ngrohtë njëkohësisht për veshin e zemrën e tij të ndjeshme në ato çaste përhumbjeje. Ishte “Lule bora” që po këndohej në shqip. Ai u ngrit që të afrohej pranë atyre që këndonin. Eci drejt tyre dhe vuri re se ishin një grup studentësh nga vende të ndryshme të botës të cilët po këndonin këngën në gjuhën e tij. Krenaria e tij ishte e pakufishme në ato çaste, ai ndihej krenar si asnjëherë në jetën e tij dhe u bashkua me grupin e të rinjve duke kënduar “eja eja luleborë se me ty do t’thur kunor”. Siç do ta quanin edhe shumë të tjerë më pas, hymni i Shkodrës do të kthehej në hymnin e gjithë të dashuruarve. (marrë nga libri

“Në Shkodër të gjithë këndojnë” i autorit I. Alibali)
Përveç suksesit artistik rreth këngës u krijuan edhe histori të pafundme, jo vetëm dashurie, së cilës ajo natyrisht u ishte kushtuar, por edhe malli, humori dhe gëzimi. Disa prej tyre janë edhe komike si rasti i këngëtarit Ibrahim Tukiçi të cilit pedagogu i marksizmëm-leninizmit në vend të përgjigjes në provim i kërkoi ti këndonte një herë “LuleBorën”, ose Mentor Xhemalit, basit të mrekullueshëm shqiptar me zërin e kadifenjtë, për të cilin nuk ishin problem ariet më të mëdha botërore, ndërsa pedagogu i tij i tha se nuk ishte e këshillueshme që të këndonte që në vitin e parë “LuleBorën”, sepse ishte e “vështirë”, le të priste vitet e mëpasme të studimit, duke e lënë me këtë përgjigje të habitur në kulm këngëtarin që me zërin e tij prëj basi do të bëhëj aq i madh në skenën botërore.
Jo vetëm në momentet e gëzimit por edhe në çaste të dhimbshme,

ky kulm i melodisë së dashurisë ka ngrohur shpirtrat e njerëzve. Si në rastin e tezes së violinistit shqiptar Gert Kumi, e cila jetonte në USA dhe fatkeqësisht ishte e sëmurë rëndë. Nipi në ditën e fundit të jetës së saj shkoi për vizitë në spital dhe ajo i kërkoi t’i luante në violinë “LuleBorën”, por artisti nuk kishtë violinë me vete kështu që u detyrua të kërkonte në të gjithë qytetin e Atlantës një violinë borxh vetëm për disa orë. U kthye pranë shtratit të tezes së tij dhe luajti këngën e saj të preferuar duke i dhënë asaj kënaqësinë e fundit të jetës. Pas disa orësh ajo nuk ishte më.

Çastet e dhimbshme janë pjesë e jetës, por janë kengë të mrekullueshme si “Lulebora” që i lehtësojnë e japin lumturi njeriut që ti gëzojë ato. E si për të treguar për të kushedisatën herë që jeta vazhdon e do të vazhdojë gjithmonë edhe sot mbesa e saj e vogël, vetëm 2 vjeçe e këndon këtë këngë me fjalët dhe me melodinë e plotë, si një këngëtare e vërtetë. Ka mundësi që edhe ajo do të bëhet pikërisht këngëtare duke ju shtuar numrit të pafund të atyre që e kanë kënduar.

Sigurisht që njeriu ndjehet aq krenar kur mendon që një këngë e tillë është kënduar pa përjashtim nga të gjithë artistët shqiptarë, në të gjithë botën, që nga Rusia, Kina, Koreja, Vietnami, Mongolia, Gjermania, Rumania, Hungaria, Polonia Finlanda, Franca, Italia, Austria, Bullgaria, USA, Spanja, Algjeria, Egjypti, Anglia, Australia. “Luleborë” është kënduar përpara personaliteteve të mbarë botës.

Shprehja e artistit Zhani Ciko e përmbledh më së miri madhështinë e kësaj kënge. Pas një koncerti, pasi kishte dëgjuar këngën ai u shpreh – ‘Ashtu siç kanë italianët “O Sole mio” ne shqiptarët kemi “LuleBorën”.
E pra, sot në vitin e saj të 66 të krijimit, kur e mendon që çdo ditë ajo këndohet diku nëpër botë, a nuk e meriton “Lulebora” të quhet kënga e shekullit për shqiptarët?/Shkoder.info

Categories
Art Histori Kulture Kuriozitete

Qyteza shqiptare që pret, por nuk përcjell mysafirë

Me hyrje, por pa dalje, me shtëpinë e veprimtarit të shquar Shtjefën Gjeçovi, si dhe me Kishën e Shën Nikollës të vjetër mbi 710 vjet, Janjeva shquhet edhe me përkatësi të ndryshme etnike. Në qytezën e vogël afër qytetit të Lipjanit jetojnë komunitete të ndryshme në harmoni me njëra-tjetrën, pa harruar të kaluarën antike të saj.
Në pjesën lindore të komunës së Lipjanit, në një distancë prej 12 kilometrash nga qendra, gjendet qyteza antike e Janjevës. Një qytezë, e cila sipas dokumenteve zyrtare daton qysh nga shekulli XIV dhe është njëra nga vendet më të vjetra në Kosovë.

Janjevën e karakterizon edhe fakti se është një vend kodrinor-malor, gjë që e bën të mundur zhvillimin e shumë kulturave bujqësore e blegtorale nga banorët, përmes të cilave ata sigurojnë të ardhurat për familjet e tyre. Të veçantë Janjevën e bëjnë edhe shtëpitë qindravjeçare, të cilat me një arkitekturë unike të ndërtuara nga balta të japin përshtypjen se janë të ndërtuara njëra mbi tjetrën.

Karakteristikë tjetër e Janjevës janë edhe rrugicat e ngushta të shtruara me kalldrëm, të cilat ia shtojnë bukurinë edhe më shumë kësaj qyteze të vjetër e që dikur shquhej me zejtarë. Duke u bazuar në gjetjet arkeologjike konsiderohet se Janjeva është lokalitet mjaft i lashtë. Për vjetërsinë e kësaj qyteze tregon edhe Behxhet Konxheli, kryetar i Këshillit Drejtues të Janjevës. “Qyteti i Janjevës është formuar në fund të shekullit XIII. Janjeva është e njohur si njëra ndër qytetet më të vjetra në Kosovë pas Novobërdës e Vush, trrisë.

Kisha e vendosur në këtë qytet në fund të shekullit të XII dhe xhamia janë disa monumente të veçanta. Ka edhe shtëpi të vjetra, të cilat e karakterizojnë atë. Po ashtu në Janjevë gjendet edhe shtëpia-muze e Shtejfën Gjeçovit, i cili ka qenë njëri ndër themeluesit e shkollës shqipe”, ka thënë ai për “Zërin”.

Janjeva – qyteza me hyrje, por pa dalje

Ai gjithashtu tregon një karakteristikë të veçantë të kësaj qyteze e që e bën Janjevën njërën ndër qytezat më unike në Evropë. “Qyteti ka vetëm hyrje, ka e nuk ka dalje dhe është njëra ndër qytetet e vetme në Evropë me një karakteristikë të tillë”, ka thënë tutje ai.

Në Janjevë janë të ndërtuara rreth 600 shtëpi me afër 3000 banorë, shumica e të cilëve janë shqiptarë, ndërsa banojnë edhe kroatë, turq, romë, ashkalinj dhe boshnjakë, shkruan gazeta Zëri.

Qendra e qytezës njihet edhe si Çarshia dhe në të janë të vendosura bizneset e vogla private, si dhe xhamia. Afër saj gjendet edhe kisha katolike, të dyja këto monumente fetare që janë të vjetra. Si provë për harmoninë ndëretnike të komuniteteve e dëshmon edhe mungesa e konflikteve midis tyre. Për jetën e komuniteteve jo shumicë në Janjevë na ka folur përsëri Konxheli. “Në Janjevë ekzistojnë disa komunitete: shqiptarë, turq, kroatë, romë, ashkalinj edhe disa banorë boshnjakë. Banorë të komunitetit serb nuk kemi këtu, por të tjera komunitete banojnë së bashku, janë të lidhur ndërmjet vete. Asnjëherë nuk e kanë dëmtuar njëri-tjetrin dhe e kanë ruajtur njëri-tjetrin. Kjo ka ndihmuar që të mos kenë mosmarrëveshje mes vete”, ka rrëfyer ai.

710 vjet nga ndërtimi i Kishës së Shën Nikollës

Që nga paslu, fta kjo qytezë sa e bukur, aq edhe e lashtë si shumë vende të tjera rurale nuk po mund t’u përballojë shpërnguljeve të popullatës. Shumë kroatë kishin ikur në Kroaci gjatë lu, ftës së fundit dhe ata kthehen vetëm në rast festash. Këtu ata e gjejnë mundësinë ta vizitojnë edhe Kishën e Shën Nikollës, që shquhet për lashtësinë e saj. Ky kult fetar këtë vit ka festuar 710-vjetorin e themelimit. “710-vjetori i kishës është festuar tash dhe ka vizitorë, e sidomos ndërkombëtarë. Ata kanë qenë më të interesuarit. Edhe kroatët, që kanë banuar këtu shumë më herët e që tani kanë mbetur 200-300 vetë, vijnë prapë ta vizitojnë Kishën e Shën Nikollës. Ajo çfarë e karakterizon kishën është vjetërsia”, ka pohuar kryetari lokal i Janjevës.

Banorët shqiptarë po emigrojnë nëpër qytete të tjera për jetë më të mirë dhe ky është faktori tjetër, i cili ka ndikuar negativisht në gjallërinë e Janjevës.

Qyteza e lindjes së Shtjefën Gjeçovit

Në Janjevën e lashtë kishte lindur veprimtari i njohur Atë Shtjefën Gjeçovi, emrin e të cilit me krenari e mban shkolla fillore e qytezës, ndërsa në shenjë respekti për veprën e tij në Janjevë është restauruar shtëpia e Gjeçovit, e cila për çdo vit tërheq vizitorë të shumtë. “Ne e festojmë për çdo vit përvjetorin e shkollës, e cila e mban emrin e Shtjefën Gjeçovit. Unë ta them të drejtën nuk jam i kënaqur me Komunën, pasi është bërë renovimi, mirëpo pajisje brenda nuk ka. Ka vetëm ndonjë fotografi ose ndonjë veshje të tij, sepse ka vizitorë të cilët duan të shohin gjëra të tjera. Aty përveç mureve nuk ka ndonjë gjë tjetër të veçantë. Kjo është arsyeja pse nuk jemi të kënaqur me mirëmbajtjen e saj”, ka deklaruar tutje Konxheli.

“Anija”, që ia ktheu gjallërinë Janjevës

Përveç shtëpive shumë të vjetra në Janjevë, të cilat janë atraksion për t’u vizituar, viteve të fundit është hapur restoranti “Anija”, i cili me arkitekturën e rrallë ndërtimore ka arritur të tërheqë numër të madh vizitorësh vendorë, por edhe ndërkombëtarë. “Tani në Janjevë ka shumë vizitorë, pasi është ndërtuar edhe restoranti i njohur ‘Anija’. Edhe kisha, edhe shtëpia e Shtjefën Gjeçovit sjellin vizitorë në qytetet edhe pse nga paslu, fta Janjevën e kanë braktisur shumë qytetarë”, ka thënë tutje Behxhet Konxheli.

Edhe pse hapja e këtij restoranti ia ka rikthyer një dozë gjallërie qytezës, prapëseprapë është shumë larg gjallërisë që dikur kishte Janjeva./Kosova.info

error: Content is protected !!