15-KATËSHI DHE RIKTHIMI NË LOKAL ME MUZIKË E VALLËZIM TË KUFIZUAR
Ndonëse pati një frenim ky lloj argëtimi publik, sidomos në mesvitet ’70-’80, si pasojë e situatave të tensionuara politiko-ekonomike dhe jetës sociale të kufizuar, rikthimi te nata dëfryese e fundvitit në restorant erdhi natyrshëm nga dëshira për diçka më ndryshe nga ai i qëndrimit, gatimit në shtëpi ditën dhe natën e 31 dhjetorit. Ky ishte motivi që i shtyu shqiptarët të fillojnë të organizohen sërish në lokale në natën e fundit të vitit. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete te tjera……
Por që të kaloje këtë natë në një lokal, konsiderohej një privilegj i madh, pasi jo të gjithë i kishin mundësitë.. Për të siguruar një tavolinë për natën e Vitit të Ri, duhej të bëjë një prenotim familjar që në ditët e para të muajit dhjetor pranë administratës së hotelit. Frekuentohej kryesisht 15-katëshi, i sapondërtuar dhe i përuruar në vitin 1979. Të gjithë vraponin fillimisht aty. Nëse nuk arrije të prenotoje, duhej nxituar te lokalet e tjera si “Vollga” (Drini), “Arbana”, “Arbëria”, apo “Rinia”, ku nata e Vitit të Ri shoqërohej me muzikë të lehtë, vallëzim dhe argëtim brenda limiteve të kohës. Orkestra (kryesisht ishte ajo e tavernës së 15- katëshit, apo të tjera të përbëra me instrumente të njohura të kryeqytetit), e dinte mirë repertorin dhe nuk kalonte asnjë cak, gjithmonë në sintoni me çfarë lejohej në programin e kontrolluar më parë, por asnjëherë muzikë e këngë kushtuar Partisë. Tre kërcime, një pauzë, sërish tre kërcime… e kështu vijohej.
ÇMIMET
Mbrëmja festive fillonte në orën 21:00. Çmimi varionte nga 600 lekë personi dhe 1200 lekë çifti te 15-katëshi, për të zbritur në 450 lekë te të tjerat me një meny me të zakonshmet, antipasta, pastaj pulë ose pilaf me gjel, bërxollë me patate, një shishe verë, birrë ose raki dhe ëmbëlsira në fund. Cigarja pihej në pafundësi, nuk kishte këngëtarë, por mund të këndonin këngëtarë që ishin në lokal me familjet e tyre. Në orën 00:00 fikeshin dritat, përplaseshin gotat dhe një puthje në faqe, pastaj dalja jashtë për të parë fishekzjarrët. Më pas, organizoheshin edhe lojëra-lotari me prezantues aktorë të njohur si Vilson Gjoncaj, me të cilat fituesit merrnin një dhuratë nga organizatorët. Qëndrimi në restorant vazhdonte thuajse deri në orët e para të mëngjesit, pasi nuk kishte kufi apo limit kohe. Edhe në Shkodër te “Hotel Rozafa”, apo në plazh si tek “Adriatiku”, ashtu edhe te “Kruja”, “Butrinti”, ndodhte e njëjta gjë./Panorama.com.al