Menu
Monitori
  • Home
  • Art
  • Histori
  • Kulture
  • Personalitete
  • Sport
  • Thenie
  • Kuriozitete
Monitori

7 Mars 1887, hapet mësonjëtorja e parë në gjuhën shqipe në Korçë

Posted on March 1, 2021March 6, 2021 by Monitor

Mësonjëtorja e Korçës është shkolla e parë shekullare e gjuhës shqipe në viset shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane. U hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në periudhën e fundme të perandorisë.Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si një muzeum dhe ndodhet në veri të Bulevardit “Shën Gjergji”.

Hapja e shkollës erdhi si rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që synonte të mundësoheshin të drejtat kombëtare përbrenda Perandorisë Osmane. Mësonjëtorja përbëri një qendër për edukimin kulturor dhe patriotik, rëndësia e saj është e një vlere të veçantë duke qenë se shkrimi i shqipes nuk u lejua pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit.

Data e hapjes së saj festohet nga shqiptarët si “Dita e Mësuesit”.

Më 1885, Naim Frashëri si burokrat në Ministrinë e Arsimit në Stamboll, me të vëllain, Sami Frashërin dhe shqiptarë të tjerë me ndikim të “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip” ia dolën të siguronin lejen sulltanore për çeljen e një shkolle private shqiptare për djem në Korçë. Mbështetja financiare iu mundësua edhe nga mërgata e Rumanisë, anëtarët e Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, ndërsa shqiptarët e Stambollit vendosën që drejtor i shkollës të ishte Pandeli Sotiri. Mjedisi ku shkolla u vendos ishte shtëpia e dhuruar nga Diamant Terpo. Si “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip” ashtu edhe Shoqëria “Drita” kishin rënë që më përpara për të mos antagonizuar parinë vendase të ndikuar nga kultura greke duke hapur shkolla shqipe. Patrikana e Stambollit refuzoi që të jipej gjuha shqipe në shkollat ekzistente greke të komunitetit ortodoks të Korçës. Sotiri u dërgua në Korçë dhe e çeli shkollën më 7 mars 1887. Tekstet e shkollës i mundësonin vëllezërit Naim e Sami Frashëri dhe shumë shqiptarë të tjerë. Përgjatë 1887 Sotirit iu desht të linte Korçën dhe administrimi i shkollës i kaloi Petro Nini Luarasit dhe Thanas Sinës. Autoritetet osmane i dhanë leje vetëm të krishterëve shqiptarë që të ndiqnin mësimdhënien në këtë shkollë, por shqiptarët nuk iu bindën lejes dhe lejuan fëmijët muslimanë që të mund ta ndiqnin. Vitet e para në shkollë u regjistruan rreth 200 nxënës të besimit mysliman dhe të krishterë. Më 1888, shkolla kishte 100 nxënës të krishterë dhe 60 muslimanë.

Pandeli Sotiri e filloi mësimin fillimisht me 35 nxënës. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.

Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte reptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet – u mbyll në vitin 1902, për t`u riçelë në vitin 1908. U mbyll përsëri në vitin 1912 dhe u çel pas pesë vjetësh, më 1917. Përkrahës të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Naum Naçi, Thoma Avrami, Familja Qiriazi, etj.

Më 15 (23) tetor 1891 Gjerasim Qiriazi së bashku me të motrën Sevasti Qiriazi hapën këtu edhe Mësonjëtoren e vajzave baza e së cilës ishte gjithashtu gjuha shqipe dhe kultura kombëtare.

Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit. Të edukuar dhe me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen dhe pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm për luftën për liri dhe pavarësi.

Në shenjë nderimi, respekti dhe kujtimi për kontributin e Mësonjëtorës së Korçës dhe mësuesve të saj, 7 marsi është caktuar si ditë e mësuesit dhe shkollës shqipe. Ndërtesa ku u hap kjo shkollë sot është muzeum kombëtar i arsimit/Wikipedia

Mesonjetorja e Pare Shqipe
©2021 Monitori | Powered by WordPress & Superb Themes