Alush Shaip Leshanaku lindi në Elbasan në vitin 1913. Mësimet fillestare e ato të mesme i kreu me sukses në Normalen e Elbasanit prej nga doli mësues.
Prej aftësisë së tij, shpirtit aq të bukur nacionalist që ky djalë kishte, me ndihmën e Shefqet Verlacit që e kishte fort përzemër, ai vazhdoi studimet në Universitetin “La Farnesina” të Romës prej nga doli me titullin profesor i edukates fizike.
Porsa kthehet në Shqipëri, u thirr në shërbimin ushtarak. Ishte viti 1943. U dërgua në shkollën e plotësimit në Tiranë, të cilën e mbaroi me lëvdatat më të mëdhaja duke dalë me gradën Toger.
Më pas u emërua profesor i edukatës fizike së pari në Elbasan, mandej në Tiranë e së fundmi në Shkodër duke lënë gjithkund përshtypjet më të mira e duke fituar simpatinë e kolegëve e sidomos të nxënësve që e donin, çmonin e nderonin.
Alushi i ishte dedikuar me gjithë shpirt edukimit të rinisë e cila siç thoshte ai: “asht aveniri i Kombit Shqiptar andaj duhet ta edukojmë e drejtojmë kah rruga e vërtetë e idealeve të shenjta të shqiptarizmit. Duhet ta udhëheqim drejt aspiratave të pionierëve të lirisë kombëtare duke i dhënë ne vetë shembullin e vuajtjeve e sakrificave për Atdheun. Duhet t’i mēsojmë të rinjve të kuptojnë jetën e shqiptarit e traditat mijëvjeçare të vendit tonë. Duhet ta lartësojmë shpirtërisht e ta forcojme fizikisht rininë shqiptare e ta bëjmë me pas besim në vetvete e në të ardhmen që ata do të ndërtojnë”.
Kështu mendonte me e rritë rininë Alush Leshanaku, Ai dëshmor i panjollë.
I palodhur siç ishte përgatiste shëtitje të largëta, jashtë qytetit me nxënësit e tij, me çanta shpine, i printe sigurisht të rinjve drejt maleve madhështore që i bëhen Shkodrës kurorë. E bashkë me ta duke kënduar këngë kombëtare që kënaqte shpirtin e kujtdo që i dëgjonte, kapte shtigjet që e çonin në majë të Maranajt e të Cukalit. Por Alushi s’u mjaftonte e nuk u përmblidhte vetëm me lëvizjet trupore. Ai kërkonte me e hedhë rininë në sportin e natyrës prandaj bashkë me ta merrte, në kohën e verës, rrugën e Shirokës e në atë skaj të liqenit të Shkodrës i ushtronte nxënësve sportin e mrekullueshëm të notit.
I amël në gojë, i sjellshëm me gjithkand, i shkueshëm e i respektueshëm, Alushi kishte krijuar personalitetin e tij. Kudo që ndodhte, në çfarëdo shoqërie që hynte e prisnin me krahë hapur. Kultura, përgatitja e eksperienca e tij bënë që Alush Leshanaku të bëhet idhull i rinisë shqiptare, i asaj rinie të shëndoshë moralisht.
Me Alush Leshanakun jam ndâ më 28 Nanduer 1944 në Kastrat. Atë ditë na ndau shorti i fatit: ai muer malet e unë u shtrëngova me marrë rrugët e mërgimit. Por fati s’na kish le cub asnjanit, as atij e as mue sepse mbas ca vitesh na suell përsëri kënaqësinë me u takue në Romë ku ndenjëm, kujtuem kohët e kalueme dhe studiuem mënyrën e veprimtarisë që do të ndiqnim.
Vuajtjet e malit nuk ia kishin molisë aspak vullnetin madje kishin rrënjosë në shpirtin e tij kuptimin e vazhdueshmërisë të luftës kundra komunizmit dhe me një vrull të çuditshëm pranoi të përballojë sakrifica të reja. Bashkë me Xhevdet Blloshmin, Ndue Pjetër Gjomarkaj e Ndue Mëlyshi kapërceu perden e hekurt ku qëndroi për disa muaj. Këtë herë fati e ndoqi sepse mundi të kalojë përsëri në Perëndim plot me lajme të reja e të sakta mbi gjendjen e mjerueshme të Shqipërisë. Por Alushi nuk mundi të qëndronte indiferent ndaj kësaj gjendjeje dhe kërkoi me këmbëngulje me u hedh prapë në Shqipëri për të vazhduar përpjekjet kundër komunizmit. Mundësia iu dhà por mjerisht këtë herë Alush Leshanaku nuk do të kthehej më. Ai e mbaroi misionin e tij ashtu siç i përkiste dhe si e kishte predikue.
Alush Leshanak nuk ban ma nana. Ai ra dëshmor për lirinë e Shqipërisë, për idenë e tij, për rininë që aq fort e deshi dhe e nderoi.
Kujtimi i tij asht i thadruemë në zemrat tona i cili do të na shoqërojë ndër kohët e ardhshme dhe do të jetë një freskim shpirtëror për ne që e deshëm dhe e nderuam.
Me vdekjen e Alush Leshanakut nacionalizmi shqiptar humbi një ndër mbrojtësit më të vlefshëm. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.
Fjala e profesor Ernest Koliqit zbardhur në Buletinin e Bllokut Kombëtar Indipendent 1971.
Në foto më poshtë paraqitet grupi parashutist shqiptarë i Bllokut Kombëtar Indipendent, të njohur nē kohën e diktaturës si “diversantë”. Disa prej tyre ranë dëshmorë gjatë misioneve të kryera në përpjekjet e luftë të përhershme kundër komunizmit.
Në rreshtin e parë, poshtë, të ulur, nga e majta në të djathtë, Bardhok Gjeta dhe i katërti në rresht Rexhep Kasa.
Në rreshtin e mesëm, nga e majta në të djathtë, i katërti, Alush Leshanaku, i pesti Halil Hoxha, i shtati Ndue Frisku.
Në reshtin e tretë në këmbë, nga e majta në të djathtë, i katërti Nuri Plaka dhe i pesti Abedin Xhanko, rënë dëshmorë të lirisë kundër komunizmit.
Nxjerrë nga arkiva e familjes,
Solli për ju
Ervina Toptani