Nga: Ylli Polovina
Fjala shqiptare Bosna. Para se të vinin turqit Sarajeva nuk ka qenë ndonjë vendbanim, ca më tepër qytet. Ishte tokë e djerrë, pa frymë njeriu. Qe një luginë me lumë në mes dhe shtatë kodra përreth, numër i shenjtë, me fat, si tek të krishterët e gadishullit ashtu edhe ndër besimtarët e rinj, të porsaardhur si misionarë, myslimanët. Sarajevën e ngritën osmanët. Siç e kishin rregull, ndërtuan fillimisht një han, një hamam, një kullë sahati dhe një xhami.
Gjithçka tjetër, në popullim e sipër, ndodhi me shpejtësi të rrufeshme. Prej atij qyteti mund të niseshin për beteja ar mata të tëra perandorake, por njëkohësisht në të, sikur të mos kishte kurrë luftë, të mos kishin fund prehja dhe argëtimet. Kështu jo prej simboleve të betejave me ar më, por prej atyre të paqes u zgjodh, për t’i dhënë emrin, fjala turke e shtëpive të rehatshme: saraje.
Kur osmanët vendosën ta krijonin qytetin-plastdarmë të ushtrisë dhe fesë së tyre në luginën mes shtatë kodrinave, përreth kishte aq shumë ujëra termale sa bënin një lumë të dytë, përballë atij, lumit të vërtetë, i cili e kishte emrin Bosna.
Prej tij një ditë e mori emrin gjithë krahina e pastaj vetë shteti. Ajo që është tepër interesante ka të bëjë me studimin e një dijetari hungarez. Sipas tij, fjala Bosna vjen prej shqipes.
Në të vërtetë, po të qëndrojmë fort në këtë përkatësi etnike, do të ngjajë, për ne, me një kapardisje. Por, shkencëtari sidoqoftë ka argumente. Ai thotë se fjala “bosna” rrjedh prej “bossn”, me të cilën në veri të vendit tonë i thonë lugut prej druri ku u hidhet kripë deleve. Në mbështetje të kësaj pikëpamjeje dijetari përdor edhe fjalën Tuzlla, emri i një qyteti të rëndësishëm sot në Bosnje dhe Hercegovinë, i treti për nga madhësia demografike, i cili ndodhet mjaft afër Sarajevës. Ai rrjedh prej fjalës turke Tuz, çfarë do të thotë kripë. Dihet që miniera e parë e kripës së gurit në Evropë është në Tuzlla. Por, gjithsesi, duke e pëlqyer dhe dëshiruar shumë tezën e mësipërme, mendojmë se fjala Bosna nuk duhet të vijë nga ajo verishqiptare, por të dyja, paralelisht me njëra tjetrën, ka të ngjarë të kenë buruar nga shtrati i lashtë i ilirishtes. Në BeH vitet e fundit, përkundrejt teorisë së imponuar prej Jugosllavisë mbretërore apo komuniste për t’u dhënë origjinën sllave të gjithë banorëve të federatës, së fundi mendohet se boshnjakët rrjedhin prej fiseve ilire. Sa kjo tezë është e vërtetë historikisht përbën një çështje dijetarësh të sprovuar, por vetëdija e përkatësisë ilire ua ka forcuar boshnjakëve ndjenjën e identitetit kombëtar. Këtë formatim të plotë ata e kanë një problem të ngutshëm.
E shkuara e pranisë së bashkësisë boshnjake në Shqipëri është treguar nga historiani Hasan Mamoviq në librin e tij “Historia e boshnjakëve”. Sipas këtij autori, ngjarja e zhvendosjes së një grumbulli banorësh nga trojet e tyre etnike në tokat e shqiptarëve ka ndodhur rreth vitit 1880, pas kongresit të Berlinit, kohë kur Bosnje dhe Hercegovina iu aneksua Austro-Jungarisë.
Historiani boshnjak Mamoviq ngul këmbë se “I sëmuri i Bosforit”, Turqia, krijoi me këtë rast në Kosovë një pikë referimi dhe orientimi për të gjithë refugjatët e ikur nga Bosnja dhe Hercegovina, për t’i grumbulluar dhe shpërndarë ata në hapësira territoriale që i kontrollonte ajo. Boshnjakët e vendosur në Shqipëri nuk kanë kaluar nëpërmjet kësaj pike shpërndarjeje. Ata kanë ardhur nga Hercegovina, saktësisht prej rrethinave të fshatit Llokva. Llokva i thonë gjurmës ku ka pirë ujë një kalë. Këta nuk e duronin dot ardhjen e austro-hungarezëve të krishterë. Kishin për këtë një arsye të dyfishtë: fenë myslimane dhe atdhetarinë. Hasan Mamoviq shkruan se disa pleq boshnjakë, të cilët për shkak të moshës së thellë nuk mund të merrnin rrugën e mërgimit, aq shumë nuk e duronin ardhjen e “gjermanëve”(austriakëve) sa u mbyllën në shtëpi dhe nuk dolën më deri sa vdiqën. Për ata që ikën gjithsesi drejtimi ishte Turqia.
Tre fshatra të mëdhenj me boshnjakë ndodhen ende pranë Stambollit. Këtë rrugë mërgimi patën zgjedhur edhe ata, të cilët do të mbeteshin më pas përfundimisht në Shqipëri, territor nën perandorinë osmane, por që nuk jepte shumë siguri për shkak të afrisë me trojet ku vepronte Austro-Hungaria dhe shumica sllave ruante besnikërinë ndaj besimit fetar të krishterë. Sipas Hasan Mamoviqit, ky grumbull boshnjakësh të nisur nga Hercegovina, gjatë udhëtimit nëpër det, ndaluan në Durrës (Drraç sipas të folmes së tyre).
Tre shpjegime ka për këtë veprim: u prish anija dhe qenë të detyruar të dilnin në stere, kërkonin të furnizoheshin me ushqime për ta vijuar më tej udhëtimin drejt Turqisë, u lodhën e nuk donin ta vazhdonin më rrugën e ikjes. Mamoviq thotë se kur zbritën në portin e Durrësit u takuan me një oficer (zabit) me mbiemrin Dizdari. Ishte turk. E pyetën. Ai u tha: “Këtu jemi në Turqi”. Nuk i besuan apo ndodhi edhe e kundërta, por boshnjakët e porsa zbarkuar nuk u kthyen. Hynë më thellë në territor. Shkuan në fshatin Arrapaj, por ai vend nuk u pëlqeu. Bënë më tutje, shkuan në Shijak. Por, edhe Shijaku nuk u pëlqeu, sepse sipas disa të dhënave u pritën ftohtë nga vendasit, pse jo edhe me dyshim. Atëherë boshnjakët bënë me vendosmëri hapin e mëtejshëm: shkuan në disa kodrina të bukura ku do të banonin më pas fshatrat Goxhas dhe Borake. Të ngjashëm me shqiptarët, por edhe ndryshe, boshnjakët e Shqipërisë, ata të paktë që emigruan në të kundërt të shqiptarëve që rendnin drejt Bosnjës, nuk i kanë braktisur traditat e tyre edhe në ushqim. Ata njëlloj si një shekull më parë kur të parët e tyre jetonin në trojet etnike, përdorin shumë lakrën, aspak e lakmuar kjo për shqiptarët, dhe hanë me përparësi zarzavate të ndryshme.
Ushqimi kryesor i boshnjakut në Goxhas dhe Borakë të Durrësit, sipas studiuesit Ismail Dizdari, është patatja, drithi dhe mishi. Por, ata janë edhe kultivues të shkëlqyer të domates, madje me humor në kohën e komunizmit mburreshin se qenë ata të parët që e hanin që në maj sallatën e parë me të. Në ato kohë tek dy qytezat boshnjake vinin kamionët TIR të transportit dhe tregtimit jashtë vendit dhe ngarkoheshin me domate. “Për të ngrënë ne na kritikojnë se hamë shumë, thotë ai, por në të vërtetë jemi të prirë edhe nga cilësia e ushqimeve. Duam gjëra të zgjedhura”. Dhe vetëqorton: “Kuzhina jonë gjithsesi nuk është e larmishme”.
Sipas Ismail Dizdarit, kjo etni në Goxhas dhe Borakë nuk përpiqet për t’u pasuruar, siç e ka revan të madh shqiptari përreth tyre. Boshnjakët nuk priren për të jetuar varfërisht, por nuk janë aspak të zhytur në tepri. Duke mos pasur pasion për paratë ata nuk janë as kurnacë. Jo ekonomiqarë ata bëjnë të kundërtën: tregohen shumë dorëlëshuar. Megjithatë shqiptari është më kursimtar. Dizdari tregon se fillimisht, në dekadat e para të shpërnguljes në Shqipëri, shtëpitë më të shumta boshnjakët i ndërtuan të lidhura me purteka e dërrasa vertikale, të kapura mes njëra- tjetrës me thupra e mbushur me baltë e bajga, lyer me vapem.
Vepronin kështu sepse e konsideronin praninë e tyre të përkohshme dhe kishin përherë vetëndjerjen se nuk duhej të qëndronin aty, por të lëviznin. Shtëpi të tilla të përkohshme kishte në Goxhas dhe Borakë edhe në mes të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar. Ismail Dizdari mendon se gjithsesi qëndrimi përfundimtar i kësaj bashkësie modeste boshnjake në Shqipëri dëshmon se tek ky vend e populli i tij ata ndiheshin mirë. “Kanë të përbashkët fatin historik, atë të për dhun imit nga kombet e mëdhenj”, këmbëngul Dizdari. “Boshnjaku është më i hapur dhe më naiv, mendon studiuesi i mësipërm, por edhe më punëtor se shqiptari”. “Është këmbëngulës apo edhe kokëfortë”, thotë ai, “nuk ja mbush dot mendjen”. “Po ta dhanë besën”, shprehet Ismail Dizdari, “fjalën e mbajnë”. “Megjithatë”, këmbëngul, “mikpritja shqiptare është më e mirë se ajo boshnjake”./Telegrafi.com