Categories
Histori Kulture Kuriozitete

Dashuritë e Rrugës së Durrësit, që qytetëruan Tiranën

Jovan Bizhyti

Rruga e “Durrësit” historikisht ka qenë epiqendra e Tiranës, veçanërisht pas viteve 60-të të shekullit që shkoi. Kjo lidhej me zhvillimin që mori Tirana si kryeqytet, me institucionet qendrore, si ato shtetrore, arsimore, shkencore, kulturore e sportive, si dhe zhvillimi i industrisë me uzinat e fabrikat e para, që u përqëndruan në Tiranë, ku dhe popullsia ishte më e madhe. Ky zhvillim rriti dhe numrin e kuadrove e specialistëve të mesëm e të lartë, shumë prej të cilëve në vitet e para, kryen studimet e larta në universitetet e shteteve të lindjes dhe kur u kthyen, sollën veç dijeve dhe kulturën që mbartej në to.

Rruga e “Durrësit” ishte rruga kryesore hyrëse e Tiranës dhe sigurisht këtu u ngritën dhe shumë pallate të reja në dy anët e saj. Aty banonin dhe ajka e inteligjencës së Tiranës. Në zonat e tjera ishin kryesisht banorë tradicional me shtëpi karakteristike me plitharë e pjesërisht me gurë e tulla, me kopshte të gjelbëruara nga hurmat dhe caracat, si pemë karakteristike, me avlli e rrugica të ngushta me kalldrëm, e porta të drunjta me sofate, ku uleshin mbrëmjeve gjyshërit e moshuar, që tiranasit u thoshin, “Lale” dhe gjysheve, “Ije”.

Pra, Rruga e “Durrësit” kishte më shumë qytetrim, kishte më shumë profesorë, mjekë, inxhinjerë, artistë, sportistë, kishte më shumë djem e vajza të bukura, kishte më shumë dhe dashuri. Në krye të kësaj rruge që lidhej me sheshin qendror “Skënderbej”, ishte kafe-pastiçeri “Flora”, që preferohej atëherë si lokal me element modern, aredimi i së cilës në vitet 60, u projektua nga dy piktorë tiranas, njeri prej të cilëve vite më vonë, nisi punë si pedagog në Liceun Artistiktë, dega pikturë. Kafe-pastiçeri “Flora” dhe bordurat e saj buzë rruge, ishin epiqendra ku uleshin mbrëmjeve djemuria e Rrugës së “Durrësit” dhe shijonin shëtitjet e vajzave të bukura që mbushnin bulevardin në dy anët e tij. Në ato vite, lindën shumë dashuri të vajzave dhe djemve të asaj rruge, duke e emërtuar shpesh dhe si “rruga e dashurisë”. Tek “Flora” ulej shpesh dhe një nga vajzat e bukura të asaj rruge, Vali (Valentina). Në ato vite të rinisë, ajo përjetonte një histori dashurie, me një nga djemt simpatik të kësaj rruge, Francin.

Ishin një grup vajzash e djemësh të Rrugës së “Durrësit”, që kërkonin më shumë liri, më shumë civilizim nga ç’lejonte koha dhe ligjet e shtetit komunist. Dhe kjo, sigurisht nuk bëhej me veprime të hapura, por në marrdhëniet midis tyre. Ato vajza e djem të kësaj rruge, thyen dhe tabutë e kohës. Shumë nga ato ishin të dashuruara me djemtë që në vitet e gjimnazit. Vali ishte njëra nga ato vajza, që ishte lidhur me Francin që në vitet e shkollës së mesme. Edhe familjet e tyre ishin më liberale, i lejonin vajzat të dilnin me shoqet e shokët e shkollës në orët e lira për shëtitje e mbrëmje vallëzimi. Vali e kishte babanë Zv/ministër, kish mbaruar arsimin e lartë në një nga shtetet e lindjes dhe ishte më liberal në marrdhënie me fëmijët, pasi dhe ai në vitet e rinisë së tij, ishte lidhur me dashuri.

Kur erdhi koha për në universitet, Vali kishte rreth dy vjet që dashurohej me Francin. Ajo vazhdoi studimet në universitetin e Tiranës për matematikë-fizikë, ndërsa Franci shkoi me studime në Konservatorin e Pragës në Çeki, për muzikë, në instrumentin e Trompës. Pas studimeve, Vali doli me rezultate shumë të mira dhe e mbajtën pedagoge në fakultetin e shkencave të natyrës, ndërsa Franci pas studimeve, nisi punë si instrumentist në orkestrën e Radio-Televizionit Shqiptar. Ishin vite të bukura, siç ishte dhe mosha e tyre.

Rruga e “Durrësit” ishte vërtetë një nga rrugët e bukura të Tiranës, e gjelbëruar, me dyqane nën pallatet e reja që ngriheshin në të dy anët, me trotuare të gjera, që shpesh i thoshin dhe “Rruga e rinisë”. Shumë nga vajzat ishin lidhur me djemtë nga shoqëria e tyre, një pjesë studentë dhe të tjerë sapo kishin nisur punë në ndërmarjet e institucionet shtetrore.

Lidhja e Valit me Francin, vinte duke u forcuar. Por një ditë, pa pritur ndodhi një ngjarje që tronditi dhe lidhjen e tyre. Një djalë i xhaxhait të Francit, u arratis jashtë shtetit dhe ky veprim quhej, “Tradhëti ndaj Atdheut”. Për arsye biografie, Francin e larguan nga orkestra e RTSH dhe e çuan puntor në ndërmarjen komunale të Tiranës, në sektorin e shërbimeve si bojaxhi. Familja e Valit nisi presionin, që ajo të ndahej sa më parë nga i dashuri, pasi nuk kishin bërë as ceremininë e fejesës zyrtare. Meraku ishte, jo vetëm se atë mund t’a largonin nga detyra si pedagoge në fakultet, por rrezikohej dhe posti i babait në ministri.

Vali s’pranoi të ndahej, por i ruajti lidhjet me Francin në fshehtësi. Ajo ishte e bindur që ai s’kish bërë ndonjë faj, nuk kish shkelur ndonjë ligj ndaj shtetit, ishte thjesht viltimë e luftës së klasave, vuante pasojat e djalit të xhaxhait. Megjithatë, ligjet e atij sistemi, i hoqën atij të drejtën e ushtrimit të profesionit të muzikantit dhe e çuan puntor në një detyrë tjetër. Ai punonte gjatë ditës si bojaxhi, që lyente apartamentet e qytetarëve dhe pasdite veç lidhjes me Valin, ruante dhe shoqërinë e tij të dikurshme.

Me kalimin e kohës, Vali po ndihej keq, pasi po kalonin vitet më të bukura të jetës dhe dashuria e tyre vazhdonte në fshehtësi. Shoqëria dinte gjithçka, por asnjëherë nuk u përfol në opinion lidhja e tyre. Pas disa vitesh, nuk mund të ndrydheshin më ndjenjat e dashurisë dhe Vali mbeti shtatzanë, ku lindi një vajzë. Një pjesë e opinionit që nuk e dinte lidhjen e tyre, e përfolën, disa e quajtën dhe “vajzë e përdalë”.Jeta u bë e vështirë, deri sa vajza u rritë. U deshën vitet 90 të ndryshimeve demokratike, që ata të shpallnin martesën zyrtare dhe Franci u shpall bashkëshorti i Valit dhe babai i vajzës.

Por bashkë me vitet e kohës, kish kaluar dhe mosha e dashurisë, ajo ishte rritur si lulja nën hijen e pemës, që nuk i shijon rrezet e diellit dhe dritën që ndriçon gjithësinë. Megjithatë, ata e mbajtën gjallë dashurinë, duke i qëndruar besnik njeri-tjetrit. Kur dashuria doli hapur nga skutat e errëta, Vali ishte 45 vjeçe dhe Franci po i afronte të 48-tave. Se si u buzëqeshi fati, që lindën dhe një djalë pas asaj martese vjeshtake dhe jeta e tyre nisi të shijoj ditë të lumtura.

-Unë jam e kënaqur,- thoshte shpesh Vali,- që jetoj ende në rrugën e “Durrësit”, rruga më e bukur dhe më e dashur e Tiranës.

-Kjo rrugë ka përjetuar dhe dashuri të heshtura,- i tha një shoqe aty pranë.

-Kështu ishte koha,- ia ktheu Vali. Disa pengoheshin nga regjimi, disa nga biografia, jo pak raste i pengonte dhe mentaliteti i prapambetur i familjeve, por vajzat e bukura të Rrugës së “Durrësit”, i thyen ato mentalitete dhe u bënë flamurtare të qytetrimit të Tiranës.

Në rrugën e “Durrësit” banonte dhe një shoqe e Valit, Beta (Elisabeta). Ajo e kishte babanë Ambasador të Shqipërisë në një nga vendet e lindjes komuniste. Beta jetonte me gjyshen dhe dashuronte një djalë, Demin. Emri i tij i vërtetë ishte, Demir, trashigonte emrin e gjyshit. Ai sapo kish mbaruar “Akademinë e Arteve” të porsa ngritur për aktrim dhe aktivizohej në Teatrin Kombëtar, qysh në vitet e shkollës, për talentin që kish shfaqur. Teatri Kombëtar për atë kohë, ishte një emër i madh, sepse jo vetëm ishte në Tiranë, në kryeqytet, por në të ishin mbledhur aktorët më të mirë e më të shquar të vendit.

Djaloshi, që doli kaq i talentuar për skenën e teatrit, kishte një të kaluar të dhimbshme, e një fëmijëri të vështirë. Kish jetuar në një qytezë të vogël minatorësh në jug të Shqipërisë. Babai ishte minator qymyri, ndërsa e ëma, sanitare në shkollën e qytezës. Kur ishte ende në vitet e para të shkollës fillore, e ëma 31 vjeçare ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë. Mbetën tre fëmijë jetim vetëm me babanë. Demi ishte fëmija më i madh 7 vjeç, ndërsa vëllai tjetër vinte pas tij, kurse motra ishte e vogël rreth dy vjeçe. Imazhi për nënën sa vinte e bëhej shumë i largët, sidomos vëllai dhe aq më tepër motra, as që e përfytyronin. Ishte vetëm gjyshja nga nëna. që interesohej për ta bashkë me babanë.

Gjyshja ishte një grua e veçant, trup vogël, e pakët në shëndet, por e fortë fizikishtë. Ajo jetonte në një fshat lartë në malsitë e Kurveleshit. Vinte shpesh në fundjavë për t’i marë fëmijët dhe i çonte lartë në fshat. Fshati ishte rreth dy orë larg nga qyteza e minatorëve me rrugë malore. Ajo vajzën e vogël e mbante në krah, djalin tjetër mbi kurriz, lidhur me tërkuzën e druve, ndërsa Demin, si më i madh, e mbante për dore. Ajo grua, se ku e gjente gjithë atë forcë në moshën 70 vjeçare, e ngarkuar me dy fëmijë mbi shpinë në ato rrugë të vështira malore!

Demi nga fëmijëria kishte kujtime të trishta. I veshur keq me rroba të andëruara dhe këpucë të vjetra të shqyera, shumë herë edhe zbathur. Babai u martua me një grua të dytë, që u bë për ta si nënë. Ajo lindi dhe një djalë, që u bë vëllai i vogël i tyre.

-E duam shumë vëllan e vogël nga babai,- thoshte Demi dhe të gjithë bashkë vazhdojmë edhe sot të jemi shumë të lidhur me njeri-tjetrin.

Një ditë në shkollë, një shoqe klase e vështroi me keqardhje dhe nënqeshi me ironi, kur e pa të veshur keq dhe me këpucë të shqyera. Demi u skuq në fytyrë nga sikleti që ndjeu. Iu duk vetja si i poshtëruar. Ishte dimër dhe po dridhej nga të ftohtit. I prekur thellë nga xhesti i shoqes së klasës, që atë ditë vedosi ta leri shkollën dhe hyri në punë. Ishte rreth 14 vjeç. Mamaja e një shoku të tij, që i dinte hallet e familjes, e ndihmoi të fillonte një punë, si puntor në ndërmarjen ndihmëse të minierës. E ç’mund të bënte ai djalë kaq i vogël në punët e vështira që kishte ajo ndërmarje?!

-Bëj ç’të bësh sa të mundesh,- i tha mamaja e shokut që ishte brigadiere. Kur mori rrogën e parë, shkoi me të shpejtë në dyqan dhe bleu një palë këpucë, si për inat të shoqes së klasës. Në rrogën e dytë, bleu një pallto dhe një palë pantallona dhe gjithë të ardhurat e muajve të tjerë ia dorëzonte të atit. Një ditë brigadierja i ngarkoi si detyrë të transportonte disa shtylla druri, që përdoreshin si armaturë në tunelet e minierës.

-Transporto më të voglat,- i tha ajo, të rëndat leri për shokët më të rritur. Demi, shtyllën e parë e hodhi mbi sup dhe e çoi në destinacion, ashtu me vështirësi. Të dytën e tërhoqi zvarr me zorë se s’kishte fuqi, ndërsa shtyllën e tretë nuk e lëvizi dot nga vendi dhe ra mbi të. Brigadierja e pa dhe u afrua, i fërkoi kokën me keqardhje dhe i tha:

-Ik, se s’je ti për këtë punë, je ende i vogël dhe i ngarkoi vet shtyllat një e nga një.

Pas një viti pune, ai rifilloi sërish shkollën dhe eci me rezultate të mira vite më pas. Mbaroi dhe gjimnazin shkëlqyeshëm. Që në vitet e gjimnazit, Demi shfaqi të dhëna të mira për aktrim. Angazhohej në aktivitetet artistike të shkollës dhe më pas në pallatin e kulturës të qytezës. Në përfundim, një mësues i letërsisë, e nxiti të konkuronte në “Akademinë e Arteve” në Tiranë për aktrim. Bëri disa përgatitje dhe pas konkurimit, fitoi të drejtën për shkollën e lartë të artit dramatik.

Dashuria me Betën, vajzën e një ambasadori, e afroi Demin me Rrugën e “Durrësit”, ku ajo banonte. Ata megjithse u lidhën me një dashuri të fortë, e kaluara e ndiqte pas Demin si një qen që lehte pa pushim dhe s’donte të shqitej prej tij. Ishte ende mentaliteti i së kaluarës, i prejardhjes, ku familjet intelektuale kërkonin sërën e tyre, postet dhe rrethin e tyre miqësor.

Ambasadori, kur mori vesh lidhjen e vajzës me një djalë nga një qytet minator i jugut, erdhi urgjantisht në Tiranë. U përgojua shumë kjo dashuri e Rrugës së “Durrësit”, sa që ambasadori tentoi t’a shkëpuste Betën nga shkolla, ku studjonte për gjuhë-letërsi. Ajo rezistoi me këmbëngulje dhe lidhjet me Demin nuk i shkëputi asnjiherë. Ishte një dashuri që u përfol me shumë përbuzje, se si vajza bukuroshe, më modernia e Rrugës së “Durrësit”, vajza e një ambasadori të dëgjuar, u lidh me djalin e një minatori nga një qytezë qymyri në jugë të vendit, i rritur jetim pa nënë dhe shkolla e skena e teatrit, e bënë të njohur e të famshëm që në fillimet e rrugëtimit të tij në rrugën e artit.

Ambasadori erdhi urgjent dhe e thirri Demin për t’u takuar. U ulën tek kafe “Flora”.

-Si je njohur me Betën?- i tha ai.

-Në shkollë,- u përgjigj Demi.

-Ti je konviktor, aq më tepër që nuk je në degën e saj?

-Nuk janë pengesë këto për t’u njohur dy të rinj,- u përgjigj Demi.

-Sigurisht që nuk janë pengesë, por lidhja kërkon së pari shoqëri, pastaj njohje për t’a studiuar mirë njeri-tjetrin dhe të tjerat vijnë më pas. Ju sikur jeni shpejtuar në këto çështje,- i tha ambasadori.

-Ne kemi disa vite që njihemi dhe e kemi studiuar mirë njeri-tjetrin. Ne nuk po shpejtohemi, lidhja do e forcoj më tej edhe njohjen.

-Ti je pak larg andej nga jugu more djalë, pas studimeve, ku ke ndërmend të stabilizohesh?

-Unë jam aktor,- i tha Demi,- sot për sot jam pjesë e projekteve të Teatrit Kombëtar, por dhe nëse nuk do përfundoj aty, ka teatro në disa qytete kryesore të vendit. Dhe pas një bisede të gjatë me pyetje e përgjigje, ambasadori po bindej se kishte të bënte me një djalë të mirë e serioz.

-A e ke babanë?- e pyeti ambasadori.

-E kam babanë, jeton atje në qytezën e vogël të jugut.

-A punon babai?

-Ka dal në pension të parakohshëm si minator. Aq më tepër që dhe miniera tani është mbyllur. Ambasadori heshti, nuk e shtyu më tej bisedën.

-Do ta bisedojmë dhe në familje këtë problem,- i tha ai dhe u çua nga tavolina. Pastaj u ndanë dhe Demi u ul në një tjetër tavolinë ku e priste një shokë.

-Si shkoi biseda?- pyeti shoku.

-Mesa kuptova, ata shqetësohen për dy gjëra,- i tha Demi. E para është prejardhja ime, familje puntori minator qymyri dhe e dyta, e ardhmja, ku do shkoj Beta? Do leri Tiranën dhe do shkoj në qytezën e vogël të minatorëve. A e kupton miku im?!- i tha ai shokut me një ton habitor. Ambasadori ka parë botën dhe për të Shqipëria është Tirana, nuk e di ai se dhe në skutat e tjera të Shqipërisë, jetojnë njerëz që punojnë, që jetojnë me dinjitet, pavarësisht janë puntorë, fshatarë, a intelektualë.

Ishte fundi i viteve 80-të dhe tronditjet e sistemit komunist po ndiheshin që herët në vendet e lindjes në radhë të parë. Ambasadori po e përjetonte më nga afër “Pranverën e Pragës”, shëmbjen e “Murit të Berlinit” , revoltat e “Sindikatave polake”, apo përleshjet e përgjakura të Rumanisë. Mesa duket, e ndjente se furtuna e kësaj pranvere, herët a vonë do përfshinte dhe Shqipërinë. Ndaj ishte i shqetësuar dhe për të ardhmen e fëmijëve.

Betës nuk i shkonte ndërmend asnjë nga këto, dashuria për Demin ishte gjithçka për të. Vendosmëria e saj, bëri që kjo lidhje të funksiononte deri në fund. Demi hyri në familjen e ambasadorit, duke u bërë banorë dhe pjesë e dashurisë e Rrugës së “Durrësit”, që theu shumë mentalitete, e qytetruan Tiranën në gjithë ato vite./Dita/

error: Content is protected !!