Categories
Histori Kulture

Dikur: Jeta e përditshme e shqiptarëve, në fotot e Margaret Hasluckut

Nga: Qerim Vrioni

Në opusin e madh të fotove të realizuara nga studiuesja e njohur skoceze Margaret Hasluck (1885-1948) në vendin tonë, një pjesë dërmuese e tyre i përkasin mënyrës së jetesës së shqiptarëve. Në të përfshihen vendbanimet dhe veshjet, punët e përditshme dhe aspekte të mësimit, ndjekja e riteve tradicionale fetare dhe pagane, veprimtari shoqërore dhe politike, thënë ndryshe një shpërfaqje e gjerë e antropologjisë pamore të shqiptarëve.

Ndonëse me këto lloj fotografimesh ishte marrë përpara saj mikja tjetër e madhe e shqiptarëve, studiuesja angleze Edith Durham (1863-1944), fotot e Hasluckut janë disi ndryshe, sepse autorja e tyre ishte një etnografe e mirëfilltë.

Në sajë të qëndrimit të saj të gjatë e të pandërprerë prej 13 vitesh (gjatë periudhës 1926-1939) në Shqipëri, kryesisht në zonën e Elbasanit si dhe fshatra te ndryshëm të krahinës, ajo mësoi gjuhën shqipe, zakonet dhe njohu gjendjen ekonomike të banorëve të zonës. Gjatë kësaj kohe kishte mbledhur si edhe kishte botuar krijimtari popullore shqiptare. Thuajse të gjitha shkrepjet fotografike të mëposhtme janë foto-çasti, pra jo të realizuara në ndonjë studio fotografike ose me pozime të subjekteve, por në mjedise të ndryshme kudo ku jetonin në përditshmërinë e tyre dhe punonin shqiptarët.

Kjo foto pasqyron një pjesë të fasadës dhe hyrjen e një kulle në veri të vendit (në fshatin mirditor Kthellë) si dhe rojën e saj me ar mën pranë tij. Bie në sy qëndrimi, të themi skulpturor i malësorit, mjaft dinjitoz dhe i sigurt për detyrën e caktuar. Nga një këndvështrim tjetër mund të mendohet se roja është projeksioni i zvogëluar i kullës. Me gjasë skocezes i ka tërhequr shumë vëmendjen jo vetëm kulla e lartë, por sidomos malësori e qëndrimi i tij në mbrojtje të saj. Zgjedhja e saj për t’a fotografuar atë jo me ar më në duar, duket mjaft e god itur, sepse kështu vihet në lëvizje edhe imagjinata e shikuesit, përkundër rastit me pushkë në krah. Më ndryshe, kullën ai do ta mbrojë me trup, por në rast nevoje edhe me ar më.

Kut paraqiten një grup banorësh nga Shqipëria e Mesme, katër burra dhe dy fëmijë pas një ceremonie, me shumë mundësi, funerale. Nga veshjet e përziera prej qyteti dhe fshati kuptohet se janë nga ndonjë qendër urbane banimi, ende me ndikimin e traditës rurale. Tre nga meshkujt mbajnë nga një pushkë ndër duar, por me grykë të mbështetur në tokë. Nga disa të dhëna, mësohet se kështu mbaheshin ar mët si shenjë respekti për dikë që po ndahej nga jeta, dhe që ar mët i kishin hije jo vetëm në krah, por edhe në përdorim. Mendojmë se kjo traditë e mbajtjes kësisoj të ar mëve në raste të veçanta, ka nxitur skocezen që t’i fotografojë ata. Ndoshta fotografja e ka shikuar këtë aty pari në ndonjë oborr shtëpie dhe është habitur nga vendosja e pushkëve grykë poshtë. Mandej u ka kërkuar atyre të afroheshin tek muri ku kishte varur për fotografime një tekstil për sfond dhe të përsërisnin qëndrimin ceremonial. Disi të tepërt në foto duken dy fëmijët, njeri me një letër të madhe në duar, tjetri me një çantë në dorën e djathtë, kur tre nga të rriturit janë të armatosur mirë. Sidoqoftë, të dy djemtë e vegjël kanë mbi koka feste të zeza, ashtu si tre të mëdhenjtë. Kjo foto nuk është shkrepje-çasti, sepse është realizuar në një studio të improvizuar në mjedis të hapur dhe personat e fotografuar pozojnë para objektivit të aparatit fotografik. Ky imazh, për mënyrën e realizimit, na kujton disi foton e njohur të Kel Marubit të vitit 1922, “Dorëzimi i ar mëve”.

Lojëra të ndryshme nxënësish, ndoshta gjatë programit mësimor nga shkolla e Burrelit, paraqiten në foton këtë foto. Janë disa foto të dala nga aparati i Hasluckut me këtë temë. Prej tyre u zgjodh ky imazh sepse paraqet një lojë popullore që luhej deri nga mesi i gjysmës së parë të shekullit të shkuar në mjaft qytete shqiptare. Aty vërejmë, përveç të tjerave edhe se fëmijët janë me veshje të njëjta, uniformë shkollore, çka tregon për një farë serioziteti të sistemit arsimor të kohës (vitet ’30), dhe jo në ndonjë qytet të madh të vendit, por në qytet provincial.

Një skenë nga shirja e grurit (mund të jetë edhe tërshërë ose thekër) në kushte familjare duket në këtë foto. Në të dallohen dy gra fshatare që shkundin kallinjtë e grurit për të mbledhur kokrrat e tij. Mënyra e punës së tyre duket qartë se është mjaft primitive. Nuk mbahet mend prej sa kohësh përdorej ajo mënyrë në atë krahinë, veçse ajo ishte e mjaftueshme për të marrë nga toka lëndën e parë për bukën e përditshme dhe për të plotësuar nevojat familjare.

Çaste shplodhjeje të një fshatareje janë përngrirë nga Haslucku në këtë foto. Me sa kuptojmë, ajo po bën një ndalesë të shkurtër për t’u shplodhur rrugës për në shtëpi. Një imazh i tillë ku femrat krahasohen me kafshët e ngarkesës, përbënë një nga dukuritë më fyese për shoqërinë shqiptare, diçka që vihet re edhe sot, ndonëse shumë rrallë. Ka shumë të ngjarë që fotoja të jetë bërë pranë tendës së fotografes, pjesë e së cilës duket në passhpinën e subjektit. Mundet që skocezja e ka parë të ngarkuar dhe e ka ftuar të afrohet te tenda, mandej gjatë shplodhjes së saj e ka fotografuar. Nga një gjethe mbi koshin kuptojmë që bëhet fjalë për gjethe dushku (ose lisi) aq të nevojshme për bagëtinë e familjes. Duart e saj të lidhura mbi gjunjë dhe shikimi pa objekt, shpërfaqin kredhje në mendime të thella të fshatares. Koshi i saj është mbështetur te një kuti e thurur nga ato të ekspeditave të Hasluckut. Mbresëlënëse është edhe trikoja e fshatares e cila nuk mendojmë se ishte e rëndomtë për atë kohë.

Në foton e fundit paraqitet një bareshë të re në krye të tufës së dhive, duke ecur në një rrugë automobilistike, ndoshta duke u kthyer për në shtëpi pas kullotës ditore të tyre. Pranë saj duken edhe dy qentë që mbrojnë bagëtinë nga egërsirat. Në fund të kopesë duket edhe një burrë, me shumë gjasë, i ati i vajzës. Nga sa dallohet, baresha ka një fytyrë të hijshme dhe trup të rregullt. Ndoshta në një prej udhëtimeve të skocezes nëpër fshatra, vajza me kopenë e saj i ka prerë rrugën makinës, e ajo ka zbritur dhe me kënaqësi e ka fotografuar atë bashkë me dhitë. Dy qentë kanë kthyer kokat nga vajza si për t’a pyetur se si të sillen me udhëtarët përballë tyre.

Këtu u paraqitën dhe u komentuan vetëm gjashtë shkrepje fotografike të Hasluckut, nga qindra të realizuara nga ajo në Shqipëri. Sidoqoftë, edhe ky numër shumë i vogël i fotove të saj antropologjike, pasqyron në mënyrë dokumentare dhe jo vetëm, një pjesë të jetës së përditshme të shqiptarëve nga gjysma e parë e shekullit të kaluar: kontribuojnë për t’i siguruar asaj vendin e merituar në historinë e fotografisë shqiptare./Telegrafi/

error: Content is protected !!