Në vijim të debatit me përfaqësinë e studentëve në Presidencë, në dhjetor 1990, pak ditë para krijimit të Partisë Demokratike, Ramiz Alia u kërkon atyre që organizatat shoqërore, si ajo e Rinisë, ta kthejnë në subjekt politik dhe të marrin pjesë në zgjedhje.
Edhe pse kishin shkuar si të dërguar të mijëra studentëve grevistë në Qytetin Studenti, dukej në parashtrimet e tyre presioni dhe pasiguria nëse Alia dhe Partia e Punës do të mbante premtimin e lejimit të pluralizmit politike në Shqipëri ose jo.
Demokratizimi i vendit dhe pluralizmi politik, krijimi i partive të reja politike ishin tashmë kërkesa të panegociueshme të studentëve grevistë.
Shqipëria ishte vendi i fundit komunist që nuk e kishte përmbysur sistemin e vjetër një partiak.
“Unë po e them se vendimi i Plenumit të Komitetit Qendror për këtë çështje është një vendim që do të zbatohet. Organet e drejtësisë, organet e shtetit duhet të zbatojnë ligjet. Unë, nga ana, si President, meqë s’po më ashtu, s’po më mendoni për ashtu, por vetëm kështu”, u thotë Alia studentëve duke u siguruar se pluralizmi politik ishte një vendim i marrë nga Plenumi i Komitetit Qendror të PPSH-së.
Por nga biseda me studentët, Ramiz Alia duket se ka frikë nga lëvizja demokratike e pakontrolluar prej tij, për shkak se ai është kundërshtues i simbolit të fitores, me dy gishtat lart që shoqëroi grevën e studentëve dhe gjithë rrugëtimin e ndryshimit të sistemit komunist në Shqipëri.
“Atyre duhet t’ia këp usni gishtat sepse ajo shenjë është një çikë, komprometon të tjerët (ka ndërhyrje nga salla). Jo, jo, duhet të keni kujdes, prandaj unë ju drejtohem të gjithëve”, shprehet Ramiz Alia.
Nuk mungojnë në këtë pjesë të debatit të zbardhur edhe parashtresa që ish-Presidenti i bën situatës së rëndë ekonomike në vend dhe krizës në ushqime dhe funksionimin e fabrikave dhe ndërmarrjeve.
TAKIMI I RAMIZ ALISE ME STUDENTET, DHJETOR 1990
…. (ndërhyn Ramiz Alia: Shumë mirë). Shokët studentë…
Ramiz Alia: Tashti ju thashë unë mos merremi nga ana gjuhësore. Çrregullim ishte, sepse në veprimet që janë bërë ka pasur çrregullime. Si s’ka pasur çrregullime?
Blendi Gonxhe: Zoti President, ju lutem që ju shqetësuam pak, po na dëgjoni edhe një herë. Kemi ardhur këtu nga Qyteti Studenti dhe le t’i themi gjërat siç janë dhe konkretisht. Të na falni që ju morëm kohë më shumë se ç’duhet sepse jeni shumë i zënë në këtë kohë. Kemi ardhur që atje dhe atje ka mbi 2000 ose 3000 veta që presin, tiranas, të afërmit tonë, të rinj e të reja (ndërhyn Ramiz Alia: po prandaj është mirë të shkoni). Kemi ardhur që andej dhe jemi ndarë me këto fjalë, autobusin desh e shqyhen, duke na kërkuar demokraci dhe duke na kërkuar që t’i përfaqësojmë shokët drejt, për ato që na çuan. Dhe duke brohoritur edhe në emrin tuaj. Kishte ndonjë dorë që ishte me dy gishta, por ulej prapë. Po nuk ka problem, i ulëm edhe ato.
Ramiz Alia: Atyre duhet t’ia këp usni gishtat sepse ajo shenjë është një çikë, komprometon të tjerët (ka ndërhyrje nga salla). Jo, jo, duhet të keni kujdes, prandaj unë u drejtohem të gjithëve.
Blendi Gonxhe: O çuna, o çuna, ju lutem. Që të jemi të sinqertë deri në fund. Meqë ata do na dëgjojnë neve dhe meqë ata kanë shpresën e madhe te ju, ju lutemi studentëve, meqë ata do na dëgjojnë, që të na kuptojnë, sepse ne kishim marrë një detyrë tjetër këtu. Kishim marrë detyrë që të vinim të paraqisnim kërkesat tona dhe të iknim në rast se ju nuk do na i pranonit dhe në rast se ju do na t’i pranonit të jepnim sihariqin. Meqë ne këtu erdhëm dhe ju na i dhatë sihariqin pa ardhur mirë, neve duhet t’u themi studentëve, që qëllimi ynë ndryshoi deri diku sepse Partia Komuniste Shqiptare (ndërhyrje nga salla: një lojë është; Partia e Punës së Shqipërisë) njohu më në fund parimin që të ketë parti të tjera politike. Do bëhet apo s’do bëhet kjo, është gënjeshtër apo jo kjo, kjo nuk dihet.
Ramiz Alia: Do bëhet. Nuk është gënjeshtër kjo. Unë po ju them do bëhet.
Blendi Gonxhe: Pra, ne kemi marrë fjalën e Presidentit Ramiz Alia këtu dhe kjo do realizohet.
Ramiz Alia: Unë po e them se vendimi i Plenumit të Komitetit Qendror për këtë çështje është një vendim që do të zbatohet. Organet e drejtësisë, organet e shtetit duhet të zbatojnë ligjet. Unë nga ana, si President, meqë s’po më ashtu, s’po më mendoni për ashtu, por vetëm kështu (qesh).
Blendi Gonxhe: Vetëm ashtu kemi respekt për ju.
Ramiz Alia: Mirë. Dakord, dakord (ndërhyrje nga salla). Faleminderit shumë (qesh). Unë edhe Kushtetuta, edhe ligjet tona, nuk ndalojnë zbatimin e kësaj që thuhet. Unë kam thënë në Plenumin e 12-të të Komitetit Qendror, kam thënë mendimin për pluralizmin. Ky vendim i Plenumit të 13 të Komitetit Qendror avancon në këtë ide, që pranon pluralizmin edhe partiak, organizimin pluralist, jo vetëm si të thuash.
Arben Imami: Po termi partiak ç’problem krijon? Pse nuk thuhet..
Ramiz Alia: Asnjë problem nuk krijon.
Arben Demeti: Po sikur nesër ne si organizatë rinore e rinisë ta quajnë, meqë është edhe shoku Lisien Bashkurti këtu, Partia e Rinisë Shqiptare? Mund ta quajmë Partia?
Lisien Bashkurti: Atë do ta vendosë rinia….(ndërhyjnë shumë zëra nga salla).
Ramiz Alia: Dëgjo, dëgjo. Po mirë, krijojeni.
Arben Demeti: Do ta krijojnë studentët?
Ramiz Alia: Pse nuk do marrësh pjesë ti aty?
Arben Demeti: Jam në organizatën e rinisë. Mund ta quajmë dot partia?
Ramiz Alia: E kanë quajtur këta, e kanë quajtur këta.
Arben Demeti: Ju jeni para mikrofonit, pohojeni!
Ramiz Alia: Mund ta quajnë si të duan, parti mund ta quajnë, shoqatë mund ta quajnë, kupton. Vetëm duhet të respektojë ligjet. (Salla duartroket gjatë për Ramizin).
Ramia Alia: Vetëm duhet të respektojë ligjet dhe të mos shkojë ndesh me interesat e popullit. Këtë e kini kujdes.
Arben Meçe: Po ndesh me interesat e Partisë mund të shkojë?
Ramiz Alia: Mund të shkojë varet, se deri ku janë interesat e Partisë dhe deri ku i kap ligji këto interesa. Ligji nuk është i Partisë (ndërhyrje nga salla).
Zef Brozi: Ka norma ligjore të përcaktuara. Po për partinë a duhet të ketë kërkesa të tjera. Nuk duhet të ketë kushtëzim nga programi juaj?
Ramiz Alia: Me ligjin është tjetër problem, s’ka pse të futesh këtu. Me ligjin është tjetër problem.. (ndërhyrje nga salla).
Zef Brozi: Për Partinë a duhet të ketë kërkesa të tjera, se duhet të ketë kërkesa të tjera për Partinë?
Ramiz Alia: Ai mund të mos jetë hiç, por duhet të keni kujdes edhe në këto çështjet e programeve. Do tërhiqja vëmendjen tuaj në atë çështjen ekonomike që e keni atje në program. Do të dëshiroja që të jeni pak në dijeni, se nuk jeni mirë në dijeni dhe natyrisht mund të krijoni edhe mendime të ndryshme. Gjendja ekonomike, unë e kam thënë publikisht, publikisht edhe në mbledhjen me rininë, kur ishte në datën 23 nëntor, se është e rëndë. Edhe kjo gjendje e rëndë ka mjaft arsye. Një nga arsyet themelore është që ne na është vjetruar teknika dhe teknologjia e prodhimit. Përtëritja e saj kërkon investime të mëdha, investime të cilat ne po përpiqemi t’i realizojmë, jo vetëm duke përdorur të gjitha rezervat dhe mundësitë tona, por edhe duke bashkëpunuar me firma të huaja, bile edhe duke kërkuar kredi. Pikërisht pse po veprojmë në këtë fushë, juve e dini që Presidiumi i Kuvendit Popullor mori dy ligje të veçanta që lejojnë investimet e huaja, kupton, dhe marrjen e kredive. Pikërisht për këtë arsye, në Plenumin e 12-të të Komitetit Qendror në mënyrë specifike theksova që në Kushtetutën e ardhshme, neni mbi çështjen e kredive, duhet të rishikohet.
Por të mos harrojmë edhe kushte të tjera, që ndikojnë veçanërisht kur flasim për kohën e sotme. Kam parasysh kushtet atmosferike. Unë i thashë edhe mbledhjes të atyre të rinjve që ishin atje. Neve na kushtoi thatësira e sivjetshme, që dëmtoi rëndë energjinë elektrike, dëmtoi rëndë bujqësinë tonë, 150 milion dollarë. Juve nuk e merrni me mend ndoshta, ç’do të thotë 150 milionë dollarë. Por që të bëni…. ( ndërhyrje nga salla: s’kemi faj ne). Jo, jo, jo. S’keni faj ju për këtë, se është relative. Nuk e merrni relativisht me çfarë, ndaj edhe nuk keni faj ju. Por unë po ju them se eksporti ynë kombëtar në vit është 400 milionë dollarë. Pra, duke bërë këtë krahasim ma do mendja se del më tepër në evidencë sesa dëme kemi pasur nga thatësira. Mund të thotë ndokush, siç edhe ma thanë se vetëm neve thatësira? Jo, s’është vetëm ne thatësira. Nuk është e vërtetë që është vetëm te ne, edhe te të tjerët ka qenë thatësira.
Por ne mos harrojmë se jemi vend i vogël dhe kur thatësira ndodh në Shkodër po kjo thatësirë ka shkuar edhe në Gjirokastër. Kurse në vende të tjera ndodh thatësira në fund të Italisë, por nuk ndodh në veri të saj e kështu me radhë. Prandaj, kjo situatë aktuale, nuk flas për situatën e përgjithshme, duhet pasur mirë parasysh. Neve po marrim masa për të përballuar këto vështirësi që kemi. Juve e keni dëgjuar shokun Adil që ka folur që Qeveria po përpiqet, në rrugë nga më të ndryshmet, duke përfshirë këtu edhe kreditë që të plotësojë d.m.th., sa më parë nevojat që ka populli për këtë çështje (ndërhyrje nga salla: cilat janë rrugët?). Rrugët janë për të importuar, për të importuar vajin që nuk u bë, sheqerin që nuk u bë, drithëra buke që nuk u plotësuan, sidomos misër për blegtorinë, sepse misri, pothuajse as 50 për qind nuk morëm, import patatesh, import orizi. Këto janë mallra ushqimore, të cilat kapin një shumë gati 80 milionë dollarë.
Nga salla: Po këto ndikojnë vitin tjetër?
Ramiz Alia: Këto vitin tjetër nuk ndikojnë, sepse ne po bëjmë tamam këtë llogari, që t’i plotësojmë tani për vitin tjetër, se konsekuencat e këtij viti duken vitin tjetër. Nga salla: Po vazhdoi thatësira? Ramiz Alia: E kuptoj, e kuptoj. Edhe parvjet, edhe vjet, thatësirë kishin, edhe vitin tjetër s’do të kemi se kur i thonë pastaj duket sikur edhe Perëndia kur na ka zënë kështu me gurë kur i thonë, atëherë, por megjithatë duhet të përpiqemi që t’i bëjmë ballë. Neve tashti nga ana tjetër po i bëjmë ballë dhe po kërkojmë që të fillojë mekanizmi i ri ekonomik më 1 janar të këtij viti me lëndë të parë në të gjitha uzinat dhe fabrikat. Në mënyrë që punëtorët të mos mbeten pa lëndë të parë siç mbetën tani, kupton. Se sivjet 40 mijë punëtorë kanë punuar me orar të reduktuar dhe ne jemi detyruar të paguajnë 80 për qind të pagës së tyre.
Ç’do të thotë t’i paguash 80 për qind të pagës punëtorit? Do të thotë të paguash para dhe të mos marrësh prodhim. Kush është ekonomist këtu nga ju, e kupton se kjo është një gjë e keqe për ekonominë, sepse është burim inflacioni, kupton. Po ne nuk mund të linim klasën punëtore, që jo për faj të saj, të mbetesh edhe pa të ardhurat. Ekonomia e tregut do të thotë të lësh lojën e lirë të çmimeve. Në qoftë se keni durim do t’ju shpjegoj pak si është situata te ne që pastaj të shikojmë a duhet të shkojmë në këtë version? Nuk them a duhet të shkojmë nesër, a duhet të shkojmë në këtë version? Prandaj është ajo çështja që thashë durimi se njerëzit kërkojnë dita me ditë. Problemi shtrohet kështu vëllezër. Shqipëria është zhvilluar në bazë të disa marrëdhënieve ndërkombëtare ekonomike që ka pasur. Ç’kanë qenë këto marrëdhënie ndërkombëtare ekonomike që ka pasur Shqipëria?
Deri vjet, në vitin 1989, eksporti dhe importi ynë bëhej mbi bazën e çmimeve stop. Ç’do të thotë çmime stop? Ekonomistë më ndihmoni një çikë ju. Jua them, jua shpjegoj ç’do të thotë… Ne bënim marrëveshje me vendet e Evropës Lindore edhe me Jugosllavinë, edhe me Evropën Lindore, edhe me Kinën, flas për këto vende, marrëveshje 5-vjeçare mbi bazën e të cilave thoshim do të marrim këto, këto, këto plaçka, do të japim këto, këto, këto plaçka. Do t’i blejmë me kaq çmime, do t’i shesim me kaq çmime dhe këto çmime ishin të palëvizshme për 5 vjet ( ndërhyrje nga salla). Mbi këtë bazë, duke qenë se ishin çmime fikse, ne kishim caktuar edhe pagat e njerëzve Stop. Domethënë kemi tabelën e pagave, sa merrte punëtori, sa merrte mësuesi, sa merrte aktori, besoj se edhe ti që je aktor, njësoj e ke pas rrogën, mund të jetë ndryshuar një herë në 5 vjet a si e ke, se ka një normë edhe atje e të gjitha d.m.th. njësoj. Çmimet në treg ishin gjithashtu stop, çmimi i sheqerit, çmimi i bukës, çmimi i miellit, çmimi, gjalpit, çmimi i mishit, çmimi i veshjeve etj., etj. Tani ç’ka ndodhur? Tani marrëdhëniet me të gjitha vendet e Lindjes edhe me Jugosllavinë kanë marrë fund si marrëdhënie çmimesh stop. Tashti japim dhe marrim mbi bazën e çmimeve koniunkturale.
Dikush nga salla: Kur ka filluar kjo?
Ramiz Alia: Duke filluar që nga fillimi i këtij viti dhe pa klering. (ndërhyrje nga salla: që nga fillimi i viteve ‘90?). Po, që nga fillimi i vitit ’90.
Salla: Nuk po shohim rezultat?
Ramiz Alia: Më fal, më fal. S’po sheh rezultat, duhet të shikoni të keqen dhe jo të mirën. Jua shpjegoj unë tani. Kjo është për keq, nuk është për të duartrokitur. D.m.th, nuk ka më marrëveshje çmimesh stop. Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë shesim dhe blejmë sipas koniunkturës. Sot e blenë kafenë 400 dollarë, nesër e blenë 700 dollarë. E kuptoni këtë? Sot e blenë grurin 120 dollarë tonin, nesër e blenë 150 dollarë tonin.
(Nga Salla: Kështu edhe mund të shesim?)
Ramiz Alia: Këtu ke të drejtë ti, edhe mund të shesim. Po ç’ka ndodhur, meqë e hape këtë muhabet ti, ato që ne të shesim, janë mineralet. Çmimi i kromit ka rënë, struktura ekonomike botërore, çfarë je ti, ekonomist?
Shinasi Rama: Jo, unë jam për gjuhë të huaja.
Ramiz Alia: Për gjuhë të huaja, epo mirë lexon makari. Metalurgjia ka rënë, ar matimet po bien, kromi duhet tamam këtu… pra, pikërisht këtu janë ulur çmimet. Çmimet e bakrit janë ulur, pra, ato lëndë të para që ne eksportojmë kanë rënë. Tani kontradikta me të cilën jemi sot ne është kjo: nuk ka prodhim që ne nuk e subvencionojmë. Ju blini bukën, të dini që mbi bukën që blini, 5 lekë i subvencionon shteti. Ju blini kafenë, ta dini që 100 lekë i paguan shteti. Ju blini sheqerin ta dini që mbi sheqerin paguan shteti. Dhe kështu për shumicën e mallrave, prandaj e thashë që është gjë e keqe, pikërisht nga ky ndryshim. Pra, këtu vijmë tani, ku i merr shteti paret? Shteti i nxjerr rezervat. E kupton, sepse çdo njeri ha veten. Ky është problemi, problemi më ekonomik, më akut, më serioz që kemi ne.
vijon…
Burimi: /Panorama.com.al/