Categories
Histori Personalitete

E vërteta e dokumentit origjinal të Pavarësisë, lidhja me Kristo Frashërin! Reagon i birit i historianit të madh

GJERGJ KRISTO FRASHËRI

Periudha e pikut të fletërrufeve në Shqipëri (në vitet 1973–1981, e mbiquajtur simbolikisht “kineze”) provokoi dhe nxori mbi ujë shumë prej mentalitetit tonë mesjetar të trashëguar në shekuj. Mbas Çlirimit të vendit, masa popullore zbriti në “qytete” apo më saktë në mjedise urbane të themeluara rishtas, të cilët formuan shumicën të ashtuquajtur “masë proletare dhe fshatare” revolucionare të kohës (sipas modelit PPSH).

Të ftuar si fuqi punëtore në veprat e shumëllojshme të kohës (socializmit), kjo masë popullore, e cila përbënte jo më pak se 85% e popullsisë, duke mos pasur të kaluar qytetare, ishte e predispozuar për të gjitha arsyet të merrte për edukimin e vet shoqëror tërësisht ato që servireshin nga politika njëpartiake. Shumica urbane e popullsisë nuk kishte as kontakt me rrezatime kulturore të drejtpërdrejta bashkëkohore jashtë kufijve të vendit.

Në këto kushte, edhe modeli “fletërrufe” (i përdorur në rastin më të keq si hakmarrje publike pa autor) ngjiti shumë në edukatën tonë popullore që trashëgojmë nga ato dekada. Mjerisht instinkti i saj vijon për inerci edhe në ditët e sotme.

***

Me rastin e përvjetorit të 28 Nëntorit 1912, si çdo vit, u soll në vëmendje edhe një herë dokumenti i zhdukur i Pavarësisë dhe intervista e historianit Kristo Frashëri, i cili e pat parë me sytë e tij atë në vitin 1962.

Siç është bërë e njohur botërisht, atë vit historiani Kristo Frashëri ka pasur rastin përmes miqve të ngushtë konfidencialë të shihte me sytë e tij dokumentin origjinal të Pavarësisë, të dalë nga Kuvendi Ndërshqiptar i Vlorës, i hartuar më 28 Nëntor 1912. Këtë dokument origjinal e zotëronte dhe e ruante një qytetar, i cili asokohe jetonte në Tiranë (mund të mësohet prej meje diçka më shumë, se banesa e tij ishte mbrapa “Shkollës së Kuqe”, e cila ndodhet në rrugën “Qemal Stafa”).

Përpara se të ndërronte jetë, historiani deklaroi se nën gjurmimin dhe interesin e tij kishte arritur në vitin 1962 (pra 50 vjet pas hartimit të dokumentit) ta bindte qytetarin që t’ia tregonte privatisht këtë dokument. Kjo mundësi i ishte dhënë atij prej besimit familjar që qytetari në fjalë, i cili vinte nga një familje e lartë atdhetarësh, kishte për babanë e historianit, Anastas Josif Frashëri.

Mbasi e pa me sytë e tij dhe e pati prekur me dorë, historiani i ishte lutur atij t’ua dorëzonte institucioneve shtetërore këtë dokument origjinal kundrejt shpërblimit, Muzeut Shtetëror të asaj kohe në Tiranë. Është e njohur intervista e historianit Kristo Frashëri e dhënë në vitin 2012 me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Ajo gjendet lehtësisht me shkrim dhe me film për këdo në internet.

Aty ai ka treguar se “ky dokument doli në dritë në 1962-shin. Ai që e kishte, pronari i saj, tha se ia kishte dorëzuar Ismail Qemali me dorën e vet. Ai kishte edhe një letër të Ismail Qemalit që i thoshte: “Ta kesh kujdes. Ky është dokument i madh, me rëndësi të jashtëzakonshme”. Ai e mbajti dhe nuk donte ta jepte. Më 1962-shin ndoshta kishte frikë… Unë (K. F.) kam folur vetë me këtë person dhe jam munduar që ai t’ia dhuronte Muzeut kundrejt një shpërblimi.

Pastaj u kalua ajo dhe ai dorëzoi vetëm disa dokumente. Kjo është historia e origjinalit. Unë nuk mund të them më shumë, nuk mund të them më shumë…”. Por kjo nuk ndodhi dhe dokumenti nuk u dorëzua. Sepse vendimi varej thjesht dhe tërësisht prej qytetarit në fjalë, i cili jo vetëm nuk ishte naiv dhe as i paditur dhe i pangrënë, por atdhetar dhe i qytetëruar.

Ai nuk ishte as nga ata të cilët për ca qofte me panine firmosin shkatërrimin e vlerave dokumentare të Shqipërisë për pasurimin e vetvetes! Siç e ka theksuar në intervistën e tij, në vitin 1962 historiani e pat bërë të njohur faktin te drejtuesit e Institutit Shkencor të asaj kohe, që kishte gjetur origjinalin e dokumentit në fjalë. Ata ndërmjetësuan në udhëheqjen e vendit, nga e cila pronarit të dokumentit iu ofrua edhe një shumë parash përmes Ministrisë së Kulturës së kohës. Por ai nuk pranoi. Nuk donte ta jepte.

***

Ndërkohë nuk mungojnë komentet e shthurura të tipit fletërrufé të Pseudonimsave (ata që fshehin emrin si “Anonimë”) nëpër median e përditshme, madje edhe kundër vetë historianit, i cili arriti ta nxirrte në dritë ekzistencën e dokumentit. Kam përmbledhur disa shembuj nga shtypi në media të ndryshme të ditëve të fundit që iu përkushtua Ditës së Shpalljes së Pavarësisë, ku flitet se të dy udhëheqësit e Shqipërisë, qoftë Mbreti Zog, po ashtu edhe Enver Hoxha, nuk e kanë vlerësuar dokumentin origjinal të Pavarësisë dhe nuk i kanë kushtuar rëndësi për ta gjetur dhe ky është shkaku që ne sot nuk e kemi në dorë atë. Komentuesit arsyetojnë se po të kishte dashur ndonjëri prej tyre, ata do ta kishin gjetur.

Midis këtyre pretendimeve të kriposura me politikë dikush arrin të bëjë përgjegjës dhe të akuzojë edhe historianin Kristo Frashëri, i cili pasi e gjeti origjinalmbajtësin e dokumentit, duhet t’ia bënte atij të qartë që ta dorëzonte vetë kundrejt shpërblimit, ose ta kërcënonte se do të vinte në dijeni qeverinë po të mos e dorëzonte.

Nuk mungojnë edhe këshillat e dikujt tjetër, se një kërcënim i tillë nuk quhet “prerje në besë” (jemi në vitin 1962), por për marrjen e një dokumenti të rëndësisë së veçantë në duart e… Sipas gjykimit të këtyre Syreshëve anonimë, të gjithë paskan faj, me përjashtim të gjykimeve të tyre “objektive”. Por pronari i dokumentit nuk pranoi kurrsesi ta dorëzonte atë zyrtarisht. Pas vitit 1962 ai u largua përfundimisht nga Shqipëria. Ky fakt nuk është as faji i poseduesit të dokumentit të Pavarësisë dhe as përgjegjësia e historianit.

Ky është një fakt, një realitet që ka ardhur nga arsyet e veta dhe s’është nevoja të shfryjmë për të ngarkuar me faj, as poseduesin e dokumentit të Pavarësisë dhe as të bëjmë përgjegjës historianin. Ka shumë shembuj në botën e qytetëruar që dokumente me vlerë të veçantë për historinë e një vendi janë ruajtur nga familjarë apo privatë me shekuj, derisa ka zbritur momenti i duhur, derisa ato kanë zënë vend në vitrinën e muzeut.

Ndoshta Syreshi e ka fjalën dhe propozon ta kishin arrestuar pronarin e dokumentit dhe t’ia merrnin me forcë atë!? Kjo sjellje nuk ka qenë profesioni dhe detyra e një historiani dhe as e një institucioni shkencor, as dje dhe as sot. Të bën përshtypje se çfarë mentaliteti ruajnë dhe pasqyrojnë ende sot, jo në pak raste komentuesit dhe opinionistët e fshehur nën pseudonime. Lehtësia me të cilën fshihet një akuzë publike kundër një qytetari (e botuar në media) përmes Anonimit (me pseudonim) është sipas meje e papranueshme.

Akuza e hedhur nga mbrapa murit nuk sjell asgjë, as për akuzuesin dhe as për të sulmuarin. Dëshmia e historianit K. Frashëri e shprehur përmbledhtazi dhe e treguar në zyrat e shtetit është më se e vërtetë, madje prej atdhetari.

Marr të drejtën t’i shkruaj këto rreshta, pasi im atë më ka lënë mua (djalin e tij), përmes dokumenteve noteriale testamentare dhe më tej, të gjitha të drejtat e përfaqësisë ligjore që ka një qytetar, jo vetëm të drejtat e autorësisë së tij, ato të trashëgimisë dhe të përdorimit arkivor, por edhe për ta mbrojtur veprimtarinë e tij si qytetar dhe krijimtarinë e tij si shkencëtar. Ato që ka shprehur historiani Kristo Frashëri në të gjallë të tij janë të vërteta të ndershme dhe dokumente në vetvete.

Ata që e kanë njohur atë, besoj deri në fund, se e respektojnë ndershmërinë e tij në çështjen e atdheut, qytetarinë e tij dhe karakterin e tij si shkencëtar. Dokumenti do të dalë një ditë në dritë. Njerëzit që e posedojnë atë e kanë marrë nga dora e Ismail Qemalit, bashkë me amanetin e tij historik. Nuk ia vlen as të denigrojmë dhe as të kërcënojmë poseduesin e tij, sepse në këtë mënyrë do ta humbim dokumentin një herë e përgjithmonë.

Po ashtu, historianit duhet t’i jemi mirënjohës që e ka zbuluar ekzistencën e dokumentit dhe ka bërë përpjekjet e duhura në rrugë shtetërore për ta bindur poseduesin në dorëzimin e tij. Ende deri më sot dokumentet e trashëgimisë kulturore brenda kufijve të Republikës po prishen, po zhduken, po humbasin dhe po privatizohen në mënyra nga më të ndryshmet. Këtë e kemi konstatuar brenda dhe jashtë vendit. Për shumë atdhetarë nuk ka ardhur “moti i kthjellët” që të jenë të sigurt se një dokument i dorëzuar sot në Tiranë do të jetë automatikisht në pronësi të përjetshme të Shqipërisë sonë.

Atdhetar dhe patriot i nevojshëm është edhe ai që një dokument të rrallë, si ky i Pavarësisë së 28 Nëntorit 1912, e mbron duke e ruajtur privatisht deri sa në këtë vend të sundojë drita e diturisë… Fundja e kemi një riprodhim të dokumentit në fjalë sa për të shuar “urinë” e dikujt… Durim dhe urtësi qytetarie!

error: Content is protected !!