Categories
Histori Personalitete

Hasan Prishtina, si e hapi shkollën shqipe në Kalanë e Dodës

Historia e Ploshtanit në zonën e Kalasë së Dodës, e shkollës që u hap në vitin 1922 nën kujdesin e Hasan Prishtinës dhe mësuesit që shërbyen aty në 100 vjet të ekzistencës së saj

Nga Ismen Brika

Për zhvillimin e arsimit në Lumë e në veçanti për shkollën e Ploshtanit, kanë shkruar Prof. Shefqet Hoxha, ‘Mësuesi i merituar’ Isa Halilaj, anëtarët e Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane, Xhavit Lashi, Fatos Daci, historiani Xhemal Domi, Dr. Shefqet Domi, Dr. Fejzullah Gjabri, Muharrem Mezini, Jahe Delia, Mevlan Lushi etj. Në mënyrë të veçantë e të detajuar, kanë shkruar kryesisht bashkëpunëtori i vjetër shkencor, Beqir Shehu, e mësuesi veteran Metush Skeja.

Unë si biri i këtij fshati, pa shume pretendime, në këtë shkrim po përpiqem të bëj një historik të saj, duke parashtruar disa fakte, konkluzione dhe argumenta pa paragjykime, për zhvillimin e arsimit në Ploshtan, duke u shtrirë në kohë para vitit 1900 e deri me sot. Ploshtani është fshati më i vjetër në luginën e Drinit të Zi, me nje zhvillim ekonomik, social-kulturor, me urbanizim antik e kulture te lashte Ilire. Ketë e gjejmë në gjetjet arkeologjike të mallrave të importit që ne kohën romake. Pranë rrënojave të Kishës së Ploshtanit në rrugën automobilistike që të çon në Caren, ka varre që sipas mësuesit Shehat Palushi, i përkasin periudhës para Krishtit.

Në lagjen Dode, në vendin e quajtur Llakace, janë gjetur ene qeramike ku sipas mësuesit Sulejman Istrefi, i përkasin periudhës së Ilirisë. Në kishën e Tallamazit, janë gjetur mozaik qelqi që i përkasin periudhës së Ilirisë. Në Fushë-Dardhë të lagjes Dode, duke punuar me traktor në vitin l968, u zbulua një qyp qeramike i përmasave të mëdha që përdorej për mbajtjen e grurit. Ne Fushë-Dardhë, por dhe në murin rrethues të varreve të fshatit Ploshtan, janë gjetur copa tjegulle e tulle, që kanë shkronja e shenja që i përkasin kohës se Ilirisë…! Sipas historianit Iljaz Kaca, në Fushë-Dode ka pasur stacion rrugor që përdorej nga tregtarët që lëviznin nëpër luginën e Drinit të Zi. Në keto gjetje, sipas studiuesit Adem Bunguri, janë vetëm disa anë të jetës rurale të periudhës qytetare ilire në Ploshtan.

Këto gjetje tregojnë se ka pasur zhvillim të mirë ekonomiko-shoqëror, si ne fushën e prodhimit e në kulturën e jetesës. Në Ploshtan gjejmë shkrime në objektet e kultit, në epitafet e ajetet në gurët e varreve, në damkat e deleve në rozetat e shkruara në gurët e dyerve të avllive. Pra mungesën e burimeve të shkruara në periudhën antike, e plotësojnë gjetjet arkeologjike që janë zbuluar në ketë fshat të lashtë prehistorik. Nga pikëpamja e kushteve ekonomike shoqërore, themi se më parë është zhvilluar edukata (edukimi tradicional familjar), e më pas arsimi. Ploshtanasit nuk i linin fëmijët jashtë edukatës, ata i mbanin afër, u mësonin mjeshtrin e punimit të tokës, u mësonin si i’u shërbehet bagëtive dhe si mbarështohen ato, u mësonin si mbahet llogaria, u mësonin kalendarin vjetor e atë fetar, u kultivonin dashurinë për prindërit, për të moshuarit, për të afërmit, për prindërit, për atdheun, gjuhën e kulturën. Rendësi u kushtonin kultivimit tek fëmijët, tiparet si; nderi, burrëria, dinjiteti, besa e besnikëria. Të gjithë pushtuesit shkatërruan çdo gjë në Ploshtan, por nuk shkatërruan gjuhën kulturën, traditat zakonet itifaket.

Turqit nuk na lanë gjë të shkruar për zhvillimin e arsimit, kulturës. Atë e gjejmë tek njerëzit që kanë shërbyer në komunë si mydyr, bimbash, myfti, miftare, kadi, kryetar zaptiesh, tregtar, zejtare, ushtarak, etj., ku bashkëfshatarët e mi kanë shërbyer. Atë e gjejmë tek imamët, hoxhallarët, mezinët që kishin kulturë e dituri fetare, të cilët kanë shërbyer në xhaminë e fshatit Ploshtan, por dhe si vajë shëtitës në zonën për rreth.

Ploshtani, Qendër Kazaje deri ne vitin 1884!

Ploshtani ka qenë Qendër Kazaje, deri ne vitin 1884, qendër në krahinarie e nahije, qendër komune e lokaliteti. Punonjesit e kësaj administrate që kanë shërbyer në zonën për rreth, kishin karakter fetarë, por ishin të vetmet institucione, ku shkollohej rinia e fshatit dhe bazë për të shkuar për të studiuar në shkollat fetare në Prizren, Shkup, Stamboll, Damask, e deri ne Arabinë Saudite. Kur erdhën turqit në Ploshtan, ngritën administratën, banesat ku qëndronin ushtarët dhe oficerët për mbrojtjen, ngritën xhaminë, ngritën mejtepin, ngritën mensën ku do të hanin administrata, ushtria, nxënësit, të varfrit e rrugëtarët. Ne xhaminë e Ploshtanit, ka pasur qytaphane deri në vitin 1920, kur u dogj nga shovinistët serbë, e ato pak libra që ngelën, i mori në ruajtje imami i fshatit, Molla Tofik Gjorllaku. Disa nga këto libra i ka edhe sot në bibliotekën e tij, imami i fshatit, Mevlan Gjorllaku.

Sipas historianit, Xhemal Domi, në Ploshtan e zonën përreth ka pasur shkolla turke, si: Mejtep, Sebjan Mektep, shkollë Ruzhdije, që financoheshin nga shteti turk, nga vakëfi i fshatit që kontrolloheshin nga pleqësi e këshillat lokalë.

Aty jetonin mësim hoxhallarë që kishin mbaruar shkollat në Prizren, Prishtinë, Shkup, Stamboll, Selanik, Damask etj. Në raste të veçanta, i sillnin mësuesit nga Shkupi e Prishtina, por më së shumti, ishin vendalinj. Në këto shkolla bëhej matematikë, histori, gjeografi, dituri, filozofi dhe gjuhe turke, persishte e arabe. Rendësi i kushtohej njohjes leximit te Kuranit te ajeteve te tij. Zbërthimi e komentimi tubet, vajzet, praktika e riteve, këshillimet morale bëheshin në gjuhën shqipe. Në mejtepe e sebjan mektepe, shkonin edhe vajza. Kontribut të veçantë në zhvillimin e arsimit të dijes e kulturës kanë dhenë ploshtanasit që punonin si ushtarakë, kadi, bimbash, kryetarë komune, në Prizren, Tetovë, Shkup, Stamboll, Bukuresht, Jenisheher, Izmir, Selanik, etj.

Sulejman Laçi nga Bardhoci i Kukësit, hapi në vitin 1902 shkollën në Ploshtan-Radomorë

Kontribut të madh ka dhënë gjithashtu shoqata ‘Bashkimi’ qe me anë të Maliq Beg Bilalit, solli ne Ploshtan abetaren me shkronja latine, por edhe “Klubi Bashkimi” që u krijua në Ploshtan pas Kongresit të Manastirit. Kontribut të veçantë ka dhenë dhe këshilltari për arsimin në Prefekturën e Prizrenit, Sulejman Laçi nga Bardhoci i Kukësit, ku nga viti l902 deri në vitin l9l2, hapi në Ploshtan, Radomir, një shkollë. Në Ploshtan jepnin mësim Molla Gafurri Brika, Molla Tafik Gjorllaku e Molla Sadik Potja. Sipas Qamil Hoxhës, shkollën fetare në Ploshtan, nga viti l9l2 deri l920-ën, e ka mbajt hapur Molla Gafurr Brika me mundësitë ekonomike qe kishte ai vete. Sa me lart, nuk mund të themi se ka ekzistuar injorancë, pa dituria, se nuk ka pasur kush të lexojë, e si njësi matëse ka qenë “Rabusha”, ku në Ploshtan zhvillohej tregti, shitej e blihej, jo vetëm mall me mall, por me lira e dinarë të kohës.

Nga Ploshtani kanë dalë disa ushtarakë dhe kuadro të lartë

Nga Ploshtani ka pasur ushtarakë të larte si: Hysen Gjorllaku që ka shërbyer në Selanik nga viti l830, Ismail Skeja, edhe ky para vitit l850. Ali Gjorllaku, pas vitit l900, Hisni Flisa, ushtarak në Edine në vitet l9l2- l940, Isak Male Çupi (Sert Baruti), l9l0-l945, Idriz Vehap Brika, l935-l952, Metali Skeja, Mjek Ushtarak në Bursa. Nga Ploshtani kanë mbaruar Medresen e shkolla kualifikimi për hoxhallarë, administratë, drejtësi 8 veta, si: Molla Tafik Gjorllaku, Molla Gafurr Brika, Molla Miftar Flisa, Afuz Vehxhi Skeja, Afuz Elmaz Skeja, Afuz Mustaf Gjorllaku, Haxhi Hasan Perzhilla, Haxhi Daut Flisa. Kanë mbaruar shkollë për Drejtesi, Abdulla Perzhilla dhe Bajram Gjorllaku. Një pjesë e mirë e të lartpërmendurve, aktivitetin e kanë ushtruar jashtë Ploshtanit.

Në Ploshtan, përveç këtyre shkollave që ka hapur turku, në vitin l9l7 kanë hapur një shkollë dhe austro-hungarezët, ku mësohej gjermanisht dhe si gjuhë e dytë, shqipja. Mësues në ketë shkollë ka qenë Ferit Nimani nga Kosova, me shkollë Normale. Krahas lëndëve të tjera, për herë të parë ju dha prioritet aktivitetit fizik e sportiv. Shkolla e detyrueshme për fëmijët nga mosha 7-vjeç. Po kështu lejoj të festohet 28 nëntori, dita e Pavarësisë së Shqipërisë. Ditë pushimi u la dita e premte dhe lejoj të kryhen ritet fetare. Sipas Arif Zholit, që ka qenë nxënës bashkë me Rrahim Skejën dhe Hysen Izetin: “Nga fundi nëntorit, erdhi komandanti austro-hungarez, që kishte qendrën në Zhur, ku u prit me madhështi nga ushtarë e civilë, por dhe nxënësit e shkollës, ku recituam e bëmë ushtrime gjimnastikore. Ushtarakut të lartë i kërkuan që të mos paguhet taksa, se nuk ka pas prodhim, por ai jo vetëm nuk pranoj, po inter noj disa bashkëfshatare”.

Në tetorin e vitit l922, në Ploshtan erdhi Hasan Prishtina për të hapur shkollën!

Në verën e vitit l922, zhvilloi punimet Kongresi Kombëtar i Arsimit ku u vendos që në çdo komune të hapet shkollë fillore e detyrueshme për të gjithë fëmijët e moshës 7 – vjeç, si për djem dhe për vajza, t’i jepet rendësi mësimit të gjuhës shqipe. Ploshtani ishte qendër komune e kategorisë së dytë për l6 fshatra dhe varej nga nënprefektura e Bicaj, prefektura e Kosovës. Në fund të tetorit l922, vjen në Ploshtan, Hasan Prishtina, për të hapur shkollat në ketë Komunë. Ai qëndroi dy netë tek Osman Lita, një natë tek Sheh Hajra dhe një natë tek Rufat Maliki. Mori takim me administratën e komunës, me pleqësinë e fshatit Ploshtan dhe me disa që kishin tituj fetarë si: Mullah, Haxhi, Afuz, Mezin e tjerë. Ketë e beri pasi në disa fshatra këta kishin qenë kundër, duke thënë se kemi shkollat tona, pra mejtepet. Ai u tha se mësuesin do e biem ne, do të keni në shkollë mësues besimi, shkolla do të financohet nga shteti. Këto kërkesa gjetën përkrahjen e gjithë parisë së fshatit të administratës së komunës dhe të ulemas së fshatit Ploshtan.

Në fund të nëntorit u hap shkolla në shtëpitë e Daut Lezes, me mësues Besim Dalliu dhe Molla Gafurr Brika. Pas 6 muajsh, shkolla u vendos tek xhamia, sepse aty kishte vend për zhvillimin e mësimit në mejtepin e fshatit, brenda ambienteve të xhamisë. Në pranverën e vitit l923, filloi puna për ndërtimin e shkollës në truallin e shtëpive të Zholit. Ndërtimi përfundoj në kohe rekord, pajisjet e shkollës, banka, tavolina, dërrasa e zezë etj., u morën në Bicë, këto të punuara nga mësuesi shkodran, Ndrekë Cukala. Ndihmë të madhe ka dhenë edhe mësuesi Kolë Vila nga Shkodra që ishte dhe si përgjegjës për arsimin në nënprefekturë. Në katin e parë u bë klase për nxënësit dhe katin e dytë, dhomë për mësuesit.

Ushqimi sigurohej nga vetë mësuesit, por kontribuonin dhe fshatarët. Ne vitin l925, mësuesi Besim Dalliu transferohet dhe aty dhe vjen Gjon Kabashi, Riza Riza dhe Ibrahim Riza, të cilët shërbyen aty në vitet l926-l927. Pas tyre, vijnë: Zeqir Zeka, Mahmut Josufi, Tef Kuqani, Ali Dika të cilët shërbyen deri në vitet l932-l934. Më vonë kanë dhenë mësim edhe Ali Neza e Riza Rama. Nga viti l922 deri ne vitin l939, në ketë shkollë ka qenë mësues i lëndës së Teologjisë, Molla Gafurr Brika dhe shkolla mbyllet me pushtimin italian të Shqipërisë. Pas vitit l939, deri në vitin l944, ka funksionuar në Ploshtan vetëm Mejtepi. Te gjithë këta mësues janë nderuar e respektuar nga banorët e Ploshtanit, për kontributin e dhenë në arsimimin e fëmijëve të Ploshtanit, e të zonës për rreth.

Në vitin l944, rihapet shkolla e Ploshtanit në shtëpitë e Emin Perzhilles

Menjëherë pas mbarimit të Luftës, në vitin l944 rihapet shkolla e Ploshtanit në shtëpitë e Emin Perzhilles, pasi ndërtesa e shkollës e ndërtuar në vitin l923, ishte shitur Abaz Palushit. Mësimi në ketë shtëpi zhvillohej si në kushtet e luftës, me gjithë përkushtimin e mësueseve Qazim Kuqashi e Rufat Domi. Në shkollë, kishin shkuar me detyrim edhe disa vajza nga Ploshtani. Kontribut për mbarëvajtjen e shkollës kanë dhenë kryetari Këshillit Antifashiste Nacionalçlirimtar, Mahmut Hasani dhe sekretari, Rrahman Brika. Në ketë kohë ishte krijuar organizata e Partisë Komuniste, Organizata e Rinise Antifashiste Nacionalçlirimtare, me sekretare Asllan Iljaz Ferati. Duke parë ambientet jo të mira të shkollës, vëllezërit Rufat, Mislim dhe Sadik Maliki, i falen shkollës hotelin me 8 dhoma dhe 2 dynym tokë, për aktivitete sportive e fizkulture. Në atë kohë aty shërbyen si mësues: Qamil Hoxha, Mustafa Braha, Angjelina Kastrati dhe Dogjan Bulica.

Në vitin l946, doli vendimi i reformës arsimore ku veç të tjerave, të gjithë të rinjtë nen moshën 40 vjeç, do të mësonin shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Në këto kurse, një kontribut të çmuar kamë dhënë mësuesit: Rufat Domi, Qamil Hoxha, Angjelina Kastrati, Ramadan Gjorllaku, Xhemal Cala e të tjerë. Në vitin l948, u hap klasa e V-të me l4 nxënës nga fshatrat: Çaj-Matraxhi, Kalisi, Bushtrica, Careni e Ploshtani. Por në vitin l949, nuk pati klasë të V-të, sepse nuk pati numrin e mjaftueshëm të nxënësve për të hapur një klasë.

Ajo u hap në vitin l950 me 24 nxënës. Per herë të parë shkollën 7 vjeçare (unike) e mbaruan në vitin l952, nxënësit: Qerim Lame, Ramadan Gjorllaku, Xhemal Cala, Axhem Sufa, Ali Kovaçi, Halim Lita, Abdurrahman Tota, Ilmi Palushi, Xhafer Koka, Nezir Jata, Nuri Skeja dhe 6 vajza nga Ploshtani e Litet. Me ketë rast nga vetë nxënësit u organizua një drekë e cila ngeli si traditë, ku në fund të mbarimit të shkollës, shtrohej drekë me mësuesit e nxënësit e klasës. Me ketë rast, aty u dha një një koncert recital, por dhe kengë e valle në Kiavec, ku marri pjesë edhe populli i Ploshtanit. Kjo traditë vazhdoi deri vonë është dhe në vitin l968, kur unë mbarova shkollën 8 vjeçare, bëmë një drekë në Kjavec.

Në vitin l956, shkolla 7 vjeçare u transferua në Caren dhe u rikthye në Ploshtan në 1965-ën!

Në shkollën tek hoteli i Rufat Malikit, kamë bëre dhe unë klasën e parë në vitin l96l, me mësuesin Bajram Çekiçi. Në vitin l956, shkolla 7 vjeçare u transferua në Caren, për t’i ardhur në ndihmë Radomirës e Carenit, pasi u hap shkolla 7 vjeçare në Bushtricë. Shkolla rikthehet në Ploshtan ne vitin l965, pasi hapet shkolla 7 vjeçare e Radomires në fshatin Derbaç. Në atë kohë në Ploshtan erdhën dhe nxënësit e Çernjeves e Carenit, pasi nuk kishte klasë të 6-të në Radomirë. Në vitin l967, arsimi detyrueshme bëhet nga 7 klasë, në 8 klasë dhe ky sistem më kapi dhe mua. Nga kjo shkollë kanë dalë mësues: Ramadan Gjorllaku, Xhemal Domi, Xhemal Cala, Servet Ferati, Ali Lita, Shaqir Kovaçi, Iljaz Palushi, Shehat Palushi, Sulejman Istrefi, Ramazan Ferati, Shpetim Brika etj.

Ashtu si në gjithë vendin, edhe në shkollën Ploshtanit u ngritën rrethet letrare, të folklorit, të gojëtarisë, të gjuhëtarëve, të arkeologeve, të historisë e të sportit. Këto benë që të gjallërohet jeta në shkolla dhe në fshatra. Filluan të zhvilloheshin konkurse në matematikë, koncerte artistike, aktivitete sportive, marshime e ekskursione në vende historike, pra i dha jetë e gjallëri shkollës e zonës për rreth. Kontribut të veçantë kanë dhënë në ketë drejtim, Ramadan Gjorllaku, Servet Ferati, Xhemal Cala, Beqir Shehu, Iljaz Palushi, Jahe Delia, Rasim Deda, Sulejman Istrefi e shumë të tjerë.

Drejtuesit e shkollës së Ploshtanit nga viti 1965, deri në 2015-ën

Nga viti l965, e deri në vitin 20l5, kanë drejtuar shkollën e Ploshtanit Miftar Halili, Xhemal Cala, Beqir Shehu, Jahe Delia, Nezim Deda, Abaz Daci, Sulejman Istrefi, Rasim Deda, Shaqir Kovaçi, Shpetim Brika, Isa Lita, Rushit Mena. Te vjen keq që tani shkolla po shkon drejt mbylljes, për mungesë nxënësish, ku nga bankat e saj, vetëm nga Ploshtani, kanë mbaruar 40 veta arsimin e lartë, 72 veta arsimin e mesëm, dhe rreth l.380 arsimin 8 vjeçar.

Në tetor të vitit 2022, do të kremtojmë 100 vjetorin e Shkollës Shqipe të Ploshtanit. Kjo do të jetë një krenari e ligjshme për Ploshtanin dhe gjithë fshatrat e Kalasë Dodës, për të gjithë brezat që u arsimuan dhe u edukuan në bankat e kësaj shkolle. Do ishte mirë që intelektualët, studiuesit, historianët etj., të angazhohen në mbledhjen e kujtimeve, ndriçimin e historisë së shkollës Ploshtanit, si e para shkollë shqipe në nahijen Ana e Epër. Të gjithë së bashku të angazhohemi dhe të kontribuojmë për të festuar këtë jubile të 100 vjetorit të shkollës së Ploshtanit, sa më festive, dinjitoze dhe gjithëpërfshirëse./Memorie.al/

error: Content is protected !!