“HOTEL DAJTI”, BALLO E MUZIKË PERËNDIMORE
Për shumë dekada “Hotel Dajti” ka shërbyer si i vetmi hotel qeveritar e diplomatik në Shqipëri. Por, edhe për të sistemuar personalitet e shquar botërorë të ardhur në Tiranë, skuadra të njohura perëndimore si RF Gjermane, Ajax, artistë të njohur etj., etj. Menjëherë pas lufte, ai është shfrytëzuar si rezidencë pune, banimi, madje aty janë martuar edhe Enver Hoxha e disa qeveritarë të lartë të kohës. Ai, bashkë me Pallatin e Brigadave janë përdorur për të festuar gjithçka, por veçanërisht mbrëmjen e madhe të fundvitit.
Duke qenë në qendër, “Dajti” ishte tejet i preferuar, pasi struktura e brendshme e tij me sallat gjigante luksoze, me hapësirë e lartësi e funksion të shkëlqyer (taverna poshtë, shumë e preferuar, nuk shërbente vetëm për natën e Vitit të Ri për shkak të përmasave të vogla), krijonte një mundësi të madhe dëfrimi për specialistët e huaj, fillimisht ata jugosllavë, ato të vendeve lindore të pranishëm në Shqipëri për ndërtimin veprave të 5-vjeçarëve, diplomatë, por edhe për shqiptarë.
Deri para prishjes me Lindjen, rreth viteve 61′ aty shkonin njerëz me para që e njihnin jetën nga prindërit e tyre, të cilët ishin shkolluar në perëndim, familje mjekësh, intelektualësh, sportistë të njohur, fëmijët e udhëheqësve të lartë, artistë etj. Mblidheshin në sallën e madhe e në hollin-sallon modern, që garantonte mbi 250 persona gjatë natës së Vitit të Ri. Aty gatuhej shumë mirë dhe ushqimi ishte cilësor.
ZONJA KARMON, GRUAJA MODERNE E BALLOVE
Ka qenë shumë elegante, e njohur jo vetëm si gruaja e Paskal Karmon, sekretarit të Parë të Ambasadës Franceze, por për veshjen moderne prej lëkure që përdorte. Po kështu, edhe vajzat e ambasadorit polak, që mbrëmjen e Vitit të Ri, shfaqeshin me minifunde klasike, duke qenë në qendër të vëmendjes. Protagoniste ishin gjithashtu edhe gratë, vajzat e zyrtarëve të ambasadave perëndimore, që u jepnin jetë ballove argëtuese që vazhdonte pas mesnate. Ky frekuentim i “Dajtit” vazhdoi për inerci pas viteve ’60, edhe për disa vite të tjera, thuajse deri në fillim të viteve ’70. Hyrja, frekuentimi në përgjithësi dhe në veçanti i natës së Vitit të Ri, ishte vetëm për të huaj dhe një elitë të kufizuar personash e familje të zgjedhuara. Ndryshimi ishte i dukshëm, jo muzikë moderne, por shqiptare dhe të huaj, kryesisht me këngët të kohës. Tashmë ka filluar survejimi i të huajve dhe shqiptarëve që preferonin “Hotel Dajtin”./Panorama.com.al