Categories
Histori

“Kemi pasur pluralizëm që nga Skënderbeu, e hoqi PPSH”- Zbardhet debati i pa censuruar i Ramiz Alisë me studentët e ‘90’

Gazeta Panorama.al boton sot pjesën e dytë të dialogut të pa censuruar mes ish-Presidentit Ramiz Alia me studentët në dhjetor të 1990, të pëgatitur nga ish- kryeministri Aleksandër Meksi, “Dhjetor ’90, Dokumente e Materiale“.
Në këtë numër ndodhet debati mes Alisë dhe studentëve për pluralizmin politik, ku spikat Zef Brozi dhe Shinasi Rama. I pari interpreton Kushtetutën, ndërsa i dyti i kujton Alisë, se në pikat më kryesore të historisë së vendit, ka mbizotëruar pluralizmi politik.

(Vijon nga numri i kaluar, lexo KETU)

Ramiz Alia: Edhe ajo është. Mungojnë edhe njohuritë tuaja.
Arben Imami: Përgjithësisht, na mungon informacioni. Pra, ne nuk kemi një ligj, ku shprehimisht të thotë ndalohet…

Ramiz Alia: S’ka asnjë ligj, ku shprehimisht t’i thuhet ndalohet një partie politike.
Arben Imami: Atëherë, për ç’arsye pengohet? Nuk e kam fjalën, kjo pengohet, por nuk është e mendimit Partia e Punës, që krahas saj mund të jepnin kontributin e tyre edhe parti të tjera, të cilat do të punonin dhe do të luftonin me pikëpamjet e tyre për atdhe, për Shqipëri.

Ramiz Alia: Shiko, lidhur me këtë çështje, pikëpamja e partisë sonë, në radhë të parë është nisur dhe niset nga tradita e vendit tonë, në kuptimin që mbi të tëra, ne shikojmë çështjen e unitetit të popullit. Nuk duhet të harrojmë, kupton, që ne jemi një vend i vogël. Nuk duhet të harrojmë, kupton, që juve jeni të tërë të rinj, kupton, por populli ynë ka luftuar, ka luftuar ashpër.

(ndërhyrje nga salla: ka luftuar ashpër) Ndërhyrje nga salla: Vazhdon të luftojë.

Ramiz Alia: Po po, po ka luftuar ashpër. Ka derdhur gjak të madh. Unë që jam një çikë më plak dhe jo një çikë, por shumë më shumë se juve, se jam babai juaj, më kupton, por 28 mijë dëshmorë është 3 për qind e popullsisë së Shqipërisë. Të mos të harrojmë se 1 milion ishte Shqipëria. Në ndërtimin e vendit, kupton, vendi i rrafshuar për tokë ka qenë, moçalet e Shqipërisë vinin deri në Lushnjë. 38 vjet jetonte shqiptari, jo larg, por në vitin 1945, kaq ishte mosha mesatare, tani është 72 vjet mosha mesatare. Pra, në tërë këto rrethana, kupton, populli ynë fitoi pikërisht pse ishte i bashkuar. Kundër vendit tonë dërgoheshin banda diversantësh. Ju s’i keni jetuar këto.

Arben Imami: Këtë e dimë ne.

Ramiz Alia: Ju i keni lexuar. Është ndryshe me lexu. Ti je artist, aktor. Kur i luan, mundohesh të futesh në rol dhe kështu, sa herë që keni një pjesë, mundohesh të futesh në rol. Bëni përpjekje kolosale, studioni, futeni në rol etj. etj. Edhe me siguri futeni në atë rol, mbasi njiheni mirë e mirë, kupton, por një realitet objektiv është ky, kupton, se është bërë një luftë shumë e madhe.
Për ne, në kushte të caktuara historike, një nga faktorët që kemi fituar ka qenë ky unitet i madh i popullit tonë rreth një ideali, rreth një qëllimi. Ky ideal, ky qëllim përfaqësohej nga partia, përfaqësohej nga të gjitha organizatat shoqërore. Tani, nuk dua të përmend, qe ideali ynë, ky ideal i unitetit kombëtar ka qenë, kupton, ka qenë promotori i lëvizjes se Shqipërisë përpara. Tashi neve po theksojmë, kupton, çështjen e demokratizimit të vendit. Në demokratizimin e vendit çështja e pluralizmit është një çështje themelore. Në ç’kuptim? Në kuptimin e demokracisë së mendimit, të shprehjes së lirë të mendimit të njerëzve. Shprehja e lirë e mendimit të njerëzve, ne mendojmë kupton, që në kushtet tona, në realitetin shqiptar, kupton, që kemi gjithë këto lloj organizatash të ndryshme, nuk pengohet, që mendimi i lirë i njerëzve të shprehet në forma nga më të ndryshmet. Sigurisht nuk do të kishte kuptim demokratizimi, në qoftë se ne themi se ky mendim ka qenë ekselent i shprehur. Tani përkundrazi, po themi se duhet më tepër. Juve më keni dëgjuar disa herë, që unë kam ngritur të hapen gojët. Ëëë, e keni parasysh?

Salla: Po, po.

Ramiz Alia: E keni parasysh! Asnjë fjalim nuk është mbajtur të mbyllen gojët. Fjalimet që kam mbajtur unë, kanë qenë të hapen gojët. Unë po flas për atë çka unë kam thënë dhe gojët duhet të hapen. Tani gojët duhet të hapen, por të mos harrojmë se duhet në interes të popullit, në interes të atdheut, në interes të lirisë, pavarësisë së tij. Këtë duhet të kemi kujdes të tërë.
Reagim nga salla: Pa dyshim.

Ramiz Alia: Mire, mirë, unë jam i bindur që pa dyshim, por kini kujdes, se ka edhe më dyshim. Ka mendime të tjera, është logjike që të ketë edhe mendime të tjera. Në vendimin e pleniumit të Komitetit Qendror sot, natyrisht partia nuk jep urdhra për këtë punë, shprehu mendimin që në këto kushte mundet të ndihmojë në demokratizimin e mëtejshëm të vendit edhe paraqitja e organizatave të veçanta, kupton, pluraliste në sistemin tonë.

Blendi Gonxhe: D.m.th nuk ka kufij?

Ramiz Alia: Unë nuk them dot, unë nuk them asnjë kufi, them, derisa flitet organizim pluralist, ai nënkupton çdo gjë, çdo gjë nënkupton. Tashi, në këtë çështje, natyrisht ka ligje, sepse nëse një parti kërkon të paraqitet me një program fashist, në bazë të ligjit nuk lejohet. Në ligj ka disa pika.
Tefalin Malshyti: Ne kemi ardhur këtu t’ju takojmë si President dhe jo si sekretar i Partisë, sepse në letrën tonë kërkojmë takim me presidentin Ramiz Alia dhe si president flasim me ju. Këto janë vendimet e partisë, vendimet e pleniumit. Janë shumë të sakta, shumë të drejta dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Megjithatë, siç e thatë edhe ju vetë, ky është një vendim dhe nuk dihet se kur do të shpallet një ligj. Këtë e ka në dorë Kuvendi Popullor dhe jo partia. Prandaj ne duhet të diskutojmë në këtë plan dhe jo në planin e partive. Pra, duhet të diskutojmë në planin presidencial si të thuash, shtetëror dhe që këto të bëhen vendim këto pika, këtë gjë duhet të sqarojmë.

Ramiz Alia: E di ti Kushtetutën?

Tefalin Malshyti: Kushtetutën, me aq sa kemi lexuar.
Ramiz Alia: E ke lexuar nenin 54 të Kushtetutës?
Tefalin Malshyti: Jo, nuk e kam lexuar.

Ramiz Alia: Ashtu? Domethënë s’je në korrent. Nenin 54 të Kushtetutës kush e ka lexuar?
Zef Brozi: Shoku Ramiz, unë e kam lexuar. Jam jurist.
Ramiz Alia: Je jurist?

Zef Brozi: Në nenin 54 të Kushtetutës thuhet se shteti përkrah shtetasve

(ndërhyn Ramiz Alia disa herë), se unë nuk po e them fjalë për fjalë, u lejohet të krijojë (ndërhyn Ramiz Alia: shteti u lejon të krijohen shoqata, organizata politike, kulturore, shoqërore, shkencore etj. Etj.) shoqata, organizata politike, kulturore, shoqërore, shkencore etj. Etj., të cilat vazhdon etj., etj… dhe ndalesa është kjo: “nuk lejohet krijimi i shoqatave dhe partive me karakter fashist, antidemokratik, luftënxitës, racist, etj.

Ramiz Alia: E kuptoni ju këtë?

Zef Brozi: Unë, duke interpretuar këtë nen…

Ramiz Alia: Këtë nen interpretoj dhe unë. Mendoj se ky vendim i Komitetit Qendror nuk ka nevojë për asnjë interpretim tjetër. Mjaft është ai nen i Kushtetutës.
Zef Brozi: Ligji e lejon.

Ramiz Alia: Ligji e lejon. E dyta, ligji elektoral, të cilin ju duhet ta keni lexuar, thotë se subjekte politike janë Partia e Punës së Shqipërisë, Organizata Sindikale, e çarë janë këto me radhë dhe shoqata të tjera të njohura me ligj.
Shinasi Rama: Çështja që shtrohet këtu për pluralizmin është një çikë e mangët.
Ramiz Alia: Si është?

Shinasi Rama: Ju thatë që për një arsye, të ndjekim traditat e mira të popullit. Dua t’u kujtoj se gjithmonë, në momentet më kyçe të historisë së popullit tonë, ka pasur pluralizëm. Po të doni, po ju sjell një shembull që nga lashtësia, por po ndalem në Kuvendin e Lezhës, qysh në kohën e Skënderbeut. Ai ishte pluralizmi më i saktë dhe më i parë i sanksionuar i fisnikëve shqiptarë. Po të vazhdoj edhe më mbrapa, ju mund të qeshni, por këto që po them unë janë argumente.
Ramiz Alia: Nuk qesh. Unë dëgjoj me vëmendje të madhe dhe me respekt, çdo të ri që shpreh mendimet e tija, edhe kur këto janë të gabuara. Unë jam mësuar të bisedoj me gjithfarëlloj njerëzish. Edhe me ato që kanë të drejtë, edhe me ato që s’kanë të drejtë. Dhe kam durim shumë dhe ty do të dëgjoj deri në fund. E fillove me princat në kohën e Skënderbeut, që s’kishte parti në atë kohë, por s’prish punë, vazhdo.
Shinasi Rama: Shiko, pluralizmi nuk fillon tek partia. Pluralizmi fillon tek e drejta me mendu ndryshe.
Ramiz Alia: Shumë e drejtë.
Shinasi Rama: Pra, ishin princa ose fshatarë ato, ishin njerëz dhe kishin mendimet e tyre. Pra, nuk po flasim për partitë, por për pluralizmin. Po të kthehemi tek Lidhja e Prizrenit 1878, do të shohim që po ashtu pati një pluralizem mendimesh, me një qëllim të përbashkët; çlirimin e Shqipërisë, autonominë e saj, në qoftë se ju preferoni saktësinë e termave. Po ashtu, po të kthehemi edhe në kohen e Ismail Qemalit në atë qeveri të krijume me aq urgjencë, u ruajt pluralizmi i mendimeve dhe ideve, sepse kryeministër ishte imzot Kaçorri, nënkryeministër ishte Imzot Kaçorri dhe në të njëjtën kohë nënkryeministër ishte Aqif Pashë Elbasani dhe Mullai i Madh. Pluralizmi në Shqipëri vazhdon me një traditë të mrekullueshme, të cilën mund ta lexojmë në të gjitha regjistrimet e Parlamentit, në bisedimet e Parlamentit. Kjo është një periudhë shumë e ndritur, të paktën për demokracinë në vendin tonë, është një periudhë e tillë kur një libohovas si Avni Rustemi, shkon ven kandidaturën e vet në prefekturën e Kosovës edhe nji Ekrem Bej Libohova detyrohet me ngelë pa vend për deputet dhe shkon e ven atë në çifligun e gruas. Pra, populli injorant ose painjorant.

Ramiz Alia: Kush është injorant? Jo, injorant mos i thuaj popullit.
Shinasi Rama: Një minutë ju lutem,
Ramiz Alia: Mos i thuaj popullit injorant.

Shinasi Rama: Unë nuk dua të bëj insinuata, unë po flas se jam një çik i ngjirur. Po ju them një gjë, se është folur që populli ynë ishte 80 për qind analfabet. Fjala analfabet dhe fjala injorant, d.m.th i paditur. Pra, në qoftë se do ta shohim në sensin e padijes, do të themi këtë padije kulturore, të ashtuquajtur kulturore, popullit tonë i mungonte. Të vazhdojmë me pluralizmin e partisë popullore dhe të opingës në kohën e Fan Nolit. Ashtu siç jeni ju i ndërgjegjshëm, siç jam edhe unë, që në një bankë ka rastis me u ul edhe nji satrap si Zogu edhe nji demokrat si Fan Noli. Megjithatë, korrektesa ka kenë korrektesë deri në një farë mase. Pra, pluralizëm ka pas. Nuk do përmendim rastet e mëparshme, kërkesat e veçanta. Të vazhdojmë mandej. Asht thanë që në periudhën e Ahmet Zogut nuk ka pas pluralizëm. Kjo është e vërtetë dhe është periudha e satrapit të madh, despot, njeriu që e shpuri vendin tonë në mjerimin më të zi. Për këtë ne jemi gjithë të ndërgjegjshëm. Por megjithatë, i shtyrë nga nevojat e tij personale, në vitin 1936, nën flamurin e neo- shqiptarizmës, u krijua një e ashtuqujtura partia e të rinjve, e cila iu kundërvu të vjetërve. Pra, në rastin më negativ që ishte shërbëtori i një mbreti, pluralizmi u shfaq edhe këtë herë në Shqipëri. Gjatë luftës Nacional Çlirimtare është bërë nga udhëheqja e partisë dhe për këtë jemi në dijeni të gjithë. Por mesa di unë, mesa di unë të paktën, në gazetë shënohej të paktën, që për një periudhë të gjatë kohe partia ka qenë ilegale, sepse ai që ka udhëheq luftën e popullit tonë për një periudhë kohe ka qenë në Francë. Ju keni qenë në atë kohë gjeneral, jeni gjeneral.

Ramiz Alia: Nënkolonel. Asnjëherë nuk kam qenë gjeneral. Mos më ngatërro.
Shinasi Rama: Lëre atë punë, se unë kam lexue dokumentet. Ti ke qenë kolonel.
Ramiz Alia: Nënkolonel kam qenë, nënkolonel.

Shinasi Rama: Kolonel keni qenë dhe unë e kam pa të shkrume. Po ja, u them unë kolonel. Komisar i Divizionit të 7-të.
Ramiz Alia: Tashi ti do me më tregue edhe çfarë kam qenë? Nënkolonel kam qenë. Shinasi Rama: Tani të vazhdojmë me pluralizmin.

Ramiz Alia: Vazhdo.
Shinasi Rama: Pra, tradita e pluralizmit në Shqipëri është një traditë, e cila nuk është prehur asnjëherë deri në vitin 1946. Pse nuk është pre dhe ç’pasojash pati premja? Jam me mendimin tuaj, e shprehët dhe e formuluat shumë saktë. Që në 20-30 vitet e para, partia i vuri gjoksin punës dhe bëri të pamundurën dhe ashtu është.

Ndërhyn salla: Populli, edhe populli.
Ramiz Alia: Si?
Shinasi Rama: Nji minutë, unë po flas, partia i vuri gjoksin…
Ramiz Alia: Mirë e ke ti.

Shinasi Rama: Partia i vuri gjoksin, por populli i dha jetën partisë dhe partia i dha në të njëjtën kohë, atë që ju thoni se partia është truri dhe mendja e popullit, por mesa duket, me këto të rejat po na dalin ndryshe. Të mos bëjmë insinuata, unë nuk kam ndërmend me fol ashtu.
Ramiz Alia: Kjo që po thua ti djalë i mbarë është tamam insinuatë. Kjo s’duhet bërë, kjo s’duhet bërë. Me ça po del këtu, s’ka qenë kështu. Është kështu?

Shinasi Rama: Mos u kapni mbas fjalëve të mia.

Ramiz Alia: Jo, jo, jo. Një minutë. Unë jo rastësisht mora fjalën i pari, që t’u shpjegoj se demokracia kërkon edhe durim, edhe tolerancë, edhe mirësjellje. Unë po përpiqem të respektoj mirësjelljen, tolerancën, durimin. Edhe pse? Sepse vlerësoj mendimin e të tjerëve, qoftë edhe kur s’jam dakord, prapë e vlerësoj. Fol moj Mimozë, nuk është kështu? Edhe bashkë biseduam. Prandaj them se duhet ashtu, folur drejt, më mirë thojeni drejt mendimin që keni. Të thashë unë, kam dëgjuar gjithfarë lloj gjërash. Kam një eksperiencë personale, politike, domethënë qysh në moshë fare të re.

Arben Imami: Padyshim që ju e keni këtë.

Ramiz Alia: Kam më shumë eksperiencë, por nuk e them për të imponuar mendimin tim ju lutem, e them…
Salla: E kemi kuptuar këtë dhe ne ju duam.
Ramiz Alia: Shumë mirë, atëherë kjo më gëzon që ju keni respekt dhe më doni. Ju faleminderit shumë!
Salla: Duartrokitje të gjata.

Ramiz Alia: Ju faleminderit shumë! Prandaj unë bisedoj me zemër të hapur me juve, sepse edhe unë kam dëshirë të dëgjoj mendimet tuaja. Mendimet tuaja m’i thoni ashtu si i keni dhe mundësisht sa më të përmbledhura.

Shinasi Rama: Kërkesa jonë është kjo, që të formulohet qartë pluralizmi politik.
Ramiz Alia: Kjo ide që keni ju është formuluar shumë qartë në këtë vendim.
Shinasi Rama: Më duket se është një frazë…

Ramiz Alia: Nuk ka rëndësi hiç kjo. E ke gabim ti, e ke gabim dhe po ta shpjegoj se pse. Ky fakt që shprehu ky mendim, se është në dobi të demokratizimit të jetës së vendit dhe pluralizmit, krijimi…
(ndërhyrje nga salla). Si the ti? Ne sot po bisedojmë, ti thua s’është në rregull. Me këtë mbaron ky muhabet. Kuptoni, është e qartë kjo. A është e qartë kjo?

Zef Brozi: Po është e qartë. Po që ju jeni dakord me pluralizmin.
Ramiz Alia: Po, jam dakord, edhe Komiteti Qendror i Partisë shprehu këtë mendim.
VIJON…

Përgatiti Gazeta Panorama.al

error: Content is protected !!