Categories
Histori Personalitete

Maksut Drasa, një emër i nderuar i kirurgjisë shqiptare….!

NGA EVDAL NURI

Në këtë kohë, kur shpirti human i njeriut po venitet, ku mania për të fituar është bërë gati e përbindshme dhe vlerat e të qenit njeri po shpërfillen mjerisht si patëkeq, na ndodh jo rrallë që të gjejmë prehje teksa kujtojmë ngjarje apo personazhe që lidhen me to, të cilat pasqyrojnë të kundërtën e këtij realiteti të trishtë.

Maksut Drasa, një emër i nderuar i kirurgjisë shqiptare….! Dr. Maksut Drasa pa dyshim që ka zënë një vend nderi në panteonin e kirurgjisë shqiptare dhe botërore, si dhe është futur në Enciklopedinë Amerikane si një nga gjenitë e shekullit 20-të. Një emër që meriton të kujtohet është Maksut Drasa.

Pak nga jeta e tij

Dr. Maksuti lindi në 10 marsin e 1920-ës në Arapsun të Turqisë. Shkollën fillore e kreu në jetimoren e Tiranës, më pas vazhdoi shkollën teknike “Harry Fultz” dhe gjimnazin me rezultate të shkëlqyera. Më pas nisi studimet për mjekësi në Universitetin e Bolonjës, ku arriti të merrte notën më të lartë, 30/30, me vlerësimet më të mira nga profesorët italianë. Emri i tij është në listën e studentëve më të mirë të Universitetit të Bolonjës. Ndërpreu studimet se shoku i tij më i ngushtë, heroi Qemal Stafa , i kërkoi 1 shaptilograf dhe kur ia solli, nuk u kthye më se filluan bombardimet në Adriatik. Kjo bëri që të nisë një tjetër shkollë të madhe, atë përkrah kirurgut të madh, Frederik Shirokës, i cili ka thënë: “Maksut Drasa është i vetmi kirurg që mund t’më zëvendësojë mua”.

Duke punuar në Spitalin Civil të Tiranës, përkrah tij, Maksuti hodhi themelet e së ardhmes si kirurg. Gjatë luftës mjekoi partizanët e plagosur dhe për këtë mori titullin e nderuar “Veteran i LANÇI”. Në vitet 1948-1950 përfundoi studimet ne Sofie (Bullgari) me rezultate të shkëlqyera, si dhe mbrojti titullin “Doktor i Shkencave”. Me kthimin në atdhe emërohet shef i Kirurgjisë dhe ObstetriGjinekologjisë në Spitalin e Beratit. Nga sukseset e mëdha që pati në fushën e kirurgjisë, Spitali i Beratit u aprovua si shkollë për specializantët në kirurgji. Këtu përmendim nxënësin e tij të talentuar, prof. dr. Panajot Boga, që pati fatin të jetë nxënësi i tij i parë . Ai nuk lodhet së treguari mrekullitë e Dr. Maksutit!

Prof. Boga përmend shpesh një nga porositë që dr. Maksuti ia thoshte gjithmonë: “Materialin që ke lexuar qoftë 1000 herë do bësh mirë ta lexosh edhe një herë para operacionit.

Dr. Maksuti e bëri Beratin një qytet me emër në fushën e kirurgjisë ku shkonte e gjithë Shqipëria. Për emrin e madh që krijoi në fushën e kirurgjisë, në vitin 1970 u emërua kryekirurg në Spitalin Ushtarak të Tiranës (1970-1982).

Prof. KIM M. DRASA NE CEREMONINE E MARRJES CMIMIT TE PARE NE NEW YORK, 8 Nendor, 2019

PROFESIONALIZMI I DR. MAKSUTIT

Maksut Drasa, nxënësi më i devotshëm i kirurgut të madh Frederik Shiroka, u bë kirurgu & gjinekologu më i famshëm në Shqipëri, në Perëndim deri në USA. Fillimi i famës filloi që në vitin 1953, kur realizoi për herë të parë në Shqipëri:

1) Exsanguino transfuzionin e gjakut (zëvendësimi komplet i gjakut), tek e porsalindura, me Rh+ (nena me Rh-). 2) Operacionin e parë ne zemër (perikardit adeziv). Për këtë u xhirua dokumentar që u shfaq në çdo kinema. 3) Operacionin e parë për heqjen e prostatës, pa hapur vezikën urinare (MILLIN). 4) Implantimin e ovareve. 5) Modifikimin i heqjes “hydroceles”. 6) Endoarterit obliterant (femorale, iliake) 7) Vagotomine trunkale & selektive (ulçërduodenale). 8) Anestezinë peridurale (Berat) dhe bëri 7000 operacione (kirurgji, gjinekologji, ortopedi, urologji…), duke eliminuar narkozën me eter.

Kur u emërua në Spitalin Ushtarak, ua mësoi anestezisteve që e përhapën në të gjitha spitalet e Shqipërisë. 9) Hysterectomine radikale (vitet ‘60) dhe ky operacion filloi të bëhet në Maternitetin e Tiranës pas vitit 2000. 10) Sexio cezare inferiore-transversale. 11) Serklazhi (lidhja e qafës mitrës) te gratë, të cilat kishin pasur aborte spontane (bile deri në 10 aborte). 12) I pari që realizoi operacionin për kancer rektumi. 13) Vaginë artificiale me zorrën e hollë. 14) Mjeshtër në operacionet për fistulat anale dhe hemorroidet. 15) Gjatë specializimit të personelit të Spitalit Ushtarak (Pekin, 1971), pas një muaji specialistët kinezë e quajtën talent dhe u shprehën:

“Dr. Maksuti paska ardhur në Pekin jo për ta mësuar ne, por për të mësuar ne prej gjenialitetit të tij”. Siç thotë dhe prof. dr. Panajot Boga, “te Maksut Drasa vinte e gjithë Shqipëria”.

Maksuti punoi me vetëmohim dhe e drejtoi kirurgjinë me profesionalizëm të lartë, në nivelin më të lartë shkencor, e cila ishte në unison me shkencën perëndimore. Dr. Maksuti duke parë se sallat e operacionit të Spitalit Ushtarak që ishin jo aq funksionale për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës, ngaqë secili pavijon kishte sallën e vet të operacionit, atëherë gjenialiteti i tij bëri që ai të ideojë, projektojë, ndërtojë dhe vë në funksion bllokun operator bashkë me sallat e urgjencës kirurgjikale.

Ky bllok operator modern mundësoi që të përballonin me sukses të gjitha traumat dhe urgjencat kirurgjikale që në vitet 70-të dhe deri sot. Për më tepër, edhe gjatë këtyre viteve të fundit, përballoi dhe shpëtoi me mijëra jetë njerëzish. Ajo ngeli për 30 vite demokraci e vetmja qendër kirurgjikale, funksionale. Ekspertët e huaj të ardhur në Spitalin Ushtarak për bashkëpunim shkencor janë habitur nga ky bllok operator urgjence, multifunksionale.

Përfaqësuesi austriak është shprehur: “Do ta quaja veten si një nga njerëzit më me fat po të kisha takuar dr. Maksutin, gjenialiteti i të cilit arriti të ndërtojë këtë bllok operator, me vizion kaq largpamës, sa ne në Vjenë nuk e kemi ndërtuar akoma”. Dr. Maksut Drasa cilësohet nga populli si “Kirurgu me duar të arta”. Ky gjeni për më shumë se 60 vite shkriu gjithçka për gjënë më të shtrenjtë që ka krijuar nëna natyrë: jetën njerëzore.

Dr. Maksuti pa dyshim ka një vend nderi në panteonin e kirurgjisë shqiptare dhe botërore. Gjithashtu, emri i tij është shkruar në enciklopedinë amerikane si një nga gjenitë e shekullit XX. Absolutisht, Dr. Maksuti është i vetmi kirurg në Shqipëri që është marrë dhe ka shkëlqyer në të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale & traumat në të gjitha pjesët e trupit. Personalisht, gjatë gjithë karrierës së tij profesionale ka kryer rreth 250.000 ndërhyrje kirurgjikale.

“Bëm baba të të ngjaj!”

I biri i dr. Maksut Drasës, prof. dr. Kim. M. Drasa, me sukseset e tij ka përforcuar teorinë e gjenit të trashëgimisë.

Prof. Kimi ka kryer një veprimtari të gjerë kërkimore e shkencore. Ai është autor i shumë artikujve shkencorë, botuar në revistat më prestigjioze botërore urologjike dhe seksologjike. Prof. Kimi ka referuar studime në 60 Kongrese në të gjithë Europën deri në USA, Japoni, Pekin, Afrike (urologji & seksologji).

Prof. dr. Kim Drasa ka marrë titullin “Emër i Spikatur në Fushën e Publikimeve Urologjike Europiane” (2012). Aleanca e Urologëve të Amerikës i ka dërguar zyrtarisht UMT-së një letër me këtë tekst: “Z. Kim M. Drasa është i kompletuar plotësisht si profesor në urologji, urolog i supertrajnuar dhe përmbush nivelin e ekselencës dhe Akademik në urologji” (Scott MacDiarmid, 2016).

Një nga 29 anëtarët e portalit zyrtar të “Post Finasteride Syndrome – FOUNDATION” (New Jersey, USA) mjekon pacientë nga gjithë bota për problemet e lidhjes së mjekimeve të prostatës me impotencën. Anëtar i portalit zyrtar të seksologjisë botërore (ISSM Find A Provider Directory – Executive Office, Netherlands).

Ka botuar tre libra për urologjinë dhe seksologjinë Prof. KIM mori çmimin e vendit të parë (8 nëntor 2019) në Simpoziumin e 4-t vjetor ndërkombëtar “Kanceri i prostatës & onkologjia urologjike”, në Qendrën Kërkimore Shkencore për Zbulimin dhe Mjekimin e Kancerit të Prostatës, e atashuar në spitalin më të madh të Nju Jorkut, në “Mount Sinai Hospital” (Manhatam, NY), me studimin “PSA dhe prostata”.

Prof. KIM M. DRASA, mjek i nivelit shkencëtar, aktualisht edhe me këtë çmim të parë që mori në Nju Jork (USA), absolutisht ka arritur në majën e elitës së shkencave mjekësore./Panorama.com.al

error: Content is protected !!