Categories
Histori Personalitete Sport

Më 21 dhjetor 1976, lindi atletja rekordmene Mirela Manjani

Mirela Manjani nuk ka qenë një atlete spontane, por prodhim i laboratorit modest shqiptar të atletikës. Më 8 maj 1990 në Durrës, në një stadium me pedanë e pistë të një toke “virgjine”, atëherë 14-vjeçare, Manjani e kishte lëshuar shtizën e moshës së saj në largësinë 48.80 metra, një rekord kombëtar për 14-vjeçaret, që ekziston ende deri më sot.

Ajo ishte një nxënëse e klasës së 8-të të një shkolle dhe ky ishte rekordi i parë i saj. Një vit më vonë 54.86 – rekord kombëtar për moshën 15-16 vjeç. Dhe dy vjet më mbas në Tiranë, rekord për moshën 17-18 vjeç me 54.86 metra. Ka qenë 2 maj 1993, dhe, më 2 korrik 1994 në Ankara, Mirela shpërthen me titullin e Kampiones së Ballkanit për të rejat, me 57.20, çka ishte njëkohësisht rekord absolut kombëtar për Shqipërinë. Dy muaj më vonë është Kampione e Ballkanit për të rriturat me 56.62 metra.

Më 1996 Mirela fiton medaljen e artë në Kupën e Europës “Bruno Zauli”. Duhej të ndërhynte shteti. Mirela Manjani duhej të stërvitej në kushte të tjera, të niveleve të tjera, të shkallës më të lartë botërore. Dhe ja, një bursë studenteje pikërisht në SHBA, do të përfaqësojë pa dyshim një tjetër çast përcaktues në jetën e asaj, e cila do të bëhej Kampione dhe Rekordmene e Botës, Nënkampione Olimpike, Kampione e Europës, por dhe bronz i Olimpiadës më 2004. Për asnjë sportiste deri atëherë shteti shqiptar nuk kishte bërë kaq shumë.

Ishte zbuluar dhe rritur në Shqipëri, ishte bërë këtu Kampione e Ballkanit, nënkampione e Europës për juniore, finaliste në dy kampionate botërore (juniore e të rritura) – të gjitha këto rezultate të drejtuara prej një trajneri shqiptar: Petrit Kërtusha, të cilin gjithashtu nuk di a e njeh sot dikush. Harresat e turpshme shqiptare, pra!

Petrit Kërtusha ishte njeriu, i cili do të fillonte me shtetin shqiptar një dialog jo pak të ashpër, duke kërkuar një ndihmë, një trajtim special për ta shndërruar Mirelën në atlete botërore. Autori i këtij shkrimi, në atë kohë anëtar i Këshillit Kombëtar të Sportit Shqiptar, është dëshmitar i një periudhe të një tensioni të lartë në kanceleritë e sportit në Tiranë me synimin për të krijuar një trajtim të paparë për një sportist në krejt historinë e Shqipërisë. Nuk ishte e lehtë. Shqipëria kishte vetëm dy vjet në demokraci dhe situata e re juridike, sociale, ekonomike e vendit ishte ende në hapat e para. Por më në fund trajneri i Mirelës triumfon dhe një vendim i jashtëzakonshëm, i posaçëm, arrin të bëjë të mundur trajtimin special për këtë margaritar të sportit shqiptar në tërësi. Ishte vërtet një përjashtim.

Dhe më 23 mars 1996, Mirela Manjani në një “meeting” në Alabama arrin rekordin shqiptar të shtizës me 62.46 metra! Shifër botërore natyrisht. Dhe shì në këtë çast magjik të saj, papritmas qe thënë që të mbyllej jeta sportive shqiptare, fama shqiptare e shqiptares Mirela Manjani.

Sevilje 1999. Mirela Manjani, Kampione dhe Rekordmene e botës

I kishte lënë Shqipërisë së saj këtë skedë kaq të pasur historie:

MIRELA MANJANI

Lindur në Durrës (Shqipëri) më 21 dhjetor 1976 Historia e saj e pasur me Shqipërinë:

1990: 48.30 m. Rekord kombëtar NEN 14
1991: 54.86 m. Rekord kombëtar NEN 15-16
1993: 54.86 m. Rekord kombëtar NEN 17-18
1994: 57.20 m. Kampione e Ballkanit Juniore

1994: 56.62 m. Kampione e Ballkanit të Rritura
1994: 53.40 m. Finaliste (e 8-ta) e Kampionatit Botëror Juniore
1995: 55.56 m. Finaliste (e 12-ta) e Kampionatit Botëror (62.40 në kualifikim)
1995: 59.36 m. Kampione e Ballkanit Juniore

1995: 57.28 m. Nënkampione e Europës Juniore
1996: 59.90 m. Medalje Ari në “Bruno Zauli”
1996: 62.46 m. Rekord i Shqipërisë në Alabama
1996: 55.64 m. E 14-ta në Olimpiadën e Atlantas

Nga Beznik Dizdari/Marrë me shkëputje nga Panorama.com.al

error: Content is protected !!