Skip to content
Menu
Monitori
  • Home
  • Art
  • Histori
  • Kulture
  • Personalitete
  • Sport
  • Thenie
  • Kuriozitete
Monitori

Më datë 14 shkurt të vitit 1990, mori nënshtetësinë shqiptare Shenjte Tereza

Posted on February 14, 2022 by Monitor

Më datë 14 shkurt të vitit 1990, mori nënshtetësinë shqiptare Shenjte Tereza.

“Tereza”, siç e njohi bota mbarë Anjezë Gonxhe Bojaxhiun pasi iu kushtua murgërisë në moshën 18-vjeçare, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Gonxhja ishte fëmija i tretë që vinte si fryt i kurorës së vënë mes Nikollë Bojaxhiut nga Mirdita dhe Drane Barnajt nga Gjakova.

Mësimet e para dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Pasionet e saj vajzërore ishin mësuesia, të shkruarit, diktimi i poezive dhe muzika, të cilat të marra në asambël pasqyrojnë ndijimet e thekshme që e prinë drejt vokacionit sipëror, fesë.

Më 26 shtator 1928, Nënë Tereza do ta linte Shkupin për të nisur misionin e saj fisnik në shërbim të të pamundurve, pa ditur se prej kësaj dite, do t’u jepte lamtumirën për së gjalli nënës dhe motrës së saj. U vendos në Kalkutë të Indisë, ku fillimisht qe mësuese, sikurse dëshironte hershëm. Më pas, u caktua drejtoreshë e shkollës së atyshme të vajzave.

Në kuadër të shërbesës së përkushtuar ndaj nevojtarëve, themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951). Për këtë përulësi të pashembullt, do të vlerësohej në vitin 1979 me çmimin Nobel për Paqe, prej nga ku u mësua faqe globit kombësia e saj shqiptare.

Në pasqyrën përmbledhëse të veprimtarisë së “shqiptares trupvogël” në Kalkutë në mesin e viteve ‘80, përmblidheshin: kujdestaria e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekimi i 960,000 të sëmurëve në 213 dispanseri, trajtimi i 47,000 viktimave të lebrozës në 54 klinika, përkujdesja ndaj 3,400 të moshuarëve të braktisur dhe birësimi i 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë.

Nënë Tereza mbylli sytë përgjithmoë më 5 shtator 1997. U shpall “E Lume” nga Papa Shën Gjon Pali II më 19 tetor 2003, ndërsa shenjëtëria e saj u përjetësua edhe me titull nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.

Fotoja e mëposhtme ilustron vizitën e parë në Shqipëri të kësaj ambasadoreje të pashembullt të sakrificës gjer në vetëmohim, në emër të dashurisë për njerëzimin.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave

©2022 Monitori | Powered by WordPress & Superb Themes