Categories
Histori Personalitete

‘Mos e përbuz gjuhën e nanës s’ate, çdo shqiptar asht vllau yt’/ Princ Leka uron Festën e Flamurit përmes këtij mesazhi

Princ Leka ka uruar shqiptarët në të gjitha trevat ku jetojnë për Festën e Flamurit, 28 Nëntorin ku këtë vit shënohet edhe 109-vjetori i Pavarësisë.

Ai ka publikuar edhe tekstin që sipas tij ndodhet në faqen e fundit të Pasaportës së Mbretërisë Shqiptare, ku jepen mesazhe të forta.

“Të puth në zemër flamur i përgjakur, flamur që i strehon të gjithë në gji…
Lum ata që të duan dhe të nderojnë, e mjerë ata të babëzitur që ta zbehin shkëlqimin, mjerë ata, se të pangopur e të palumtur do i kthehen tokës tënde…”, shkruan Princ Leka në statusin e tij.

POSTIMI I PLOTE I PRINC LEKES

Të dashur motra dhe vëllezër shqiptarë kudo që jetoni,

Ju uroj nga zemra gëzuar festën e Flamurit tonë kuq e zi!

Ai flamur i shenjtë është aroma e bjeshkëve, kreshta e maleve, flladi i rivierës, shkëlqimi i diellit mbi fushat e gjera me lule, dallgët e detit Adriatik dhe kthjelltësia e ujrave të detit Jon, vërshimi i Vjosës, freskia e Drinit, thellësia e kanioneve, kalatë mesjetare, legjendat e lashtësisë, larmia e folklorit, betejat në breza për liri, gjuha e vjetër dhe më e ëmbla!

Të puth në zemër flamur i përgjakur, flamur që i strehon të gjithë në gji…
Lum ata që të duan dhe të nderojnë, e mjerë ata të babëzitur që ta zbehin shkëlqimin, mjerë ata, se të pangopur e të palumtur do i kthehen tokës tënde…

Një urim të veçantë kam për shqiptarët në Kosovë, luginë të Preshevës, Medvegjë e Bujanocë, Mal të zi, Maqedoni të veriut, dhe Çamëri. Faleminderit që e mbani gjallë atdhedashurinë duke u bërë frymëzim patriotizmi edhe për ne që atdheun dhe lirinë i marrim të mirëqënë…

Ne foto: teksti është në faqen e fundit të Pasaportës së Mbretërisë Shqiptare, 1928-2002./Panorama.com.al/

error: Content is protected !!