Skip to content
Menu
Monitori
  • Home
  • Art
  • Histori
  • Kulture
  • Personalitete
  • Sport
  • Thenie
  • Kuriozitete
Monitori

“Nën kreshtën e bardhë Gjonpepaj”, mbresa nga libri i Mëhill Pepës

Posted on January 22, 2022 by Monitor

Nga Zhuljeta Grabocka

Nuk e di, pse libri i Mëhillit më kujtoi punën skrupuloze të skribëve. Ndoshta ishin kujtimet e mbresat e mia mbi personalitetin e tij, si bashkë stundentë në fakultetin e filologjisë. Fjalë pak e kërkues ndaj vetes, Mëhilli mishëron njeriun e drejtë, që bën një jetë të paqtë e me parime. Tek ai ndershmëria e virtyti, si shenjtërim i së mirës së shpirtit, ishin aq të natyrshme, sa ajri i bjeshkëve që kishin thithur mushkëritë e tij. Edhe tani, mbas 40 vitesh, kur më ra në dorë librit i tij “Nën Kreshtën e bardhë” u binda se njerëz të tillë janë projektim i rrethanave e mjedisit ku janë rritur. Mëhillin e ka shqetësuar “heshtja kaq e gjatë”, e mendonte se duhej dokumentuar e sistemuar në letër, diçka për Gjonpepajt. Ai ka e ndjekur me kërshëri edhe e thithte në ajër me mirënjohje gjithçka shkruhej për vendlindjen, i bindur se kishte erdhur koha, për një vepër “nistare” që do të plotësohej në rrjedhën e viteve edhe prej shkrues të tjerë. Me këtë projektshkrimi autori ka krijuar “sagën” e historisë së themelimit të Gjonpepajt, këtij fshati me një emër të njohur në Nikaj Mërtur e më gjerë, në Tropojë e Shqipëri.

Duke krijuar pemët gjeanologjike të fiseve e familjeve të të parëve të tij, Mëhilli tregon rrënjët e thella, duke përshkruar pëllëmbë për pëllëmbë, çdo çopë tokë e shtëpi, e gjithçka përbënte ekonominë e tyre në realizimin jetësor. Lidhja e natyrës me njeriun përshkruhet në raport me veten e të tjerët, në luftën e përditshme, në sakrificë e privime, ndaj kushteve të ashpra natyrore e izoluese, por gjithsesi, ne si lexues na e bëjnë të dashur e të shtrenjtë, Gjonpepajt, dhe jetën plot dinjitet të malësorve të kësaj zone. Vendlindja e tij përmes fjalës së kulturuar në normë letrare vjen, me të gjitha ngjyrat e madhështisë me të cilat ajo shpërfaqet, dhe ka nxitur shekuj më parë, fantazinë e imazhin artistik të këngëve legjendare të “Eposit të kreshnikëve”.

Libri është strukturuar në kapituj, për të na i dhënë të plotë si në skenarin e një filmi serial, historikun e vendlindjes, shtrirjen, kufizimin, ndarjen në lagje, klimën, me saktësi gjegrafike e detaje siç është dimri apokaliptik, i vitit 1954, “e bors s’madhe”etj… Bimësia, gjendja ekonomike, mënyra e jetesës, blektoria përshkruhen në rrjedhën e tre shekujve, nga datimi i themelimit të fshatit deri në kohën e sotme. Informacionet jepen me një objektivitet e realizëm të ndjerë. E veçanta e kësaj pjesë të Shqipërisë së Veriut, frymon në katër stinët e vitit, e në katër stinët e jetës së njeriut. Në faqet e tij fryjnë erërat e viteve, me universialitetin ideogramës sinfonike Vivaldiane nën qeleshen e bardhë, në trup, mendim e shpirt të paqtë.

Skribët dinin të shkruanin në mënyrë të përsosur dhe dinin përmendësh të gjithë hieroglifet. Edhe Mëhilli megjithëse e dinte që kjo nuk do të ishte një punë e lehtë, ka bërë një punë hulumtuese për tu dhënë bashkohësve të tij, por dhe lexuesit historik një tablo sa më të plotë të paraardhësve te tyre emër për emër, në të veçantën e tyre. Dihet që shkrimet e para nuk gjenden në letër, por në muret e shpellave të banuara nga njerëzit parahistorikë. Por këto shkrime ideografike, me figura të thjeshta e të zakonshme të skenave të gjuetisë apo të riteve të magjisë kanë forcë dokumentuese të patjetërsueshme.

Formimi filologjik i Mëhillit, dashuria për vendlindjen e bashkëfshatarët i ka dhënë mundësinë të shkruaj një vepër me parametra bashkëkohore. Ai ka realizuar një vepër referuese, voluminoze, të realizuar artistikisht që do të shërbejë edhe për shkrime më të thelluara etno kulturo psikologjike në të ardhmen. Shkrimi historik i kujtimeve është bërë tashmë një prurje e re në letrat shqipe. Ai, është më shumë se një regjistrim i ngjarjeve e fakteve. Jo të gjitha ngjarjet e kujtimet janë të lumtura. Shkrimi i kujtesës historike mund të jetë terapeutik, edhe pse mund të jetë i dhimbshëm. Analisti Jungian John A. Sanford në librin e tij “Shërimi dhe tërësia” nënvizon se: “Jeta jonë duhet të ketë një histori, në mënyrë që të jemi të plotë”. Në kohën tonë gjithnjë e më shpesh dëgjojmë: “Të gjithë kanë një histori për të treguar”, sepse shkrimi shprehës përmirëson shëndetin dhe lehtëson dhimbjen emocionale. Ky fakt letrar e bën dhe më aktual dokumentimin e emigrimit e braktisjen e Gjonpepajt, prej lëvizjes së lirë të njerëzve, drejt një apel social e human për t’i kthyer sytë e kontribuar në “tokën e premtuar”. Aty ku mendja e shpirti liridashës ka shkruar “testamentin e vjetër të vlerave” e i bën krenare Gjonpepajt ku do që ndodhen sot anë e mbanë globit./Fjala.al/

©2022 Monitori | Powered by WordPress & Superb Themes