MENYJA E NJËJTË PËR TË GJITHË
Nata e Vitit të Ri ka qenë thuajse e njëjtë për të gjithë. Një pulë, ose gjel deti të marrë një muaj më parë e të ushqyer me ullinj në banjën e pallatit, apo oborrin e shtëpisë, majonezë dhe bakllava ose kadaif. Raki, nëse gjeje të Skraparit apo Përmeti, ishte kënaqësi, dhe verë të markës “Riesling”, “Tokai”, apo “Shesh i zi” ose “i bardhë”, “Merlot”, “Kallmet” të cilësisë së dytë që kushtonte 42 lekë, pasi kjo ishte më e lehtë për t’u gjetur. Cilësia e parë, si ajo “Pino Nero”, kishte tjetër destinacion.
Birra ishte me shishe e Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi” Tiranë. Shumë të ngarkuar me punë ishin furrat. Çoje tavën dhe merrje një letër me numrin, që korrespondonte me një llamarinë metalike që furrtari e ngulte mbi pulë. Njerëzit merrnin bukë rezervë, pasi dyqani mbyllej për dy ditë. Përgatitja për natën e Vitit të Ri ishte tejet lodhëse për gratë, që gatuanin pa pushim gjatë gjithë ditës në kushtet e hapësirat e ngushta dhe aspak komode të apartamenteve të ngritura gjatë socializmit. Të privilegjuara ishin familjet që kishin siguruar limonë apo portokalle nga bregdeti, si diçka të rrallë për kohën. Në shumë raste kishte grupe të rinj, miq e shokë, që mblidheshin atë natë në shtëpinë e dikujt, për të dalë në shesh pas orës 12-të pas mesnate.
NJË FESTË NDRYSHE NË TIRANË
Tirana u ka dhënë gjithmonë tjetër ritëm pragfestave, sidomos momenteve para ndryshimit të viteve. Nata mes dy vitesh, për ata që e kujtojnë, sidomos mesvitet ’60-’70, ka qenë e veçantë. Pak çaste para se dy akrepat e sahatit të madh të bashkoheshin, qindra të rinj e të reja i gjeje në sheshin para Pallatit të Madh të Kulturës (ndërtuar në vitin 1964), duke festuar, imituar dhe kënduar këngë të njohura, kryesisht të huaja. Gjithçka spontane jo e organizuar, por e sajuar nga disa pasionantë, që banonin kryesisht në qendër të Tiranës, pasi zonat e tjera ishin pak larg dhe vështirë të vije kur mjetet e transportit në ato orë nuk kishte. Dikush vinte me pajton i veshur me kostum të zi, borsalina apo cilindra në kokë, duke imituar aktorët Zhan Mare apo Alen Delon, duke hipur te kolonat e duke uruar në frëngjisht Vitin e Ri, dikush tjetër këndonte këngë të famshme të kohës, ato të Xhoni Hollideit etj./Panorama.com.al/