ërvjetori i vdekjes së piktorit Zef Kolombi ;
Zef Kolombi (Sarajevë 03.03.1907 – Shkodër 23.01. 1949) Piktor
Zef Kolombi ishte një nga piktorët e rëndësishëm të artit realist shqiptar të gjysmës së parë të shekullit XX. Kolombi, i mbetur jetim në moshën 4 vjeç, kthehet nga Sarajeva në Shqipëri dhe rritet së bashku me motrën në shtëpinë e gjyshes në Shkodër, Më 1929 – 33 ishte student në Institutin e Arteve të Bukura në Romë. Pas kthimit në atdhe Kolombi caktohet mësues vizatimi në shkollën normale të Elbasanit (qytet në Shqipërinë qëndrore) dhe në vitin 1941 vendoset familjarisht në qytetin e Shkodrës.
Prej tij njihen rreth 50 vizatime dhe piktura duke filluar nga vepra e tij e parë e nënshkruar në vitin 1926. Shumica e veprave janë pa datë dhe të panënshkruara.
Në veprat e Kolombit, që janë kryesisht peizazhe, portrete dhe natyra të qeta ndjehet prirja realiste për materializimin e objekteve. Si peizazhist Kolombi është piktor i natyrës, atë e tërheq peizazhi i fshatit, ku ai evidenton fuqishëm dritën e diellit. Piktura e Kolombit është thellësisht realiste, ajo përshkohet nga një qetësi e thellë që shpesh herë ka trajtat e një melankolie. Në disa nga veprat e fundit të Kolombit (mbas viteve ’40, si: „Tri rriska shalqinj“, 1940 (GKA, Tiranë); „Djali në kopësht“, 1941 (GKA, Tiranë);; „Portreti i Julianit“ 1946 (GKA, Tiranë) dhe „Autoportret“, 1947 (GKA, Tiranë) penelatat janë më ekspresive dhe ndjehet një prirje impresioniste.
Në fondin e GKA, Tiranë ndodhet një koleksion prej 33 veprash të artistit Zef Kolombi (ndër të cilat dhe koleksioni i tetë vizatimeve me laps dhe tush të realizuara gjatë viteve të qëndrimit në Itali (1929 – 1933). Katër vepra ndodhen në fondin e Galerisë së Arteve, Shkodër, një vepër e titulluar „Kostum shkodran“ (1947, vaj mbi kanavacë) ka qenë ekspozuar në koleksionin e veprave të artit të selisë së Presidencës së Republikës së Shqipërisë (1992-2014).
Disa vepra të artistit ruhen edhe në koleksionet e të afërmve të artistit. Krijimtaria e piktorit Zef Kolombi është dëshmi e një krijuesi të tërhequr nga piktura e ditës dhe zhurma e jetës“. Kolombi priret drejt një pikture më elitare, gjë që ndjehet qartë në disa nga tablotë tij më të rëndësishme si: „Portret plake“ 1937 (GKA, Tiranë), „Tri rriska shalqinj“ 1940 (GKA, Tiranë) dhe „Rrush dhe dardhë“ 1940 (GKA, Tiranë). Kolombi me realizimin e natyrave të qeta krijoi traditën e lëvrimit të kësaj gjinije në historinë e artit shqiptar.
Ylli Drishti / Studjues art