Categories
Histori Kulture Kuriozitete

Poezia e parë shqipe dhe autori i saj

Lekë Matrënga, i njohur si Luca Matranga, ka lindur më 1567 në fshatin Hora e Arbëreshëvet/”Piana degli Albanesi”, ka vdekur më 1619 në Palermo./Konica/

Ishte prift dhe shkrimtar arbëresh nga Siçilia, Itali.

Studoi në Kolegjin e Shën Athanasiusit në Romë, themeloi në vendin e lindjes shkollë. Libri i tij me titull “E mbsuame e krështerë”, shkruar në vitin 1592, përbën dokumentin e parë filologjik të toskërishtes së shkruar dhe të dytin të shqipes, fill pas “Mesharit” të Gjon Buzukut.

Matranga përdori gjuhën shqipe, arbërishten e folur në Piana degli Albanesi, ndryshuar në disa tipare fonetike, në mënyrë që të kuptohej edhe nga arbëreshët e kolonive të tjera. Libri përbëhet nga 28 fletë.

“E mbsuame e krështerë”, e njohur dhe si “Dottrina Christiana”, u botua në Romë më 1592.

Kjo vepër, në 28 faqet që ka, me përmbajtje shpirtërore e katekistike, tejet e rëndësishme për kishën arbëreshe, përfshin edhe një vjershë me tetë vargje, që përbën llojin e parë të vargut të shkruar shqip. Vepra është një doracak fetar për doktrinën e krishterë në formë pyetje-përgjigje.

Vepra është e rëndësishme edhe për dokumentimin e një faze të vjetër të të folmeve të arbëreshëve të Siçilisë; ajo paraqet interes edhe për vjershën e shkurtër botuar në atë vëllim, dokument i parë e botuar i vjershërimit shqip.

Matrënga sjell me këtë vepër, poezinë e parë në gjuhën shqipe. Poezia, veç të tjerash, ka rëndësi të veçantë edhe për faktin se gruan, femrën, e përmend që në vargun e dytë të saj… Kultura e hershme shqiptare e vlerësonte gruan, si faktor po kaq të rëndësishëm në shoqëri sa edhe burri.

Po jua risjellim në vëmendje vjershën “Këngë e përshpirtshme”, në origjinal, që konsiderohet si një nga vargëzimet e para në gjuhën shqipe:

Gjithëve u thërres, kush do ndëljesë
Të mirë të krështē, bura e grā
Mbë fjalët të Tinëzot të shihi meshë,
Se s’ishtë njerī nesh çë mkatë s’kā

E lum kush e kujton se kā të vd’esë
E mentë bashkë mbë tënëzonë i kā
Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë
E bën për bīr të tij e për vëllā

Vargjet në gjuhën e sotme shqipe, do të tingëllonin kështu:

Të gjithëve ju thërres, kush do ndjesë,
Të krishterë të mirë, burra e gra,
me fjalë të Tënzot të shihni Meshë,
se s’është njeri prej nesh që mëkate s’ka.

E lum kush kujton se do të vd’esë.
E mendtë bashkë në Tënzonë i ka,
se Krishti në parajsë atij i bën pjesë,
e bën për bir të tij e për vëlla”.

error: Content is protected !!