Qeveria e të “rinjve” ose e “Doiç-kulturës” – nga Dr. Hasan Bello
Pas kryengritjes së Fierit në vitin 1935, qarqet e huaja diplomatike dhe sidomos ministri britanik në Tiranë Ejres do ta këshilloi Mbretin Zog që të sillte në fuqi një qeveri liberale. Kjo do të shërbente për të zhdukur përshtypjen e gabuar të opinionit publik ndërkombëtar dhe vetë shqiptarëve, për shkak të propagandës antizogiste që emigracioni politik kishte zhvilluar ndaj masave represive që qeveria e Pandeli Evangjelit dhe ministrit të Punëve të Brendshme Musa Juka, kishte ndërmarrë për shtypjen e kësaj lëvizjeje.
Për këtë arsye, më 21 tetor 1935 Mbreti Zog do të ngarkoi për formimin e qeverisë së re Mehdi Frashërin. Kjo quhet ndryshe qeveria e të “rinjve” ose e “Doiç-kulturës”.
Sipas kujtimeve të gazetarit Zoi Xoxa, “Doiç-kultura” ishte bërë si një klan më vete. Anëtarët e saj nuk shoqëroheshin, veçse kur nevojitej, me ata të kulturave të tjera. Edhe kafenetë në Tiranën e këtyre viteve ishin ndarë sipas shkollave dhe shteteve ku kishin studiuar. Kështu, këta të “Doiç-kulturës” mblidheshin kryesisht në “Bella-Venezia” dhe me njëri-tjetrin flisnin vetëm gjermanisht. Shqip, ata thekson Zoi Xoxa, flisnin shumë pak. Ai përshkruan dhe një rast kur kishte shkuar në zyrën e ministrit të Financave Rrok Gera, duke biseduar kishte hyrë sekretari i Përgjithshëm Sokrat Dodbiba, me disa akte në dorë dhe kishte filluar t`i raportonte gjermanisht. Pas kësaj bisede, i çuditur, ai kishte filluar t`i kërkonte llogari ministrit, se ç`ndryshim kishte mes saj dhe një zyre gjermane? I zënë në faj, ministri i kishte kërkuar ndjesë.
Por çe shtynte Mehdi Frashërin që ishte diplomuar në Samboll ta mbushte qeverinë me gjermanofonë? Ndoshta i biri, Vehbi Frashëri, që ishte vetë i “Doiç-kulturës”.
Pavarësisht kësaj dhe kohës së shkurtër që qëndroi në detyrë, ajo njihet si qeveria e të rinjve dhe personaliteteve më të shkolluar, e shtetarëve dhe specialistëve më të mirë që Shqipëria ka patur deri sot./Naishtedikur.com/