Categories
Histori Kulture Kuriozitete

Shoqnia kulturore “Bogdani” e viteve 20-të në Shkodër

“Shoqnija Bogdani” dhe ngritja artistike e teatrit shkodran në afishet e kohës.Shfaqet teatrore te “Shoqnisë Bogdani” në vitet 1919-30-të të shekullit të kaluar. Patriotizmi në teatrin e kohës te “Shoqnija Bogdani”. Njerzit e teatrit shkodran, në aktivitetet e “Shoqnisë Bogdani” në Shkodër. Një nga shoqëritë më me emër në Shkodër, një nga shoqëritë artistike, teatrore, por edhe muzikore me një sukses të madh, ka qënë ajo e quajtur “Shoqnija Bogdani”. Formimim i saj i përket viteve 1919-të dhe në organizimin e saj, ishte pjesa dramatike dhe ajo e farsës, por edhe komedia, e cila vazhdimisht bënte pjesë edhe në saj të humorit të jashtëzakonshëm të organizatorëve të saj.

Në “Muzeun e Shkodrës” është një koleksion i mrekullueshëm i afisheve të kohës, ku dalin në mënyrë të qartë, jo vetëm qëllimi i kësaj shoqërie kulturore patriotike kryesisht, por edhe emrat dhe aktorët e teatrit shkodran të viteve 20-30-të në qytetin, ku jeta kulturore, ishte më e zhvilluar dhe më kualitative se në të gjithë trevat shqiptare. Afishet në fakt, janë edhe dëshmia e madhe e paraqitjes së artit dramatik dhe komedisë, por edhe muzikës së kohës, e cila luhej në mes të pjesëve dhe nganjëherë banda e “Shoqnisë Bogdani”, krijonte folklorin e pa përsëritëshëm të Shkodrës, në traditën e saj të madhe dhe të vjetër, sidomos në zonën e lagjeve Gjuhadoll dhe Serreq.

Një nga afishet më të rëndësishme e vitit 1913-14, e cila në fakt nuk ka asnjë përcaktim të qartë, por dilte në kohë të përcaktimit të kufijve, i paraprin edhe shoqërive “Rozafat” dhe “Bogdani” të formuara e para në vitin 1918-të dhe e dyta në vitin 1919-të. Në këtë afishe, është stema e Shqipnisë së madhe, dhe thotë: Shkodra kryegjyteti i Berdylit bujar, in Teutës vigane, i Gencit kreshnik, qëndra e Shqypnis ethnografike….! Pastaj vazhdon se “në shej nderimit” ndaj zotnit e Komisjonit Internacional qi mrriten në këtë qytet, per me caktue kufijt e Atdheut t’onë….tfaqë “NË SALON TË JEZUITËVE” melodramin original kombëtar “Ora e Shqypnis”.

Pra jemi në fillimet e institucioneve të kulturës, dhe po ju bëhet nder pikërisht autoriteteve të huaja, që arritën të mbanin Shkodrën dhe të vendosnin kufijtë. Lajmërohej edhe një shfaqe e Bandës së Bashkisë së asaj kohe. Por egziston edhe një afishe e shkurtit të vitit 1920-të e shoqërisë “BOGDANI” e cila shfaqte dramën “Fernand Kortez-in” me katër akte, dhe mbas saj “Lojën e gazit”…komedinë “Shkolla e Katundit” si dhe karriket që ishin me dy rradhë ku rradha e parë kushtonte tre franga dhe e dyta, dy franga. Por në vitin 1924-tër fillon drama shqiptare “Duka në Shkodër, në Cetinë e Vraninë”, ku shoqnija “Bogdani” po fillonte të trajtonte temën midis malazezve dhe shkodranëve, por edhe njerzve të heroizmit shkodran dhe shqiptar si Oso Kuka.

Mirëpo përveç kësaj mënyre prezantimi, “Bogdani” ka vënë në skenë edhe “Gjáksorin e Penduem”, ku luanin Kol Mirashi, Cin Çapeli, Kol Vjerdha, Loro Çefa. Luigj Mjeda, Sandër Bushati, Kol. GJ. Harapi, Pjetër Lleshi, Kol .L. Dema, Luigj Ujka. Por shfaqa ka pasur edhe një “Lojë Gazi” ku luanin po këto aktorë dhe personazhet ishin: Ndokë Puthadori, Paçalini, Abdyl Skrapari, Josif Trapazani…etj etj. Natyrsisht që trajtohet problemi qytetar dhe modeli i jetës, por edhe sërish caktohej drejtimi i jetës drejt një shoqërie të kulturuar.

Që me vitin 1922, fillon të luhet “farsa” e titulluar “Dy majmuna në një raft” ku luanin Rr. Zadeja dhe K. Harapi, si edhe Filip Zojsi, por interesant është fakti, se për herë të parë luan edhe aktori i më vonshëm i madh Loro Kovaçi. Te drama “Trimi Mallëngjyes” luan sërish Loro Kovaçi, por shikohet shumë në këtë vite, pjesmarrja e gjithmonëshme e Luigj Mjedës. Në vitin 1922, shfaqet në programin patriotik, drama që merr shkas nga vitet 1907-14 dhe që është titulluar “Flamuri i Shypnis do të Mbretnojë”. Por është interesante se organizatorët falenderonin shkruesin e dramës që ishte vetë prefekti A. Nepravishta.

Që nga viti 1921, dhe deri në fund të karierës së kësaj “shoqnie”, është vënë në skenë “Trimnija e OSO KUKËS” e cila sipas organizatorëve “ka ndollë në vjetin 1858” dhe shpjegohet mbas titullit se : Ose të djegunit e tij në “KULLË të VRANINËS”. Drama jepej ose me 27 Nëntor ose me 28-të, dhe kishte një sukses të jashtëzakonshëm. Akoma më sukses, ka pasur për një farë kohe edhe drama “Veturdhnimi i Ali Pashë Tepelenës” që në “posterat” e kohës thuhesh se po jepej sërish “mas dëshirit të popullit” Kjo dramë është dhënë edhe me datën 30 nëntor, mbasi është dhënë rresht në 27 dhe 28 nëntor, e në atë kohë, jeta kulturore ishte përqëndruar në këtë drejtim patriotik. Në vitin 1926 “Bogdani” shfaqë dramën “Pjetër Mika” dhe lojën e gazit me muzikë “Kushtrim, Dreqi në Dyshek”. Mbas “Trimit Ngazëllyes” në vitin 1927-të, luhej edhe loja e gazit me një akt “ Dy Belbacukët”.

Një nga sukseset e mëdha patrotike, e cila si edhe të tjerat kishte motiv si “qëllim dashësh dhe qëllim mbërritës”, ishte dhe drama “Mustaf Pasha i Shkodrës” me shpjegimin “ma i mrami Vezir shqyptar mi Shqypni dhe Rumeli prej vjetit 1810-1830”. Një nga modelet më të rëndësishëm të krenarisë kombëtare dhe sidomos shkodrane, ishte pikërisht edhe rikthimi i krenarisë historike, në dramat e shoqnisë “Bogdani” dhe trupës së saj aktoreske në Shkodër, dhe kjo shihej qartë edhe te kjo dramë e vitit 1923. Pastaj me rastin e ardhjes së Ahmet Zogut si President i Parë i Shqyptarëve pikërisht me 27 gusht, shoqnija “Bogdani”, ka shfaqë “OSO KUKA” dhe po në atë vit komedinë “ Dy Gungaçat” ku luajnë Ejll Larja, Luigj Mjeda. Gjon Shllaku, Rrok Zadeja etj etj.

Në vitin 1929-tën luhet “Makalushi në Shkodër” dhe në vitin 30-të komedia “Me Paditë nipin te Daja”. Janë luajtur edhe “I paditun për Gjàksi” dhe komedia “Një Mësues Modern”, ku normalisht ka luajtur pjesën e tij edhe i madhi Kol Shiroka me shumë e shumë kolegë të tjerë. “Shoqnija Bogdani” ka qënë një nga ato organizime teatrore dhe kulturore të Shkodrës, që në fakt, edhe nga mbiemrat kuptohet qartë që është bazë e ardhshme e teatrit në Shkodër, dhe po ashtu në Tiranë. Të tilla shoqëri kulturore, Shkodra ka pasur në ato vite, dhe padyshim që jeta e tillë në qytetin tradicional dhe kulturor, është një nga tiparet kryesore të lartësisë së madhe artistike, jo vetëm në teatër, por muzikë, poezi dhe skenografi.

Vetë afishet e “Shoqnisë Bogdani” tregojnë edhe kujdesin për një model perendimor dhe tepër të kujdeshëm në drejtim të organizmit./Nga Besi BEKTESHI/Shkodraweb.com/

error: Content is protected !!