Rosolino Petrotta është një ndër figurat më të shquara intelektuale arbëreshe të shekullit të shkuar, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm për ruajtjen e gjuhës, identitetit, traditave, kulturës arbëreshe si dhe forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-italiane.
Në vitin 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, organizoi, kuvendin, takimin e madh përkujtimor në kujtim të tij në Qëndrën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Palermo, ku u mblodhën arbëreshë, anëtarë të shoqatës Vatra, shqiptarë nga Kosova, trojet e tjera shqiptare dhe nga Diaspora, studiues dhe albanologë të huaj dhe shqiptarë të arratisur nga vendlindja. Petrotta ishte mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Prof. Ernest Koliqit dhe Prof. Karl Gurakuqit.
Themelues i Qendrës Shqiptare për Studime Ndërkombëtare, pranë Universitetit të Palermos, në vitin 1948, me dekret të Presidentit të Republikës Italiane, dhe i Institutit për Studime Shqiptare në Romë, në vitin 1959, nën drejtimin e Prof Ernest Koliqi, gjithashtu me dekret të Presidentit të Italisë. Petrotta vjen nga një familje me tradita të vyera, vëlla i një ndër personaliteteve më të shquara në fushën e albanologjisë, studiuesit Gaetano Petrotta, në bashkëpunim me të cilin si dhe me Karl Gurakuqit, Namik Resulit, At Zef Valentinit dhe Ernest Koliqit, luajtën rolin kryesor në themelimin e këtyre dy instituteve tepër me rëndësi, në Palermo dhe Romë — të cilat jo vetëm kanë promovuar por kanë mbajtur gjallë identitetin, gjuhën dhe kulturën arbëreshe në Itali.
Karl Gurakuqi ka vlerësuar lart punën e kolegut të tij arbëresh dhe rolin që ai ka luajtur në ruajtjen e identitetit arbëresh duke thënë se, “Nuk besoj se më idhnohen Arbëreshët e Sicilisë nëqoftse pohoj se po të hiqet Rozolin Petrota nga lista e atyne që i mbajtën gjallë ndjenjat atdhetare shqiptare në popullsinë arbëreshe siciliane, nuk mund të bahet më një histori e saktë e tyre. Rozolini është i mbrami i radhës së ndritëshme të Arbëreshve që ia ndritë faqet shqiptarizmit në Itali”, në një shkrim të publikuar me rastin e vdekjes tij në shtator të vitit 1969./ Nga Frank Shkreli/Diaspora Shqiptare