Categories
Histori

Si u themelua për herë të parë në vitin 1927 Shkolla e Drejtësisë – Nga Dr. Hasan Bello

Si u themelua për herë të parë në vitin 1927 Shkolla e Drejtësisë – Nga Dr. Hasan Bello

Konsolidimi i institucioneve të shtetit shqiptar shtroi nevojën për nënpunës dhe juristë të kualifikuar. Për këtë arsye, më 29 mars 1927 u dekretua Rregullorja e Shkollës së Drejtësisë, e cila do të ishte institucioni parë në Shqipëri që do të përgatiste gjyqtarë, prokurorë, noterë, avokatë dhe drejtues të administratës publike.

Kjo shkollë do të zgjaste tri vite. Programi i saj përmbante të gjitha lëndët që zhvillohen edhe sot në fakultetet e shkencave juridike.

Profesorët e kësaj shkolle propozoheshin nga Ministria e Drejtësisë dhe emëroheshin me pëlqimin e Këshillit të Ministrave me dekret presidentcial.

Nxënësit e kësaj shkolle, duhej të kishin përfunduar gjimnazin, liceun ose një shkollë ekuivalente.
Më 12 dhjetor 1927, në bazë të Rregullores, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Presidenti i Republikës Ahmet Zogu dekretoi stafin pedagogjik. Ajo që të bie në sy është fakti, se që të gjithë pedagogët ishin personalitete me përvojë në administratë para dhe pas themelimit të shtetit shqiptar.

Kështu, i pari në listë spikat emri i Mehdi Frashërit, si profesor i Ekonomisë Politike. Pas diplomimit në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Stambollit, Mehdi Frashëri kishte mbajtur disa funksione të rëndësishme në Perandorinë Osmane. Në vitet 1912-1913, ai ushtrojë detyrën e guvernatorit të Palestinës, një nga pikat më të nxehta të shtetit osman, si dhe nënkomisarit për Egjiptin. Ai njihej gjithashtu edhe për një studim të thelluar për kapitulacionet.

Juristi i njohur Agjah Libohova u caktua profesor i së Drejtës Penale; Thoma Orollogai profesor i së Drejtës Civile; Harilla Theodhosi profesor i Procedurës Civile; Demir Vila profesor i së Drejtës Romake; Baltasar Benussi profesor i Historisë të së Drejtës; Vasil Bidoshi profesor i Hyrje në Shkencat e Drejtësisë dhe Filozofinë e së Drejtës.

Gjithashtu me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë datë 30 dhjetor 1927 në mbështetje të nenit 6 të Rregullores, sipas vendimit të Këshillit të Profesorave dhe atij të Këshillit të Ministrave nr.12, 3.1.1928, dr.Baltasar Benussi u zgjodh Drejtor i Shkollës së Drejtësisë.

Ky institucion ishte përpjekja e parë për themelimin e Fakultetit Juridik në Shqipëri. Pedagogët e kësaj shkolle kanë dhënë një kontribut të madh për ndërtimin e institucioneve shtetërore. Këtu bën pjesë edhe korpusi i madh i legjislacionit dhe i studimeve, qe ata hartuan me kopetence në fushën e së drejtës.

error: Content is protected !!