Categories
Histori Kulture Kuriozitete

“Sinagoga e Durrësit” – nga Dr. Hasan Bello

“Sinagoga e Durrësit” – nga Dr. Hasan Bello

Prania e elementit hebre në vendin tonë daton që herët, ndonëse në mënyrë të dokumentuar ajo konfirmohet në mesjetën osmane. Në shek.XIV-XV-të në qytetin e Vlorës, Beratit dhe Gjirokastrës me urdhër të sulltanit u vendosën disa familje hebreje, që vinin kryesisht nga Spanja.

Ndërsa në shek.XIX në disa qytete shqiptare si në Manastir, Janinë, etj., për arsye tregëtare dhe ekonomike tashmë ishin krijuar lagje të tëra me hebrenj. Në përmbushje të nevojave shpirtërore, ky komunitet kishte hapur faltoret e tij (sinagogat) dhe shkolla ku të rinjt mësonin fenë dhe kulturën e tyre kombëtare.

Në vitet 30-të të shek.XX rrethanat ndërkombëtare i detyruan shumë prej tyre që jetonin në Gjermani, Austri, etj., që të vendoseshin në Shqipëri. Një rast i ngjashëm, por tashmë për arsye ekonomike, është dhe ai i Isak Avram Kohen, i cili ishte vendosur në Durrës.

Dokumenti i mëposhtëm i hartuar nga Komanda e Xhandarmërisë për prefekturën tregon vëmendjen e autoriteteve lokale lidhur me faktin se ky tregëtar hebre me nënshtetësi greke, në katin e dytë të shtëpisë së familjes Kosturi në të cilën ishte vendosur me qera, kishte çelur një sinagogë. Sipas Komandës, ai ishte njëkohësisht edhe “prift” (rabin-H.B) dhe organizonte lutje çdo ditë feste (të shtunave). Ajo që përbënte shqetësim për Komandën ishte fakti nëse diçka e tillë ishte ose jo në përputhje me ligjet e shtetit.

Nga dokumentacioni mësojmë se autoritetet shqiptare nuk e shihnin me shqetësim ekzistencën e kësaj sinagoge, thejsht ajo duhej legalizuar duke paraqitur një kërkesë pranë Ministrisë së Drejtësisë si çdo komunitet tjetër.

Sidoqoftë, prania e këtij objekti na bën të mendojmë se në qytetin e Durrësit, për të njëjtat arsye që përmendëm mësipër, ishte krijuar një bërthamë e komunitetit hebre, i cili tashmë ndjente nevojën për të patur edhe ai një objekt kulti./Naishtedikur.com/

error: Content is protected !!