Categories
Histori Kulture

Studiuesi i njohur anglez Malcolm zbulon fakte të reja për historinë e Shqipërisë

Disa pjesë të historisë sonë janë shkruar me idealizma dhe jo të bazuara në fakte të vërteta, kështu shprehet një prej albanologëve më të rëndësishëm, dhe studiues shkencor në Oxford, Noel Malcolm.

Këtë e thotë kur vjen puna e figurës së rëndësishme dhe me shumë dritëhije si ajo e Ali Pashë Tepelenës, për të cilën ai plot bindje thotë se i ka kushtuar jetën.

“Unë fillova të lexoja dokumentet që ekzistojnë në arkivat angleze dhe ato franceze, dhe ishin aq shumë dokumente, prej të cilave vetëm shumë pak njihen nga studimet. Më bëri të kuptoj se sa i jashtëzakonshëm, i zgjuar dhe i talentuar, ai burrë ishte në marrëveshjet ndërkombëtare. Merrej me Napoleonin, me mbretin anglez, me sekretarin për çështjet e jashtme ne Londër, edhe me rusët. Ka pasur aftësitë e një diplomati shumë të talentuar. Është një figurë shumë interesante, është shkruar për të në shumë gjuhë, por shumë prej veprave janë idealizuar, dhe jo shumë të bazuara në dokumente dhe e gjithë historia e vërtetë duhet të jetë e bazuar në fakte”, u shpreh Noel Malcolm.

Libri “Rebelët, besimtarët dhe të mbijetuarit” është vepra me të cilën ai u nderua me çmimin e parë Trinia e albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokl, në Akademinë e Shkencave në këtë fund nëntori. Por vepra në vetvete sipas tij tregon një fakt interesant dhe të harruar disi nga Shqiptarët; që kanë performuar me role të rëndësishme gjithkund.

“Është për një libër për dy familje gjatë shekullit të 16, që nisi në Ulqin, dhe pas pushtimit nga Perandoria Osmane shumë prej tyre shkuan në një gji që sot është Sllovenia. Duke gjurmuar nëpër dhjetëra arkiva, 36 besoj, munda që të ndërtoj jetën e 5 apo 6 personave që me një përjashtim të vogël ishin të panjohur për historinë. Njëri ishte Kryepeshkop, tjetri ishte një agjent diplomat për Venecia, njëri ishte agjent në Turqi, për qeverinë spanjolle, dhe më vonë u bë një ministër i lartë në Moldavi. Këto familje kishin një shembull për të gjitha kategoritë, duket si e pazakontë por të gjithë ishin të aktivizuar në gjëra të ndryshme të asaj kohe. Shqiptarët ishin gjithkund duke perfomuar role si agjentë, rregullatorë por disa here edhe si drejtues”, tha Malcolm.

Fakti më interesant që ka shtënë në dorë së fundmi Malcolm nga 36 apo më shumë arkiva që ai ka kërkuar, në vende të ndryshme ne Evropë është autobiografia e parë e shkruar shqiptare e një familje shkodrane, dhe ai i lutet historianeve të rinj që të nisin studimin për këtë dokument.

“Një studim që është i ri dhe që unë e shijova shumë ishte gjetja e autobiografisë të një njeriu të panjohur në Shqipëri, për të cilën unë besoj se është e para autobiografi në Shqipëri, e shkruar në fundin e shekullit të 19-të. Është një punë magjepsëse sepse nuk është politikan, as pasha. Është një njeri i thjeshtë nga Shkodra, babai i të cilit kishte një rrobaqepësi dhe ku qepnin shumë fshatarë rroba sidomos për dasma. Djalin e dërguan në një shkollë jezuite, ai u dashurua me kulturën Italiane, donte që të bëhej prift. U refuzua dhe u kthye ne vendin e tij të lindjes”, u shpreh Malcolm.

Si u njoh me Shqipërinë dhe përse u dashurua me Ballkanin, akademiku Noel Malcolm, shprehet se ishte një libër që ai e lexoi kur ishte edhe student. Vendosi që verërat ti kalonte mes natyrës ballkanike, dhe jo vetëm kaq por të mësonte edhe gjuhët e secili vend, mes tyre edhe atë shqipe.

“Interesi për rajonin e Ballkanit lindi qëkur unë isha student në Keimbrixh, zbulova në një verë këtë pjesë të bukur të Evropës, me male të bukura, më pëlqente të vizitoja fshatra të ndryshme dhe për këtë qëllim çdo vit mësoja një libër dhe një gjuhë të vendeve ballkanike. Mësova Greqisht, Turqisht, Rumanisht, serbo-kroatisht, më në fund mësova edhe Shqipen, jo se isha më pak i interesuar për gjuhën por ishte shumë e vështirë atëherë. Vendi ishte i mbyllur dhe i izoluar dhe ishte e pamundur të gjeje një libër në gjuhën shqipe”, tha Noel Malcolm.

Sa i takon rishkrimit të Historisë Shqipe, ai e shikon me vend, që të kryen akoma studime të thelluara nëpër arkiva të rëndësishme në Evropë, sepse sipas tij asnjë libër historie nuk është i fundit sepse për qytetarët është mirë ti shikojnë faktet ashtu siç janë për të kuptuar një periudhë të caktuar./americaneye/

error: Content is protected !!