Categories
Histori Personalitete

Zogu i bëri shqiptarët popull, komb dhe shtet të respektuar

– Nga Eugen Shehu

Zogu i gjeti shqiptarët turmë, i bëri popull, komb dhe shtet të respektuar

Shqipëria ndërroi regjimin politik nga republika në monarki, më 1 shtator 1928, kur Ahmet Zogu u zgjodh Mbret i Shqiptarëve. Këtë akt të ndryshimit të statusit shtetëror, e para e njohu Italia. Në qëndrimin e Italisë ndaj shpalljes së Monarkisë theksohej: “Qeveria Mbretërore Italiane e konsideron vendosjen e regjimit monarkik në Shqipëri një ngjarje të lumtur që, ndërsa forcon më tej lidhjet që ekzistojnë midis dy vendeve, do të sigurojë vazhdimësinë e politikës së tyre të përbashkët që gjen në Traktatin e Aleancës shprehjen e saj më të lartë. Prandaj Italia do t’i mbetet gjithnjë thellësisht besnike atij mirëkuptimi organik, rezultatet e shkëlqyera të të cilit në politikën e përgjithshme ka dëshiruar t’i nënvizojë Shkëlqësia Juaj. Mund t’ju siguroj se qeveria italiane nuk do të mungojë kurrë të këshillohet me qeverinë shqiptare për çdo problem që mund të ketë të bëjë me interesat tona të përbashkëta dhe të veprojë në marrëveshje me te për të gjitha çështjet që lidhen me situatën në Ballkan” (Joseph Swire: “Shqipëria – ngritja e një mbretërie”, fq.408). Statusin monarkik të Shqipërisë e njohën shumë shpejtë edhe shumica e fuqive të Evropës dhe ShBA-të. Jugosllavia dhe Greqia nuk ishin të kënaqura dhe e pritën me nervozë emërtimin e Zogut “Mbret i Shqiptarëve”, për shkak të aludimit edhe në shqiptarët jashtë shtetit shqiptar. Mirëpo, Jugosllavia asokohe kishte problemet e veta të brendshme, për shkak të vr asjes së deputetëve kroatë në Kuvendin e Jugosllavisë, dhe për këtë shkak shpalli diktaturën, prandaj nuk kishte shumë kohë të merrej me politikën e jashtme. Ismail Kadarea në librin e tij “Mosmarrëveshja” (fq.26), thekson se “Vet shpallja e mbretit Zogu 1 Mbret i Shqiptarëve (e jo vetëm i Shqipërisë), ishte aludim i bashkimit të shqiptarëve”.

Kur flitet për Monarkinë Shqiptare dhe Mbretin e Shqiptarëve, Zogu 1, duhet pasur parasysh kohën, kushtet dhe rrethanat në të cilat punoi dhe qeverisi (apo sundoi) Zogu, kush ishin miqtë dhe armiqtë e Shqipërisë. Duhet pasur parasysh se në çfarë gjendje ishte Shqipëria para dhe çfarë arriti në kohën e Monarkisë, kur u bë një shtet i konsoliduar, i reformuar dhe i respektuar nga brenda e nga jashtë. Gjatë asaj kohe u zhvilluan reforma të rëndësishme për një administratë efikase e të pa korruptuar, gjë që ishte një segment i rëndësishëm për stabilizimin e shtetit. Me reformat në drejtësi që u bënë në kohën e Monarkisë, Shqipëria jo vetëm se u shkëput nga sistemi feudal, por me ligje dhe me një gjyqësi të pavarur u avit me sistemet demokratike të kohës.

U miratua kodi i ri penal dhe kodi civil, sipas shembujve më të mirë të kohës (të Italisë dhe Francës), me të cilët bëri reformë në lëmin e të drejtës penale dhe civile. U bë reforma në sistemin e arsimit, me program kombëtar, laik, iluminist, e me pozitë të volitshme materiale, në suaza të mundësive të vendit e të kohës. Bëri reforma në ushtri e xhandarmëri. Zogu bëri reforma edhe në aspektin fetar: hoqi ferexhen dhe qylahin; ndaloi poligaminë, martesat dhe divorcin i trajtoi si çështje civile, e jo fetare. Reforma agrare e miratuar (1930), nuk mundi të realizohej për shkak të mungesës së fondeve për t’i kompensuar pronarët. Pak kush e din se në kohën e Zogut president (1925), në Shqipëri ishin vu katër linja të brendshme të komunikacionit ajror për pasagjerë dhe postë.

Të gjitha këto Zogu si president dhe si mbret, i korri në saje të zgjuarsisë, vendosmërisë, intuitës, vizionit, ambicieve, patriotizmit, politikës largpamëse dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Për nga rrugëtimi i ardhjes në pushtet dhe reformat e bëra, Ahmet Zogu për Shqipërinë ishte sikur Ataturku për Turqinë. Por, derisa Ataturkun e nderoi dhe gjithnjë e nderon populli dhe shteti i Turqisë, Ahmet Zogun e shau, mallkoi e dënoi shteti dhe populli i Shqipërisë, sidomos regjimi komunist, një konstantë kjo e përbashkët e metodave të luftës politike e për pushtet e shqiptarëve edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Kundër Zogut u bënë dhjetë përpjekje për ta vr arë, dy atentate të drejtpërdrejta, dhe shteti dy herë e dënoi me vdekje; njëherë në kohën e qeverisë së Nolit, e herën tjetër nga diktatura komuniste. Fatmirësisht, më në fund, shteti shqiptar bëri një gjest të mirë në 100-vjetorin e pavarësisë, e ndreqi një padrejtësi, duke i kthyer eshtrat e Zogut e rivarrosur në Tiranë, ku i është ngritur edhe busti.

Për personalitetin e Ahmet Zogut kanë dhënë mendimet e tyre shumë personalitete të njohura të kohës së Zogut, të cilët e kanë njohur nga afër: historianë, ambasadorë, zyrtarë e bashkëpunëtorë

tjerë, madje edhe kundërshtar politik. Historiani britanik Joseph Swire, në fund të librit të tij (“Shqipëria – ngritja e një mbretërie”, botim i vitit 1929), shkruan: “… Shqipëria u ngrit nga thjesht një shprehje gjeografike, në një mbretëri. Nga një rajon i një perandorie të rrënuar ajo u bë shtet i pavarur, me të gjitha mundësitë për përparim, me një monedhë të stabilizuar, një politikë të jashtme të arsyeshme, një aleat të fuqishëm dhe një sovran të aftë …”.

Ambasadori i ShBA-ve në Shqipëri (1933-1939), Hugh H.Grant, në fjalimin e tij të mbajtur me rastin e varrimit të Zogut (në Paris, 1961), ka thënë: “Unë besoj se historia në gjykimin e saj të fundit, të paanshëm dhe të drejtë, do ta përmend Mbretin e Shqipërisë Zogu 1, si një nga udhëheqësit më të famshëm ushtarak dhe politik të kohës së tij, një prijës patriot dhe trim, me një inteligjencë edhe zgjuarësi të jashtëzakonshme, me të cilat mundi të përballojë dhe të zgjidhë problemet e koklavitura të mbajtjes gjallë të popullit liridashës dhe patriot shqiptar” (“Monarkia Shqiptare”, fq.391).

Ahmet Zogun ndoshta askush nuk e ka sharë më shumë e më rënd se Faik Konica, i cili ishte përfaqësues e ministër i Shqipërisë në ShBA gjatë tërë kohës kur Zogu ishte në pushtet në Shqipëri. Mirëpo, Faiku, pas takimeve me mbretin Zog, më në fund e kishte kuptuar se Ahmet Zogu, ishte një prijës atdhetar i padiskutueshëm. Pas një vizite që i kishte bërë Shqipërisë dhe bisedave me Zogun, në pyetjen e gazetarëve se si e pa Shqipërinë, Faiku kishte deklaruar: “Rregull në vend të trazirës, qetësi shembullore…, udhë të mira dhe tregti atje ku s’kishte veçse pronjë e shpella dhe papunësi, ushtarë të stërvitur në vend të bashibozukëve. Dhe vullneti i patundur që pruri këto ndryshime aqë të shpejtme, është një djalë i ri, të cilit i ka hije kurora e mbretërimit. Vetëm tru të sëmura, s’kanë zotësinë të kuptojnë madhështinë e kësaj fytyre historike” (“Dielli”, 25 tetor 1929).

error: Content is protected !!