NGA JULIA VRAPI
“40 vjet histori në vendin e shqiponjave” vjen përmes fotografive për publikun. Ekspozita që u hap në COD këtë muaj të fundit të vitit përmban katër dekada rrugëtim përmes imazhesh nga fotoreporteri i njohur francez, Michel Setboun. Ekspozita që u hap në Qendrën për Hapje dhe Dialog do të qëndrojë për disa javë për vizitorët. Të rizbulosh detaje të harruara të vendit tonë përmes fotografive të Michel Setboun, ku Qendra për Hapje dhe Dialog shprehet se është një rrugëtim mbresëlënës përgjatë 40 vitesh transformim të Shqipërisë. Fotografi francez Michel Setboun rikthehet pas dy vitesh në COD me një ekspozitë. Personazhe, monumente, fragmente, peizazhe dhe qytete nga Shqipëria, që pas 40 vitesh janë transformuar deri në ditët tona. Në materialin e COD mbi ekspozitën mes të tjerave thuhet, se në këtë seri punësh që janë prezantuar artisti francez përpiqet të shprehë vizionin e tij unik, si një fotograf me eksperiencë.
“Përmes rigjetjes së disa prej personazheve të fotografive nga vitet 1981- 1991, dhe të rifotografuar në 2018-2019, artisti ofron pikëtakime dramatike mes imazheve të së shkuarës dhe së tashmes duke krijuar një panoramë gjithëpërfshirëse dhe unike të zhvillimit të individit dhe shoqërisë shqiptare ndër vite. Në këtë seri të re punësh Setboun përpiqet të shprehë vizionin e tij unik si fotograf me një eksperiencë të gjatë njerëzore dhe profesionale mbi aspekte të jetës së përditshme në Shqipërinë tranzitore post-socialiste, për jetën e qytetit, fshatit dhe rrethinave, peizazhit urban, industrial, post-industrial e post-agrar, dhe dokumentimin e ndryshimeve sociale gjatë dy dekadave të fundshekullit të XX-të dhe më pas gjatë viteve 2000”, thuhet në material.
Dëshmi përmes fotografive
Fotografi kërkon të ngrijë çaste të jetës së përditshme dhe realitetit, në fotografi dhe video, për të krijuar bashkë me personazhet realë një koleksion të vërtetë dokumentues të kohës, të cilat si copëza të një mozaiku, krijojnë historinë, kulturën, etnografinë dhe traditën e një rajoni, e një vendi, thuhet mbi ekspozitën. Në këtë mënyrë, ky projekt i ri i tij mbi Shqipërinë kërkon t’u lërë brezave të ardhshëm përmes shenjave fotografike, edhe një tjetër dëshmi të multidimensionalitetit të jetës në këtë vend, duke krijuar kështu vlera të pazëvendësueshme historike dhe artistike. Ekspozita ka karakter artistik, historik, temporal, por me disonanca kronologjike dhe historike. Për këtë projekt Setboun u shpreh se donte të shkonte nga veriu në jug të vendit por jo vetëm për fotografi, por dhe për tu dhënë mundësi njerëzve të flasin për jetën e tyre. “Dua t’i bie kryq e tërthor Shqipërisë, nga veriu në jug, përmes Shqipërisë qendrore, rivierës, e të rizbuloj njerëzit dhe vendet e fotografive të mia të vjetra, por jo për të bërë përsëri vetëm fotografi.
Ideja është të takoj njerëz për t’ju dhënë mundësinë të flasin për fotografitë e bëra atëherë, por edhe për jetën e tyre në atë kohë. Në fokusin tim do të doja të përfshij edhe disa figura të çuditshme, si fantazma të së kaluarës, rrënojat e vjetra të mbetura nga koha komuniste apo bunkerët”, thotë ai. Michel Setboun është një artist francez i lindur në Algjeri. Pas eksperiencës si arkitekt, ai nisi të punonte si fotograf në vitin 1978 dhe përgjatë dhjetë viteve udhëtoi botën në emër të agjencisë Sipa, duke mbuluar ngjarje të mëdha mediatike. Ai u bashkua me agjencinë Rapho në 1986. Michel Setboun konsiderohet si një ndër foto-reporterët më të rëndësishëm ndërkombëtarë për Shqipërinë. E realizuar pas dy ardhjeve të artistit në Shqipëri gjatë harkut kohor nëntor 2018- prill 2019, ekspozita zhvillohet nën një fizionomi artistike personale të fotografit dhe synon të transmetojë ndryshimet e fuqishme në historinë dhe individin shqiptar gjatë këtyre 25 viteve të fundit të post-komunizmit dhe demokracisë. Ekspozita “40 vjet histori në vendin e shqiponjave” do të qëndrojë e hapur në COD deri në 31 janar të vitit 2021./Sot.com.al