Categories
Kulture

Alpinisti humbi jetën në Pukë, Dom Gjergj Meta:Alpet të vikatën fort e të thanë Ndoc

Ipeshkvi shkruan i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Mulajt, mikut të tij me të cilin kishin vendosur të kryenin një udhëtim, i cili mbeti përgjysëm, duke mos u realizuar kurrë.

Dom Gjergj Meta ka bërë një dedikim prekës për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të specialistit të turizmit Ndoc Mulaj në Pukë. Ipeshkëvi i Rrëshenit shkruan i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Mulajt, mikut të tij me të cilin kishin vendosur të kryenin një udhëtim, i cili mbeti përgjysëm, duke mos u realizuar kurrë.

Nga Dom Gjergj Meta

Fjala e përcjelljes drejt prehjes së fundit… Me siguri ka shumë njerëz që do kishin dashtë me t’i thanë dy fjalë zemret. Ke pikëllue shumkënd me vdekjen tande. E nuk mund ta besojmë që ai trupi yt prej alpinisti tash nuk ka ma fuqi me u çue me i dhanë përgjigje tan këtyne njerëzve që kanë ardhë sot këtu. Nuk e kishe zakon mos me I prit në kambë miqt. E sot janë shumë o Ndoc Mulaj prej gjithkahit që janë trishtue fort për ikjen tande kaq të papritun. E çka me ba tash? Për ty sot kena heshtje e lot, por edhe fjalë, kujtime e takime. Sot këtu ke prej Nikaj Mërturi, prej Dukagjini, prej Puke e prej Mirdite, prej Malësisë së Madhe, Prej Zadrime, prej Jugut e prej Veriu. Ishe i dashtun shumë more Ndoc me buzqeshjen tande, me fjalët e tua që ishin plot humor, por edhe fjalë që kur zenin vend nuk luenin ma prej vendit. Kështu janë burrat e kështu janë fjalët e burrave.

Shpresova deri në fund se do t’ia dalësh, por kur mora vesh se ishe nisë përtej reve e përtej majave, drejt amshimit, m’u përfytyrue maja e Kryqit në Munellë, maja e Zepës dhe e Jezercës, majat e Shalës e të Dukagjinit, të Nikajve e të Mërturit, Rugova e plot maja të tjera që të mblidhen përreth e si dikur burrat e malsisë së Dukagjinit vikasin me të madhe: “I mjeri unë për ty o vllau jem!”. Asht gjama që u bahet burrave Ndoc e ti e din fort mirë këtë gja.

Ti nuk ishe një alpinist që thjesht njeh fshetësitë e maleve. Jo! Ti ishe vetë mal. Ti e alpet ishit nji gja e vetme o Ndoci i Alpeve. Sa hërë u ke folë e sa herë të janë gjegjë. E ato alpe këtë fundviti 2021 të vikatën fort e të thanë: “Sonte Ndoc nuk të lamë me ik. Ke me bujtë këtu përgjithmonë”.

Nuk e bamë kurrë udhëtimin që patëm vendos bashkë. Të pata thanë që nuk jam mësue me ec maleve në kambë e m’u përgjigje: “Pa merak Dom Gjergj se me mue nuk mbetet kush në mal. Veç banu gati. Shkruej llastikët – thonë andej nga ne”. Vërtet kush erdhi me ty nuk mbeti në mal, por këtë fundviti ti nuk u ktheve ma prej Malit.

Burra si ti i bajnë dobi këtij vendi e ti na tregove se asht e mundun me ndejt këtu në këtë vend, me e dashtë e me promovue, e mos me e lanë jetim. Çdo foto, çdo cicërime e jotja në rrjetet sociale, bisedat me ty, banin gjithkend me mendue se sa të bukura janë alpet, se sa i bukur është vendi ynë. Po! Ti na mësove të bukurën Ndoc, atë të bukur që shpesh na e zhyejmë me mediokritetin tonë, me babëzinë e një shoqërie që rend drejt përfitimit, drejt shkatërrimit të së bukurës me mure e çemento, me qiellgëvishtëse e me qëndra tregtare. Ti na mësove se jetohet në harmoni me veten dhe me të tjerët edhe duke përshku malet e duke dashtë natyrën. Kur Zoti e krijoi njeriun, i dha atij tokën me e rujt e jo me e shkatërrue, me u kujdes për të e jo me e kthy në një shkrëtinë. Ty të dhimbej çdo pemë e çdo kafshë e egër. E ti këtë amanet të Hyjit e plotësove çdo ditë të jetës tande e kështu unë të përfytyroj tash përballë Hyjit e më gjëmojnë në vësh fjalët e Tij që thotë: “Eja në luminën e Hyjit tand Ndoc, sepse ti e deshte natyrën, malet e alpet që unë i krijova.” Po, sepse natyra asht ai tempull i madh ku Zoti na ka vendosë e prej nga kemi mundësi me i dhanë lavdi atij. Kush ma shumë se ti ishte afër Tij kur u afroheshe majave e reve. Tash i kalove retë, i kalove majat e u nise për kah amshimi. Pushofsh në paqe Ndoc i dashtun. Krishti të pastë në parriz!

Alpinisti 60-vjeçar Ndoc Mula, specialist i turizmit në Shqipëri ra në greminë në Pukë duke ndërruar jetë. Mula shoqëronte gazetarin Alfred Lela së bashku me 3 persona të tjerë: operatori Gisel Dollani, përfaqësues i shoqatës për Mbrojtjen e Rreqebullit të Ballkanit Ilir Shyti dhe Dorian Malaj për të realizuar reportazhin, në datën 30 dhjetor. Era e fortë dhe dëbora e madhe bëri që Lela, Sula dhe Mulaj të rrëshqisnin. Gazetari u mbajt nga një trung peme, ndërsa Sula dhe alpinisti Mulaj ranë në humnerë, duke shkaktuar vdekjen e 60-vjeçarit.(a.b)/dosja.al/

error: Content is protected !!