ASAJ
I
Si kombet me vetija e me mendime të thjeshtë, q’i falen një fytyre gdhendur në gur a në dru; si kombet më të qytetëruara, që rrinë me orë dhe luten përpara një fytyre bërë me ngjyrë vaji a dy copëra drurë të bashkuar; si ata kombe që marrin me muaj udhë që të venë e t’i falen gurit të zi; si ata të moçmit, q’i falen diellit, zjarrit, shikonin me adhurim të thellë yjtë dhe bëheshin therorë për perëndit’e për perëndeshat, a si ata që dhe sot shtrihen e shtypen nën qere të Budës; ashtu dhe unë, o e bukura ime, dua t’u falem dy yjeve që janë më të bukur se të gjith yjt’e qiellit, dy yjve që janë syt’e shkruar të tu dhe të bëhem hi, o e dashuria ime, nën këmbët tënde vogëloshe!
II
Prill, 1906
N’është vërtet se zemra jote s’rreh kurrë për mua – ashtu si ke dashur të më duash, – në është vërtet se fytyra ime nuk zë asnjë vend në ëndërrimet e tua, pse, o e bukura ime, kur më sheh, ngadalëson çapnë, pse më lëshon vështrimn’ e atij syri tënd të shkruar?
Nuk e di ti si më buçet dhe më zjen gjaknë ay vështrimi yt kaq i qetë dhe i ftohtë? Nuk e di ti si më çpon zemrën ay vështrimi ngjyrë qielli?
Vështrimi yt është si një shtizë në dorë të një djali që lot me një zog; vuajtjet e shpesit i heq dhe zemëra ime. Të lutem pusho, pushoje këtë lodër të gjakme!
Po ç’them unë! shtjermë, shtjermë syt’ e tu, se vështrimi yt, o e bukura ime, m’i thjeshtë se frymë e Jehovajt, i jep gjëllim shpirtit tim.
III
Shënëndre, 1906
Pse ikën ashtu nga unë? nuk e di ti që dashuria është me krahë dhe m’e shpejtë se vrapi yt?
Dashuria ime të është qepur si hija. Kudo që të vesh, të ka për të rënë pas; kudo që të jesh, do të të dalë përpara, dhe kur të na ndajë një mërgim i madh, hija ime prapë të ka për të ardhur pranë.
Malet, fushat, as njerëzit s’na kanë për të ndarë, se shpirti im është qepur pas shpirtit tënd, se trupi im të ka për të kërkuar gjithnjë. Edhe vdekja kur të më marrë nga kjo botë, edhe ahere hija ime – e dashura e tmerruar – ka për t’ardhur të të gjejë në të mugëtit e në t’errët.
Edhe kur për ty – ah, dua që të jetë shumë e largme – do vij’ ora që të shuhen ata sy q’i dua kaq, dhe të bëhet hi ay trup i bukur, edhe ahere, o zemërkeqe, mos pandeh se do të shpëtosh nga ndjekja ime; shpirti im të ka për t’ardhur gjer në varr, se shpirti im është qepur pas shpirtit tënd dhe trupi im ka për të të kërkuar gjithnjë; ahere, brenda në varr t’errët e të ftohtë, eshtrat do të të dridhen, se në dashuri do të jem gjithnjë besnik!
IV
1908
Më pyet sa ësht’ e thellë dhe a është e përjetshme dashuria ime.
Ahere syt’ e tu, ata sy të zez q’i dua kaq, marrin një shkëlqim, një vështrim të ri, edhe buza jote ka një të qeshur të hidhur.
Pse, o e dashura ime, pse lë të hyjnë të tillë mendime të hidhur n’atë kokë të bukur?
Nuk’ e di ti që çdo gjë në këtë jet’ është e vdirshme? Nuk e di ti që çdo gjë mbi këtë dhé ka një fund?
Prapsi, prapsi, këto mendime. Mos i përsërit këto pyetje.
Të dua me gjithë shpirt, me dashuri të thellë; sot të dua sa për një jetë të tërë. Mos prish gaz’ e sotmë, duke menduar të nesërmen e errët.
Mos më pyet më sa ësht’ e thellë dhe sa ësht’ e përjetshme dashuria ime!
V
Gusht 1909
Më pyete pse të dua dhe unë qesha.
Qesha, ama tani po mendohem dhe them: Pse të dua?
Të dua për atë të qeshur të bukur, kur të shkëlqen syr’ i kthjelltë nën ballë të qëruar; të dua për ato leshra ku është pështjellë gjithë thellësi e natës, dhe për atë vështrim ku këndohet gjithë gaz’ i ditës, për atë vështrim q’është si një yll i lumturisë; të dua, se kur flet, ay zë më zgjon në zemrën time gjithë zërat e fshehtë të shpirtit; të dua se pranë teje, e ndiej veten time të madh dhe të fortë, se në dashurinë tënde shoh zbardhëllimin e jetës.
Po të dua se, tekdo, me gëzim të fatbardhësisë, a në t’errët të helmit, se në qeshje të mëngjesit, në tym të të mugëtit, se në ngjyrë të lules a në përkëdhelje të veriut, tekdo, o e dashura ime, ty të gjej dhe ty të shoh; të dua se edhe kur zbres në thellësi të shpirtit dhe në fund të zemrës, edhe atje thellë të gjej.
***
Eren-Qoj, 5 mars 1912
Marrë me shkëputje nga Exlibris.al