Babai dhe djali – Tregim nga Haxhi Lika
Babai dhe djali i tij ishin ulur pranë njëri-tjetrit në kopshtin e shtëpisë. Babai shikonte pemët, bimët dhe lulet përreth, ndërsa djali lexonte gazetën. Papritur sytë e babait panë një zog dhe menjëherë pyeti të birin:
– Çfarë është ky, biri im?
– Është një dallëndyshe baba, – iu përgjigj i biri.
Nuk kishte kaluar as një minutë kur zogu nga pema u ul në tokë dhe babai përsëri e pyeti djalin:
– Çfarë është ky, bir?
Djali i hodhi një shikim të mbushur me bezdi dhe përtesë. Mesa dukej ishte nevrikosur pak. Megjithëse përpiqej ta fshihte zemërimin, ai tashmë ishte pasqyruar në tonin e zërit të tij.
– Është një dallëndyshe pra, baba!
Pas 10 -15 sekondave zogu fluturoi nga lulet në pemë dhe babai e pyeti përsëri djalin:
– Çfarë është ky, bir?
Djali ishte nevrikosur mjaft tani.
– Është zog, baba! Zog! Dallëndyshe! Da-llën-dy-she! Pse më pyet disa herë të njëjtën gjë? E bën për të më nevrikosur?
Sytë e plakut u mbushën me lot, u gëlltit lehtë dhe u ngrit pa thënë asgjë. Ndërsa drejtohej drejt shtëpisë djali e pa me një shikim pyetës se ku po shkon? Plaku i bëri me shenjë që të ulej dhe të priste. Pas pak u kthye me shumë blloqe kujtimesh me vete. U ul pranë djalit dhe i kërkoi të lexonte me zë faqen ku kishte vënë shenjën. Djali filloi të lexonte:
“Djali im sapo ka filluar të flasë. Sot shkuam në park. Atje më pyeti 21 herë për emrin e një zogu. Çdo herë që ai më pyeste unë i përgjigjesha me shumë qetësi e dëshirë pa u nervozuar aspak dhe më pas e përqafoja fort. Ai është biri im!”
Djalit sikur iu mbështollën fjalët mu në grykë dhe nuk arriti të lexonte pjesën tjetër. E kishte kuptuar gabimin tashmë./Naishtedikur.info