Categories
Art Histori Kulture Personalitete

Ballkiz Halili – gazetarja e përkushtuar, e paharruar dhe… model për sot

(Manushaqe Halili, sjell për motrën e saj një libër kujtimi e nderimi në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta – Botim i Shtëpisë Botuese Ombra GVG)

Nga Prof. Hektor Veshi

Emri si gazetare e njohur në Shqipëri , gjatë viteve’50-70 ka qenë pa dyshim Ballkiz Halili. Jo vetëm se punonte në organin e shtypit të përditshëm më të rëndësishëm të kohës, Zëri i Popullitnga përcilleshin edhe direktivat e zhvillimit edhe organizimi për punë e mbrojtje i fitoreve të pasçlirimit, por edhe projektoheshin punët e mëdha shndërruese të natyrës e të jetës, an’e mbanë vendit. Kush punonte në atë organ shtypi shihej si i privilegjuar, por nuk ishte ashtu.

Atje punohej me dituri, përkushtim, përgjegjësi të madhe për gjetjen e sjelljen në faqet e saj të të vërtetave, vetëm të vërtetave të çfardo lloji e kudo ku ndodheshin apo ngjanin, për t’ia bërë të ditura lexuesve, mbarë popullit. Ishte e lehtë t’i gjeje, t’i arrije në kohë e t’ia sillje redaksisë faktet, ngjarjet, personat? Jo! Ishin vitet kur nuk kishte as zyra sa duhej, as komoditete pune, pa le lukse: gazetarët e disa organeve të shtypit udhëtonin me makina të rastit, kamiona pune, diku edhe në këmbë, në shi, pluhur, baltë e vapë përvëluese… Për këto arsye, si dhe të fanatizmit të trashëguar në breza, vajzat gazetare ishin të pakta sa mund të thuhet, numëroheshin me gishtat e njerës dorë. Se, edhe organet e shtypit akoma ishin të pakta, nga një për çdo organizatë me shtrirje mbarëkombëtare: për Frontin, për rininë, për gratë, për pionierët e ndonjë tjetër.

Ballkiz Halili ishte e reja, e vetëmja, agronome nga profesioni, që kishte studjuar e qe diplomuar, 1951-1955, në Poloni, e ngarkuar të shkruante për jetën e fshatit, për punët e bujqësisë, jetën social-ekonomike të fshatit, sidomos për jetën e gruas në shoqërinë e re socialiste që synohej të ndërtohej deri në familjet e fshatrave të thella. Gazetarja e re nuk iu tremb asnjë lloj vështirësie! Kjo nuk është një fjalë goje, i thënë për ta lavdëruar , me që lavdërimet mund të lëshohen edhe “pa doganë”. Flet qartë edhe vetëm një pjesë nga mbi 500 shkrimet e saj të një periudhe 13 vjeçare sa punoi e shkroi për Zërin e Popullit.

Kështu, kur niste fushata e mbjelljeve në Myzeqe, atje ishte duke pare në vend e mbajtur shënime për probleme organizimi e mekanizimi Ballkizi; hapeshin toka të reja e bonifikoheshin kënetat në Vurg e Mursi në Sarandë, atje ndodhej Ballkizi; shtriheshin blloqet e vreshtave duke rrethuar Tiranën me hardhi për rrush e verë “në të ardhmen” atje gëzohej e shkruante Ballkizi duke i parë bashkë me realizuesin e pavdekshëm të bujqësisë, Abedin Çiçin; kishte informacion se jeta vazhdonteduke u lumturuar atje larg në Shishtavecin e Kukësit, atje, bashkë me banorët e gjeje edhe Ballkizin duke gëzuar e shkruar;stina verore e kërkimeve gjeologjike në veri kish ardhur dhe ekipi atë vit do të përbëhej nga një inxhenjere e një vajzë e retiranase që shkëputej për here të pare nga shtëpia, atje duke u gëzuar për zbulimin ditën e fundit bashkë me to, ishte edhe gazetarja e Zërit, Ballkizi.etj. etj. Po nuk mund të lemë pa përmendur “dëshminë” e jetuar e të hedhur në letër nga Ballkizi, të përpjekjeve të paharruara, historike të punëtorëve dhe inxhinjerëve për hapjen e tunelit të Kronjit gjatë ndërtimit të hidrocentralit të Bistricës, ku hyri edhe ajo, e veshur si ata (!)Duke e përshëndetur për kurajon, njeri nga ata heronj i thotë:“Jeni gazetarja e parë, ndoshta edhe e fundit, që patët kurajë për të hyrë në tunel”. Ishte viti 1963!… (Por, nuk mund të mendohej kurrë se ajo vepër, aq e vështirë, e madhe, e sigurt e me prodhim të qendrueshëm drite, e ndërtuar me aq mund e sakrifica, një ditë, kriminalisht, të shitej nga dikush në krye të qeverisë sëvendit!!)

Gazetarja e rritur në përpjekje gradualisht, por shpejt, ishte bërë një “ekonomiste” e sferës prodhuese bujqësore, prandaj gjeti e shkroi edhe tema pak të njohura e vlerësuara si: pleherimi i gjelbër i tokës, mbjellja e bimëve pak të njohura si bananet në zona të ngrohta, vlerësimi i bimëve natyrore si bimë mjekësore, kultivimi i patates verore. Pa harruar edhe çështje më të vogla si mbjellja e ngastrave cep më cep, puna e çdo personi në ekonomi bujqësore, pa e braktisur pa arsye atë si burim i të ardhurave për familjen , që shmang edhe parazitizmin në fshat.

Diturimi i punonjësve të bujqësisë, nga ekonomia deri në shkencat e mirëfillta bujqësore e frymëzoi dhe shkroi gazetarja Ballkiz. Shembujt ishin frymëzues për këdo pasi, në një ekonomi bujqësore, ku ziente jeta kulturore, ekonomia me shpenzimet e veta shkolloi mbi njëzet të rinj; ndërkohë që në Institutin e lartë Bujqësor (sot Universitet)u mbrojtën dy disertacionet e para, 1962, duke e vënë shkencën në ballë të zvillimeve.Dy autorët,Mentor Përmeti e Teki Tartari, veç respektit nga të gjithë, fituan gradën shkencore “Kandidat i Shkencave”, sot “Doktor”.

Fillimvitet ’70 e gjejnë Ballkizin Kryeredaktore e revistëspolitiko-shoqërore në dobi të grave “Shqiptarja e Re” . Përvoja, dituria dhe ndjenja e lartë e përgjegjësisë qe ndiente u duk shumë shpejt. Revista sikur u rinua, ndryshoi pamje, ndryshoi përmbajtje, gjuha e shkrimeve ishte e qartë e udhërrëfyese për lexueset, ato gjenin në faqet e saj përgjigje edhe për problem që nuk i kishin hasur më parë, nga nevojat e afirmimit të personalitetit kudo, në familje e lart në pushtet, deri te nevoja për higjienë personale, veshje, modë etj. Por puna me cilësi kërkonte edhe bashkëpunëtorë/e me nivel. Aty, kryeredaktorja e re hartoi dhe referoi me ta një punim të hollësishëm me titull ”Kuptimi i orientimeve mbi qëndrimet profesionale gazetareske”. Gjykojmë se ky punim I pasqyruar në libër, i vlen shumë edhe sot kujtdo që dëshiron ose kryen bashkëpunime me shtypin, gazetarinë në përgjithësi. Por… shpejt, gati pa i mbushur as tri vjet në atë detyrë, pavarësisht sukseseve të vëna në dukje nga lexueset, për shkaqe subjektive e thashetheme që errësuan të vërtetën deri lart, në krye të organizatës së BGSH, transferohet në Shtëpinë e Propagandës Bujqësore, institucion në vartësi të Ministrisë së bujqësisë.

Aty, (ku pas pak vitesh patëm rastin ta njihnim e bashkëpunonim me të, afro dy vite) kushtet teknike të prapambetura binin ndesh me detyrat e synimet e institucionit, që përgjithësisht përcaktoheshin qysh në emërtimin e institucionit. Vështirësitë iu rëndonin të gjithëve, por veçanërisht binin mbi shefen e sektorit të propagandës, Ballkizin. Arsyeja ishte se ajo, si çdo gazetar terreni, mundohej dhe e kryente punën jashtë orarit të zyrës, duke takuar personat apo specialistët me të cilët siguronte bashkëpunimet e shkruara, idetë si ta ngrinte më lart nivelin e propagandës, të gjente forma e mjete të reja, që ta çonin deri te punëtori e kooperativisti i thjeshtë informacionin, idenë, formën konkrete të arritjeve më të përparuara në drejtim e prodhim. Pordrejtuesit, për habi të kujtdo, ngulnin këmbë te disiplina formale, orari zyrtar dhe meqë ajo ishte “rebele” në këtë drejtim, gjindja u frymëzua me mendime si “është neglizhente, e padisiplinuarnë respektimin formal të orarit të mëngjesit, ndjek modën, propagandon jetesën borgjezo-revizioniste…”

Ishin vitet e luftës ideologjike edhe në fushën e kulturës e mënyrës së jetesës në vend, si direktiva nga lart. Ballkizi, ish studentja në Poloni, shumë herë u kritikua në kolektiv dhe “dha llogari”në organizatën bazë të partisë! U lodh, u mërzit sa dikur iu shfaq ulcer në stomak. Por, megjithatë ajo nuk i ndryshoi as synimetpër punë, as arritjet. Aty e vijoi punën krijuese e drejtuese për shumë vite, duke e bërë shumë më efikase propagandën pasivuri në zbatim forma të reja si konkurset, panairet bujqësore, ngritjen e kabineteve të përvojës së përparuar në bujqësi e sidomos propagandën e gjallë përmes filmimeve nga dega e re që krijoi për filmin dhe fotografinë, për problemet e bujqësisë. Për ata filma duheshin shkruar edhe skenarët (kërkesë e re e me pretendime artistike e shkencore!) Ballkizi shkroi12 skenarë filmash shkencorë e propagandistikë. Konsolidoi pozitat, qëndroi ku ishte, derisa doli në pension. E vijoi pa ndërprerë krijimtarinë letraro artistike e veprimtarinë shoqërore si grua, si gazetare, si veprimtare e shoqatës “Çamëria” etj.

Libri i përgatitur me titull “Jeta pa kufi dhe pa plakje” që doli në qarkullim në nëntor 2021, sjell edhe shumë fakte e të dhëna me vlerë për lexuesit për rrezatimin shoqëror të njeriut, sidomos gazetar që, bazuar në edukatën familjare, frymëzimet pozitive nga historia, përpjekjet për liri që në rininë e saj të hershme. Veçanërisht ndikoi në punë e qëndrimet e saj dhe kultura e personaliteteve të dijes në shkallë kombëtare, siç kanë qenë për të Hoxha Hasan Tasini etj. Kurse çështja çame ishte “kryeëndërr” e saj. E tërë veprimtaria e Ballkiz Halilit, si qytetare, intelektuale, patriotike e publicistike, pa dyshim ka lenë kujtime të paharruara te bashkëpunëtorët e miqtë e shumtë.

Njëri nga ata, kolegu mëndjendritur Dritëro Agolli, gjatë një interviste do të deklaronte “Unë e kam njohur Ballkizin që në vitet e para të punës së saj. Ballkizi ka qenë një gazetare e shquar në atë kohë dhe tepër e kulturuar…” Jeta dhe veprimtaria e saj saj e përballur edhe me vështirësi subjektive tregon se një barrier e madhe e përparimit të punëve të mëdha, vepra të njerëzve të mënçur e kontribues potencialë të pallogaritshëm për shoqërinë janë mediokrit, mediokrit në vende drejtuese që “vegjetojnë” nën hijet e politikës e nepotizmit miqësor e krahinor./Fjala.al/

error: Content is protected !!