Categories
Kulture

Botohet në Spanjë libri me 106 përralla popullore shqiptare.

Duke ndjekur rrugën e bashkëshortit të saj të ndjerë, përkthyesit Ramon Sánchez Lizarralde, Maria Roces Gonzales nxorri në dritë librin e saj të ri,

E BUKURA E DHEUT DHE PËRRALLA TË TJERA SHQIPTARE, të dëgjuara nga goja e popullit. Është një antologji, me mbi njëqint përralla popullore shqiptare të përkthyera në spanjisht, gjë për të cilën ajo ndjehet krenare:

“ Kam bërë shumë përkthime gjatë shumë viteve, por kjo është puna ime që më jep më shumë kënaqësi. Ishte një projekt i Ramonit dhe botuesit të tij, të cilin nuk mundën ta realizonin. Tashmë, pas dhjetë vjetësh, ja ku e kemi.”- thotë përkthyesja e talentuar dhe e palodhur.

Maria Roces, që banon në Soto de Agues (Sobrescobio- Asturias) shkoi në Shqipëri para shumë vitesh. Qëndrimi i saj në vendin ballkanik zgjati katër vjet, kohë gjatë së cilës punoi në Radio-Tirana, ku, pak nga pak filloi të njihej me një gjuhë dhe kulturë krejt të panjohur për të. “ Kur arritëm në Shqipëri, nuk dinim asnjë fjalë e na u desh rreth një vit që të arrinim të kuptoheshim. Është një gjuhë shumë e vështirë për ta folur sepse është shumë ndryshe nga spanjishtja.”- na spjegon Maria. Në kujtimet e saj ruan një përvojë të madhe nga vitet që kaloi në këtë vend prej të cilit vazhdimisht mëson gjëra të reja.

Maria Roces dhe i shoqi u kthyen në Spanjë në vitin 1984 të përmbushur nga një kulturë që do t’i shoqëronte në vazhdimësi. “ Kur u kthyem, Ramoni iu përkushtua përkthimit të librave drejtpërdrejt nga shqipja në spanjisht, ndërsa unë bashkëpunova me të në shumë prej përkthimeve deri në vitin 2011”- na tregon. Pas vdekjes së Ramonit, Maria Roces mori timonin e përkthimit nga shqipja në spanjisht sepse, siç na thotë ajo “ nuk ka tjetër që ta bëjë.” Dhe që prej dhjetë vitesh ajo hap portat për një letërsi të panjohur por të mirë. “ Letërsia shqipe është e shkëlqyer,-thotë ajo. Në Asturias, si në gjithë Spanjën, më i njohuri është Ismail Kadare (fitues i çmimit Princi i Asturias në letërsi, 2009), por ka edhe shkrimtarë të tjerë të mëdhenj e të mirë.”- na shpjegon ajo.

Roces, që gjithnjë ka qenë e lidhur me botën politike, është impenjuar në shumë përkthime gjatë këtyre dhjetë viteve, midis të cilave disa nga veprat e Ismail Kadaresë, por përkthimi i përrallave shqiptare ka qenë puna të cilës i është përkushtuar më shumë. “ Kanë qenë tre vite shumë intensive. Fillova në vitin 2018 duke marrë gjithë dokumentacionin e nevojshëm në Shqipëri për të bërë këtë libër dhe pastaj iu futa gjithë punës që kërkon përkthimi dhe përgatitja e një libri. Për të përkthyer nga shqipja nuk mjafton vetëm njohja e gjuhës, por duhet të njohësh edhe jetën e atij populli. Njohja e kulturës është e domosdoshme për të njohur dhe kuptuar një popull.” Është ky çelësi më i rëndësishëm për një përkthim të mirë i përkthyeses asturiane përballë një gjuhe që “ shumë lehtë mund ta keqinterpretosh nëse nuk njeh popullin që e flet.”

“E BUKURA E DHEUT DHE PËRRALLA TË TJERA SHQIPTARE…” botuar nga shtëpia botuese “Libros de las Malas Compañias” ka qenë një përvojë apasionante për përthyesen asturiane që ka bërë një punë të jashtëzakonshme investigative, për t’i dhënë në dorë lexuesit këtë projekt të realizuar. “Ka qenë një sfidë e bukur,-thotë ajo. Përrallat janë mbledhur drejtpërdrejt nga përrallëtarët që i tregojnë dhe, natyrisht, kjo e komplikonte punën, por njëherësh u krijua një përvojë e madhe.”

Antologjia shfaq një realitet gjeografik dhe kulturor krejt të panjohur në Spanjë. Një univers mistik dhe magjik i lidhur ngushtë me traditat e popullit shqiptar. Libri është ilustruar nga Jesús Gabán. “ Janë përralla popullore. Përralla pa sheqerosje. Është kultura gojore e një populli”, shpjegon përkthyesja, për të cilën përrallat e këtij libri “ janë si ato që na kanë treguar gjyshet: histori të vërteta”.

Nga Soto de Agues, vendi ku i shoqi i saj Ramón Sánchez Lizarralde “arratisej” për të bërë përkthimet e letërsisë shqipe, Maria Roces na fton për të zbuluar një kulturë tërheqëse: “ Nëse dëshironi të njihni një kulturë shumë të panjohur në Spanjë, Ju ftoj ta lexoni këtë libër dhe të shijoni këtë kulturë dhe historinë e saj. Kujt i pëlqen letërsia shqipe do të kënaqet shumë.”/ Përgatiti botimin Namik Dokle

(Marrë nga gazeta spanjolle “ZËRI I ASTURIAS”)/Dita

error: Content is protected !!