Sikurdoherë, e fjetur ish aq e bukur, sa edhe e zgjuar, me një fytyrëku qetësimi i shpirtit dhe i zemrës, i kishte një hije më tërheqëse. Kur çeli sytë, një dritë e re ra mbi këtë pafajësi.
Po s’ishte gazmore sot. Pa u zgjuar mirë, një mendim i hidhur i shkiste mbi fytyrën e këndshme. S’qeshi, si zakonisht. Vuri gjithë frymën e saj në vështrim dhe në buzë.
Edhe pas pak i tha:
– Mi ami, a mund të dojë njeriu më shumë se ç’dua unë?
Pushoi një mend dhe me sytë të kthyer larg, shtoi:
-A pandeh se njeriu e do më shumë Perëndinë?
Ai s’kuptonte që shpirti i saj aq i kthjellët edhe shkëndijat e syve, i ishin dukur kurdoherë si një shpirt foshnjeje. Edhe po e vështronte, mirë e bukur tani, në trëndafil të faqeve dhe në leshrat e zhdredhura.
Por ajo pyeti prapë:
– Më duket se një “Karmelit” e do shumë Perëndinë e “saj”.
Edhe mbi ata sy të mëdhenj, të gjelbër si deti e të thellë si nata, një siguri dashurie po hidhte dritën e saj misterioze.
***
1 korrik 1923
Marrë me shkëputje nga Exlibris.al