Categories
Kulture Kuriozitete

Dashurohen gjimnazistë, martohen pensionistë – një histori e rrallë

Dy adoleshentë të dashuruar, të cilët ishin ndarë gati shtatë dekada më parë u bashkuan gjatë pandemisë së koronavirusit dhe tani janë të martuar.

Historia e tyre filloi 68 vjet më parë, kur Fred Paul dhe Florence Harvey, njohën për herë të parë njëri-tjetrin. Ata ishin dy adoleshentë në Wandsworth, një qytet i vogël në Newfoundland, Kanada. Për muaj me radhë, ata ishin çdo moment bashkë, duke shëtitur mes puthjesh e koncertesh që i ndiqnin së bashku.

“Ajo ishte dashuria ime e parë. E dashura ime e parë dhe dashuria ime e parë, e vërtetë” – tha Paul, tani 84 vjeç, për CNN.

Megjithatë, kur Paul mbushi 18 vjeç dhe Harvey ishte vetëm 15, secili vazhdoi rrugën e jetës. Paul u transferua në Toronto për punë, ndërsa kur u kthye një vit më vonë, Harvey ishte zhvendosur në një qytet tjetër.

Përfundimisht, ata të dy u martuan me njerëz të tjerë dhe krijuan familje.

Në vitin 2017, Harvey humbi të shoqin. Ata kishin kaluar 57 vite të lumtura bashkë, si dhe kishin 5 fëmijë. Vetëm dy vjet më vonë, gruaja e Paulit ndërroi jetë, pasi vuante nga probleme të shumta shëndetësore. Ata kishin dy fëmijë, së bashku.

Kur Harvey mësoi se gruaja e Paulit ndërroi jetë, i telefonoi për t’i dhënë mbështetje dhe ngushëllim. Gjatë asaj bisede të parë, një ditë pas Shën Valentinit, të moshuarit diskutuan për jetën, fëmijët, nipat e mbesat dhe u rikthyen shumë vite pas, në kohë.

Disa muaj më vonë, në ditëlindjen e tij në korrik, Harvey e befasoi Paul-in duke ardhur në Toronto, ku ata u ribashkuan, më në fund.

Vetëm tri ditë pas ribashkimit, çifti ishin gati të martoheshin. Më 8 gusht, Paul dhe Harvey, shkëmbyen zotimet para familjes dhe miqve të ngushtë në Norval United Church, në Georgetown, Ontario.

Menjëherë pas pandemisë , Harvey tha se gjëja e parë që do të bëjnë, është vizita në qytetin e fëmijërisë, ku ata u takuan dhe u dashuruan, vite më parë./Konica

error: Content is protected !!