Categories
Histori Kulture Kuriozitete

Dikur shiritat shumëngjyrëshe prej letre, lodrat prej kauçuku, aroma e drurit të djegur që dilte nga tubi i sobave

Shiritat shumëngjyrëshe prej letre, lodrat prej kauçuku, aroma e drurit të djegur që dilte nga tubi i sobave, përzier me atë të gjelit të detit të sapopjekur, janë kujtimet që na çojnë pas në kohë, në festimet e Vitit të Ri gjatë viteve të diktaturës.

Sot, mund të duket një festë rutinë. Mund të festosh kur të duash e çfarë të duash, por asokohe, kjo ishte e vetmja festë që nuk lidhej me partinë dhe arsyet pse ishte e shumëpritur, ishin të shumta.

Ndalimi i fesë në Shqipëri i kufizoi festat e fundvitit thjesht dhe vetëm te nata e ndërrimit të viteve, apo Viti i Ri.

Krishtlindja nuk festohej më, kështu që gjithë vëmendja ishte përqendruar në datën 31 dhjetor. Barra më e rëndë u binte amvisave, të cilave, përveçse u duhej të punonin edhe në datën 31, duhet t’i hynin gatimit për në darkë.

Dhe për to dukej se nuk kishte festë, vetëm një turravrap nëpër kuzhinë. Në ditët e fundit të vitit, një pritje e madhe organizohej në Pallatin e Brigadave nga Enver Hoxha me pionierët e dalluar, ndërsa Dita e Krishtlindjes, nuk festohej më pas ’67-ës, kur feja u ndalua. Familjet e besimeve katolike dhe ortodokse e festonin në fshehtësi, pa zhurmë e bujë, vetëm në rrethe të ngushta midis tyre.

Ndërkohë, ishte punuar një të diel më parë, që kjo të zëvendësonte datën 2 janar, që ishte pushim dhe më 3, të gjithë i riktheheshin punës. Jepeshin shpërblime të vogla financiare për të dalluarit, ndërsa natën e Vitit të Ri, si dhe datat 1 e 2 janar në ndërmarrje, dikastere bëhej dezhurn çdo dy orë nga punonjës, që alternoheshin sipas një grafiku të bërë nga drejtoria. Nuk bënin dezhurn gratë e vajzat.

E veçanta e 31 dhjetorit ishte ndeshja e futbollit që zhvillohej në fushën e Pallatit të Pionierëve të tejmbushur nga njerëzit. U kthye në një traditë tërheqëse, në të cilën luanin edhe futbollistët më të njohur, të tre klubeve të kryeqytetit.

Madje, takimi ndiqej edhe nga jashtë rrethimit përtej Lanës, pasi nuk kishte hapësirë për të qenë brenda territorit të vogël. Gjatë ditës së 31 dhjetorit, qyteti gumëzhinte dhe dyqanet kishin aktivitet deri në çastin e fundit dhe njerëzit që vraponin për të marrë gjërat që i mungonin.

E gjithë kjo deri në orët e para të mbrëmjes, pastaj të gjithë në shtëpi dhe qyteti pushtohej nga një heshtje totale, dhe vetëm ndriçimi ishte ai që i jepte jetë, pasi gjithçka dukej si në gjumë. Për t’u gjallëruar sërish pas orës 12 të natës, kur mbushej me të rinj që mblidheshin në qendër të tij.

TVSH DHE “KONCERTI I MADH” PËR TË GJITHË

Televizorët e markave “Butrinti”, “Iliria” apo “Dajti” kanë qenë të vetmet mjete komunikuese që i ka shoqëruar shqiptarët natën e Vitit të Ri, si dhe ato në vazhdim. Të ulur në tavolina, dhe në pritje të orës 12 të natës, të gjithë ndiqnin “Koncertin e madh të Vitit të Ri” një program me këngë, valle e humor nga e gjithë Shqipëria që kishte përgatitur Televizioni Shqiptar, i cili fillonte pas Revistës Televizive të orës 20:00 dhe emisionit “Koha sot e nesër” nga i paharruari Petrit Leka e vazhdonte deri në orën 2 pas mesnate, për të vijuar me natën finale të Festivalit të Këngës në RTVSH – ritransmetim (ata që kishin kanoçet e famshme ndiqnin programet e kanaleve të huaja).

Nuk kishte fjalim përshëndetës nga udhëheqësi i shtetit në mesnatë. Të nesërmen, hapej kanali italian “Rai 1” vetëm për të ndjekur në orën 12 paradite Koncertin e Vjenës dhe në mbrëmje, sërish me TVSH-në në programin thuajse identik, si ai i një nate më parë, gjithçka brenda kornizës së lejuar. Jo në pak raste rrezikonte edhe ikja e dritave nga ngarkesa e madhe elektrike. Nata e fundvitit festohej në reparte ushtarake, konvikte etj. Natyrisht me televizor, radio, apo ndonjë magnetofon. Edhe në spitale, shtëpitë e fëmijëve jetimë, natyrisht me thjeshtësinë dhe modestinë e kohës që kishin këto institucione./Panorama.com.al

error: Content is protected !!