Në studion e emisionit të pasdites “Jeto me orën” në RTV ora ditën e sotme ishte i ftuar regjisori i njohur i kinematografisë shqiptare Spartak Peçani dhe në lidhje ‘Skype’ nga Spanja aktorja Olta Gixhari. Të ftuarit folën rreth filmit “Bolero në vilën e Pleqve” i cili është shpallur fitues i 4 çmimeve prestigjoze ndërkombëtare.
Filmi shqiptarë, tashmë prej datës 3 shkurt ka filluar të shfaqet në të gjitha kinematë e Tiranës. Një film i cili ka aktorë profesionist ndër më të njohurit në vend si Margarita Xhepa , Robert Ndrenika, etj.
Peçani rrëfeu në studio tematikën që trajton filmi, ku theksoi se është një tematikë që prek realitetin shqiptarë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
“Tematika është një temë dite, që realisht është e prekur për të gjithë shqiptarët. Janë dy njerëz në moshë që edhe pse kanë tre fëmijë, nuk jetojnë me ta. Kanë një komunikim sipërfaqësor me fëmijët e tyre. Këta të dy jetojnë në një vil, por njëri në kat të parë dhe tjetri në kat të dytë. Për shkak të moshës shkëmbejnë vetëm letra, sepse nuk mund të shkojnë tek njëri tjetri. Pra, kështu nis ky film. Gjithçka vërtitet dashurisë, ku të rinjtë dhe më të vjetrit e përjetojnë dhe jetojnë ndryshe këtë ndjesi. Të rinjtë luajn pas lekut, gjë të cilën e zbeh këtë dashuri. Një nga detajet që ka ky film, është një person që ka rolin e korrierit të letrave, mes dy të moshuarve”, u shpreh Peçani.
Ndërsa artistja Gixhari tregoi momentin e parë sesi e dëgjoi se do ishte pjesë e këtij filmi, dhe emocionin që përjetoi në atë moment.
“Kjo ka ndodhur disa kohë më parë, dhe kjo koha e pandemisë na kthyer nostalgjinë për ato që kemi luajtur. Marrja e një skede filmi është një emocion shumë i madh për çdo aktor. Mbaj mend që më ka marr në celular Taku, ne kishim njohje edhe më përpara, madje përqafoheshim sa herë që shiheshim. Dhe Taku gjithmonë më thoshte që do vij një ditë që do jesh pjesë e filmit tim, dhe ja ku erdhi”, u shpreh Gixhari.
Më tej ajo foli për rolin e saj Dirina, ku e quajti një rol të guximshëm.
“Roli im do thosha që është një rol i guximshëm. Si temë kryesore parë nga këndvështrimi im do thoja është vetmia, një ndër tematikat e përfshira në këtë film. Dirina, roli im në një moment shumë të dobët i gjendem pranë Gentianës, që është personazhi kryesor në këtë film. Në këtë çast ndodh ajo pjesa e magjishme e dashurisë mes nesh. Ky është një ndër momentet më të spikatura për mua”, u shpreh Gixhari.
Por, regjisori Peçani u ndal më pas në studio tek ecuria e punës në xhirimin e filmit, sipas tij fryma e grupit ishte si një familje dhe plotë bashkëpunim mes aktorëve.
“Punonim nga mëngjesi deri në darkë, kishim një atmosferë të magjishme, ishte pikërisht si një familje. Fryma e grupit ka qenë shumë e mirë, pasi aktorët janë shumë të mëdhenj dhe kanë një raport jashtëzakonisht të mirë mes njëri-tjetrit bashkëpunimi”, u shpreh më tej Peçani.
Gixhari nuk la pa përmendur edhe dy ikonat e filmave shqiptarë si Margarita Xhepa dhe Robert Ndrenika.
“Margarita Xhepa dhe Robert Ndrenika, ne të rinjtë jemi me fat që i kemi, janë dy ikona të kinematografisë shqiptare. Unë kam luajtur dhe herë tjera me t’a, por sa herë që luan me ta janë të pashtershëm dhe mëson diçka të re prej tyre”, u shpreh Gixhari.
Përsa i përket pjesës sesi u prit nga publiku shqiptarë, por jo vetëm, Peçani u shpreh se nuk e priste një rezultat të tillë. Pasi vlerësimi nga të huajt dhe shqiptarët ishte i jashtëzakonshëm, sidomos për tematikën e trajtuar por, edhe kasti i autorëve apo realizimi i filmit.
“Është pritur shumë mirë edhe jashtë kufijve, kemi marr çmime dhe vlerësime nga shumë shtete. Më ka bërë përshtypje ana njerëzore që përcjell filmi, nuk e prisja të them të drejtën këtë vlerësim si brenda vendit, por edhe jashtë tij”, përfundoi Peçani./Oranews/