Filmi “Zgjoi” i regjisores kosovare, Blerta Basholli, nuk arriti të nominohet për Çmimin Oscar, në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar.
“Zgjoi” ishte në listën e ngushtë prej 15 filmash, ndërsa pesë finalistët që u nominuan në këtë kategori janë: “Drive my car” nga Japonia, “Flee” nga Danimarka, “The Hand of God” nga Italia, “Lunana: A yak in the classroom” nga Butani dhe “The Worst Person in the World” nga Norvegjia.
Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit në SHBA i shpalli nominimet të martën, ndërsa çmimet do të ndahen më 27 mars.
“Zgjoi” bazohet në historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, një gruaje nga Kosova, e cila gjatë luftës së viteve 1998/99 u largua nga fshati Krushë e Madhe, bashkë me fëmijët e saj të vegjël.
Pas kthimit, bashkëshorti i saj ishte i zhdukur dhe me gjasë i vdekur, ndërsa ajo – atë botë 28 vjeçe – pa asnjë mundësi për të mbajtur familjen.
Në përpjekjet për mbijetesë, nëna e një vajze tri vjeçe dhe një djali tre muajsh u bashkua me të vejat e tjera të fshatit dhe filluan të shisnin ajvar dhe turshi të bëra vetë.
Biznesi i tyre “KB Krusha” vazhdon të funksionojë edhe sot dhe punëson mbi 50 gra – pjesa më e madhe e të cilave familjare të personave të vrarë ose të zhdukur gjatë luftës në Kosovë./Oranews/