Categories
Histori Kulture

Historia e nuses që u ndërrua me të motrën… – DASMA E PREMTUAR

Një histori e pazakontë, vjen nga fshati Zhur në Prizren. Gjithçka zë fill me emrin e një rruge, ”Hana”. Sikur tregojnë në fshat, Hana ndërroi jetë kur po dilte nuse dhe krushqit ishin afër shtëpisë.

Mustafë Kurtaj, që është një nga banorët më të vjetër të fshatit, tregon se ngjarja është e vërtetë.

“Fatkeqësia ka ndodhur kur nusja, sipas traditës, është përshëndetur me vëllain, babain dhe kur është përshëndetur me njerkën, ajo ka filluar të vajtojë të shkuarën dhe kujdesin që njerka i kishte dhënë. Nusja ka rënë në tokë e vdekur ato momente”, – ka rrëfyer Kurtaj, për ATV.

Ai thotë se, kur ka arritur i ati, në vend ë të mërzitej u ka dhënë kurajo të tjerëve.

“Ndodh edhe kjo, të bëhemi të fortë!” – ka thënë, babai i vajzës.

Krushqit ishin nisur për ta marrë nuse Hanën, pa e ditur gjëmën që kishte ndodhur.

“Babai i Hanës iu kishte dalë në rrugë krushqve, pa iu afruar mirë fshatit. Kur mësuan lajmin ata u mërzitën, por babai i Hanës nuk i la të largohen.

Në atë çast, një fqinj i afrohet babait të Hanës, duke i thënë se “krushqit, nuk do të kthehen pa nuse”.

“Në atë moment, ai kishte dërguar dikë për të thirrur të bijën 15-vjeçare. Pasi ishin kthyer në shtëpi, ai i kishte thënë vajzës: Shaje, bijë, a do të shkosh ti nuse në vend të Hanës? Vajza menjëherë kishte pranuar, pa vënë aspak në dyshim atë që po i thoshte babai. Ajo vajzë edhe sot është gjallë dhe ka mbi 80 vjet”.

Kjo ishte një fatkeqësi e madhe për fshatin Zhur.

“Edhe sot, mua më vlon barku për atë ngjarje. Ka qenë moment shumë i rëndë”, – rrëfen mes lotësh, Mustafë Kurtaj. Por tradita dhe besa e shqiptarit, kanë qenë dhe mbeten të forta. Ato përjetësohen në shkrime, legjenda, toponime dhe emra.

Fotografia brenda tekstit: MARUBI/Konica/

error: Content is protected !!