Milan Kundera
HUMBJA E SË SHKUARËS
Metafizika e njeriut është e njëjtë, si në sferën private, ashtu edhe në atë publike. Le të marrim temën tjetër: harresën. Ky është problem i madh privat i njeriut: vdekja si humbje e vetvetes. Por, çfarë është vetvetja? Shuma e gjithçkaje që ne mbajmë mend.
Pra, ajo që na tmerron te vdekja nuk është humbja e së shkuarës. Të harrosh është një formë vdekjeje përherë e pranishme në brendinë e jetës. Ky është problem i heroinës sime, në përpjekje të dëshpëruar për të ruajtur kujtimet nga burri i saj i dashur, të cilat po veniten. Por, të harrosh është edhe problem i madh i politikës. Kur një fuqi e madhe do t’ia heqë një vendi të vogël ndërgjegjen kombëtare, ajo përdor harresën e organizuar. Pikërisht kjo po ndodh në Bohemi.
Letërsia bashkëkohore çeke, deri në masën kur ka njëfarë vlere, nuk është botuar për 12 vjet; 200 shkrimtarë çekë janë ndaluar, përfshirë Franc Kafkën që ka vdekur; 145 historianë çekë janë shkarkuar nga postet, historia është rishkruar, përmendoret janë shkatërruar. Një komb i cili humbet vetëdijen për të shkuarën, dalëngadalë humbet vetveten.
Dhe kështu gjendja politike ka ndriçuar brutalisht problemin e rëndomtë metafizik të harresës, me të cilin përballemi gjithë kohës, dita-ditës, pa i kushtuar fare vëmendje.
Politika i heq maskën metafizikave të jetës private; jeta private i heq maskën metafizikave të politikës. (1980)/Hejza