Categories
Kulture

Jini mirënjohës dhe shpreheni mirënjohjen tuaj. Është virtyt

“Si ka mundësi që u ke dhuruar një milion dollar të 14 miqve të tu? Sepse këta miq për 35 vite me radhëmë kanë ndihmuar në një mënyrë apo në një tjetër. Kam fjetur në krevatin e tyre, kur isha në vështirësi. Më kanë dhënë borxh lekë. Më kanë ndihmuar kur kam pasur kohë, me kalimin e viteve. Pa ta, unë nuk do e kisha arritur gjithçka që kam arritur. Dhe jam munduar të bëj edhe unë të njëjtën gjë me ta”. – George Clooney

Sigurisht që në jetë do të kemi momente të vështira dhe momente, kur padyshim do të kërkojmë ndihmën e personave që i konsiderojmë të afërt për ne. Pikërisht në ato momente arrin të njohësh se kush realisht tëndihmon dhe të do të mirën, pasi miqtë e vërtetë dallohen në momente vështirësie. Ngjarjet e bukura mund të kalohen vetë, të këqijat jo. Mirëpo pavarësisht kësaj, nuk mjafton vetëm të dallosh kush të ka ndihmuar. Duhet edhe t’u jesh mirënjohës personave të tillë, duke menduar se prej ndihmës së tyre je aty ku je.

George Clooney ka dhuruar një milion dollar për secilin nga miqtë që e ka ndihmuar në momente vështirësie. Normalisht ne nuk i kemi mundësi të tilla, por mirënjohja për miq të tillë mund të shprehet nëshumë forma, qoftë duke u blerë diçka me vlerë simbolike (aq sa mund ta përballojmë), qoftë duke ua shprehur me fjalë falenderimin dhe mirënjohjen që ndiejmë për ta. Është detyrim moral dhe duhet ta bëjmë, pasi mosmirënjohja është ves, ndër veset më të këqija.

Në librin “Magjia”, autorja Rhonda Byrne (autore edhe e “Sekretit”, librit të njohur në mbarë botën), shprehet me rregulla për 28 ditë se si të jemi mirënjohës dhe si ta shprehim mirënjohjen tonë. Në kushtet kur për diçka të tillë edhe shkruhen libra, sigurisht që ka rëndësi të madhe. Ka rëndësi për personin mirënjohës, sepse e shpreh atë që ndjen dhe e falenderon atë që e ka ndihmuar. Ka rëndësi edhe për personin që ka ofruar ndihmë, pasi e di që ndihma e tij nuk është shumëzuar me zero.

Jini mirënjohës dhe shpreheni mirënjohjen tuaj. “Le të jemi mirënjohës ndaj atyre që na kanë bërë tëlumtur, ata janë kopshtarët magjikë që i kanë bërë shpirtrat tanë të lulëzojnë”. – Marsel Proust

error: Content is protected !!