Categories
Kulture

Kanada/ Ndahet nga jeta shkrimtarja Eglantina Mandia

Ditën e djeshme është ndër ndarë nga jeta shkrimtarja e njohur shqiptare Eglantina Mandia. Prej vitit 1997 ajo ishte vendosur në Winsdor Kanada. Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja e Nderit e Shoqatës Shqiptaro Kanadeze Ruki Kondaj

“Shuhet shkrimtarja Eglantina Mandia, Ambasadorja e madhe e kulturës shqiptare! Sa trishtim sot kur mora vesh vdekjen e të madhes, mikes së shtrenjtë, shkrimtares Eglantina Mandia….. Sot shqiptarët humbën një grua intelektuale, arti dhe kultura shqiptare humben një shkrimtare me penë të artë, familja humbi nënën dhe gjyshen, motra Edi humbi motrën e shtrenjtë, shqiptarët e Windsor e Kanadasë humben një Ambasadore të madhe të kulturës shqiptare. Shpirti i saj u prehtë në paqe, përhere do të mbetesh në kujtimet tona e shtrenjta Tina” shkruan ajo.

Eglantina Mandia lindi në Tiranë në vitin 1936, në një familje të shquar atdhetare. Gjyshi i saj përmetari Kamber Benja ishte luftëtari i shquar për pavarësi.

Ajo kreu në Tiranë studimet fillore dhe të mesmen pedagogjike dhe më 1959 mbaroi Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të studimeve të larta punoi si redaktore në gazetën “Zëri i Rinisë”, ku kryeredaktor ishte shkrimtari i shquar Jakov Xoxa. Aty botoi edhe tregimet e saj të para.

Ajo për shumë vite ka qenë mësuese e letërsisë në shkollat e mesme “Sami Frashëri” dhe “Partizani”. Si dhe ka qenë anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Eglantina Mandia është autore e një sërë tregimesh, novelash, reportazhesh, dramash etj. në gjuhën shqipe.

Përmendim: “Tregim për ty”, “Duke mposhtur vdekjen”, “Jeta dhe motrat e saj” (roman), Në çdo pëllëmbë të tokës sime”, “Një pritje e gjatë”, “Lisa të mëdhenj”, “Sonata e hënës” etj./Diaspora Shqiptare

error: Content is protected !!