Unë s’ëndërroja fare për Rozën,
Megjithëse në pyll me të shkoja;
Flisnim për ca gjëra të zakonshme
Se nuk dija tjetër ç’t’i thoja.
—
I ftohtë isha unë, si statujë,
Dhe ecja me hapin tim hutaq;
I flisja për pemë dhe lule,
Po syri i saj më thosh: “Vetëm kaq?”
—
Ç’perla na ofronte vesa, ç’reflekse!
Dhe zabeli kaçubet si ombrella…
Roza nga bilbilat magjepsej,
Kurse unë mëllenjat pëlqeja.
—
Gjashtëmbëdhjetë vjeç isha, po sa serioz!
Ajo njëzet, me sytë që i shkëlqenin;
Bilbilat këndonin për të bukurën Rozë,
Mëllenjat mua më fishkëllenin.
—
Njëherë deshi një frut për të këputur
Roza me shtatin e hedhur si lastar;
U drodh… e zgjati në degë krahun e bukur,
Po unë s’e pashë llërën e bardhë…
—
Një pikëz uji rrodhi e kulluar
Mbi myshkun e butë si kadife;
Dhe natyra krejt e dashuruar
Nën drurët e mëdhenj sikur flinte.
—
Edhe një provë tjetër bëri Roza:
Këpucët hoqi si pa djallëzi pastaj
E këmbkat i futi në ujë për t’i freskuar,
Po unë s’i pashë këmbkat e saj.
—
Unë veçse i flisja pa ndërprerje,
Dhe e ndiqja në pyll shend e verë;
Ajo shpesh më buzëqeshte
E psherëtinte herë-herë…
—
Unë pashë se ajo qe e bukur sa s’ka
Vetëm kur dolëm nga pylli i pagojë.
“Për këtë të mos mendojmë më”, ajo tha.
Po unë që atëherë veç për të mendoj./Dita