Categories
Kulture

Kinematografia italiane në zi, ndahet nga jeta aktorja ikonë Monica Vitti

Aktorja italiane Monica Vitti ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare. Ikona e kinematografisë italiane është e njohur për rolet kryesore në filmat e regjisorit Michelangelo Antonioni.

“Lamtumirë Monica Vitti, lamtumirë mbretëresha e kinemasë italiane. Sot është një ditë vërtet e trishtuar, kemi humbur një artiste të madhe”, tha në një deklaratë Ministri i Kulturës, Dario Franceschini.

Aktorja legjendare fitoi famë ndërkombëtare me dramën e vitit 1960 “L’Avventura”.

E lindur në Romë më 3 nëntor 1931, Monica Vitti, emri i vërtetë i së cilës është Maria Luisa Ceciarelli, zbuloi pasionin e saj për teatrin gjatë Luftës së Dytë Botërore, teksa argëtonte familjen e saj me kukulla për t’i hequr mërzinë.

“Ndërsa bom bat shpë rthenin, kur na duhej të strehoheshim , unë dhe vëllai im i vogël improvizonim shfaqje të vogla për të argëtuar të afërmit”, tregoi ajo vite më vonë.

Talenti i saj u pikas nga regjisori Antonioni, me të cilin krijoi marrëdhënie artistike dhe sentimentale.

“Pata fatin ta nisja karrierën me një njeri me talent të madh”, tha Vitti në një intervistë në televizionin italian në vitin 1982.

Kjo marrëdhënie i solli asaj famë botërore dhe e çoi në rolin e saj të parë jashtë Italisë, përballë Terence Stamp dhe Dirk Bogarde në komedinë Modesty Blaise.

Pas kthimit në atdhe, ajo e forcoi statusin e saj si një ikonë e ekranit dhe ishte veçanërisht e njohur për komeditë e saj. Vitti u nderua me çmimin “Luani i Artë” në Festivalin e Filmit në Venecia në 1995.

“Suksesi i saj është gjëja më e mrekullueshme që më ka ndodhur, një mijë herë më mirë se të fitosh një Oskar”, tha ajo në atë kohë.

Aktorja, e cila vuante nga një sëmundje e pashërueshme, vitet e fundit ishte tërhequr nga jeta publike./Panorama.com.al/

error: Content is protected !!