Skip to content
Menu
Monitori
  • Home
  • Art
  • Histori
  • Kulture
  • Personalitete
  • Sport
  • Thenie
  • Kuriozitete
Monitori

Kompozitori Osman Mula nderohet me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Posted on February 17, 2022 by Monitor

Presidenti i vendit Ilir Meta ka vlerësuar me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” kompozitorin e njohur Osman Mula.

Kreu i shtetit shkruan përmes një postimi në facebook, se vlerësimi ndaj kompozitorit vjen në një ditë të shënuar kombëtare, siç është shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Ky vlerësim sipas presidentit jepet për kontributin e dhënë nga Osman Mula për përhapjen e kulturës shqiptare si dhe edukimit të brezave të rinj me një art thellësisht kombëtar.

“Shumë kënaqësi që sot, në këtë ditë të shënuar për kombin tonë, ditëlindjen e shtetit të pavarur të Kosovës, të vlerësoj me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” një personalitet të spikatur dhe shumë të dashur për publikun, kompozitorin dhe regjisorin e mirënjohur shkodran, me origjinë nga Kosova, Osman Mula.

Me një krijimtari të vyer dhe të suksesshme artistike për mbi katër dekada, ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për artin shqiptar nëpërmjet veprimtarisë së tij shumëplanëshe, duke u vlerësuar me dhjetëra çmime.

Jam i bindur që familja Mula do të vazhdojë të japë kontributin e saj të madh, për artin dhe kulturën shqiptare, ashtu siç e ka dhënë me artistin e shquar Avni Mula dhe bashkëshorten e tij Nina Mula, siç vazhdon ta japë me Inva Mulën e Osman Mulën, e për të vazhduar me tej, me brezat më të rinj të familjes Mula.

Mirënjohje për ndihmesën e madhe të dhënë ndaj përhapjes së kulturës shqiptare, si dhe edukimit të brezave të rinj me një art thellësisht kombëtar”, shkruan Meta në facebook./Panorama/

©2022 Monitori | Powered by WordPress & Superb Themes