Categories
Art Histori Kulture Personalitete

Ksenofon Dilo, një jetë në telajo, Kubisti shqiptar mbush 90 vjeç

Kubisti shqiptar mbush 90 vjeç, regjisorët dhe piktorët vlerësojnë artistin

Një nga piktorët më të mëdhenj të artit shqiptar Ksenofon Dilo më 15 Janar mbushi 90 vjeç, ndërsa kaloi dekada të tërë në organizimin e jetës artistike të vendit, duke dhënë një kontribut të madh në artet shqiptare. Dilo njihet si kubisti shqiptar, shquhet për skenografinë e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës më 1978, ilustrues i disa veprave të Kadarasë si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, etj.

I ftuar në Klan News kineasti dhe regjizori Piro Milkani vlerësoi aspektin e tij artistik e profesional sa i përket skenografisë.

“Fatmirësisht ai punoi si skenograf në filmin “Furtunat”. Fitoi një përvojë në bashkëpunim me skenografët rusë dhe pastaj u bë piktor filmi që nga viti ’59-72. Pra për 14 vjet, Ksenofnoi punoi si skenograf dhe si skenarist filmi. Mirëkuptimi artistik me Ksenofonin është i përjetshëm, është 60-70 vjeçar”.

Ndërsa piktori dhe pedagogu Vladimir Myrtezaj, kujtoi me nostalgji takimin e tij të parë me Ksenofon Dilon ndërsa e vlerësoi si unik për stilin e tij në tërësi.

“Ky kontakti i parë ma lartësoi figurën e njeriut që ishte i shkurtër, i zhurmshëm dhe shumë komunikues se për të parë një piktor nuk ka nevojë për tablo të mëdha, mund të shohësh elementë të imët për ta kuptuar se çfarë është në thelb ai. Ka një transparencë që i buron pak andej nga ka ardhur. Janë ca histori të pashkruara që vijnë përmes artistëve. Duhen zbardhur për ne që vijmë pas, të dimë të dëshmojmë epokën që kaluam”.

Për shkak të pandemisë z.Dilo nuk e kishte të mundur të ishtë prezent në studio, por kishte një mesazh për miqtë dhe artistët e rinj shqiptar.

“Arti figurativ në breza është pasuruar me vepra të spikatura. Mua veçanërisht më gëzon fakti që talentet e reja po pasurojnë artin tonë me vlera të çmuara. Ndjesë që nuk munda të jem fizikisht në studion tuaj për shkak të pandemisë, gjë që shpresoj ta realizoj në 95-vjetorin tim”.

Ksenofon Dilo në rrugëtimin e tij të gjatë artistik kontribuoi në pikturë dhe skenografi, ndërsa ka qenë edhe në krye të disa institucioneve të rëndësishme artistike të vendit si Teatri i Operas dhe Baletit, Akademia e Arteve, Galeria Kombëtare e Arteve etj.

Klan News

error: Content is protected !!